Kujtimi, Viktor Gjika dhe Halil Kamberi u caktuan për të bërë filmin mbi vdekjen e Enver Hoxhës. Sot ka një mendim tjetër për atë kohë. Po ai e ka parë me sytë e tij pikëllimin e shqiptarëve. Populli përlotej. Ishte një vdekje gati-gati e kobshme. Nxënësit vendoseshin në rreshta dhe qanin me oi. Kolektivat e punës braktisën punën dhe u rreshtuan në kortezh. Po kështu zyrtarët, ushtarakët, veteranët, studentët. Ishte një pikëllim masiv. Shtatë ditë zie. Tek pjesa më e madhe e shqiptarëve kishin një frikë akute. Ç’do të ndodhte me të ardhmen e tyre? Ndjehej një pasiguri masive. U shpërnda e gjithë Kinostudio në gjithë Shqipërinë dhe u xhirua një film i mirë për dhimbjen e madhe të popullit shqiptar (koha tregoi se nuk ishte dhe aq e madhe. Hipokrizia dhe frika qe shumë më e madhe). Filmi iu tregua Nexhmije Hoxhës e cila e pëlqeu. Po me hir e me pahir populli ka qarë. Si e ka përjetuar ai? Me trishtim, sigurisht. Ishte një epokë e tërë jete me atë figurë. E merr vesh që kishte vdekur Enver Hoxha dhe shkon në Kinostudio. Kur shkon atje shikon gjithë kolektivin duke qarë. Kishte edhe ndonjë që qante me zor. Një atmosferë zie. Atmosfera ishte gri. Sesi e ndjenin shqiptarët brenda shpirtit e treguan vitet e mëpasme. Por, disa njerëzve që morën flamurin e demokracisë pak vite më vonë nuk u shkonte ajo e qarë që bënë atë ditë. Hipokrizi totale! Kur i sheh ata njerëz të veshur me pushtet disa vite më vonë, qesh me trishtim.
Viti 1989, vit i përmbysjeve të mëdha dhe pranvera e artë e vitit 1990
Ky vit ka hyrë në historinë e Evropës moderne si viti i përmbysjeve të mëdha. U rrëzua Muri i Berlinit, dhe dy Gjermanitë u bashkuan. Në Rumani diktatori Nikolai Çaushesku ekzekutohet nga një skuadër ushtarake. Revolucioni i kadifenjtë, po në këtë vit largon pushtetin komunist nga Çekosllovakia dhe vendi hyn në rrugën e demokratizimit. Po kështu ndodhi në Poloni, Hungari dhe vende të tjera të Evropës Lindore. Po çmontohej në Bashkimin Sovjetik sistemi komunist dhe vendet e kësaj perandorie të madhe fituan pavarësinë. I vetmi vend që i qëndronte me stoicizëm erërave të forta të lirisë, ishte Shqipëria. Po ta perifrazojmë shprehjen e Ramiz Alisë… se Shqipëria nuk është as lindje, as perëndim… del se ajo nuk ishte as kështu e as ashtu, pra as mish e as peshk. Pra, çfarë ishte Shqipëria në të vërtetë?! Tradicionalisht një vend me drejtim dhe politikë të pa kuptuar nga të tjerët, një vend me drejtim kondrapedal; dje… sot… do zoti jo nesër! E tillë ishte Shqipëria në fundin e viteve ’80.
Të mësuar tashmë me politikën zyrtare, gjithnjë kontroverse me atë çka ndodhte në të gjithë Evropën Lindore, kineastët përpiqeshin të gjenin rrugë dhe shtigje nga më të ndryshmet, për të realizuar dëshirat dhe qëllimet e tyre artistike. Bashkë me skenaristin Avdulla Kënaçi kishte kohë që mendonin për të përgatitur një dokumentar për romët, ose arixhinjtë, siç i quajnë tek ne. Bota e tyre primitive, i ngacmonte imagjinatën dhe nisën kërkimet për skenarin e filmit. Mësojnë se atasheu kulturor i ambasadës franceze ishte një rom me origjinë polake. Kishin mësuar gjithashtu se po ky atashe interesohej për të organizuar një kongres romësh diku në një shtet të Azisë. Këto fakte qenë interesante dhe ata nisën të hulumtojnë. Atasheu rom, i ambasadës franceze, zakonisht pinte kafe në ambientet e 15 katëshit, në katin e dytë. Ai vinte aty, pothuajse çdo ditë. Menduan të takohen me të. Por më parë, siç qe rregulli, shkuan për të folur me zëvendësdrejtorin e hotelit të madh. Nuk thuhej, por të gjithë e dinin se postin e zëvendësdrejtorit, në ambiente ku akomodoheshin të huaj, e mbulonte sigurimi i shtetit.
