Që nga dita që lindi shoqata: në 12 dhjetor 1991, e deri në datën e 12-të, dhjetor 2021, ajo është kthyer në Institucion patriotiko-kulturor
Në kuadrin e 30 vjetorit të krijimit të Shoqatës Atdhetare Kulturore Labëria “Nderi i Kombit”, Kryetari i shoqatës dhe njëherazi poeti, publicisti dhe shkrimtari Ago Nezha, vjen me një botim, bibël për labërinë siç e quajti profesor Bardhosh Gaçe, apo një Kushtetutë për Labërinë do ta quaja unë, që titullohet: “ Shoqata Atdhetare Kulturore Labëria 30 vjet jetë dhe aktivitet”. Ky libër është një traktat që përshkruan jo vetëm veprimtarinë e Shoqatës Labëria në hapësirën 30 vjeçare, por jep një historik të shtrirë në kohë dhe hapësirë për trevën e Labërisë në luftërat për liri, pavarësi, çlirim kombëtar dhe shoqëror, në rrjedhën e lashtësisë nga autorë vendas dhe të huaj.
Çfarë na thotë ky titull ?
Libri titulluar “ Shoqata Labëria 30- Vjet Jetë dhe Aktivitet”, është një synim për të evokuar rrugëtimin e gjatë 30 vjeçar, e për të ardhur deri në ditët e sotme. Që nga dita që lindi Shoqata Labëria në 12 dhjetor të vitit 1991, e deri në datën e 12-të, dhjetor 2021, viti jubilar i 30- vjetorit të saj, ka një bashkëjetesë të gjatë me disa shoqata si motra dhe është përballur me shumë fenomene shoqërore e shtetërore që i ka kapërcyer nëpërmjet baticave e zbaticave, ku i është dashur që të krijojë identitetin e saj patriotik dhe kulturor. Në këtë libër nuk pretendohet që të ezaurohet e gjithë veprimtaria e vrullshme dhe dinamike e Shoqatës Labëria, që ka një rreze mbarë kombëtare, pasi ato janë të shumta e të larmishme. Një pjesë e dokumentacionit është tretur në rrjedhën e viteve për arsye subjektive, por dhe objektive, pasi shoqata ka vepruar pa një ngrehinë ku të ruhej arkivi dhe dokumentacioni i veprimtarive të saja të shumta, kur shteti ynë “demokratik” ka pajisur me zyra, salla e lokale, shumë parti fantazmë, me kryetar, pa anëtar, që i kanë kthyer partitë në plaçkë tregu duke i shitur e blerë si mall biznesi. Në këtë libër janë përfshirë veprimtaritë kryesore me karakter kombëtar e ndërkombëtar, në dimensionet e mundshme të përfaqësimit. Shoqata Labëria ka një galeri të pasur aktivitetesh në qendër dhe në degët e rretheve, që po të pretendosh t’i publikosh, si mbulon dot me “jorganin” e një libri, por duhet një enciklopedi gjithëpërfshirëse. Në sfondin e këtij botimi shfaqen veprimtaritë më përfaqësuese, ku Shoqata Labëria ka qenë pjesëmarrëse me fjalën dhe kontributin e saj të vlerësuar. Kalaja 30 vjeçare është ndërtuar e ngritur me kontributin e kryesisë në qendër dhe të degëve në rrethe, duke filluar nga Tirana, Vlora, Fieri, Patosi, Tepelena Gjirokastra, Saranda, Himara, Orikumi, e duke përfunduar në Durrës, që shpalosen qartë nëpërmjet zëdhënëses së saj, gazetës “Labëria”. Puna në ansambël, ka bërë që kjo shoqatë jo vetëm të ekzistojë, por të rritet e përparojë nga njëri kuvend në tjetrin, plot gjashtë, derisa u ngjit në apogjeun e vet në 18. Dhjetor, 2015, kur vuri mbi krye kurorën e shndritshme “Nderi i Kombit” nga Presidenti i Republikës, z. Bujar Nishani me këtë motivacion: ““Për ndjenjën e lartë patriotike, për forcimin e unitetit kombëtar dhe frymën e solidaritetit dhe harmonisë pa dallime partiake, për forcimin dhe përparimin e demokracisë, si dhe për ruajtjen e pasurimin e traditave, zakoneve, kulturës dhe folklorit të trevës së Labërisë”.
