Albert Z Zholi: “Një grusht mall”, libri poetik i Mimoza Selmanit-Doku, që portretizon Atdheun

Albert Z Zholi: “Një grusht mall”, libri poetik i Mimoza Selmanit-Doku, që portretizon Atdheun

Libri poetik, “Një grusht mall” i autores,  Mimoza Selmani (Doku), vjen në një kohë kur Pandemia sikur ka zbritur kurbën e saj të “shtetrrethimit” dhe të “bunkerizimit” të lëvizjeve njerëzore…

Kjo periudhë ka sjellë mjaft pështjellime tek njerëzit, por po ashtu ka grishur dëshirën e tyre për të hedhur në letër, mbresa, kujtime, poezi, ngjarje, situata. Edhe për Mimozën kjo periudhë 3-vjeçare ka qenë një shtysë për të parë jetën në një kënd tjetër, atë të realitetit dhe të përgjegjshmërisë qytetare për të sjellë në mënyrë korrekte një pjesëz jete me ngjyrat reale.

Në këtë libër të sinqertë, autorja kurrsesi nuk stimulon me fabulën, me ngjarjen, nuk aludon dhe nuk bën paragjykime, por ajo vendos një shenjë ndriçuese në pjesën e errët të jetës njerëzore. Duke qenë emigrante, autorja ka fituar një kulturë të re, atë të korrektësisë në përditshmëri, të marrjes së përgjegjësisë qytetare edhe si patriote, duke qëmtuar me vëmendje çdo situatë
apo ngjarje që lidhet me atdheun, familjen, dhe me problemet që shqetësojnë shoqërinë. Në poezitë e saj ka mall, dhimbje, lot, i hequr dhe një filiz nga trungu atdheut. Po sa filiza të tillë ikën Shqipërisë kur pritej ti rritej shtati duke u bashkuar me Kosovën martire?!

I ndodhi gjëma Atdheut, u mpak dhe më shumë nga njerëzit që po i iknin, shumica pa kthim. Por autorja ikën me kokën pas. Ikën me sytë nga Atdheu. Kjo ikje e saj në drejtim të Italisë në fillim ngjau si gëzim momenti pas ndrydhjes së gjatë nga shteti totalitar por pastaj, kuptimi i mërgimit për të gjithë emigrantët, e ktheu ikjen në tragjedi, ndërsa tani, gëzimi dhe tragjedia kanë depërtuar te njëra-tjetra fatalisht dhe përjetohen me ankth. Sigurisht, në mërgim çdokush gjeti një punë më të mirë, një jetë më të mirë, por po kaq të mëdha qenë humbjet, vdekjet e ndryshme, tragjike e të parakohshme.

Ky largim e ka bërë poeten më të ndjeshme, më të dhembshur, më delikate në raportet e saj me Atdheun. Vetëm kur je larg, mund ta ndjesh më mirë mallin. Dhe autorja nuk e fsheh mallin, nuk e ndalon por e shpreh me përmasat më të thella. Ajo kujton vendlindjen, shtëpitë, gurët, rrugët, brigjet, çdo pamje që ka lidhje me të. I kujton mes lotësh me premtimin se do kthehet.
Një premtim lot-malli që shpreh besimin e forcës që ka Atdheu në mërgim për të parë me krenari origjinën. Por mërgimi ka dhe të fshehta të tjera… Vdekje nga krimet, por edhe nga përpjekja e stërmundimshme për të arritur “tokën e premtuar”.

