Në promovimin e këngës “Baladë Çame” në Tiranë, Adem Demaçi më tha të bëj një film për Çamërinë.
Popullsia çame që ka mbetur në trojet e dikurshme në varshmëri me politikën nuk shfaqet
-Shteti grek kërkon që të zgjerojë ujërat territoriale me 12 milje por bisedimet janë sekrete
Çamëria, Shkëmbi Barketa, djali i Akilit në Qafën e Botës, dhe Mehmet Shehu suliot
-Dua të realizoj një dokumentar biblik për viset e Çamërisë si një substrat i rrallë dhe skenari nuk po merr trajtë
– Hija e rrejshme e Asafalisë në këto vise qysh prej motit është atashuar dhe në valët e detit të Prevezës dhe tek shkëmbinjtë e Filatit
– Mes Kosovës dhe Çamërisë ka një tis ngjashmërie proverbiale, por Kosova e fitoi lirinë me luftë, po Çamëria?
– Në afërsi të piramidës 70 grekërit në Filat masakruan një djalë të ri që humbi të dyja këmbët, por u hoq zvarr deri në Konispol
– Sot pushtetarët po e zvogëlojnë Shqipërinë, po shesin territore, vendi po boshatiset, lindjet kanë firuar
“Prej Tivarit e n’ Prevezë
Nji a gjuha e kombi nji.
Ku lëshon dielli nj’ato rreze,
Qi veç toka e jote i di”
Ndre Mjeda
-Cfarë po gjen në botën e çamëve?
Ngado që qëmtoj këmbëngul që të gjej botën e çamëve. Të panjohurën. Prandaj në çdo takim fiksoja baladat, këngët, dasmat, mortet, xhamitë, lumenjtë, vajet, përrallat, zakonet, sarajet, vitoret, zanat, magjitë, mallkimet, paralajmërimet me kuisjet e qenve se kur do të kishte vdekje e të tjera. Nuk po e gjej dot të veçantën. Ato që i kisha shënuar në bllok në Prevezë kur i lexoja më dukeshin sikur i kisha vjelë në Luginën e Lumit të Vlorës. Për shëmbull trimja Laskarina Bubulina, e cila ishte arvanitase në kryengritjen kundër turqve humbi burrin dhe djalin. Vetë mori komandën e forcave kundër armiqve. Këngën, të cilën e mora në Marglliç thotë: -/Bubulinë trime me nam/ /I nxore djemtë me pallë/ /Mariot dhe shqiptarë/. Sa më ngjante Bubulina me Miro Tërbaçin. Edhe sot ku ka famije çame ngrihen dolli si për Bubulinën dhe për Miro Tërbaçin. Duke u menduar nëpër Marglliç më vinte inat, që në motet e socializmit në Shqipëri propaganda e lustronte motivin edhe për detajin më të parëndësishëm të personazhit. Në shumë vende nëpër Çamërinë e shkretuar doja të zbrisja në “palcën” e një heroi siç qe Osman Taka, që përmendej vetëm për vallen e tij të famëshme. Jam ndodhorur në Ksamil në vitin 1978 kur vendin magjik e vizitoi Enver Hoxha. Për dreq dhe ai i fryjti të njëjtit zjarr. Foli për vallen e Osman Takës. Një vargmal me shkrime ishin shkruar për vallen e heroit çam nga Konispoli me shumë emër në çdo milimetër të Çamërisë. Edhe Enver Hoxha i ra fyellit në të njëjtën vrimë. Por Osamn Taka në rradhë të parë ishte veprimtar i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Osam Taka ishte “truri” i Lidhjes shqiptare në jug dhe prandaj autoritetet osmane e ndoqën, e burgosën dhe e vranë në Konispol. Natyrisht që ishte dhe valltar. Enver Hoxha në Ksamil nuk foli për meritat e Osman Takës. Atë ditë në Ksamil për të dëgjuar Enver Hoxhën erdhën të gjithë çamët nga çukat e Konispolit. Mbrritën qysh pa gdhirë. Udhën e largët e bën në këmbë, me kuaj e me mushka e me makinat e zbuluara të dërguara që nga Saranda. Por atë ditë çamët e lodhur mbetën të zhgënjyer. Enver Hoxha nuk foli fare për genocidin grek ndaj popullsisë çame të mbetur matanë kufirit. Nuk foli gjithashtu për pronat e çamëve, të cilat i kishin përvetësuar andartët grek. Po pse heshti tinëzisht Enver Hoxha për fatin e keq të çamëve?. Enver Hoxha që qe afër Çamërisë nuk i trazoi ujërat në Ksamil. Pse? Në një farë mënyre heshturazi kishte rënë në “ujdi” me qeveritarët grek. Përpara çamëve në Ksamil e hëngri turpin me bukë. Tek e sjell në imagjinatë atë takim të Enver Hoxhës në Ksamil me banorët e Sarandës dhe sidomos me atë të çamëve të Konispolit ndihem keq. Sa i vogël më është dukur në Ksamil Enver Hoxha përpara poetit Ndre Mjeda, i cili kishte shkruar 60 vjet më parë vargun homerik: – /Prej Tivarit e në Prevezë!