Historia për Labërinë në penën e personaliteteve
Libri, çelet me citatin e korifeut të letrave shqipe Fan S. Noli,që shkruante se: “Kur lëngon Shqipëria zgjohet Labëria”. Fillimisht na jep një “Tablo Historike” mbi krahinën e Labërisë, si një nga trevat etnokulturore të Shqipërisë Jugperëndimore, e cila ka dhënë një kontribut të shquar në historinë dhe kulturën kombëtare. Emri i saj lidhet ngushtë me banorët arbër, si dhe fiset ilirë të amantëve, kaonëve, mesapëve dhe elimëve, gjurmët e të cilave shfaqen në një varg vendbanimesh e toponimesh të përcjella nga ana arkeologjike deri në kohët tona. Në këtë bashkësi etnografike, shfaqen elementet e përbashkët etnikë ilirikë, me tradita, zakone, besime, histori e kulturë që është përcjellë në rrjedhën e kohërave me një vitalitet të jashtëzakonshëm përballë pushtuesve të ndryshëm: romakë, normanë, bizantë, sllavë, venecianë, otomanë e deri në vitet e Luftës së Dytë Botërore, kundër pushtuesve nazifashistë. I pari albanolog në shek. XIX, është J. G. Von Hahn, në vitin 1854, në veprën e vet “Studime mbi Shqipërinë” botuar në Vjenë, vë në dukje, se të gjitha tokat, në mes të Vjosës së poshtme dhe detit, i quajnë sot banorët aty përqark dhe fqinjët Labëri dhe vendasit labë…”. Sipas këtij albanologu, por edhe etnologëve: Kol Kamsi, Rrok Zojzi e Ismet Elezi, kjo trevë përfshin: krahinën e Vlorës, krahinën e Himarës, atë të Delvinës, dhe atë të Kurveleshit, që ngrihet në Perëndim të derdhjes së Drinit në Vjosë dhe në Jug të Tepelenës. Për shtrirjen e krahinës së Labërisë kanë shkruar shumë studiues vendas dhe të huaj duke filluar nga rilindësi ynë i shquar, Sami Frashëri, si dhe studiues të tjerë të shek. XIX-XX, si: Karl Patç, Kozma Thesproti, Rrok Zojzi, Ago Agaj, Rami Memushi, Pëllumb Xhufi dhe së fundi akademiku Edmond Pinguli me librin e tij “ Labët ose Lapët Pellazgë, studim historik, e mjaft të tjerë, të cilët hedhin dritë mbi kufijtë e Labërisë. Me ndryshime të vogla kufijtë e Labërisë, sipas autorëve të sipër përmendur kanë qenë në trajektoren e tre urave: ura e Vjosës, ura e Leklit dhe ura e Kalasës. Autori i librit, duke parë këngët, vajet, traditat, zakonet marrëdhëniet shoqërore, dhe ushtrimin e Kanunit të Labërisë, e ka zgjeruar konceptin e krahinës së Labërisë, duke përfshirë brenda saj qytetet: Vlorë, Tepelenë, Gjirokastër, Sarandë, Delvinë, Himarë dhe Orikum, ku janë përfshirë inkluzivisht të gjitha fshatrat, pa bërë dallime kufizuese. Kjo gjithëpërfshirje është meritë e shoqatës Labëria, që ka ditur t’i promovojë të gjithë fshatrat e zonës së saj në veprimtari të dobishme shoqërore. Rubrika e dytë titullohet: “ Një vështrim mbi trevën e Labërisë në rrjedhën e lashtësisë nga autor vendas dhe të huaj”, që hedh dritë mbi origjinën e Labërisë dhe veprimtarinë e saj patriotike. Autorët janë të shumtë me diversitet mendimesh, që nuk mund t’i biem në këtë shkrim, por duhet shfletuar libri, por më kryesorët do përmendim: Zhan K. Faverial me librin e tij “Historia e Shqipërisë”, Eqrem Çabej, “ Shqiptarët midis Perëndimit dhe Lindjes”, dijetari gjerman G. Majer, në “ Fjalorin Enciklopedik për Arbërinë”, shkruan se: “Kjo krahinë quhet edhe Labëri dhe Lapëri. Është vërtetuar se Labëria është Arbëria”. Për Labërinë kanë shkruar libra autorë të shumtë, si Spiro Kondo, arbëreshi i shquar Aristidh Kola, studjuesi grek Saqelariu, Aref Mathieu, si dhe Konsulli i Janinës, Pukëvili, e shumë të tjerë.