Autorja në disa poezi me nëntekst e përcjell këtë gjëmë, këto vdekje jo të natyrshme. Këto plagë mërgimi ajo i përcjell me ndjenjë keqardhjeje. Në disa poezi pena e saj e kujdesshme sjell episode e ngjarje rrëqethëse, që shoqëruan dhe vazhdojnë të shoqërojnë këtë emigracion të paparë në histori për përmasat, popullsinë e vendit dhe kohën e shkurtër. Por ajo ndjek edhe
zhvillimet në atdhe, sikundër të jetë në vendlindje. Jeton në Itali por me shpirt dhe sy është në Atdhe. Dhe një nga këto poezi është “Më fal Mateo!”. Një poezi që të shtang. Një poezi e përcjellë me një ndjesi të rrallë nëne. Loti lëshohet vetiu nga syri nëpër faqe kur mëson tragjedinë e djalit të vogël të cilin nëna e pret, por ai ka ikur në përjetësi. Por po kaq sqimatare, fine dhe eksploruese, autorja është treguar edhe ndaj problemeve të tjera të shoqërisë.
Ajo duke qenë korrekte, punëtore, krenare, e sigurt për hapat që hedh, nuk mund ti lëjë në heshtje disa cilësi negative të njeriut që me të vërtet të ngjallin neveri. Një nga këto poezi është dhe:

SERVILIT!
Përditë do ngjitesh lart e më lart,
Këpucë, e këmbë duke lëpirë,
Do ngjitesh shkallët një e nga një,
Si zhabë e shtypur, e pështirë.
O si një gjarpër do zvarritesh,
Ashtu, zvarrë, shkallët do i ngjitësh,
Me mjaltin në gojë e lule në duar,
Me helmin brenda për të helmuar.

Në kuptimin klasik servil do të thotë një njeri që u përulet e u bën lajka eprorëve, më të fuqishmëve etj, për përfitime vetjake, pra puthador. Në çdo vend, në çdo, qeveri, në çdo situatë, nuk ka më të rrezikshëm se servili, sepse ai natën ta bën ditë, të ngre në qiell, kur ti je për tu groposur, të rrit mendjen, kur nuk ke mend fare, të bën sehir që ajo që është bërë keq, të duket më e mira e botës.

Servilët janë edhe të paaftë, edhe ngatërrestarë, janë krijuesit e opinioneve të sëmura tek eprori për njerëzit e ndershëm, janë bartësit e të gjitha veseve negative që ndryshojnë klimën e shëndetshme. Servili e ka mirë me të gjithë shtresat, me të gjithë drejtuesit me të gjitha partitë. Servilit sipas popullit i zgjatet jeta, por i kërruset shpina, ndaj dallohet lehtë. Gjuha e servilit sipas autores është gjuha e helmit, zvarritjes, e deformimit të personalitetit.

Në këtë poezi autorja kritikon ashpër vesin, atë që bren shoqërinë dhe që nxit padrejtësitë. Një fabul thotë: “Në vite egziston e thëna/ qëngji urtë pi dy nëna/ por ju s’dini më të renë/ pi servili gjithë kopenë”. Në këtë vëllim modest unë do të sillja për komente disa poezi, por veçova këto dy për tematikën e spikatur dhe për mënyrën e ndërtimit të vargut. Ky vëllim poetik vjen si një pranverë e vonët në krijimtarinë e autores, por që ka një formatim harmonik dhe një mesazh të ndjeshëm njerëzor.

Autorja në këtë vëllim është vetvetja, me poezi me fabula pa përsëritje, me një kolor figurash letrare të lëmuara, ku ajo nuk nxiton por, përkujdeset deri në detaje për ta bërë poezinë të bukur dhe pa deformime estetike. Stili i saj autentik, kërkesat e saj në aspektin artsitik dhe mesazhi njerëzor për të përqafuar drejtësinë, tregon se poetja e vesh veten me një përgjegjësi qytetare, për të sjellë një poezi të asimilueshme, me vlera estetike që ndërgjegjëson dhe konkretizon vlerat dhe antivlerat, virtytet dhe negativitet e kohës që jetojmë. Ky libër është për Mimozën është si një lule-mimozë në prag pranvere, që thërret për një jetë të bukur, në këtë botë të trazuar me pandemi dhe luftëra.

Kontrolloni gjithashtu

Doli nga shtypi vëllimi 19-të i monografisë “Feniksët e lirisë” 

Doli nga shtypi vëllimi 19-të i monografisë “Feniksët e lirisë” 

Në vazhdim të realizimit të projektit për botimin e monografisë për dëshmorët e Ushtrisë Çlirimtare …