Në çdo takim me njerëz, të cilët nuk janë çam, më gërvishtin çështjen e zgjerimit të ujërave detare deri në 12 milje nga ana e grekërve. Një lajm i fundit që e ndoqa në Parathimi bënte fjalë për blerje armësh e avionësh ushtarak nga shteti grek. Njerëzit e thjeshtë duan të dinë hollësira. Mirë detin kërkojnë ta zgjerojnë, po çështjen çame përse nuk e zënë në gojë? Të njëjtën gjë që bënte Micotaqi i madh, këtë po bën dhe i biri, që tani është kryeministër. Bile ky i dyti është dhe më tamaqar. Përgjigjet e mia janë të thata. Unë nuk e njoh të drejtën Ndërkombëtare të detit.
-Jëmi në një kohë tjetër, çfarë bluani në mendje për këtë problem?
-Jemi në kohën e botës digjitale dhe tani gjeodezia kozmike të jep ujë në “shosh”. Atyre që i kam miq u them: Pavarësisht sesi do të katranoset marveshja e re që është në magjen e brumit ka rëndësi që Shkëmbi Barketa t’i mbetet Shqipërisë. Ndryshe “u puthëm me Milon”. Kufijtë detar u shtytën në Qafën e Gjashtës. Do tregoj me mburrje një takim që në rininë time kemi pasur në sallën e mbledhjeve të Ministrisë së Brendshme me një nga shkrimtarët me emër. Takimet me shkrimtarët ishin të modës në ato mote. Ishim mbi 150 oficer nga e gjithë Shqipëria. Mbledhjen e drejtonte zevëdësministri i brendshëm Frrok Pjetër Gega. E mori fjalën dhe shkrimtari “x”. Ai foli rreth një orë. Ne pa e ngritur kokën mbanim shënime në blloqe. Porositë e tij do të shkonin tek forcat e kufirit në piramida. Midis të tjerave shkrimtari “x” tha dhe një gjë që na la pa mend. Ti propozohet shokut Enver tha ai që mbi Shkëmbin Barketa të hidhet një kat me beton. Dihet që shkëmbi në vartësi të baticave dhe të zbaticave herë shfaqet e herë zhduket nën ujërat e kaltëra. Pasi të hidhet një brez me beton, po në përmasat e shkëmbit, të ngrihet një basoreljev dhe mbi të vendoset monumenti i Hasan Tasinit. Të vendoset dhe një shtizë për të ngritur falamurin kombëtar së paku një herë në muaj. Ky detaj mundet të ishte dhe fantazi e shkrimtarit, i cili na shikonte ne në sallë si ca “idiotër”. Por ai shkrimtari “x” paçka se si e tha mendimin për ta ktheyr Barketën në “pallat”, ne që e dëgjuam na e nguliste në mendje faktin se Shkëmbi Barketa ishte pjesë e tokës dhe e detit të Shqipërisë.
Nuk dua që çështjen e detit ta fus shumë në skenar.
-Pse?
S’jam ekspert i detit. Orë pas ore nëpër Çamëri më dalin përpara syve personazh të habitshëm të historisë çame. Lexoj çka kam shkruar dhe nuk është më pjesë e dokumetarit filatsi me këmbë të prera, i cili e çoi borzilokun e nënës në Konispol. Por nuk dua as të merrem me linjën “Mjeda i madh dhe Enveri i vogël”. Miqtë më sygjerojnë që të merrem me figura të panjohura të Çamërisë. Çamët e Prevezës më thonë se në Kuvendin e Vilajetit të Zhulatit të vitit 1830 ka marë pjesë dhe Xhafer Demua nga Filati. Siç duket bëhet fjalë për Kanunin e Idris Sulit, i cili u mor me reformat e të drejtës zakonore. E njoh Kanunin e Idris Sulit, por emrin e Xhafer Demos nga Filati nuk e kisha dëgjuar. Prevezasit për të më bindur më tregojnë dhe këngën: /Idris Suli nga Zhulati/ /Belul Toto Progonati/ /Xhafer Demua nga Filati/……/Vetë Gjoleka nga Kuçi/ /Fejzo Gjika nivicioti/ /Bashkë me ta dhe Tafil Buzi/ /Dhe trimi Çelo Picari/. Në Kuvendin e Idris Sulit morën pjesë përfaqësuesit më të shquar të krahinave, luftëtar, trima dhe patriot. Po kush është Xhafer Demua nga Filati? Mu hap punë.
