– Shqipëria sot përbën një çmim për Guines, sepse është i vetmi vend europian që nuk ka asnjë shoqatë për shkrimtarët dhe artistët
– Shkrimtarët nuk botojnë dot asnjë gazetë dhe asnjë revistë dhe nuk përbëjnë asnjë lloj komuniteti me një status të përcaktuar
– Padyshim që vlerësoj disa poetë të mëdhenj botërorë, Homerin, Omar Khajamin
– Padyshim nga poetët shqiptarë pëlqej De Radën, Seremben, Naim Frashërin, Mjedën, Lasgushin dhe më të fuqishmin Migjenin
– Në teknikën time poetike kam mësuar shume nga poeti i madh antik, Pindari
– Disiplina e kritikës letrare sot në shqipëri është në një gjendje të mjerueshme
– Nuk kemi mundur të nxjerrim kritikë me personalitete të forta, zbulues talentesh dhe studiues sintetikë të letërsisë
– Lasgushi është një nga lirikët shqiptarë të të gjithë kohërave, por a e dini që Lasgushi nuk është i përkthyer në asnjë gjuhë të huaj?
– Poetët, shkrimtarët, artistët dhe përgjithësisht njerëzit e kulturës nuk kanë asnjë lloj statusi në shoqërinë e sotme
Më 22 nëntor, në orën 17:00 në Muzeun Kombëtar Dr. Moikom Zeqo nën kujdesin e Shtëpisë Botuese “ERIK” promovon “Korpusin e ri” të botimeve, ku librat studimorë për De Radën, Migjenin, si dhe për Lasgush Poradecin pa dyshim që janë në zemrën e këtij korpusi. Janë afro 100 tituj të fushave të ndryshme, të arkeologjisë, të studimeve mitologjike, të historisë së artit, të poezisë, të prozës së gjatë dhe të shkurtër, të publicistikës pokitike, të eseistikës dhe të mendimit, të zbulimeve kulturologjike, apo të hulumtive në rrafshin e arteve figurative, të monografive shkencore për gjeniun e shekullit të 16, Onufrin e madh si dhe për mendimtarët e mëdhenj të shekujve që nga antikiteti deri në kohërat modern.
– Çfarë përmban “Korpusi i ri” i botimeve? Pse është një përzierje e poezive me artikujt shkencorë?
Fjala “korpus” do te thotë përafërsisht një koleksion i veprave që kam shkruar që nga mosha e rinisë deri më sot.
Përurimi që bën Shtëpia botuese ERIK, në të vërtetë është vetëm një pjesë e asaj që mund të quhet në kuptimin substancial një korpus.
Disa vepra themelore e të rëndësishme, siç janë librat studimorë për De Radën, Migjenin, si dhe për Lasgush Poradecin pa dyshim që janë në zemrën e këtij korpusi.
Edhe koleksioni i librave të mi për fëmijë, të vlerësuara shumë nga lexuesit, përbëjnë një nga dimensione e kuptimshmërisë e asaj që quhet OMNIA OPERA.
Pra, përfaqësimi bëhet nga cilësia dhe konceptualiteti i disa veprave që parakuptojnë dhe nënkuptojnë dhe numrin e librave të tjerë që kam botuar që nga viti 1968-2017. Janë afro 100 tituj të fushave të ndryshme, të arkeologjisë, të studimeve mitologjike, të historisë së artit, të poezisë, të prozës së gjatë dhe të shkurtër, të publicistikës politike, të eseistikës dhe të mendimit, të zbulimeve kulturologjike, apo të hulumtive në rrafshin e arteve figurative, të monografive shkencore për gjeniun e shekullit të 16, Onufrin e madh (vetëm për Onufrin kam botuar 3 libra), si dhe për mendimtarët e mëdhenj të shekujve që nga antikiteti deri në kohërat moderne.