Ishte një ditë e bukur marsi, plot diell, kur të dy kineastët ngjitën shkallët e hotelit të madh, për të takuar zëvendësdrejtorin I. XH. Një djalë me shtat mesatar, flokëzi, i qeshur dhe simpatik. Ai i priti mirë. Dhe kur i thanë se kush qenë, dhe përse po e takonin, përherë me buzë në gaz, u tha se i njihte dhe e vlerësonte krijimtarinë e tyre. Kineastët u ndien mirë, dhe u ngjitën në katin e dytë për të takuar francezin. Ky, një djalë rreth të tridhjetave, ezmer, por që s’kish asgjë të përbashkët me arixhinjtë që kishin njohur deri atëherë, u tregua mikpritës dhe i gatshëm për t’i ndihmuar. Biseduan. As ata vetë nuk e morën vesh për çfarë biseduan.
– Na dërgoi deri në çezmë dhe s’na dha ujë për të pirë! – tha i nervozuar Kujtimi, kur po zbrisnin shkallët.
Lanë një takim pas dy ditësh. Përsëri pothuajse zhvillohet i njëjti ritual… takim me zëvendësdrejtorin… një kafe me francezin, biseda në ajër, çimka e vendosur diku, që regjistronte gjithë bisedën, dhe përsëri një takim tjetër për të nesërmen. Këshilltari kulturor e dinte mirë punën e tij, dhe për çdo takim që linin, ata qenë të detyruar, të takonin përsëri zëvendësdrejtorin, buzëqeshja e të cilit pothuajse vinte e shuhej. Mbasi siguruan disa revista për jetën e ciganëve në Francë dhe Poloni si dhe disa foto, shkuan për të falënderuar zëvendësdrejtorin për mundësinë që u krijoi të mblidhnin materiale. Çuditërisht atë ditë ai iu duk shumë i rëndë dhe i vrenjtur.
– Erdhët?! – pyeti, pa ngritur kokën nga tryeza e punës.
Ata panë njëri-tjetrin të habitur.
– Erdhëm t’ju përshëndesim dhe t’ju falënderojmë, – i tha Kujtimi.
– Po informacionin?… E sollët?
Shtangën për një çast dhe përsëri vështruan njëri-tjetrin, pastaj panë nga punonjësi i hotelit, që po priste.
– Çfarë informacioni? – pyeti Kujtimi.
– Një përmbledhje të asaj që biseduat me francezin, kështu janë rregullat.
– Ne kemi folur vetëm për film, – ndërhyri Avdullai.
– E di, po informacioni duhet… – Dhe u ngrit si për të thënë se biseda mbaroi dhe informacioni duhej sjellë sa më parë.
Të mërzitur po zbrisnin shkallët e hotelit.
– Do t’i japim një mut! – tha Kujtimi me inat. – S’kemi ç’t’i japim.
– Edhe unë ashtu mendoj.
E ndanë mendjen. Nuk kishin përse të jepnin asnjë lloj informacioni me shkrim. Duke ecur në bulevard takojnë Guro Zenelin. Të dy e kishin mik. I tregojnë ndodhinë.
– Ç’do të bëni? – i pyet Guroja.
– S’kemi ndërmend të shkruajmë gjë.
– Mirë e keni! Pse do shkruani. Ku ta dini ju se ç’do të vihet mbi firmat tuaja.
