Albert Z. ZHOLI: Kujtimet e ish redaktorit të parë të Televizionit Shqiptar, Gojard Daiu

Albert Z. ZHOLI: Kujtimet e ish redaktorit të parë të Televizionit Shqiptar, Gojard Daiu

Kujtimet e ish redaktorit të parë të Televizionit Shqiptar, Gojard Daiu

-Koncerti variete i vitit 1971, kishte skeçe, parodi, këngë, grimca humoristike, recitime, pantonima.

-Festivali i 11 solli një rrëmujë sikur kishte plasur lufta.

-Post Festivali i la pa gjumë, regjisorët, moderatorët, drejtuesit, këngëtarët dhe gjithë stafin.

-Pas festivalit të 11-të mua më çuan në Rrëshen, Aleksandër Lalon në Kukës, Françesk Radin në Pukë.

-Si filloi “Koncerti Variete” në vitin 1971, që jepej çdo të shtunë?

-Si mora vërejtje nga Nexhmije Hoxha për veshjen gjoja ekstravagande të Flutura Çangut.

– Kur nuk pritej Ramiz Alia dhe Fadil Paçrami, filluan të kryqëzojnë Todi Lubonjën.

Ka një emër interesant për të cilin diskutohet shumë mes miqsh. Por ashtu si ka emrin ka dhe fjalën të artë. Kurrë nuk flet keq për njeri dhe gjithmonë përcjell mirësi. Para 10 vitesh me të kam bërë intervistën e parë, por bashkë me të mora dhe disa dorëshkrime. Kishte kujtime të bukura në RTSH, të cilat nuk i ka hedhur të gjitha në letër. Kam shumë dorëshkrime, por që janë pak për jetën e madhe në RTSH më tha ato ditë. Ajo që vlerësohet tek ky intelektual është se ai mbetet ndër pionierët e RTSH-së dhe kur flet për të emocionet janë të shumta. Në miqtë e tij të këtij gjigandi të medias vizive shqiptare ai njihet si “babai” i Koncertit të Varietesë, që ka bërë bujë në fillimet e saj. Kujtimet e tij janë të shumta, por ai rrek ato më pikantet që me të vërtetë e bëjnë jetën e tij shumë interesante. Flet rrjedhshëm pasi të gjitha historitë e jetës i ka para syve si në ekran televizioni. Në kujtimet dhe dorëshkrimet e tij ka detaje, pasi ai ishte në shtatëshen e parë të krijimit të televizionit të parë dhe të vetëm shqiptar.

 

 Duke qenë se jeni ndër të parët intelektualë në RTSH, ajo që diskutohet më shumë është  Festivali i 11-të. Festivali që ka bërë më shumë bujë dhe që diskutohet dhe sot me po aq interes, Ishte Festivali që theu tabutë dhe tronditi Byronë Politike të PPSH. Ju çfarë pozicioni kishit në këtë Festival?

-E thoni me të drejtë që ka qenë Festivali më shumë i diskutuar. As e mendoni dot se çfarë ndodhi pas atij Festivali. Sikur kishte shpërthyer lufta. Po, po lufta. Në këtë Festival të shumë diskutuar unë isha redaktor muzike, për televizionin, sepse kishte redaktor edhe për radio Tiranën. Përgjegjësia ishte e madhe. Tekstet e këngëve kalonin në vrimë të gjëlpërës. Nuk kalonte këngë si kalon tani pas viteve 1990. Teksti kishte përmbajtje dhe kishe qejf t’i dëgjoje apo recitoje. Kishte muzikalitet çdo poezi apo dhe program. Kishte kulturë në përgatitjen e çdo teskti të çdo emisioni. Nuk lejeheshin vulgaritetet dhe fjalët e rëndomta. Pas festivalit që nga drejtuesit dhe deri tek këngëtarët patën dënime, largime, vërejtje, sikur kishte ndodhur tradhëti e madhe.

-Ju thatë se kishte shumë dënime, po ju a u dënuat pas këtij Festivali?

 

Normal! Isha pjesë e strukturës kryesore. Po nuk ndodhi gjëma e madhe. Mua më çuan në Rrëshen, Aleksandër Lalon në Kukës, Françesk Radin në Pukë, etj…Thuajse të gjithë pjesëmarrësit u dënuan. Ishte një periudhë e vështirë për mua. Po largohesha nga TV dhe nga Tirana që s’isha larguar kurrë. Në Rrëshen fillova një jetë të re. Por nuk vazhdova shumë. Deri në vitin 1975. Në këtë vit ma hoqën dënimin për arsyen se Koncerti Variete nuk po realizohej si duhej. Kjo ishte arsyeja pse më thirrën prapë në televizion. Mua në atë kohë më zëvendësoi Kadri Metohu. Kjo punë kishte një radhë që unë ja kisha marrë dorën sikurse unë kisha krijuar dhe lidhjet e mia. Fillova sërishmi si redaktor i Koncertit Variete, punë të cilën e vazhdova deri në vitin 1980. Në këtë vit u bënë ca lëvizje në televizion dhe mua më çuan në Prezë si përgjegjës i kulturës i zonës Prezë, Vorë, Marikaj. Këtu punova pesë vjet deri në vitin 1985. Pas këtij viti punova si metodist në Pallatin e Kulturës ku bëja koncerte të mëdha për televizionin. Në vitin 1990 më emëruan Drejtor të kinemave të Tiranës dhe pas dy vjetësh sërishmi në televizion me Koncertin Variete, i cili dalëngadalë filloi të sfumohej dhe filluam koncertet e mëdha me Vera Grabockën. Në këto spektakle kam qenë redaktor dhe koordinator me Vera Grabockën si “Rreth fatit për 12 javë”.