Në autostradën e kuvendeve
Rubrika e tretë përshkruan gjashtë kuvendet, nga i pari që u mbajt në Tiranë më 5 qershor 1998, i dyti në Vlorën e flamurit, i treti në Himarë, jo rastësisht, por për t’u thënë himariotëve se Himara ka qenë në lashtësi kryeqendra e Labërisë me 52 fshatra, megjithëse reagoi Kryebashkiaku Bollano me parrulla: “ poshtë Labëria”, “Himara s’është Labëri” “ Himara është Greqi”, etj, i katërti u mbajt në Kuç të Vlorës, për të evokuar një ngjarje historike ku 98 vjet më parë 28 nëntor – 4 dhjetor të vitit 1924, është mbajtur Kuvendi i Kuçit me pjesëmarrjen e 300 delegatëve, përfshirë këtu dhe nga Kosova e Çamëria, i pesti në kryeqendrën e kulturës labe në Gjirokastër dhe i gjashti në Vlorë, që shënoi dhe ndryshimin e emrit nga kulturore atdhetare, në atdhetare kulturore që shpreh dhe misionin e saj në këto 30 vjet. Njëkohësisht në libër janë evidentuar të gjithë përvjetorët e shoqatës që janë kremtuar në rrethe të ndryshme të vendit.
Aktivitetet e shumta dhe të larmishme të Shoqatës
Rubrika e katërt, rrok aktivitetet e shumta dhe të larmishme që ka organizuar shoqata Labëria, në evente të ndryshme, jo vetëm brenda vendit, por dhe në Kosovë e Preshevë. Mjafton të përmendim disa nga veprimtaritë më mbresëlënëse, të karakterit kombëtar, që kanë pasur akses në opinionin e gjerë shoqëror, për të kuptuar rolin madhor të kësaj shoqate. Shoqata Labëria, ka qenë gjithmonë sensibël dhe pararendëse, ndaj çdo fenomeni denigrues e shkatërrues të vlerave të kulturës dhe identitetit kombëtar. Ishte Shoqata Labëria nismëtarja që sensibilizoi mbarë opinionin shoqëror nëpërmjet një tubimi të gjerë, me pjesëmarrjen e 70 shoqatave për denoncimin e Marrëveshjes famëkeqe midis dy qeverive, asaj shqiptare dhe greke, për shitjen e 344 km2 të ujërave detare, Greqisë. Denoncuam me forcë regjistrimin e kombësisë sipas etnisë dhe fesë, nëpërmjet formularit që polli Pollua. Kemi mbajtur qëndrim kritik për inferioritetin që ka treguar shteti ynë deri në përulësi në vitet e demokracisë ndaj fqinjit tonë jugor duke mos respektuar reciprocitetin ndaj palëve. Lëshimet e qeverive shqiptare, gjatë këtyre 30 vjetëve kanë qenë në dinamikë, duke filluar me hapjen e shkollave greke, në Korçë dhe Himarë, me dhunimin e varrezave në Kosinjë të Përmetit dhe në Boboshticë të Korçës, me pretendimet për Vorioepirin, dhe për ta quajtur Himarën tokë dhe komunitet grek. Kanë vazhduar me incidentin e Bularatit në Gjirokastër, ku turma histerike të ekstremistëve grek provokuan luftënxitje dhe urrejtje etnike nëpërmjet parrullave antishqiptare se: “Vorioepiri është Greqi, sëpata dhe zjarr ndaj qenve shqiptarë” etj, e deri në episodet e shëmtuara me qëndrime diskriminuese ndaj emigrantëve tanë në Greqi, etj. Të gjitha këto dukuri anormale në marrëdhëniet mes dy vendeve fqinj kanë qenë objekt i reagimeve të ashpra të Shoqatës Labëria, në qendër e në rrethe. Shoqata Labëria ka reaguar jo vetëm për çështje madhore të Kombit, por edhe kur është prekur mjedisi turistik duke shkatërruar pyjet siç është rasti flagrant në pyllin e Sodës në Vlorë, ku mblodhëm 60 shoqata në protestë për në Tiranë me thirrjen: “ Vlora në rrezik “. Edhe për shkatërrimin barbar të pyjeve të Lurës, një perlë e bukurisë shqiptare, kemi ngritur zërin deri në instancat më të larta të shtetit duke bërë dhe deklarata, por qëndrimi shtetar ka qenë indiferent dhe mospërfillës. Krahas këtyre qëndrimeve aktive, kemi përkrahur refuzimin që bënë banorët e Dukatit për ngritjen e mullinjve të erës në kreshtën e maleve, që dëmtojnë faunën dhe florën e zonës, si dhe për protestat për pronat, që shteti i ka uzurpuar me pa të drejtë nga Karaburuni në Llogora. Njëkohësisht nëpërmjet peticioneve dhe takimeve kemi ngritur zërin dhe kemi kërkuar shtrimin e rrugës së Lumit të Vlorës, që ishte një gangrenë që po ç’popullonte banorët