Në promovimin e këngës “Baladë Çame” në Tiranë, Adem Demaçi më tha të bëj një film për Çamërinë.
Popullsia çame që ka mbetur në trojet e dikurshme në varshmëri me politikën nuk shfaqet
-Shteti grek kërkon që të zgjerojë ujërat territoriale me 12 milje por bisedimet janë sekrete
Çamëria, Shkëmbi Barketa, djali i Akilit në Qafën e Botës, dhe Mehmet Shehu suliot
-Dua të realizoj një dokumentar biblik për viset e Çamërisë si një substrat i rrallë dhe skenari nuk po merr trajtë
– Hija e rrejshme e Asafalisë në këto vise qysh prej motit është atashuar dhe në valët e detit të Prevezës dhe tek shkëmbinjtë e Filatit
– Mes Kosovës dhe Çamërisë ka një tis ngjashmërie proverbiale, por Kosova e fitoi lirinë me luftë, po Çamëria?
– Në afërsi të piramidës 70 grekërit në Filat masakruan një djalë të ri që humbi të dyja këmbët, por u hoq zvarr deri në Konispol
– Sot pushtetarët po e zvogëlojnë Shqipërinë, po shesin territore, vendi po boshatiset, lindjet kanë firuar
“Prej Tivarit e n’ Prevezë
Nji a gjuha e kombi nji.
Ku lëshon dielli nj’ato rreze,
Qi veç toka e jote i di”
Ndre Mjeda
Por edhe sot çështja çame është në sipërfaqe?
Nuk është gërmuar. Flitet për të shpërngulurit me dhunë. Por nga qëmtimet del mbi ujëra një shkëmb më i madh se Shkëmbi “Barketa”, që kërkojnë të na e gllabërojnë grekërit e rinj të Micotaqit. Andartët grekë kanë therrur grupe çamësh, që nuk u bindeshin për të lënë vatanet. Shfarosja ka qenë mizore. Herë me përmasa masive dhe herë pjesë – pjesë me grupe dhe individë. Andartët e gjenocidit grek i kanë groposur çamët dhe në varre masive. Gjithashtu i kanë mbytur të gjallë në det, në lumin Pavël dhe i kanë djegur në furra gëlqereje. Vështroj në yrtet e Filatit se ku mund të jenë varret masive të banorëve të Çamërisë? Ngre supet. Kanë rrjedhur shumë ujëra. Miqtë më thonë se duhet kërkuar në arkivat e kishave, në manasitire, e nëpër familje ku ka pasur martesa mes famijeve çame me ato të vlleheve dhe të grekërve, megjithëse me grekërit kanë qenë të pakta. Edhe pse pushtetarët në Greqi janë përpjekur të zhdukin çdo “lule” çame, ka ende “guva”, ku mund të gjenden fakte mbi çamët e zhdukur pa nam e nishan. Pronat çame janë të regjistruara. Janë tapitë në arkivat e grekërve. Kot thonë se i kanë djegur. Kam shkuar dikur nga Tirana me ekipet e qeverisë në fshatrat e zonës së Konispolit të banuar qind për qind me fiset autoktone çame.
-Nga të gjitha lëvizjet dhe takimet në trojet çame çfarë të ka mbetur më shumë në mendje?
Më ka mbetur në mendje ajo që më ka treguar një brigadier blektorie.