Përgjigja është më tepër pohuese, sepse kështu është,nuk mund të ishte ndryshe. Ka poetë që nuk janë marrë fare me shkencën, siç ka dijetarë që përtej shkencës nuk kanë artikuluar asgjë që lidhet me poezinë, ose letërsinë në përgjithësi.
Që në moshën time të rinisë së hershme kam patur pasion matematikën dhe fizikën.Kur unë mbarova maturën kisha botuar ndërkohë 2 libra me poezi “Vegimet e Vendlindjes” dhe “Qyteti Feniks”.
Në kërkesën time për studimet e larta kisha shprehur dëshirën për të studiuar fizikën si shkencë. Por më dhanë të drejtën për të studiuar filiologjinë dhe letrat shqipe. Në të vërtetë përherë kam qenëi dyzuar midis shkencës dhe artit.
Pasioni më i madh shkencor i imi u formatua mbas moshës 20 vjeç. Ky pasion qe Arkeologjia. Po të mos kisha lindur në Durrës, vetvetiu nuk do të kisha studiuar arkeologji. Mbarova me sukses kursin 2-vjeçar pasuniversitar per arkeologji, punova mbi 10 vjet si arkeolog në muzeun Arkeologjik të Durrësit,si dhe specialist i artit antik në Sektorin e Artit Antik Mesjetar pranë Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Kam bërë dhe specializime të nivelit të lartë pranë Shkollës Franceze të Arkeologjisë në Romë, pastaj në Athinë, si dhe kam studiuar Bizantologjinë në vitet 1996-1997 Washington D.C.
Përsa i përket arkeologjisë unë kam botuar që përpara vitit 1990, dy libra, pastaj një numër të madh botimesh jo me tirazh të madh. Kam projektuar botimin e veprës time me studime arkeologjike të botuara nërevistat “Iliria”, “Monumentet”, si dhe në revistat jashtë shtetit, kryesisht kumtesat në simpoziumet dhe konferencat ndërkombëtare arkeologjike ku kam marrë pjesë. Kjo do ta fuqizojë më shumë dimensionin shkencor të korpusit tim.
Në fakt, veprat janë të botuara, por do të ribotohen.
-Kohët e fundit keni nxjerrë botime poetike shumë voluminoze ku bien në sy poezitë filozofike dhe moderne, pse këmbëngul në këtë poezi?
Në të vërtetë janë 12 vëllime të formatit të madh, secili vëllim mbi 300 faqe, që unë i kam quajtur “MISCELLANEA”, një emër në latinisht që do të thotë “Përzgjedhje”.
Në këto 12 vëllime përfshihet veprimtaria ime poetike që nga viti 1964 dhe deri tani.
Por unë shtova dhe 10 vëllime të tjera të ngjashme ku kam botuar sinopset poetike, fragmentet, por edhe poemat të mbetura në blloqet, ditarët e arkivit tim vetjak ndër vite.
Padyshim që poezia ime ndryshon, ka një karakter krejt të dallueshëm, sic e kanë thënë dhe kritikët dhe estetët për krijimtarinë time nga traditat poetike në përgjithësi.
Këto 20 vitet e fundit për librat e mi poetikë janë shkruar shumë ese dhe studime nga autorë të njohur të kritikës, madje janë botuar edhe disa libra. Në të gjithë këtë vështrim kryesisht estetik të artikuluar dhe të shprehur, vihet në dukje pikërisht shpirti filozofik, i persiatjeve poetike, si dhe sistemi i pazakontë metaforik, përherë i plleshëm dhe i pafund (kështu thonë komentuesit).