Por le të flasim për fillimet e punës. Kush ishin themeluesit e parë të këtij gjigandi mediatik viziv. Po ju kur filluat punë?

 

Ditët e para kanë qenë të bukura, por të vështira. Fillimet e mia në TVSH këtë gjigand të medias vizive shqiptare i përkasin vitit 1970. Ndër të parët që hodhën këtë trase kanë qenë Albert Minga, Mevlan Shanaj, Fuat Bozgo, etj… Të gjithë në atë kohë rrinim në një zyrë dhe shkëmbenim informacione dhe eksperienca për njeri tjetrin. Para se të shkoja në televizion unë fillova punë në radio si redaktor muzike, në një emision për rininë. Me magnetofon në dorë shkoja ndërmarrje më ndërmarrje, institucion më institucion për ta përgatitur sa më mirë emisionin. Ne çdo gjë e bënim në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe jo nga zyra. Pastaj sa u rregullua godina e re e RTSH mua direkt më kaluan në televizion si redaktor muzike në redaksinë e kulturës. Në fillimet e para ne si drejtues ishim shtatë veta. Shefi im i kulturës ka qenë Fuat Bozgo.

Në TVSH në atë sistem kishte shumë emisione të bukura, të cilat kujtohen dhe sot. Mdje miren si shembull. Të vijmë tek emisionet ku ju ishit pjesë, cili ka qenë emisioni i parë i juaji në television?

Ke të drejtë. Ato emisione ishin vërtet të bukura. Emisioni im i parë ka qenë një koncert që e kam bërë në Peshkopi me këngëtaren Liri Rasha. Në atë kohë Liria mund të ketë qenë 17 vjeçe. Regjisor ka qenë Mevlan Shanaj, operator Stefan Gajo, Gjergj Shteto ka qenë operator zëri. Me Lirinë për të xhiruar shkuam në Zall dardhë të Korçës. Pas realizimit të këtij emisioni filluam të regjistronim koncerte të ndryshme nëpër qytete të ndryshme të Shqipërisë. Pikërisht në këtë kohë u hodh një mendim për të bërë një spektakël me humor në televizion. Duke qenë se s’kishte shumë punonjës që e njihnin këtë fushë dhe duke qenë se unë pak a shumë e njihja këtë sektor e mora unë këtë emision të spikatur, që u quajt Koncerti variete. Ky koncert filloi në vitin 1971 dhe jepej çdo të shtunë. Ishte një koncert mjaft domethënës, që përmblidhte, skeçe, parodi, këngë, grimca humortike, recitime, pantonima, etj…Unë punoja gjatë gjithë javës për këtë emision. Mblidhja materialet nëpër estradat e rretheve, shkoja kudo ku kishte shfaqje me humor, dhe deri të premten punoja orar pa orar që t’i montoja. Shpesh herë i lajmëroja trupat e estradave që të vinin të mërkurat në Tiranë ku unë bëja xhirimet e rastit, pasi nuk kishim atë teknikë që të bënim xhirime nëpër rrethe. Deri të shtunën në drekë punoja për montazhin dhe zërin dhe në darkë pas emisionit të lajmeve jepej Koncerti Variete, i cili ritransmetohej të dielën në mëngjes. Ky ka qenë i pari emision në televizion, që ishte realizuar me titra të plota. Emisioni zgjaste një orë e një çerek. Mund të them se dhe skenarin e kisha përgatitur vetë.

Kur e ke parë veten më keq në televizion?

Eh! Në një spektakël që pata bërë në televizion me Ylli Pepon, “Fituesja e fitueseve”, një spektakël me tre puntata, ku ishin 12 fitues të anketave të radios dhe nga prej tyre nxirrnim këngën më të mirë të vitit. Ishte një spektakël shumë interesant me elementë të ndryshëm si karikaturistë dhe këngëtarë të tjerë jashtë konkurrimit, që bëri bujë. Filluan të qarkullojnë fjalë se ky emision është kopjuar nga emisionet italiane të Rafaela Karaj. Filluan menjëherë kritikat nga KQ, sepse emisioni ishte shumë i avancuar për kohën, sepse thoshin kanë kopjuar Rafaela Karan që në fakt kishte një lloj kopjimi. Desh na pezulluan nga puna.

