Albert Z. ZHOLI: Një libër për Todo Bojdanin, partizani që mori në dorëzim Radio Tiranën në nëntor të vitit 1944

Albert Z. ZHOLI: Një libër për Todo Bojdanin, partizani që mori në dorëzim Radio Tiranën në nëntor të vitit 1944

Keni në dorë një libër të natyrës monografike, që ju sjell në vëmendje jo thjesht një personazh plot jetë e shkëlqim, siç është Todo Bojdani, por edhe rrënjët dhe tokën ku u rrit, jetoi e bëri emër ai. Kjo lloj letërsie po bëhet gjithnjë edhe më e lëvruar, por edhe më e kërkuar, sepse ajo është traditë, është e djeshmja dhe historia, me të cilën jemi të pleksur të gjithë. Dhe kjo, është edhe më e domosdoshme, kur ke të bësh me personazhe që nuk jetojnë më. Prandaj, kjo letërsi bën që këta personazhe të mos heshtin më, të mos mbeten përjetësisht “memecë” atje ku janë, nëpër albume a në ndonjë relikte tjetër modeste familjare. Jo, ata duhet të flasin, ata duhet të na dëshmojnë, dhe kanë shumë për të na dhënë! Ne, të sotmit, jemi nevojtarë të dimë e të njohim bëmat e tyre, mënyrën sesi ata iu përkushtuan vendit, shoqërisë, familjes; të dimë sesi u përfshinë në luftë për kauzën e madhe të çlirimit nga pushtuesit e huaj e bashkëpunëtorët e tyre; ne duhet t’i shfletojmë ata gjatë jetës sonë!

E pra, ky libër, kushtuar jetës dhe veprës së Todo Bojdanit, pikërisht këtë nevojë na përmbush, këtë mision ka marrë përsipër, të cilit, me modesti dhe me shumë dashuri, themi se ia kemi dalë mbanë me sukses!  Për këtë libër është dashur punë kërkimore e thellë, e gjithanshme, por edhe e lodhshme, në radhë të parë përmes arkivave. Nuk ishte e lehtë që të “zgjoje” nga arkivat të riun drenovar të viteve ’20, Todo Bojdani, nxënësin e vogël që shkonte në shkollë nëpër shi e dëborë, që jetonte me përrallat e rrëfimet e gjyshit të urtë; të riun që ra në kontakt me idetë e para komuniste e u magjeps pas tyre, që u radhit në përbërje të grupit komunist të Korçës në vitin 1936, dhe që me profesionin e radiondërlidhësit, u bë zëri i luftës partizane, zëri i Radio Tiranës dhe i Shqipërisë së re të pasçlirimit! Por, nga gjithë ai “plis” i rrënjëve të tija, nuk mund të lësh pa nxjerrë në dritë edhe historinë, origjinën e gjyshërve, të familjes, të fshatit dhe krahinës, të martesave dhe bamirësive, të kurbeteve dhe ndarjeve; sepse të gjitha këto morën pjesë në krijimin dhe formimin e Todo Bojdanit, kishin pjesën e tyre në karakterin dhe botëkuptimin e Todos, në edukimin dhe virtytet e tija. Sigurisht, pena e autorëve ka “qëlluar” tek njeriu tipik për kohën dhe kontributet që i dha asaj.

Te figura e Todos pleksen thjeshtësia dhe madhështia! Kjo është edhe vështirësia e zbulimit dhe e zbërthimit të tyre. Thjeshtësia e njeriut pa gojë, pa mburrje, pa qarje e pretendime e ndërkohë që, ky është pikërisht heroi i kohës së vet, i luftës dhe i socializmit. Sa çudi! Po si nuk e dinim, si nuk e vumë re?! Si nuk e njohëm më parë?! Shokët e tij të luftës e të punës, flasin në libër, duke realizuar portretin e tij. Me sa dashuri e mall, me sa respekt e konsiderata shprehen ata në kujtime për Todon e tyre! Çdo fjalë e tyre për të, të kujton atë shprehjen, kur për dikë thuhet: “shokët linin kokën për të”… Vërtet, shokët linin kokën për Todon. Vetëm kur lexojmë librin, edhe ne të tjerët “lëmë kokën” për personazhin aq pak të njohur, aq befasues, dhe sigurisht krenohemi me të! Kjo është e veçanta, ajo tipikja e këtij personazhi, të cilin e veçuam nga masa.

Natyrisht, heroi Todo nuk është vetmitar, nuk është individ “shpëtimtar” i mrekullive… Përkundrazi. Madhështia e tij qëndron te fakti se ai ishte me këmbë në tokë, bir i një nëne qe kishte jetuar disa vite në Bukuresht, por që i mëkoi atdhedashurinë, dëshirën për shkollë e dije; ai ishte njeri me shokë shumë, që ndante kafshatën dhe dhimbjen bashkë me ta. Gjatë Luftës Nacionalçlirimtare nuk mbahet mend se sa herë i ka fluturuar plumbi te veshi, apo sa herë ai është përlotur, kur shokë të tij partizanë, kanë mbyllur sytë në krahët e tij! Ndaj, librin për Todon e shkruajtën shumë nga shokët e tij që jetojnë ende sot, por e shkruajtën edhe shtigjet e luftës së djeshme partizane, ku janë gjurmët e tij: Vithkuqi, Bakulli, Qafa e Becit, Odriçani, Helmësi, Panariti, Përmeti i Kongresit, Tirana ilegale, Radio Tirana në duart e partizanëve… Në fund, kur e mbaron së lexuari librin e Todo Bojdanit, natyrshëm do të rrish disa çaste ashtu i heshtur, përhumbur në meditime. Është njëkohësisht një heshtje nderimi…për ata që bënë shumë për Atdheun!

Kontrolloni gjithashtu

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Shkollave shqipe në Zvicër në kuadër të Lidhjes së Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë “Naim Frashëri” …