Në afërsi të piramidës 70 më tregoi një lëndinë afër vijës së kufirit. Ngjarja ishte transmetuar gojë më gojë e brez pas brezi. Grekërit në Filat në masakrën e madhe kishin vrarë e kishin përzënë sa u kishte ngrënë krahu mbi çamërit e pafajshëm. Në një nga këto masakra një djalë i ri filatas, kishte humbur të dyja këmbët. Por kishte mbetur gjallë. Filatasi pa këmbë kishte udhëtuar një vit drejt Shqipërisë. Hiqej zvarrë. Jetonte me të lypur. Me të pyetur kishte mundur që pas një viti të delte mbi Konispol. E kishin futur në stan disa barinj të Konispolit. Filatasi u kishte rrëfyer se ç’kishte ndodhur me njerëzit e tij në Filat. Qe shuar fisi dhe i gjithë fshati ku kishte lindur. Po kështu kishte ngjarë dhe me qindra çamë të tjerë. Djaloshi i gjymtuar mbante me vete një çantë me lëkurë ariu dhe një qese të shajaktë. Për gjërat që kishte në çantën e lëkurtë, ai nuk kishte thënë gjë. Ndërsa në qesen e shajkatë kishte farë borziloku. U kishte treguar për mbiemrin dhe barinjtë e Konispolit i kishin thënë se njerëzit e tij ishin vendosur në Ujin e Ftohtë të Vlorës. Ishin me mbiemrin Lato. Filatasi qe gëzuar. Do ta ndihmonin që të arrinte në Vlorë. Por atij njëra këmbë i qe gangrenizuar. Nuk mund të udhëtonte tek Latot e Vlorës. Ai u kishte thënë barinjve të Konispolit ta varrosnin në kodër me kokën nga Filati. Çantën e lëkurtë t’ja vendosnin në varr, kurse farën e borzilokut t’ja mbillin mbi varr. Nëna e tij në Filat e mbillte një arë me borzilok. E kishte parë nënën me sy kur ja kishin prerë kokën me sëpatë andartët grekë. Dhe barinjtë e Konispolit kështu kishin bërë. Për çantën e lëkurtë barinjtë nuk kanë thënë ndonjë detaj. Kurse fara e borzilokut qe përhapur nga kodra në të gjithë lëndinën. Borziloku qe bërë pyll. Kaq dihet. Kur pas vitit 1945 kufirin me Çamërinë e morën në mbrojtje kufitarët shqiptarë njësitet e kufirit thoshin: – Sonte jemi me shërbim tek “Kodra me borzilok”. Kështu thoshin dhe kooperativstët. Edhe pse kodra me borzilok u plugua me traktor borziloku më shumë u shtua. Nuk iu shua fara. Ja kam thënë këtë motiv shkrimtarit Qamil Buxheli. Më kishte prezantuar me të i vëllai, Avni Buxheli nga Pandelejmoni, i cili u bë Komandant i forcave të kufirit shqiptar. Qamil Buxheli më pati kërkuar t’i tregoja emrin e filatasit të mbuluar me borzilok. Por deri në ditët tona ka mbrritur prej barinjve vetëm mbiemri Lato. Latot banojnë në Vlorë. I vëllai i Qamil Buxhelit, Avniu, një çam gjithashtu shumë i ditur më çoi tek Kodra me Borzilok. Asgjë nuk pashë. Bima e borzilokut atë vit nuk qe bërë shumë na thanë rojet. E kishin dëmtuar sorrat. Ato e hanë farën e borzilokut. Dhe Avni Buxheli që kishte një penë të artë mori me vete për në Tiranë një degë të thatë borziloku. Kam pyetur dhe për varrin e filatasit dhe nuk dihet asgjë. Ai e kishte lënë amanet që çantën me lëkurë ariu t’ja vendosnin në varr, ku kishte dokumenat e Filatit. Barinjtë që e varrosën nuk e kishin marë shumë seriozisht. Po fjalët mot pas moti u shumuan. Nuk kemi pse të çuditemi. Edhe nëpër varre duhen kërkuar “thesaret” e banorëve të Çamërisë.
-Pse? Ke diçka konkrete?
Në Filat, anës së një përroi, në një udhë të vjetër, po kërkoj për ndonjë të çarë a gropë, i cili mund të ketë qenë varr.
Nuk e vë në dyshim se kjo rrugë këmbësorësh nuk ka pësuar ndryshime. Në të detyrimisht kanë ecur karvanet e çamëve të përzënë nga bandat e andartëve grekë. Ndaloj në fund të një vreshti. Janë emigrantët shqiptarë që vjelin rrush. Ata pa më pyetur e hapin vetë bisedën. Greqia do të zgjerojë kufijtë detarë me 12 milje, e thonë më zë të lartë. Vetë hedhin dhe presin opinionet e tyre. Një djalë i ri ironizon me një proverb:- “Si muti, kaka, si kazma, lopata”. E ka fjalën për politikanët shqiptarë. Po e shesin detin. Nuk jap dot ndonjë mendim se nuk i njoh të gjithë. I pyes për një emigrant nga Janjari i Sarandës me mbiemrin Iljazi. Ata nuk e njohin. Mendimet e vjelësve të rrushit më pëlqejnë. E megjithatë nuk i ndahem vargut gjenial të Ndre Mjedës: – “Prej Tivarit e në Prevezë!”. Sot pushtatarët po e zvogëlojnë Shqipërinë. Po shesin teritore. Vendi po boshatiset. Lindjet kanë firuar.