Pa dyshim që libri studimor mbi krijimtarinë time është ai i intelektualit të shquar dhe studiuesit, Fatmir Minguli, “Tatuazhet e shpirtit – Transletërsia e Moikom Zeqos”, një libër me format të madh botuar nga ERIK. Ky libër është rezultat i gati 20-viteve të studimit të krijimtarisë të librave të mi, që Minguli i ka ndjekur me një akribi dhe vëmendje të madhe. Ky libër paraqet në formën e një afresku apo të një sinteze tipologjike esencën e krijimtarisë të realizuar nga unë. Nga ana tjëtër, unë do të përmend disa libra të cilët janë botuar për figurën time si shkrimtar dhe studiues nga autorë të njohur, si: Josif Papagjoni, Neas Sopaj, Ahmet Selmani dhe Vasil Vasili. Konsiderata të larta për krijimtarinë time ndër vite kanë shkruar Frederik Rreshpja, Skënder Drini, Faslli Haliti, Sulejman Mato, Akademikët, Rexhep Qosja, Dritëro Agolli, Ali Aliu, dhe sidomos Alfred Uçi.
Por jehona më profesionale me vlerësime më të e për më janë bërë në rastin e botimin e dy librave të mi poetikë në Amerikë, të përkthyera dhe të botuara nga poeti i madh amerikan Wayne Miller, që është njëkohësisht edhe profesor i letërsisë krahasuar në Universitetin më të madh të Denverit, si dhe editor i një reviste të madhe letrare.
Librat e mi “Nuk i besoj fantazmat”, si dhe “Zodiak” janë vlerësuar nga 20 artikuj në shtypin e specializuar letrar amerikan, disa prej të cilëve kanë qenë të shkruara nga poetë të mëdhenj të Amerikës, si Marc Simic, Ilya Kaminscy, Kevin Prufer, Richard Paëers, etj. Në fund të këtij viti Wayne Miller ka përgatitur për botim librin tim të tretë në Amerikë të quajtuar “Epistolae in Tenebris” (ky titull latin në shqip do të thotë “Letrat në Errësirë”).
-Cilët janë poetët botërorë që ngjallin dhe frymëzojnë jetën krijuese të Moikomit?
Nuk mund t’i përgjigjem thjeshtë kësaj pyetjeje. Nuk mund të bëj përcaktime shumë të qarta dhe përfundimtare.
Padyshim që unë vlerësoj disa poetë të mëdhenj botërorë: Homerin, Omar Khajamin e shek XX, me Ruabirat e tij të shqipëruara mrekullisht nga Fan Noli, Danten, më të madhin shkrimtar ndoshta të botës, Shekspirin, Ë. Blake-un, Jitsin, Ezra Paundin, më të madhin poetin amerikan të të gjitha kohërave, Ëhitmanin, Tomas Eliotin, Stivensin, Silvia Plath, Eshberin, Jori Graham, Artur Rembon, Bodlerin, Ungaretin, Kuazimondon, Majakovskin, Pol Celanin, George Traklin, Rilken, Andre Bretonin, Kavafin, Odisea Elitin, Vasko Popën, Soreskun, Staneskun, Zbigniev, Herbertin.
Padyshim nga poetët shqiptarë: De Radën, Seremben, Naim Frashërin, Mjedën, Lasgushin dhe pa dyshim më konceptualin dhe më të fuqishmin Migjenin etj.
Por në teknikën time poetike kam mësuar shume nga poeti i madh antik, Pindari.
Fantazma e Pindarit më duket sikur më zotëron në të gjitha indet e mia të trupit.
– Pse poezia sot është gjinia letrare më pak e lexuar në Shqipëri?
Poezia është mrekullia më e madhe e intelektit njerëzor dhe padyshim arti më i koncentruar dhe me nivelin estetik më të epërm.
Kjo poezi e madhe i ka rezistuar të gjithë shekujve dhe do t’i rezistojë pambarimisht.
Por, në shumicën e rasteve për arsye të ndryshme, që nuk është momenti për t’i sqaruar këtu, është edhe një zhanër spekulativ, që shkruhet nga një numër i pafund epigonësh dhe njerëzish mediokër.
Ky lloj i dytë “i poezisë”, as nuk vlen të lexohet sepse është dhe një prishje dhe banalitet i shijes. Përsa i përket poezisë së madhe, edhe sot në botë nuk mund të thuhet se ka një vlerësim aq të lartë, d.m.th adekuat për shkak se përgjithësisht veprat letrare të rëndësishme “duket sikur e kanë humbur publikun”.
