Emri i Tafil Buzit është nga më të përmendurit në kryengritjet e viteve 1820- 1850, kundër Perandorisë Osmane. Këto kryengritje, përkonin në kohën kur “faraoni i fundit” ëndërronte vete shkëputjen e Egjiptit nga Stambolli dhe shpalljen e një shteti te pavarur. Duke shfletuar dokumentet e arkivave të Stambollit rreth kryengritjeve shqiptare dhe duke lexuar referencat ndaj Mehmet Ali Pashës së Egjiptit, të bëjnë përshtypje një sërë korespondencash turke apo dhe të huaja, që dëshmojnë për lidhjen që ekzistonte mes Mehmet Aliut dhe prijësave shqiptarë. Zhvillimi i lëvizjes kombëtare në vitet 30-40 të shek. XIX përkon me periudhën e reformave të para centralizuese, që filluan të ndërmerreshin në Perandorinë Osmane në vitet 30 të shekullit XIX. Me këto reforma, në mënyrë të veçantë me likuidimin e sistemit të timareve, dhe me njohjen ligjërisht të pronës private mbi tokën (më 1834), si edhe me masat për riorganizimin e sitemit administrativ, ushtarak dhe të taksave, Porta e Lartë synonte ta fuste vendin në rrugën e evropianizimit, të forconte pushtetin qendror, të rimëkëmbte fuqinë e Perandorisë, e cila ishte dobësuar së tepërmi nga prapambetja ekonomiko-shoqërore, nga sistemi shtetëror anakronik, thellësisht shtypës e parazitar, dhe nga kryengritjet e vazhdueshme të popujve të shtypur.
Reformat filluan të zbatoheshin në Shqipëri qysh në vitet 1830.
Ato i dhanë një goditje të rëndë në radhë të parë shtresës së vjetër feudale-ushtarake, e cila, si kudo edhe në Shqipëri, kishte filluar të shthurej dhe ishte dobësuar shumë nga ekspeditat osmane të viteve 1822-1831. Një pjesë e krerëve feudalë që ishin aktivizuar në kryengritjet u asgjësua, të tjerë u internuan dhe ata që mundën të shpëtonin mërguan jashtë vendit, ndërsa pronat e tyre u shpallën çifligje shtetërore. Reforma agrare u dha mundësi të ngriheshin e të forcoheshin çifligarëve të rinj, pronarë privatë të tokave, të lidhur me Portën e me politikën e saj centralizuese. Dobësimi i klasës feudale shqiptare i dha mundësi borgjezisë, të përfaqësuar nga tregtarët dhe pronarët e punishteve zejtare e të manifakturave të merrte pjesë më me gjallëri në jetën ekonomike e politike të vendit. Reformat shtuan pakënaqësinë e shtresave më të ndryshme të popullsisë ndaj sundimtarëve osmanë dhe acaruan më tej kontradiktat kombëtare dhe ekonomiko-shoqërore me ta.Këtë gjendje shpirtërore të popullsisë dhe aspiratat e saj i shprehën në dokumente të rëndësishme e në vepra shkencore e artistike ideologët dhe shkrimtarët e parë të Rilindjes, si Naum Veqilharxhi (1797-1854), Jeronim de Rada (1814-1903) etj. Kjo veprimtari synonte, me anën e përhapjes së ideve e të kulturës kombëtare, të forconte ndërgjegjen kombëtare të popullit shqiptar dhe bashkimin e tij mbi ndarjet fetare e krahinore në luftë për lirinë, për tërësinë territoriale dhe për zhvillimin demokratik të shoqërisë shqiptare. Prapambetja e përgjithshme e Shqipërisë dhe shtypja ekonomike e politike osmane bënë që ideologjia e kultura kombëtare të zhvilloheshin me vështirësi e në përmasa të kufizuara brenda vendit.