Orë pas ore përroi i skenarit mbushet me ngjarje e pamje që nuk i kisha imagjnuar. Më lënë pa mend kapedanët e Çamërisë. Kur kam ndjekur filmin “Sulejmani i madhërishëm” dhe kam dëgjuar për luftrat në Prevezë kjo më ishte dukur thjesht si një gjetje artistike. Por të shfletosh historinë e luftrave të Prevezës, Gumencës dhe të gjithë bregdetit të Çamërisë nuk gjen dot fjalë për t’i vënë në rresht. Kapedanët e Çamërisë kanë bërë shumë për atdheun e tyre. E thotë dhe kënga çame: – /Ndalu, Sulltan Sulejman/ /Si njeh mirë këto anë/ /Me biçak ta marrin xhan/. Çamët njihen si trima dhe besnik të lidhur sidomos me Ali Pashë Tepelenën si dhe me lebrit. Për të mbrojtur kullën e Litharicit në kalanë e Janinës nga turqit Ali Pashë Tepelena vendosi në kala trimat e Çamërisë, të cilët më 15 tetor të vitit 1821 e mbrojtën atë me heroizëm. E thotë dhe kënga çame: -/Kalaja në an’të gjolit/ /Ç’e rreh topi i Stambollit//Bien gjylet treqind okë//Dy mijë gegë dhe tre mijë çam/ /Të lidhur me Ali Pashanë/.
Sa herë që më ftojnë në ndonjë takim e përmend atë që më ka thënë një nga kolonelët çam, i cili ashtu si dhe unë, qe në shërbim të shtetit të Enver Hoxhës. Tek piramida 70 në Qafën e Botës koloneli Avni Buxheli nga Pandelejmoni po i jepte detyrën një oficeri të ri. Piramida është në formën e trekëndshit. Në mesin e piramidës ndodhet një vijë që ndan milimetrat e kufirit midis dy vendeve. Koloneli i thoshte kuadrit të ri se pika e vesës rrjedh në këtë vijë të hollë. Nëse pika e vesës shkërmoqet dhe prek milimetrat e pjesës shqiptare është shkelur kufiri shtetëror. Oficeri i ri duhet të mësonte, që edhe pika e vesës që nga maja e piramidës në të dy krahët, duhet të binte në tokë pa cënuar asnjë milimetër. Pa e hequr dorën nga piramida koloneli çam Avni Buxheli i tregoi kuadrit që po merte detyrën historinë e dëshmorit Benda Buzo nga Korça. Kufitarin e vrau një bandë e monarkofashistëve grek. Dhe kufitari para se të jepte shpirt shkroi dy gërma në faqen e piramidës: P. E.(Parti – Enver). Por nga ai takim tjetër gjë më ka mbetur në mendje. Kolonel Avni Buxheli pa e hequr dorën nga piramida 70 i tha gjithashtu oficerit të ri një mendim që atëherë më tronditi. Do të vijë një ditë tha koloneli që piramida 70 -të do të xhvendoset dhe do të vendoset në gjirin e Prevezës. Nuk do të jetë kufiri në Qafën e Botës. Por në Prevezën e bukur. Këto ditë nëpër Çamëri e kam kujtuar këtë thënie të Avni Buxhelit, që në atë kohë nuk thuhej lehtë. Por siç po duken bathët profecia e Avni Buxhelit do të vonojë. Tentativa e grekërve për t’i zgjeruar kufijtë me 12 milje e çon Ksamilin në Qafën e Muzinës. Nëse do të më teproj koha do të kthehem në Bashkinë e Konispolit e do të çaj atje dy propozime. Avni Buxheli nga Pandelejmoni të shpallet “Qytetar Nderi”, dhe një monument i Ndre Mjedës të vendoset në mes të qytetit të Konispolit.
Miku im Dhimitër Butrinti që filmon ku mundet më thotë se duhet të filmojmë dhe në hyrje të Ujit të Ftohtë në Vlorë.