Guro Zeneli ishte ndihmës i Ramiz Alisë, dhe fjala e tij i qetësoi plotësisht. Të nesërmen shkuan përsëri te zëvendësdrejtori.
– Hë, ma sollët?
– Jo, – tha i trimëruar Abdullai.
– Si jo?
Toni i tij të cingëriste nervat.
– Ti na njeh besoj ne, dhe e di se ç’përfaqësojmë, – i foli me ton regjisori.
– Natyrisht, që po. Dhe ju vlerësoj!
– Jo, jo. Nuk e kam fjalën si kineastë, por si anëtarë të partisë.
Tani qe radha e zëvendësdrejtorit të habitej. Donte të kuptonte se ku donte të dilte regjisori.
– E pra, – vazhdoi Kujtimi, – meqë e di, po të themi se ne po të kemi ndonjë problem, dimë se ku ta diskutojmë.
Ai u mat të thoshte diçka. Por Kujtimi vazhdoi:
– Po të kemi ndonjë gjë për të thënë, ja ku është Komiteti i Partisë.
Kaq tha ai. Fjala parti e çarmatosi punonjësin e sigurimit.
– Edhe ne për partinë e kishim fjalën. Për punën e saj, – shtoi ai me zë të mekur.
Kaq mjaftoi dhe të dy kineastët, të çliruar nga pesha e rëndë morën frymë të lehtësuar. Jashtë përsëri koha ishte e bukur, plot me diell të ngrohtë marsi. Duke ecur tashmë të qetë në Bulevardin e Madh Avdullai thotë:
– Kaloi, kaloi mirë…Veç një gjë ka rëndësi… Vërtetuam që asnjëri nga ne nuk është spiun.
Kujtimi qeshi.
– Sigurimi e di vetë se ku i gjen spiunët… Madje nuk ka nevojë t’i gjejë. Ata i afrohen vetë.
Kështu u mbyll ky “incident” me atasheun francez për filmin e romëve që nuk u bë dot asnjëherë.
Pavarësisht nga dështimi i filmit për romët, pranvera e vitit 1990 qe shumë e mbarë për regjisorin, sepse filmi “Kështjella e Këngëve” të cilin e kishte realizuar në vitin 1988, në festivalin e tetë të filmit dokumentar shqiptar që u mbajt nga data 18-21 prill të atij viti, në një nga sallat qendrore të Pallatit të Kulturës, pati një sukses të jashtëzakonshëm. Ai vlerësua, u pëlqye shumë dhe mori vlerësime maksimale nga juria, duke fituar kupën e festivalit. Pra, zuri vendin e parë, por mori edhe çmimin e spektatorit. Ishte një vlerësim i madh dhe një kulm në karrierën e tij artistike, kurorëzim i vlerësimit të një krijimtarie të gjatë e të suksesshme të evidentuar edhe më parë me filma e skenarë të vlerësuar. Ky film u propozua për Çmimin e Tretë të Republikës, nominim që nuk u realizua sepse filloi shpërbërja e sistemit. Një moment tjetër i gëzueshëm ishte se bashkë me tre kolegë të tjerë, me regjisorët Kumbaro, Kamberi dhe Musliu i propozohen Ministrisë së Kulturës, për titullin Artist i Merituar. Ngjarjet që pasuan më pas e shkërmoqën sistemin monopartiak dhe propozimet u harruan nëpër sirtarët e zyrave. Sistemi u përmbys dhe gjithçka do të niste nga e para. Por, pavarësisht nga ç’po ndodhte, ajo pranverë për të qe vërtet e mbarë sepse sapo i kishin miratuar një film për transportin ndërkombëtar, skenarin e të cilit e kishte punuar bashkë me Avdulla Kanaçin si dhe po hidhnin piketat për një film për Shqiptarët e Zvicrës. E gjithë kjo stinë, pra, qe shumë e mbarë dhe interesante, jo vetëm për atë si krijues por për të gjithë shqiptarët. Po frynte era e ndryshimeve, një ndryshim që vlonte përbrenda tenxheres me presion të gjithsecilit, por valvula e shkarkimit shpërtheu me ngjarjet e 2 korrikut, për të arritur pikën më të lartë të vlimit në fund të vitit me ngjarjet studentore dhe rrëzimin e sistemit monopartiak.