-Por thuhet se Shqipëria po shitet kudo dhe po blejnë shtëpi të huajt? Keni informacione?
Në Ksamil kanë blerë prona nëpërmjet të tretëve afaristët rus. Në të ardhmen e afërt në Ksamil do të banojnë rus. Vendi i shqiponjave po shuhet. Vjelësit e rrushit janë interesant. Le ta kënë marrë ngjyrën e mushtit. Pse rri si buf më thonë mua? Ja na thuaj përse nuk u arrestua grupi negocator i vitit 2009. Ata e falën detin. Mirë dje, po sot përse nuk i arreston Prokurori i Përgjithshëm. Këtu në Çamëri thonë se ka pazare me palën greke dhe kufiri detar do t’i afrohet gjirit të Sarandës. Nuk u kthej përgjigje. Mendohem e gërvisht kujtesën.
Çfarë do na sillni nga kjo kujtesë
Në rini kam bërë disa stërvitje tek piramida 79. Stërvitjen e drejtonte koloneli çam Avni Buxheli. Ai me hartë në dorë e tha një qind herë se vija e kufirit duke filluar që nga piramida 79 kalon mes për mes Kanalit të Korfuzit. Dëgjojeni mirë thoshte koloneli me zë të lart! Shkëmbi Barketa është i Shqipërisë. Ai gur është tokë shqiptare. Për atë gur vritemi që të gjithë. Gjatë pesëdhjetë viteve të regjimit të Enver Hoxhës nuk vihej në diskutim. Shkëmbi Barketa ishte i Shqipërisë. Po ç’pati Ksenofon Krisafi që dha dorëheqjen me grupin më të ri negociator?. Çoç lëviz nën rrogoz. Shkëmbi Barketa sikur është lyer me gjak qeni. Psherëtij! Tani në epokën digjitale gjërat kanë ndryshuar. Shkenca e gjeodezisë studjon trajtën e tokës dhe të detit dhe përcakton përmasat nëpërmjet matjeve të ndryshme të sipërfaqes, të cilat pasqyrohen në plane, në harta e në marrveshje. Kufitarët e socializmit nuk ishin specialist në fushën e gjeodezisë. Por për Shkëmbin Barketa bëhej hataja. Gjatë atyre viteve e mbaj mend mirë se Shkëmbi Barketa ishte dhe në milimetrin e fundit tokë shqiptare. Për ishullin Othonoi ne nuk flisnim. Veçse dinim që Kadri Hazbiu në ishullin Othonoi shkonte dhe bënte gjueti. Kufijtë në ato mote i ruante morali i lart. Tek piramida 79 u kap një grek, i cili doli në breg me not. Greku qe lakuriq dhe ishte korb i zi. Forcat e kufirit raportuan në Ministri se tek piramida 79 u kap një “zezak”. Por greku i ardhur me det nuk qe “zezak”. Ai ishte lyer me graso që të mbrohej nga uji i akullt i detit. Ai “zezaku” kishte thënë midis të tjerave se shteti grek është shumë i fuqishëm. Unë jam ushtarak kishte thënë gjithashtu ai. Ne ju mbysim në det. Por forcat e kufirit të Shqipërisë janë të tmerrshëm. Të vrasin për një valë deti. Familjet greke i mbrojnë bijtë e tyre. Nuk i nisin për t’i vrarë. Po të nis lufta grekrit dezertojnë. Kurse shqiptarët bëhen hi. Vriten me këngë në gojë. Nuk largohen nga piramidat. Të grijnë. Nuk ka zot që të merret vesh me kufitarët shqiptarë. Unë kam ardhur për tjetër hall e kishte mbyllur rrëfimin “zezaku”.
Tani kufijtë shiten në tavolinë.
