Albert Z. Zholi: Kujtimet e veteranit  dhe shkrimtarit Fejzi Murati,  “ Nderi i qytetit ”  të Kuçovës

Albert Z. Zholi: Kujtimet e veteranit dhe shkrimtarit Fejzi Murati, “Nderi i qytetit” të Kuçovës

 Kujtimet e veteranit  dhe shkrimtarit Fejzi Murati,  “ Nderi i qytetit ”  të Kuçovës :

-Alterteksti  u “shpik” si gjoja novacion, por solli vetëm fitime për grupet klanore pranë qeverisë

-Mësuesi i ka duart të lidhura për të marrë masa ndaj një nxënësi

Një mësues që gjithmonë ka qenë në kontakt me zhvillimet letrare pasi prej shumë vitesh   ka dhënë lëndën e gjuhës dhe letërsisë  në gjimnaz. Sipas tij “ajo çka  po përpiqemi të zbatojmë në këta 30 vjet nuk ka dhënë atë ç’ka pritej. Ka shumë dobësi, të cilat dalin kur nxënësit shkojnë në shkollat e larta”.

–  Tashmë ka disa ditë që ka filluar viti i ri mësimor 2021-2022. Duke qenë se jemi në situatë Pandemie mendoni se ka probleme me mësimdhënien, me kualifikimin e mësuesve?

– Sigurisht që ka. Aq më tepër në këtë situatë. Mësimdhënia është një problem kompleks, ku ndërthuren kushtet për bazë materiale, laboratoret, kualifikimi i mësuesve etj. Mendoj se në të gjitha ka mangësi. Kualifikimi i mësuesve, mendoj se këto vite bëhet më shumë për të qenë brenda me urdhëzimet se sa për të siguruar vërtet nivel cilësor. Po të shohim statistikat, të gjithë ata që futen në provime kualifikuese për master, i marrin ato lehtësisht, sepse të drejtën për mastel e kanë të gjitha universitetet pa përjashtim. Vetvetiu del se formalizmi zotëron edhe këtu.  Nga ana tjetër, po këta mësues të kualifikuar me “ master”, zhvillojnë mësimdhënie jo me në qendër nxënësin, por më shumë dominon niveli didaskalik, çka nënkupton një të mësuar të përciptë dhe përmendsh. Për mendimin tim, mësuesit para se të fitojnë të drejtën për mësimdhënie, të kalojnë në filtra kualifikimi shumë të rreptë. Të gjitha këto kanë sjellë dhe rënien e kërkesës së llogarisë. Gjithmonë mësuesit janë nën presionin e vazhdueshëm të komunitetit të nxënësve dhe prindërve për notë të lartë dhe fiktive, e cila siguron mesataren dhe pikët për të fituar një të drejtë studimi që dëshirojnë. Veç kësaj, mësuesit janë edhe nën presionin e mbylljes së klasave po të bjerë numri i nxënësve dhe automatikisht, u rrezikohet vendi i punës. Problem jetik për çdo mësues. Ndikon këtu edhe zona, treva, pasi nuk është njësoj cilësia e nxënësve në qytete dhe fshatra. Nuk është njësoj në qendrat e zhvilluara urbane dhe ato më pak të zhvilluara. Të jemi realistë; diferencat janë shumë të mëdha. Vetvetiu bije edhe kërkesa e mësuesve ndaj nxënësve. Teorikisht kjo nuk duhet të ndodhë, por në fakt është realitet.

–  Disiplina në shkolla është kusht për mbarëvajtjen, por si theksohet shpesh nga shtypi  nëpër shkolla ka një rënie të theksuar në këto vite?

– Kjo është e vërtetë. Të gjithë i shohim se çbëhet në shkolla. Për disiplinën ndikojnë shumë faktorë, por më kryesori  ka të bëjë me edukimin e nxënësve nga familja. Shumë fëmijë po rriten në mungesë të babait, i cili mund të jetë jashtë vendit si refugjat ekonomik. Disa prindër, të ndodhur nën gjendjen e keqe ekonomike, nuk ia kanë kohën të merren me edukimin e fëmijëve. Disa janë vetë me nivel të ulët kulturor… Po të bëhet një studim, do të dalë se prindërit e arsimuar dhe të kulturuar, kanë edhe fëmijët më të përparuar në mësime. Këta fëmijë janë edhe më të disiplinuar, më të sjellshëm dhe më kërkues ndaj vetes, madje edhe ndaj mësuesve. Por edhe programet  televizive me filma horror, me dhunë, me porno, pa asnjë lloj kontrolli e censure ditë-natë, kanë ndikimin e vet shumë negativ dhe konkluzioni del vetvetiu, pse ka rënie të disiplinës nëpër shkolla.