Flitet madje “për një vdekje të bardhë të letërsisë”. Por unë nuk dua dhe nuk mund ta besoj këtë gjë.
Filozofi francez, Egdar Morin, në një nga librat e tij të fundit thotë se vetëm ringjallja e gjuhës poetike mund ta shpëtojë njerëzimin nga gjuha banale e komunikimit marketilist.
-Si do ta vlerësonte Moikom Zeqo kritikën e sotme shqiptare për krijimtarinë?
Disiplina e kritikës letrare sot në Shqipëri është në një gjendje të mjerueshme, ose është në një atribut klientelist, ndaj emrave të autorëve, ose operacionalizohet sipas koncepteve politike.
Nuk kemi mundur të nxjerrim kritikë me personalitete të forta, zbulues talentesh dhe studiues sintetikë të letërsisë.
– Poetët shqiptarë a mund të konkurrojnë sot në botë dhe cilat janë karaktersitikat e poezisë shqiptare sot?
Është shumë e vështirë që t’i përgjigjem kësaj pyetje ashtu siç duhet. Unë sapo botova librin “Lasgushi i Panjohur”.
Lasgushi është një nga lirikët shqiptarë të të gjithë kohërave.
Po a e dini që Lasgushi nuk është i përkthyer në asnjë gjuhë të huaj?
Mjeda është një poet i jashtëzakonshëm, për mendimin tim, edhe më i madh se Carduci ne Itali.Po a e dini (më duket si tautologji) se Mjeda nuk është përkthyer në asnjë gjuhë europiane dhe të botës?
Si ka mundësi?
Kuptohet që vështirësia për përkthimin e poetëve shqiptarëështë kolosale.
Ndonjëherë duket e pakapërcyeshme.
Diçka mund të bëhet nëse shteti shqiptar do të krijonte një institucion për përkthimin e autorëve shqiptarë në gjuhët e huaja. Për shtetin shqiptar në këtë pikë ka një prapambetje shekullore.
Megjithatë unë mendoj që disa nga poetët shqiptarë janë padyshim të nivelit të poezisë më të mirë bashkëkohore sot.
– A vlerësohen nga shteti shqiptar poetët dhe shkrimtarët në 27-vjet demokraci?
Poetët, shkrimtarët, artistët dhe përgjithësisht njerëzit e kulturës nuk kanë asnjë lloj statusi në shoqërinë e sotme të demonizuar nga politika e ditës. Statusi i tyre realisht është nën zero. Kjo është e trishtueshme dhe ulëritëse.
-Aktualisht shkrimtarët dhe artistët janë pa godinë dhe pa Shoqatë, sa ndikon kjo në personalitetin e tyre por edhe të letërsisë shqipe?
Lidhja e shkrimtarëve u anulua dhe u zhbë me një gjakftohtësi idioteske. Iu muar dhe godina që në letra juridikisht ishte pronë e shkrimtarëve dhe artistëve.
Shqipëria sot përbën një çmim për Guindes, sepse është i vetmi vend europian që nuk ka asnjë shoqatë për shkrimtarët dhe artistët, asnjë institucion të tyre, nuk botohet asnjë gazetë dhe asnjë revistë dhe nuk përbëjnë asnjë lloj komuniteti me një status të përcaktuar dhe nuk kanë asnjë vlerësim real, janë në një gjendje ekonomike të mjerueshme, nuk u përfillen të drejtat e autorit, nuk fitojnë asgjë nga botimi i veprave të tyre, përkudrazi duhet të paguajnë vetë për botimin e këtyre veprave. Pra, çdo gjë është një katrahurë. Kjo tregon se sa mbrapa është Shqipëria, me të gjitha shtetet e tjera, jo vetëm në Europë, po në të gjitha kontinentet e tjera, në vlerësimin e kulturës dhe të njerëzve që e bëjnë në kondita të pazakonta dhe të vështira këtë kulturë për të mos ndërprerë vijimësinë e saj.