Epilog i vitit 1990… prolog i vitit 1991
Në fund të viteve 1990 ndodhi transformimi i madh i Shqipërisë. Simptomat e ndryshimit ishin dhënë me kohë. Nga rrëzimi i Murit të Berlinit deri te shpërbërja e Bashkimit Sovjetik. Bota qe tronditur. Do të ndodhte patjetër diçka. Problemi i tij, dhe i shumë intelektualëve të tjerë ishte se si do të ndodhnin, dhe ç’pasoja do të kishte vendi dhe njerëzit. Ai ishte në një udhëtim jashtë shtetit për një film për ndërmarrjen e transportit ndërkombëtar. I ranë Evropës Qendrore rreth e qark. Xhiroi në disa qytete të vendeve Lindore, sidomos në Budapest dhe në Pragë ku i bën përshtypje të madhe, jo bukuria e rrallë e këtyre qyteteve, por gëzimi që vihej re në portretet e qytetarëve, qytetaria dhe kultura e tyre. Ata jetonin ditët e lirisë, vërtet me shumë mungesa në treg, por të qetë dhe të gëzuar për kohën që u erdhi. Kujton se pas dy ditë udhëtimi kaluan kufirin Jugosllav dhe në mbrëmje ndaluan në qytetin kufitar të Szegedit. Duke shëtitur në rrugën kryesore të qytetit dëgjuan tinguj muzike. U afruam dhe u futën në lokal ku klientët këndonin e kërcenin të gëzuar.
Sapo i vunë re, i morën për amerikanë dhe disa prej tyre zunë të thërrisnin me entuziazëm:
– Bush, Bush… Amerikanë!
Panë njëri-tjetrin dhe zunë një tavolinë! U shërbyen në çast dhe hungarezët e topitur i shikonin me admirim duke i quajtur për çdo moment amerikanë.
– Amerikanë leshi! – thotë Abdullai me trishtim. Dhe trokitën gotat.
Rrugës për Budapest ndaluan në një sheshpushim ku kishin ndaluar disa maune turke. Kur morën vesh se ishin shqiptarë, afrimi qe i menjëhershëm. Biseduan për shumë gjëra. Turqit paguheshin me 50$ në ditë dietë. Nga turpi një shofer i grupit nuk tregoi 5 dollarë sa merrnin në të vërtetë, por e rriti paksa në 15$ në ditë. Shoferi turk shfryu dhe goditi me grusht mushamanë e maunes.
– Shyqyr që nuk i thashë 5, se do godiste me kokë maunen, – tha ai me humor, – dhe do na ngelej në dorë turku.
Qeshën të gjithë.
Ngjarjet e 8 dhjetorit e gjejnë në Itali. Ishin ditë të ftohta në Trieste, ku prisnin t’i merrte trageti, për t’i kthyer në Shqipëri. Deti përplasej furishëm në breg dhe i ftohti i acartë kishte katapultuar pothuajse gjithë Evropën. Ishte një atmosferë tejet e ftohtë, kur marrin vesh që kishte nisur lëvizja studentore. Protesta, përplasje me policinë, të shtëna dhe djegie makinash nëpër rrugë. Kish filluar krisja e madhe. Dhe gjëja e parë që i shkoi në mendje ishte të telefononte në Shqipëri, për t’u interesuar për familjen, se si ishin fëmijët dhe çfarë po bëhej. Familjarët i shpjeguan situatën.
Me këtë informacion të cunguar, pas katër ditësh, u kthyen në Tiranë.
Kryeqyteti vlonte.