Fshatarësia dhe vegjëlia e qyteteve duhej të përballonin detyrime e taksa të rënda që vendoste administrata e re, abuzimet e nëpunësve osmanë, si dhe mashtrimet e spekulimet e sipërmarrësve të të ardhurave shtetërore, në një kohë kur ekonominë e popullsisë myslimane e dëmtonte edhe shërbimi shumëvjeçar ushtarak, që i rrëmbente krahët më të aftë për punë. Shqipëria këkronte drejtues në luftën kundër Perandorisë në këtë situatë. Një prej tyre ishte dhe Tafil Buzi…
Tafil Buzi dhe lufta e arvanitëve në Greqi
Shqiptarët ishin, gjithashtu, një forcë aktive me rol të veçantë si në përgatitjen e kryengritjes greke të vitit 1821, ashtu edhe në zhvillimin e revolucionit në përgjithësi. Nëse Ali pashë Tepelena me veprimet e tij ushtarake kundër ushtrive osmane u dha dorë e të shpërthenin kryengritjen në mars të vitit 1821, shqiptarët (arvanitët), krahas grekëve, ishin nismëtarë të kësaj kryengritjeje. Qysh në mars të vitit 1821 u bashkuan me Revolucionin grek fshatra të tëra shqiptare (arvanite) të Atikës. Kryengritësit shqiptarë, të udhëhequr nga fshatari i thjeshtë Melet Vasili nga Atika (i quajtur Haxhimeleti), marshuan në fundin e marsit drejt Athinës, e detyruan garnizonin osman të mbyllet në Akropol dhe çliruan Athinën. Një pjesamërrës dhe përkrahës i kësaj lufte ishte Tafil Buzi. Përgjithësisht gjatë fazës së parë të Revolucionit grek arvanitët, dhe jo vetëm ata, por edhe shqiptarët e trevave të Shqipërisë, duke përfshirë edhe ata myslimanë, u bënë figura qendrore e ngjarjeve dhe e veprimeve luftarake të kryengritësve. Kryengritësit e Peloponezit, grekë e shqiptarë (arvanitë), të komanduar nga Kolokotroni, arritën të merrnin qytetin e Tripolicës, për çlirimin e të cilit patën luftuar pesë muaj me radhë, vetëm pasi shqiptarët myslimanë hynë në marrëveshje me ta dhe dezertuan në masë nga ushtria osmane. Pati edhe mjaft shqiptarë myslimanë, ndërmjet të cilëve njihen Mustafa Gega, Bajram Lapi, Avdi Gega etj., të cilët jo vetëm dezertuan nga ushtria osmane, por morën pjesë në veprimet luftarake të Revolucionit grek. Është i njohur gjithashtu kontributi i luftëtarëve suliotë, të udhëhequr nga Marko Boçari, të cilët gjatë periudhës së parë të Revolucionit grek mbajtën barrën kryesore të luftës në Greqinë kontinentale. Edhe sundimtari i pashallëkut të Shkodrës, Mustafa pashë Bushatlliu, duke kundërshtuar urdhrin e sulltanit, braktisi, në vitin 1823, luftimet në Misolongjin e rrethuar, nuk pranoi të marshonte drejt Athinës për të shtypur kryengritjen dhe u kthye me ushtrinë e tij në Shkodër. Shpërthimi i rrethimit të Misolongjit nga grekët më 1823 u arrit, krahas të tjerave, edhe nga ndihmesa e shqiptarëve që dezertuan në masë nga ushtria osmane. Këto dezertime të shqiptarëve myslimanë nga ushtria do të përsëriteshin edhe në rrethimin e dytë të Misolongjit, në vitin 1825.
Tafil Buzi, lufta e Beratit dhe detyra për lidhjet me botën e jashtme.
Gjatë verës së vitit 1834 u shkëmbyen mendime ndërmjet përfaqësuesve të krahinave të ndryshme të vendit, pas të cilave u vendos të organizohej një kryengritje e tillë e përgjithshme dhe u hartua për këtë një plan i përgjithshëm operativ. Sipas këtij plani do të sulmohej në fillim kështjella e Beratit dhe, me të rënë ajo në duart e kryengritësve, gjysma e tyre, së bashku me forcat kryengritëse të Kavajës, të Tiranës e të Mirditës dhe me popullsinë e Shkodrës, do të sulmonin trupat e qeveritarit të Shkodrës, kurse gjysma tjetër, së bashku me kryengritësit e sanxhakut të Delvinës, do të sulmonin forcat e Mahmut Pashës, që kishte zëvendësuar Emin Pashën në Janinë. Ky ishte plani i parë operativ për një kryengritje të përgjithshme dhe përbënte një hap të rëndësishëm në luftën çlirimtare. Me këtë plan krerët e Shqipërisë bashkoheshin në një lidhje ushtarake mbarëshqiptare dhe merrnin në duart e tyre nismën për të vepruar bashkërisht.