e asaj zone, me kontribute të veçanta patriotike për vendin, që më së fundi mori përgjigjen e merituar. Në libër shpalosen qartë se si Shoqata Labëria ka përcjellë me vlerësim të lartë përvjetorët historik, si atë të 100 vjetorit të Pavarësisë, ashtu dhe të 70 vjetorit të Çlirimit me sesione shkencore ku kanë kumtuar historianët Pëllumb Xhufi, Paskal Milo, Xhelal Gjeçovi, Bardhosh Gaçe, Mariglen Kasmi etj. Për turpin e shtetit shqiptar, kur në pushtet ishte Partia Demokratike, në 100 vjetorin e Pavarësisë, u gjet një monument me bazorelief të thyer dhe u vendos pranë një bunkeri përballë Kryeministrisë. Për këtë turp kombëtar, ne si shoqatë kemi bërë tre herë propozim me shkrim që të vendoset një shesh dhe monument madhështor për krijuesin e Kombit, por nga Bashkia e Tiranës kemi vetëm premtime, por jo realizime. Urojmë të veprojnë. Është për t’u përshëndetur shoqata e degës Labëria të Vlorës me kryetar Ahmet Demën dhe shoqata e Mesaplikut, me kryetar Namik Jahaj që me kontributin e banorëve të zonës kanë vendosur 12 buste heronjsh me në krye apostullin e Pavarësisë, babain e kombit Ismail Qemalin. Po kështu në qendër të Prishtinës, është vendosur Monumenti i Ismail Qemalit me kontributin e disa biznesmenëve vlonjatë, nën kujdesin e dr. Bujar Leskaj, që janë për t’u përgëzuar.
Veprimtari jashtë kufijve të krahinës
Qëndrimi i Shoqatës Labëria nuk është kufizuar vetëm në kufijtë e krahinës së saj, apo brenda vendit, por po kaq sensibël është treguar dhe ka qenë gjithmonë në përkrahje të luftës së Kosovës, jemi shprehur kundra ndryshimit të kufijve të Kosovës me Malin e Zi, si dhe për kërkesën e serbëve për krijimin e asosacioneve brenda Kosovës, ku jemi prononcuar dhe me deklarata. Po kështu kemi marrë pjesë dhe kemi thënë fjalën tonë për të drejtat e popullsisë çame që qeveria greke, jo vetëm nuk ju njeh pronat, por u ka mohuar edhe vizitat te varret e të parëve të tyre dhe s’bën asnjë apel për gjenocidin e pashoq të paraardhësve të tyre, ndaj popullsisë të pambrojtur çame. Shoqata Labëria ka dalë nga guaska e vetë dhe është bërë faktor në shumë veprimtari mbarë kombëtare duke qenë prezent në Prishtinë, Preshevë, Prizren, në përvjetorë dhe ngjarje me karakter kombëtar. Dy veprimtari mbresëlënëse kanë qenë takimi me 100 gra dhe vajza me emrin Vlora në Preshevë, si dhe takimi i gjerë në Prishtinë me të gjithë ato qytetarë kosovarë që kanë emra me prejardhje nga qytete dhe krahina të Labërisë. Akademiku Rexhep Qosja, në fjalën e tij përshëndetëse u shpreh se: “këtë takim në nivel kaq të lartë nuk e organizon dot as shteti dhe tematika e trajtuar për të ruajtur emrat dhe gjuhën, është një gjetje e veçantë, se ka të bëjë me identitetin e kombit”. Trevën e Labërisë dhe aktivitetin e shoqatës Labëria, e kanë vlerësuar shumë lartë korifenjtë e letrave shqipe nga Noli, Dritëro Agolli, Rexhep Qosja, Shtjefën Gjeçovi, e së fundi kompozitori Agim Krajka, që gjenden të vendosura dhe në kopertinën e librit. Në libër ka një rubrikë me Kronika-Deklarata-Peticione, që flasin për qëndrimin e shoqatës Labëria në situatat më kritike që ka kaluar vendi. Rubrika e fundit është; Korrespodencat me Kryetarin e Nderit të Shoqatës, akademikun Rexhep Qosja, etj, që përbëjnë një filozofi të tërë të rrugëtimit 30- vjeçar të shoqatës. Në fund libri mbyllet me panoramë fotosh me ngjyra nga veprimtaritë e shoqatës si vlerësime e nderime për njerëz të shquar të trevës së Labërisë dhe jashtë saj, për personalitete të shquara të Kombit si presidentë, shkrimtarë, artistë, profesorë e patriotë jo lab.
Duke shfletuar librin e autorit Ago Nezha, lexuesi do njihet me historinë e Labërisë në shekuj, një nga trevat që ka dhënë një kontribut të shquar në ekzistencën e kombit tonë si dhe një galeri ngjarjesh e personazhesh që rrallëkund mund t’i ndeshësh në ndonjë organizëm tjetër shoqëror.