Ndihej një entuziazëm euforik gati tek të gjithë. E befasonte fakti që mjaft nga miqtë e tij ishin të irrituar. Herë-herë e shikonin dhe shtrembër se kishte qenë anëtar partie. Dhe këta njerëz që nuk ishin dëgjuar të shprehnin ndonjëherë pakënaqësi, apo të shprehnin qoftë një mendim për ndonjë film, por vetëm kishin duartrokitur në çdo rast dhe për çdo gjë, tani qenë zgjuar dhe villnin vrer duke deklamuar me zë të lartë pakënaqësitë e tyre, a thua se secili prej tyre kishte vuajtur dënime të tejskajshme dhe padrejtësi të pa merituara (Për hir të së vërtetës disa qenë të përkëdhelur të regjimit, ndonjë vajzë oficeri madhor apo edhe ndonjë bir i ndonjë komunisti veteran).
Ishte një gjendje ekstaze. Njerëzit ishin të eksituar. Si çdo shqiptar dhe ai e priste ndryshimin, por jo me atë lloj precipitimi. Ndjehej shumë egërsi. Tubimet e përditshme nuk kishin karakteristikë arsyen, por egërsinë. Iu krijua një përshtypje që u vërtetua më pas gjatë 25 viteve, që dhe në ato ditë, disa nga njerëzit që deklamonin me patos në tubimet masive nëpër Tiranë e gjetkë, më shumë sesa kërkonin lirinë, investonin me çdo mjet e mënyrë për të përfituar dhe pasuruar diçka nga e nesërmja që do të vinte. Sepse heshtnin ata që kishin vuajtur me të vërtetë, të dënuarit, të persekutuarit, të internuarit. Flisnin njerëz që gjatë regjimit kishin qenë të përkëdhelur apo ish të dënuar ordinerë. Ishin njerëz që nuk kishin motive për këtë lloj revanshi.
Viti ’90 dhe fillimi i vitit ’91 ishin vite tepër të vështira për gjithë shqiptarët. U bë çorbë. Të gjithë u bënë bashkëvuajtës absurdë, por edhe bashkëfajtorë po aq absurdë. Ishte një kohë tragjikomike me njerëz që dukeshin si personazhe filmash. Gjatë kësaj kohe komunizmit iu shpall luftë totale. Në Tiranë komunizmi u luftua në mënyrën më të keqe të mundshme. Nuk luftohet komunizmi duke shkatërruar vendin. Duke shkulur pllakat e Pallatit të Kulturës dhe duke sulmuar policinë e vendit apo xhamat e institucioneve. Nuk luftohet komunizmi duke prishur brezaret, që ishte kontributi i një rinie të tërë.
E ç’lidhje kishin ullinjtë dhe portokajtë me Partinë e Punës? Filloi shkatërrimi masiv i uzinave dhe fabrikave. Mbizotëroi teoria zero dhe na doli në dritë “Çeku i bardhë”. Shkatërruan çdo të mirë që trashëguam nga e kaluara. Pse të mos i ruanin? U mbush tregu me kova e legenë të ardhura nga Turqia, kur ato prodhoheshin mjaft mirë nga uzina e plastikës në Durrës.
Periudha e demokratizimit të vendit erdhi shumë shëmtuar, shumë rëndë.
Më tepër sesa një luftë për të sjellë lirinë dhe demokracinë e vërtetë ishte një pragmatizëm për të gllabëruar gjithçka. Njerëzit që u mungonte idealizmi, duke gënjyer e mashtruar në emër të tij, erdhën në pushtet dhe u bënë të fuqishëm. Ishte një situatë shumë e vështirë. E veçanta e asaj periudhe anarkie, dhe natyrisht jo shumë pozitive qe fakti se servilët e djeshëm u bënë kapadainj, frikacakët u trimëruan, të pandershmit u bënë të ndershëm, batakçinjtë të moralshëm, injorantët në të ditur, të paaftët në të aftë, spiunët në viktima. Gagaçëve të djeshëm u erdhi goja… Dhe mes këtyre gagaçëve “oratorë” jo rrallë vije re ndonjë anëtar të Partisë së Punës, drejtues të organizatave të masave, artistë të llastuar, gazetarë të përkëdhelur, zyrtarë të “shtypur” dhe shumë rrallë viktima të vërteta të regjimit, ata që për hir të fjalës së lirë, qenë dhunuar dhe persekutuar tërë jetën.