Kryengritjen, ashtu siç ishte parashikuar, e filloi në vjeshtën e vitit 1834 popullsia e qytetit të Beratit, e cila rrëmbeu armët për të mbrojtur disa ushtarë që kishin ardhur me leje nga Stambolli e nuk dëshironin të ktheheshin në shërbimin ushtarak. Kryengritësit mbyllën qeveritarët në kështjellë dhe ftuan udhëheqësin e njohur të kryengritjeve të mëparshme, Tafil Buzin, për të drejtuar veprimet ushtarake. Ai sapo kishte dështuar përpara Tepelenës, së bashku me Shahin bej Delvinën, kur zbarkoi këtu nga Kreta për të organizuar një kryengritje dhe kishte pranuar amnistinë. Megjithatë, ai erdhi nga fshati i vet në Berat. Brenda një kohe të shkurtër rreth tij u grumbulluan 10 000 vullnetarë. Kryengritësit shtinë në dorë magazinat shtetërore të drithit, të cilin ia shpërndanë popullsisë. Kryengritja u përhap shumë shpejt në krahinat e Vlorës, të Tepelenës, të Skraparit, të Tomoricës, të Mallakastrës, të Përmetit e të Beratit, në atë rreze si një vit më parë. Kjo dëshmonte për lidhje të forta ndihme e bashkëpunimi ndërmjet këtyre krahinave dhe për një ngritje të ndërgjegjes politike. Përfaqësuesit e shtatë krahinave u mblodhën në një kuvend në Berat, ku vendosën të formonin një Besëlidhje politike. Atë e drejtonte një pleqësi, e cila si një organ drejtues kolegjial bëri një ndarje pune ndërmjet anëtarëve të saj. Kryetar u zgjodh Abaz bej Lushnja nga familja e Ngurzajve. Tafil Buzi u ngarkua me drejtimin e veprimeve luftarake dhe për lidhjet me botën e jashtme, veçanërisht me Mehmet Aliun e Egjiptit. Ky i fundit interesohej gjallërisht për kryengritjet në Shqipëri, sepse i shihte si një faktor të rëndësishëm për dobësimin e fuqisë së Perandorisë Osmane, me të cilën prej kohësh ishte në konflikt. Besëlidhja nuk kishte vetëm karakter ushtarak e ndërkrahinor, por ishte edhe një organ qeverisës, i dalë nga lufta për të zëvendësuar administratën osmane. Udhëheqja e Besëlidhjes përbëhej nga krerë feudalë, përfaqësues të zejtarëve e të tregtarëve, të klerit e të fshatarësisë.
Në emër të kryengritësve, Pleqësia i paraqiti qeveritarit osman, Hamdi Pashës, kërkesat për të përjashtuar krahinat kryengritëse nga zbatimi i reformave centralizuese dhe për t’u njohur atyre një qeverisje autonome nga vetë shqiptarët. Kërkesat e Pleqësisë nuk u morën parasysh nga Porta e Lartë. Kjo i dha hov më të madh kryengritjes. Me nismën e Tafil Buzit, në Besëlidhje hynë edhe krahina e Sulovës dhe e Vërçës. Nga mesi i dhjetorit, pas 2 muaj lufte, kështjella e Beratit iu dorëzua kryengritësve. Aty u vendos një garnizon i ri i përbërë nga 100 ushtarë. Ata përfaqësonin në mënyrë të barabartë të nëntë krahinat e Besëlidhjes. Komandantët e forcave ushtarake të qytetit u zëvendësuan me kryengritës të dalluar për trimëri.
Dokumentet greke për Tafil Buzin
Në dokumentet historike rreth kryengritjeve shqiptare për pavarësi (“Dokumente arkivale osmane”), në një letër të një kronikani grek për Shqipërinë, më 1835, shkruhej se “Tafil Buzi kishte deklaruar se ishte njeriu i Mehmet Ali Pashës. Rrebeli në fjalë pohoi se nuk do të largohej së shërbyeri çështjes së Mehmet Aliut. Nuk ka dyshim se kazatë kryengritese si Vlora, Tepelena, Dishnica, Tomorrica, Skrapari, Mallakastra, qyteti dhe nahija e Beratit, Sulova e Verca, të kenë patur korespondence direkte me Memet Ali Pashën”. Ne maj te vitit 1835, përfaqësuesi turk ne Londër, Mehmet Namik, njoftonte Portën e Larte se ishte takuar me ambasadorin austriak, princin Estirhazi, te cilit i kane ardhur udhëzimet e Meternich-ut. “Përmes valiut te Kretës, Mustafa Pasha, pashai i Egjiptit ka nxitur Tafil Buzin. Korespondencat e tij me krerët shqiptare janë tashme ne duart e Meternich-ut. Ambasadori austriak do ti paraqesë Ministrisë se Jashtme te Anglisë kërkesën qe Anglia te porosisë konsujt qe ka ne Shkodër, Kretë dhe Shqipëri si dhe ambasadorin pranë qeverise greke… Unë i deklarova se konsujt angleze duhet të përpiqen që ta kthejnë në rrugë të drejtë Mehmet Aliun, që ai të heqë dorë nga intrigat dhe turbullirat ne këto vise”.