Po në Rrëshen çfarë kujtimesh ruan?

Kur isha në Rrëshen unë përgatita trupën, që do të përfaqësonte Mirditën në Festivalin kombëtar të Gjirokastrës në vitin 1974. Unë atëhere isha Shefi i muzikës në atë rreth në shtëpinë e kulturës. Aty kishim një kompozitor dhe autor tekstesh, rapsod, Gjok Beci që punonte tek biblioteka. Ai kishte ardhur në Rrëshen pasi kishte punuar disa vjet në Gjirokastër. Pas disa kohësh gruaja e tij lindi fëmijë dhe ai na mblodhi na dha një darkë. Kishte gëzim të madh. Një shok i tij që ishte ftuar në darkë e provokon dhe Gjoka thotë se Stalini ka thënë “fëmija është enigmë, kjo shprehje do të thotë se Stalini është gomar” e thënë  në formë shakaje në mirëbesim. Shoku i tij spiunoi dhe u bë një mbledhje e madhe ku erdhi Sekretari i Komitetit të Partisë. Ç’ka hequr Gjoka i shkretë. Desh i vunë prangat. Unë u çova dhe e mbrojta duke thënë se Gjoka kurrë se ka sharë Stalinin, përkundrazi ai ka bërë këngë për të. I deleguari i partisë më thotë dëgjo ti daiu se po mbron një armik. Se di se si shpëtoi Gjoka i shkretë.

Të flasim për profesionalizëm. Ajo që diskutohet shumë sot. A kishte profesionalizëm në atë kohë televizioni shqiptar?

Shumë. Atëherë s’të kalonte asgjë nën hundë. Kërkohej dhe presja. Në fillimet e tij kishte mangësi, sepse nuk njiheshin shumë gjëra, nuk kishim eksperiencë. Nuk kishim këtë teknologji që ta lehtëson shumë punën. Atëherë nqs bëhej gabim çdo gjë fillonte nga fillimi dhe jo me një montazh të tillë që ka sot. Ju tashmë e dini se të gjithë kuadrot që janë sot nëpër televizione private i përkasin atij televizioni.

Cila ka qenë dita më e vështirë në televizion?

Ka qenë dita kur u bë mbledhja dhe po kryqëzohej ish Drejtori i Përgjithshëm i RTSH, Todi Lubonja, pas Festivalit të 11. Atë ditë erdhën në RTSH, Ramiz Alia dhe Fadil Paçrami. Në këtë Festival Todi ishte Drejtor i Përgjithshëm, ndërsa Mihallaq Luarasi ishte regjisor i Festivalit. U mblodhëm në sallën e madhe. Ishte një ditë e zymtë. Më vinte keq që e shihja Todin në atë gjendje. Ishte një njeri shumë i përgatitur. Por ishte dhe ana tjetër, sepse ky Festival ishte një tavë shumë e madhe ku dhe unë isha pjesë e kësaj tave, që e mora dhe unë pjesën time. Të gjithë kishim frikë. U bë një zallamahi e madhe. Todi u mbrojt edhe me veprat e Enver Hoxhës, por si duket orientimet ishin të dënohej. Por ditë të vështira kisha frikë çdo të hënë se mos merrnin nga KQ për Koncertin Variete se mos kisha bërë ndonjë gabim.

Sigurisht ke pasur vlerësime, por edhe kritika. Kur kanë qenë këto raste që të kanë kritikuar?

P.sh. Njëherë nxora Flutura Çangun në një Koncert Variete me një bluzë gjysmë të bardhë gjysmë të zezë. Direkt mori në telefon nga KQ shoqja Nexhmije Hoxha, e cila tha që: Ç’ishte ajo ekstravagancë në veshje të asaj drejtueses së Koncertit. Sa çudi sepse ne tregonim shumë kujdes, madje i hiqnim të gjitha unazat, byzylykët, varëset kur dilnin në prezantim. Këto ishin shfaqje të huaja, shfaqja borgjezo-revizioniste. Për këtë veshje mora një vërejtje për pushim nga puna.

Rrugë e gjatë…Keni ndonjë peng?

Sigurisht…Unë kam bërë rreth 270 variete, një punë kolosale. Si peng kam që kur dola në pension të më kishin bërë një darkë përcjelljeje.

Pse sot RTSH është ndër më pak të ndjekurit?

Për mendimin tim nuk ka motivim. Paguhen pak punonjësit dhe pse është televizion mëmë. Së dyti është se kthehen në televizion partiak me ndryshimin e qeverive. Kjo do të thotë që nuk është një televizion publik, por një televizion qeveritar.

Kontrolloni gjithashtu

Albert Z. ZHOLI: Intervistë me poetin Fejzi Murati, “ Nderi i qytetit ” të Kuçovës, ish-mësues letërsie

Intervistë me poetin Fejzi Murati, “ Nderi i qytetit ” të Kuçovës, ish-mësues letërsie: – …