Pse?
Po, po. Jo një shkëmb si Barketa, por me dhjetra kilometra. Për Çamërinë në Qafën e Botës “baballarët”mbajnë fjalime. Jepen koncerte. Vendosen tufa me lule. Derdhen ca pika loti e bëhen fotografi. Në fund dhe një koktej. Pse kështu do të fitohet çështja çame? Dhje mendja ime fluturon tek marrveshja e firmosur në Ushangton midis palës shqiptare dhe asaj serbe në prezencë të njeriut më të fuqishëm të botës, Dolad Tramp. Sa e rëndë. Kosova bëri luftën dhe humbi mijëra jetë njerëzish, e pësëri nuk është e pamvarur. Po Çamëria ku po filmoj si do të fitojë? Me këngë në Qafën e Botës? E kam të zorëshme ta realizoj këtë dokumentar. Më duhen nja pesë vjet të hiqem zvarr si ai sakati me këmbë të prera nga Filati që shpuri në Konispol farën e borzilokut. Kam mbledhur shumë material për masakrat e bandave të andartëve grek, që bën gjenocid të pastër ndaj popullsisë së pambrojtur të Çamërisë. Në Filat asfalia greke është nëpër këmbë dhe të bën gjëmën po t’i zësh në gojë një gjysëm fjale që lidhet me viset e Çamërisë. Po jam në tokën shqiptare i them vetes? Pse të marrë frymë si i burgosur. Pse të kem frikë se më vrasin? Nëpër duar kam një ese të përfunduar për veprat e Qoses. E kam titulluar: -“Atdheu në fletët e librave të Qoses”. Eruditi i madh e ka shumë për zëmër këngën e popullit: /Shqipëri të qofsha fal/ /Të kam nënë e më ke djal/. Kosovarët panë dritë me luftë. Serbët janë të llahtarshëm. Themeluesi i gjuhës letrare serbe Stefanoviq Karaxhiqi ka thënë: “se ku jeton një serb është tokë serbe”. Sa therëse tingëllon thënia e Karaxhiqit “se ku jeton një serb është tokë serbe”. Po këtu në Çamëri ku çdo thërmizë dheu është shqiptare?
Po ju thoni se jemi në tjetër situatë…?
PO! Këtu nuk të gjakosin. Të vrasin. Më duhet të mbledh fakte dhe të filmoj në udhën e vjetër me shkëmbinj e shtuf. Nipërit e andartëve grek thonë se në karvanet e çamëve kanë vdekur qindra vetë. U hidhnin ndonjë lopatë dhe ku mundinin. Kishte të sëmurë që mbeteshin në mes të udhës. Po ku janë varret? Sikur të gjeja ndonjë. Për këtë shtegëtim me varre në të dy anët e udhës nuk është shkruar. Karvanet mbetshin pa bukë. Grekërit nuk u jepnin as ujë. Çamët e mbanin shpirtin me rrënjë të egra. Udhën ma preu një baldosë sa një derr i egër. Filatasi që mbrriti në Konispol pa këmbë ka treguar se karvanet vrisnin baldosa, nuselale, ketra dhe i piqnin. Sa më ngacmoj kjo baldosë. Po tjetër gjë më shqetësonte. Filmoja fshehtas dhe doja të shikoja ndonjë tufë borziloku. Në Konispol filatasi ka treguar se gjatë udhëtimeit të vështirë ai mbillte farë borziloku. Fara e borzilokut shtohet çdo vit dhe bëhet korie. Eh, i them vetes, sikur gjatë udhës të gjeja vazhdën e borzilokut të filatasit. Dhe dokumentari mundet që t’ja arrinte qëllimit. Në shumë qytete e fshatra tek plugoj me laps në universin çam dëgjoj të thonë: “Mëhalla, lumi, përroi, pylli e deti i Çamërisë”. Është një arshivë e madhe. Janë libra autentik që duhen lexuar. Edhe aty ku mungojnë njerëzit vendlindja çame flet. Në Parathimi kishte dyqind vjet që një kodre i thërrisnin Varri i Hoxhës nga Filati. Siç na thanë andartët grek e kishin shkatërruar varrin e Hoxhës nga Filati. Edhe gurët ja kishin futur në furrën e gëlqeres. E megjithatë edhe sot e kësaj dite vetë grekrit kur kalojnë atyr anëve thonë: – “Këtu ka qenë varri i Hoxhës nga Filati!”