Çdo kohë nxjerr në pah përfituesit e mëdhenj. Kohë e përmbysjeve të mëdha, me çudira akoma më të mëdha. Artistët që kishin dhënë prova mençurie dhe më përpara sepse zanafilla e demokracisë kish nisur në Kinostudio, morën një vendim. Puna e Partisë së Punës këtu mbaron. Ata krijues që ishin anëtarë të partisë dorëzuan dokumentet me dinjitet te sekretari i Partisë dhe mbyllën ciklin. Fakti, që shumë prej tyre nuk u përzien me asnjë lloj grupimi politik, tregoi se ata iu përkushtuan artit, punës dhe veprimtarisë. Edhe regjisori Gjonaj iu përkushtua filmit dhe botimeve dhe nuk u mor më me formacionet politike, që lindën dhe vegjetuan në Republikën e Shqipërisë. U mor me krijimtari. Atë, që fundi i fundit, është thelbi i qenies së tij. Atë që di të bëjë më mirë duke arritur rezultate të shkëlqyera në punë, por dhe në dinjitetin e tij si njeri. Demokracinë e duan të gjithë. Të ishin demokratë të mirë ata që udhëhoqën vendin do ishte një arritje. Por, në 25 vjet, Shqipëria përpëlitet dhe prapë është në hapat e para. Ishin vite shumë të vështira për popullatën shqiptare.
Në fund të vitit 1991 kthehet nga një shërbim nga Zvicra, ku punoi për gati dy muaj, për një film me metrazh të gjatë mbi jetën dhe përpjekjet e shqiptarëve të Kosovës për mbijetesë në dhé të huaj.
Gati-gati sa nuk pësoi një shok të rëndë psikik kur në Tiranë ato ditë s’kishte energji elektrike, kur qytetit i mungonte uji i pijshëm, kur shumë nga ushqimet më elementare mungonin, kur familje të tëra mbushnin ujë në rrugë dhe e ngjisnin atë me kova në katet e larta, kur sapo binte terri qyteti zhytej në errësirë dhe nuk guxoje të shkoje tek ndonjë mik a shok. Kur… Oh sa shumë KUR, kishte ato ditë.
Pa drita, pa ujë, me shumë vështirësi, alarme, protesta, zhurmë që ndikuan për keq në psikologjinë e shqiptarit. Vite ku të gjithë pyesnin veten “Po pse për këtë kohë të pasigurt paskam luftuar?”. Kishte lajme tronditëse në atë kohë. U vodh filan magazinë, u dogj një tjetër, u vra ky tek Xhamlliku… E vranë atë te rruga e Kavajës… u bë hataja andej matanë. Kishte parulla nga më të çuditshmet dhe më absurdet. “Policia është me ne!” Një parullë absurde sepse policia është shtet dhe shteti ka rregulla. Në prill të vitit 1991 u ngrit populli në Shkodër për të drejta, liri e demokraci. Dhe u sulmuan institucionet dhe u vranë katër veta që i bënë martirë. Shumë mirë. Mbas 20 vitesh përsëri në 21 janar 2011 u tubuan përsëri shqiptarët për të drejtat e tyre, për një mirëqenie më të mirë, për një të drejtë qytetare dhe u vranë përsëri katër veta. Përsëri qëlloi shteti, njëlloj si në vitin 1991. Dhe ata të parët u quajtën martirë dhe bënë shumë mirë që i shpallën martirë, ndërsa këta katër të tjerët, i quajtën kriminelë. Pse?! Nuk i pëlqen gjykimi me dy standarde.
Kjo tregon që ende dhe sot, Shqipëria noton në po ato ujëra kënete si në ’91-in. Kjo kohë pavarësisht vështirësive dhe disa ndryshimesh për mirë, ka një shtresëzim të theksuar shoqëror. Ka shumë të pasur, që të habisin se si u bënë, dhe shumë të varfër që vuajnë për krodhën e bukës. Pra, nuk erdhi demokracia në kuptimin e saj më të pëlqyeshëm në ekonomi, politikë, filozofi, jetë sociale e shtet ligjor. Erdhi me pasiguri, varfëri, korrupsion, drogë e terror. Terr. Dhe krisma.