–  Shqipëria numëron mbi 44 mijë analfabetë në të gjithë vendin që nuk dinë as shkrim dhe as këndim sipas të dhënave të publikuara nga Organizata për Edukim, Shkencë dhe Kulturë e Kombeve të Bashkuara (UNESCO) që i takojnë vitit 2018. Si e komentoni këtë fakt?

– Të gjitha qeveritë në këta 30 vjetë e dinë shkakun, por nuk duan ta shohin në sy. Dy janë faktorët: Ngujimi për gjakmarrje dhe mjerimi ekonomik. Femijët lenë shkollën për të bërë shitësin, lypësin, punën e krahut. Mjafton të rikujtojmë Gërdecin ku punonin dhe madje u vranë fëmijë 7, 8 apo 10 vjeçarë…Edhe kërkesa nga ana e pushtetit për zbatimin e ligjit për arsimin e detyrueshëm nëntëvjeçar nuk është në lartësinë e duhur.

–   Si do ta komentonit fenomenin e mitmarrjes nga disa mësues nëpër shkollat e mesme dhe sidomos në shkollat e larta?

– Mitmarrja është pjesë e korrupsionit tërësor tek ne. Presioni  për rritjen  fiktive të notës e nxit dhe u krijon kushte mësuesve që ndoshta nuk e meritojnë emrin mësues , të marrin lekë. Në shkollat e larta ai është rrjedhojë e dobësive në arsimin  parauniversitar. Një student  që ka patur mesatare të merituar  në shkollën e mesme , nuk i shkon kurrë në mendje të japë lekë, euro apo dollarë për një notë. As pedagogu nuk guxon t’i bëjë presion.Të gjithë e dimë këtë. Ka edhe pedagogë që bëjnë presion me notë për përfitime. Ligji për të gjithë mësimdhënësit duhet të jetë  tepër i rreptë. Heqja e të drejtës së mësimdhënies. Ashtu si për mjekun, për nëpunësin e kudo.

–  A ka dhënë rezultate në interes të shkollave, arsimit dhe nxënësve, alterteksti apo ishte   një zgjidhje që ka interesa komerciale?

– Alterteksti në këta vitet e fundit, kur u “shpik” si gjoja novacion, ka sjellë vetëm fitime për grupet klanore pranë qeverisë, se sa për cilësi dhe alternativa, nuk ka ndikuar fare. Përkundrazi, krijon një kakofoni të panevojshme dhe shumë formale. Mësuesit lëndorë nëpër shkolla, bëjnë sikur i studiojnë tekstet dhe miratojnë herë hapur e herë jo, ato botime që janë më pranë Ministrit apo dikujt që ka pushtet , të rekomanduar nën zë nga shefat…  Lënda mësimore ngelet po ajo. Një ligj në fizikë nuk mund të ndryshohet, atëherë përse duhet të punojnë dhjetë grupe autorësh nga dhjetë shtëpi botuese dhe të na servirin dhjetë tekste gati të njëllojta, por vetëm me ndryshime formale? Kam  mendimin se tekstet mësimore duhet të jenë të unifikuar. Të hartohen nga specialistët më të mirë dhe nën kontrollin e rreptë të Akademisë apo të Ministrisë së Arsimit. Mbi këtë bazë hartohen edhe testet kombëtare për maturat shtetërore. Ka ardhur koha që për këtë problem qeveria të angazhihet seriozisht.

A tregojnë interes për të studiuar sistematikisht nxënësit e shkollave të mesme, apo luftojnë thjesht për mesatare fiktive?