Hapi i parë për sigurimin e vetëqeverisjes dhe roli i Tafil Buzit
. Por plani i përgjithshëm operativ i kryengritjes së përgjithshme nuk u zbatua më tej. Porta e Lartë kishte marrë ndërkohë një varg masash për ta penguar realizimin e tij. Ajo u kishte premtuar krerëve dhe udhëheqësve të esnafëve se do të plotësonte kërkesat e tyre. Nga ana tjetër, Hafëz Pasha kishte përforcuar garnizonet e Durrësit e të Kavajës me një sasi të madhe topash e municionesh. Ai thirri në Shkodër mjaft pashallarë e bejlerë që kishin marrë pjesë në hartimin e planit operativ të kryengritjes dhe u premtoi se do të hiqte dorë nga zbatimi i reformave centralizuese. Këto masa shkaktuan lëkundje e përçarje në udhëheqjen e kryengritjes. Në këto kushte, forcat kryengritëse, pasi morën kështjellën e Beratit, nuk u nisën kundër qeveritarit të Shkodrës, ndërsa popullsia e këtij qyteti nuk u ngrit kundër sundimtarit osman. Në ditët e para të janarit 1835 Pleqësia e Beratit, duke u besuar premtimeve të Hamdi Pashës, që miratoi ndryshimet e bëra në administratën lokale, nënshkroi me të një marrëveshje për shpërndarjen e forcave kryengritëse. Kjo shënoi një fitore të Besëlidhjes së nëntë krahinave kryengritëse të Shqipërisë së Jugut pasi u ndërprenë përsëri reformat centralizuese.
Në shkurt 1835 Hamdi Pasha, që tani ishte ngritur në postin e valiut të Rumelisë, ftoi mjaft krerë shqiptarë në Manastir, disa prej të cilëve i nisi në Stamboll, kurse të tjerët i shpërbleu. Vetëm Tafil Buzi nuk u paraqit dhe, kur qeveritari osman filloi të shkelte marrëveshjen, nisi përsëri kryengritjen. Rreth 6 000-8 000 kryengritës nën drejtimin e tij vunë nën kontroll zonën Vlorë-Berat. Këtë herë kryengritja nuk pati shtrirjen e mëparshme. Pasi dështoi në Berat e në Elbasan, ai iu drejtua Janinës në krye të disa qindra kryengritësve. Në afërsi të saj Tafil Buzi shpërndau një shpallje, me të cilën u bënte thirrje shqiptarëve të ngjeshnin armët për çlirimin e atdheut të tyre. Kërkesat kryesore ishin dy: dëbimi i nëpunësve dhe i ushtarëve turq nga territoret shqiptare dhe zbritja e taksave në masën e kohërave të mëparshme. Shpallja e Tafil Buzit ishte një nga proklamatat e para ku bëhej thirrje për çlirimin e atdheut. Këtu për herë të parë flitej në emër të të gjithë vendit dhe jo vetëm të krahinave kryengritëse. Në emër të kryengritësve ai i dërgoi një mesazh Mehmet Aliut të Egjiptit, me të cilin kërkonte përkrahjen e tij. Jehona që gjeti shpallja brenda në vend dhe kërkesa e ndihmës së Mehmet Aliut, e shqetësuan qeverinë osmane. Me masa diplomatike ajo e detyroi Mehmet Aliun të mos i përgjigjej ftesës për ndihmë, ndërsa, nga ana tjetër, dërgoi kundër kryengritësve forca të shumta ushtarake. Pas një qëndrese të ashpër e të gjatë kryengritësit nuk ishin në gjendje t’i bënin ballë armikut. Më 2 maj 1835 Tafil Buzi u detyrua të pranonte amnistinë që i propozoi valiu i Rumelisë dhe të hiqte dorë nga lufta.
Epilog
Në historinë shqiptare kanë fryrë e po fryjnë shumë erëra të ndryshme, por kur shkunden faqet e historisë nga pluhuri i harresës në vorbullën e madhe të kohës, ne gjejmë një kolonë pambarim të luftarave spektakolare të patritoëve shqiptarë që kanë tronditur botën dhe që kanë futur në studime gjeneralë të gjithë botës. Një ndër këta luftëtarë të paepur, që familje dhe zot kishte vetëm Shqiëprinë ishte dhe Tafil Buzi.
Ai në historiografët shqiptare dhe të huaj, në libra, në tregime ngelet syshqiponjë, triumfator, një hero luftarak, i paepur, trim dhe i ditur, praktik, i palodhur, një udhëheqës tipik shqiptar me kurajë të jashtëzakonshme. Emri i tij është shkruar pazgjidhsmërisht në pikat më delikate të hsitorisë shqiptare si një gjeni i kohës