-Ku të nxjerr udha e vjetër?
Udha e vjetër më nxjerr në rrëzë të një ujvare. Çamët që punojnë në Filat më thonë se jo shumë larg ujvarës janë rrënojat e një mulliri ku dikur bluanin filatasit, të cilët u shpërngulën me kërbaç e pushkë. Ata më dhanë dhe mbiemrin e pranarit filatas nipërit e të cilit banojnë në Fier. Në dy – tre vende gjeta dhe dega borziloku. Më pëlqen të mendoj se fijet e borzilokut janë të mbjella prej filatasit të gjymtuar, që mundi të dal mbi Konispol. Se di pse nuk po më ndahet motivi i filatasit që shpuri nga Filati në Konispol një trastë me farë borziloku. Në hotel çdo mbrëmje e hedh vështrimin nga Kashta e Kumtrit, që në Çamëri e kanë quajtur Udha e Qumështit. Çamët u tregonin fëmijëve për Udhën e Qumështit. Një njeri kishte vjedhur kashtë. Por udhës thesi i kashtës i hapet vjedhësit dhe mbas tij u shpërnda kashta e vjedhur dhe u formua Udha e Qumështit. Dhe fëmijët çam sa binte nata e shikonin në qiell udhën që zgjatej me kashtën e vjedhur. Dua ta krahasoj filatasin e gjymtuar me vjedhësin e Kashtës së Kumtrit. Por krahasimi çalon. Megjithëse tregimi i çamëve synonte tu thoshte fëmijëve se njeriu nuk duhet të vjedh, ngjasimi me filatasin, që mbolli udhës për të dal në Konispol farë borziloku është i paqëlluar. Filatasi mori nga konaku në Filat çantën ku ishte borziloku i nënës. Ai nuk ka punë me vjedhësin e kashtës. Vjedhësi i kashtës kishte si atdhe qiellin, kurse filatasi me borzilokun e nënës në shpinë kishte vendlindje Çamërinë, ku edhe sot tek – tuk recitohen vargjet e Çajupit: -/E dashur mëmëdhe!//Të dua dhe kështu si je!//Po kur të shoh të lirë/ /Do të dua më mirë/. Çajupi i ka shkuar këto vargje kur qysh moti kishte filluar gjenocidi i andartëve grek. Janë të skalitur në Çamëri dhe të Labëri shumë këngë që fiksojnë luftën dhe terrorin grek. – /Venizellua nga Gjiriti/ /Asqer nga Preveza ngriti/. Po kush janë “asqerët”? – Janë andartët grek me thika të posaçme për të therur çamët. Andartët i thernin çamët nga zverku me disa biçak me mill floriri dhe i ripnin nëpër rrepe sikur të ishin cjep.
Çamët e përzënë në karvanet e përgjakur kanë fiksuar në këngët e tyre dhe personazhet e mallkuar si gjeneral Griva, i cili gjithashtu ka bërë krime të përgjakëshme ndaj çamëve. E thotë dhe kronika në vargje: – /Viti katërmbëdhje seneja/ /Edhe Griva nga Moreja/. Nuk ka nevojë të qëmtosh në arkiva. Poeti çam në karvanin e dërrmuar e dokumenton edhe vitin. “Viti katërmbëdhjetë seneja!”. Historitë e çamëve janë të rrralla. Ata kanë qenë mysliman dhe kurrë nuk e ndërruan fenë. Një burrë i moshuar që ka qenë detar më thotë dhe këto fjalë: “Ujku thotë ai sulmon me dhëmb, demi me brirë, kurse greku me kishë”. Dhe pastaj ma këndon me zë të lart këngën që e këndonin në Marglliç: – /Biri, moj daulle, biri/ /Ta marr vesh dreqi dhe i biri//Ka lojt prifti nga fiqiri/. Dhe më tutje: /Bëre mirë aq e kaq/ /Prift, o papa Nikollaq/. Në punishten e këngëve ato kundër kishës janë ulur këmbëkryq.