– Padyshim ka shumë nxënës që janë seriozë dhe punojnë shumë , duke e merituar notën e lartë. Por këta janë vetëm 30 deri 40% e të tërë nxënësve të shkollave parauniversitare.  Të tjerët vijnë në shkolla dhe shtyhen me një notë 5 të mjerueshme. Janë pikërisht këta që bëjnë presion për fiktivitet note. Negativisht ndikojnë edhe hapja pa kriter e shkollave të larta private, padyshim me interes fitimin, që mbledhin të gjithë nxënësit e dobët. Përfundojnë maturën çdo vit 40 mijë nxënës dhe futen në shkolla të larta po kaq. Nuk ka seleksion, nuk ka cilësi, nuk ka të ardhme. Jam i mendimit që sistemi ynë i vlerësimit me notë nuk funksionon mirë. Notat e përdorshme janë vetëm 7 nga 10 që thuhet se janë pasi nota 1, 2 dhe 3 nuk vihen kurrë në regjistra. Mund të vendoset kriteri me 20 nota si në Francë e gjetkë. Mësuesi ka diapazon për të bërë diferencë më të mirë mes nxënësve. Por të ketë edhe një kriter tjetër. Nxënësit që nuk arrijnë notën 10 të mos lejohen të aplikojnë në shkolla të larta. Të mos u lejohet as universiteteve private të mbledhin ngelësat, siç po ndodh aktualisht.

– Cilat janë problemet e shkollës shqiptare sot, parë nga këndvështrimi juaj si mësues?

– Ka shumë problem, por do veçoja si shqetësues një çorientim të përgjithshëm të nxënësve me gjithfarë formularësh që nuk ka zot t’i zbërthejë e t’i plotësojë, eksperimentet me të famshmet klasa të profilit shkencor e shoqëror, një kakofoni shumëzimesh me pikë për notë mesatare e lëndore, futja e lëndëve me zgjedhje dhe altertekstet, mungesa e theksuar e disiplinës si jashtë orës së mësimit, edhe brenda saj. Mësuesi i ka duart të lidhura për të marrë masa ndaj një nxënësi që prish me ose padashje mësimin. Para disa vitesh u dhanë udhëzime për përdorimin e një kartoni të verdhë (si në ndeshje futbolli), për t’u përdorur ndaj nxënësve të padisiplinuar. Ishte një gjetje gati e pazbatueshme dhe që asnjëherë nuk mund e nuk u përdor nga mësuesit. Këtë karton të verdhë ( mungonte kartoni i kuq !!!) mësuesit e kanë edhe sot nëpër dosjet e tyre.

– Mund të bëni  një krahasim mes arsimimit para dhe pas viteve ’90?

– Arsimi në vitet e diktaturës ishte një nga levat e partisë dhe mbizotëronte metoda skolastike e lindjes, të mësuarit përmendësh, edukimi me frymën e partisë. Sot tentohen metodat  perëndimore, të mësuarit krijues dhe mbi të gjitha larg politizimit të fëmijëve. Por në fakt jemi ende larg. Flitet shumë, por nuk bëhet asgjë për të krijuar kushtet e një të mësuari të tillë. Në shumicën e shkollave mungon baza mësimore, praktika, laboratoret, investimet. Ka më shumë eufori, fasadë, lavdërime e vetlavdërime, por arritjet lenë për të dëshiruar. Koha nuk e pranon  termin ” ecje prapa”, por në fakt, po nuk ece përpara, detyrimisht ke bërë pas.

-A ishin të respektuar mësuesit në ato vite dhe një paralele me sot?

– Ka një ndryshim të dukshëm. Në ato vite mësuesin e vlerësonte së pari prindi dhe ia përcillte këtë edhe fëmijës. Sot, shumë prindër as duan t’ia dinë për rolin e mësuesit, gjë që ndikon edhe te fëmijët. Shumë prindër mendojnë se mësuesi duhet ta mësojë fëmijën që në orët brenda shkollës. Por kjo nuk mund të bëhet në shkollat tona që nuk kanë as energji elektrike, as ngrohje, as ujë, as banka dhe as kushte për të vijuar edhe studimin pasdite. Formalisht u ngritën disa të ashtuquajtur “ Borde” , në thelb interesante, por që kurrë nuk kanë funksionuar dhe nuk mund të funksionojnë në kushtet ekonomike të prindërve shqiptarë. Në fakt, trinomi mësues – prind – nxënës , mund dhe duhet ta krijojë suksesin në arsim. Faktikisht ky trinom nuk funksionon veçse formalisht në letër.

