Albert Z. ZHOLI: Kur jeta ideohet si “Dy udhëtarë”

Albert Z. ZHOLI: Kur jeta ideohet si “Dy udhëtarë”

Libri i ri me poezi, rrëfenja dhe ese “Dy udhëtarë”,   i poetes Buqa Softa, vjen  si një fllad mëngjesor buzëdetit, në këtë kohë ku “Covid-19” duket se i ka pezmatuar njerëzit. Por ndryshe ndodh me poeten. Ajo e largon zymtësinë, frikën, ngushtësinë, nënshtrimin, pesimizmin, dhe provokon një jetë ndryshe. Ajo e vendos veten në rrethana jetësore ku njeriu duhet të gjejë forcë, kurajë, drejtimin e duhur, energjitë pozitive, kërkesat reale ndaj vetes, për të ecur në rrugën e dritës dhe të shijes shpirtërore.

Le të ndalemi te poezitë…

Në tërë tematikën e poezisë, autorja përcjell një gamë problematikash, një tërësi sentimentesh, një analizë jetësore të detajuar, një thirrje njerëzore për ndryshim, një kërkesë për  balanca dhe ekuilibre të detyrueshme, ku jeta të gjejë vendin e duhur dhe të sjellë buzëqeshjen tek njeriu. Autorja thur vargje për dashurinë, sinqeritetin, pabesinë, hipokrizinë, ndershmërinë, virtytet, atdhedashurinë, emigrimin, dashurinë e madhe për prindërit, fëmijët, për shoqërinë që ka humbur sinqeritetin, për varfërinë, dyfytyrësinë e njerëzve të veçantë, për sukseset dhe dështimet, për ligësinë por edhe shpirtin e bukur. Tematika e poezive të saj është e larmishme, pasi ajo  vetë është gjithmonë në lëvizje, në kërkim të diçkaje të re në pozitë e saj. Ajo është vetvetja dhe qëmtimet e saj kanë tendencë hulumtimi në çdo ngjarje, situatë, dialog, apo zhvillim në tërë diapazonin e jetës ku aj është pjesëtare. Autorja në këtë vëllim i thur himne të bukurës, kritikon të shëmtuarën, kujdeset për  anën sociale dhe është kritike me politikën  që është larguar nga problemet e popullit. Në poezitë e saj ajo herë duket si analiste, herë si sociologe, herë si psikologe pasi tematika e poezive  e drejton në këto plane jetësore që janë shumë prekëse dhe pikante. Tonet kritike për varfërinë por edhe korrupsionin si dhe problemet që sjell politika e mbrapshte përbëjnë një tipar dallues së penës së saj, ku autorja nuk tremet ta thotë të vërtetën në sy pa dorashka dhe me kurajë të lartë qytetare. Ka raste që ajo edhe ndihet pesimiste, e lodhur nga problemet e pabesisë, hipokrizisë, por pena, vargu i saj,  sa kalon furtuna, marrin ngjyrën e ylbertë për ti dhënë jetës ngjyrat që kërkon për një lartësim shpirtëror.

Rrëfenjat dhe esse-të..

Bukuria e këtij libri janë rrëfenjat dhe ese-të. Aty ku sheh se poezia nuk arrin shijet e saj artistike dhe thellësinë estetike, autorja kalon tek këto dy gjini të vështira për tu lëvruar nga çdo kush. E them me sinqeritet se gjetjet e saj në këto dy gjini janë, tematikisht shumë pikante, artistikisht me vlera krahasuese. Më esenë “RROTULLOHU RRETH BOTËS TËNDE”, autorja kritikon  falsitetin e disa njerëzve, e disa femrave që të tërheqin vëmendjen, zhvishen nudo !  Ka njerëz që nuk janë realizuar, nuk kanë arritur sukses, pasi aq i kanë mundësitë, aq i kanë hapat, logjikën, forcat dhe dimensionet intelektuale dhe janë këta që kërkojnë me çdo kusht të bëjnë emër. Kjo e bën revoltuese poeten pasi ajo e thotë qartazi që njeriu duhet të marri atë që i takon, atë që i jep shoqërisë. Por janë këta njerëz që kërkojnë të pamundurën të pamerituarën dhe që të bëhen pjesë e reklamës tregojnë lakuriqësinë,  përdorin hiletë, hipokrizinë, shtirjen. Janë këta njerëz që deformojnë rregullat bazë të një shoqërie të pastër demokratike. Këta njerëz vegjetojnë tek  e pavlera në dëm të së mirës. Ndaj autorja u bën thirrje: Rrotullohuni rreth botës suaj! Asaj bote të vogël ku jeni rritur dhe mos u bëni pengesë e shoqërisë…

Si përfundim…

Libri i ri me poezi, rrëfenja dhe ese i autores Buqa Softa është një formatim ndryshe i krijimtarisë së saj. Një formatim konciz, me një organizim  estetik elegant, me një formatim artistik koherent dhe një mesazh  plot optimizëm. Duke qenë kërkuese ndaj vetes si në jetë dhe në familje, shoqëri dhe profesion, ajo gjithmonë kërkon të bukurën, optimizmin, dialogun, duke mos u bërë strehë e pabesisë, hipokrizisë dhe fenomeneve negative të shoqërisë. Krijimtaria për të është dielli shlodhës ku ajo bëhet pjesë  e asaj shoqërie civile, ku kritika ndaj fenomeneve të shoqërisë është në plan të parë, pasi vetëm me frymën e revoltës kundër padrejtësive, do kemi një jetë më të qetë, më të bukur dhe më me ndriçim.

Kontrolloni gjithashtu

Doli nga shtypi vëllimi 19-të i monografisë “Feniksët e lirisë” 

Doli nga shtypi vëllimi 19-të i monografisë “Feniksët e lirisë” 

Në vazhdim të realizimit të projektit për botimin e monografisë për dëshmorët e Ushtrisë Çlirimtare …