Cili nga Ministrat e Arsimit që keni njohur ju ka qene më i suksesshëm në drejtim të reformave në arsim, para dhe pas viteve ’90?

-Para viteve ’90 arsimi ka qene në kushte të tjera dhe nuk dallohej shumë roli i Ministrit, pasi ishte vija e partisë që bënte politikat arsimore. Ndërsa pas instalimit të demokracisë, gjithçka është ndryshe. Por unë mendoj se në 30 vjet tranzicion, çdo ministër që ka drejtuar arsimin, ka patur tendencën të eksperimentojë, më shumë për t’u dukur si reformator se sa për të arritur diçka vërtet dinjitoze. Është eksperimentuar me arsimin dhe e gjitha ka rënë mbi procesin e mësimdhënies dhe të mësimnxënies. Si mund të quhet i suksesshëm një Ministër kur regjistrat, ( tepër të rëndësishëm për orën mësimore), i vijnë shkollës në muajin dhjetor siç ndodhi në vitin shkollor 2011-2012? Ose i famshmi “Altertekst” që veç  interesit të tenderfituesve, asgjë nuk i ka dhënë arsimit?!

-Ju jeni edhe gazetar edhe shkrimtar; ç’mendim keni për këtë bum botimesh të këtyre viteve të fundit?

– Një nga shkrimtarët e suksesshëm të këtyre viteve, Vasil Premçi , me të qeshur ka thënë se tashmë cilido mund të botojë edhe kujtimet e tij për hapjen e një kanali tre metrash , mjafton ta paguajë mirë botuesin që nuk ka asnjë interes për cilësinë e veprës, veç atij komercial. Por nuk duhet as të mohojmë se ky bum botimesh, doemos do nxjerrë edhe të talentuarit, të cilët me kohë do të evidentohen dhe nesër do të renditen në krenarinë e krijuesve shqiptare. Talente ka shumë edhe pse hë për hë mbyten nga proliksiteti krijues i momentit. Vitrinat e librarive dhe koha e bëjnë vetvetiu seleksionin.

-Cili është mendimi juaj lidhur më mungesën e përkrahjes së krijuesve nga shteti, sidomos të shkrimtarëve, por jo vetëm?

-Mendoj se ka mungesë totale të interesit të shtetit në vitet e demokracisë për letërsinë në veçanti dhe për nxitjen e krijimtarisë artistike në përgjithësi.  Mjafton të përmendim një fakt të dhimbshëm: Ka patur një gazetë letrare me titullin simbolik “ Drita”, e cila lindi shumë vite më përpara se të themelohej shteti i parë shqiptar. Kjo gazetë u bë organi që promovoi qindra e mijra shkrimtarë e poetë, me të cilët krenohet letërsia jonë edhe sot e kësaj ditë. Po ç’ndodhi me të? U mbyll për një subvencionim simbolik nga ana e shtetit duke e lënë në harresë si një gjë pa vlerë.

-Për kuriozitet, cili është shkrimtari juaj i preferuar?

– Nuk mund të them një emër konkret, pasi shkrimtarët janë krejtësisht të veçantë në krijimtarinë e tyre dhe unë do i krahasoja me frutat, secili frut ka shijen e vet. Ajo që mund të them me siguri është se jam adhurues i letërsisë që tradicionalisht vlerësohet botërisht, që nga klasikët francezë, rusë, anglezë apo amerikanë e deri te letërisa modere bashkëkohore. Nga shkrimtarët shqiptarë vlerësoj shumë Migjenin e paarritshëm, por edhe Kadarenë, Agollin , Spahiun dhe të mrekullueshmin Petro Marko.

Kontrolloni gjithashtu

Flet Dr. Vladimir Mici: – Rritja e çmimeve nga inflacioni është më e madhe sesa rritja e pagave nga inflacioni duke sjellë ulje të fuqisë blerëse

Flet Dr. Vladimir Mici: – Barazimi Euros dhe dollarit sinjalizon se ekonomia europiane po i …