leoni

Albert Z. ZHOLI: Pse po e ribotoj librin “Ikja e madhe”!

Albert Z. ZHOLI: Pse po e ribotoj librin “Ikja e madhe”!

Letër e shkrimtares Helena Kadare, dërguar autorit nga Parisi, pas leximit të librit “Ikja e madhe”
Paris, 7 shkurt 1998
I nderuari zoti Albert,
Lexova me një frymë librin tuaj dhe dua t’ju uroj nga zemra për këtë punë të mrekullueshme që keni bërë, lidhur me ikjen, jetën dhe peripecitë e panumërta të emigrantëve tanë në Greqi. Bravo, me të vërtetë bravo. Libri është shkruar me kulturë, me mjeshtëri artistike, me stil të gjallë, me gjuhë të rrjedhshme dhe mbi të gjitha, me një ndjeshmëri të rrallë. Për të gjithë ne shqiptarët, kudo që gjendemi, ai është një tablo tronditëse e dramës së dhimbshme të shkuljes së shqiptarëve nga trojet e tyre, pas rënies së komunizmit.
Për të gjitha këto, libri juaj, të shkon drejt e në zemër. Ju keni ditur ta përshkruani çdo gjë, duke mbledhur një informacion të dendur, realist dhe tejet emocionues. Dhe ajo që është për t’u lavdëruar, është se ju, me këtë libër, keni dhënë një mesazh shprese për të gjithë ata që kanë lënë atdheun në kërkim një jete më të mirë, dhe që mendojnë seriozisht se një ditë do të kthehen atje, e do të punojnë për ta ringritur këtë atdhe të rënë në baltë.
Edhe njëherë urime!
Ju përshëndes,
Helena Kadare
Pse po e ribotoj librin “Ikja e madhe”!
-Para disa ditësh, me disa miqtë e mi diskutonim për figurën e patriotit të madh, avokatit, publicistit, shkrimtarit, piktorit të shquar, Aristidh Kolja, pasi ata kishin parë një film dokumentar për këtë figurë të ndritur, në një televizion prestigjioz. Duke marr shkas nga ky diskutim, unë u mundova tu bëjë prezent se si e kam njohur këtë figurë të madhe. Ata nuk e dinin që për 7 vjet unë isha me të vazhdimisht në Athinë dhe dija shumë nga jeta e tij. Në këtë bisedë ra fjala dhe për librin “Ikja e Madhe”. Kur unë sqarova se ky libër është përgatitur dhe botuar në shtëpinë botuese të Aristidh Koljas ata u befasuan. Më kërkuan nga një kopje. I sqarova se kisha vetëm një. Ramë dakord që ky libër të ribotohej edhe me ndihmën e biznesmenit dhe dashamirësit të librit, Robert Maliqi. Ky libër le të jetë një homazh, një rivlerësim për këtë figurë të madhe, por edhe një thirrje për të gjithë institucionet shqiptare, që emri i tij të skalitet me germa të arta në panteonin e figurave të shquara të historisë shqiptare. Në këtë libër do të gjeni një pjesë të mirë të jetës së tij të shkurtër, por me vlera të jashtëzakonshme dhe të pavdekshme.
PARATHËNIE
“Ikja e madhe”, tani është bërë më e prekshme. Janë pikërisht këto faqe libri të autorit Albert Zholi që na sjellin kaq afër, kaq përmbledhtas, atë epope mërgimi që përfshiu gjithë tokat e Shqipërisë me fillimin e dekadës ‘90. Fundshekulli XX e rrudhi edhe njëherë Atdheun tonë. Edhe ashtu i pakët siç ka qenë, me pjesë të tëra territori e popullsie të ndarë nga trungu, kur priste t’i rritej shtati duke u bashkuar me Kosovën martire, ky dhe u mpak nga njerëzit që po i iknin, shumica pa kthim. Kjo lëvizje popullsie në drejtim të shteteve të perëndimit e kryesisht, drejt Greqisë, në fillim ngjau si gëzim pas ndrydhjes së gjatë nga shteti totalitar: pastaj, kuptimi i mërgimit e ktheu ikjen në tragjedi, ndërsa tani, gëzimi dhe tragjedia kanë depërtuar te njëra-tjetra fatalisht dhe përjetohen me ankth. Sepse të shumta kanë qenë humbjet, vdekje të ndryshme, por më shumë tragjike e të parakohshme. Vdekje nga krimet, por edhe nga përpjekja e stërmundimëshme për të arritur “tokën e premtuar”. Autori me një analizë të plotë të të gjitha shkaqeve që çuan këtë shkulje të rrënjëve shqiptare, na sjell pamje, episode e ngjarje rrëqethëse, që shoqëruan dhe vazhdojnë të shoqërojnë këtë emigracion të paparë në histori për përmasat, popullsinë e vendit, dhe kohën e shkurtër. Libri “Ikja e madhe” është gjithashtu një pasqyrë e historisë së marrëdhënieve të vjetra e më të reja midis Shqipërisë dhe 14 Albert Z. Zholi Greqisë, këtyre dy vendeve ballkanike të cilat vërtetë shumë ngjarje i kanë bashkuar, por kanë mjaftuar edhe pak syresh që të inspirojnë ndjenja armiqësore e skepticizmi. Vetë dyndja e emigrantëve drejt Greqisë krijoi përsëri një klimë të re, diku mirëkuptimi, diku mosbesimi, thotë autori por ai ka shpresën se ashtu si shtrëngatat e qindra shekujve nuk i shpunë kurrë këta banorë të vjetër në luftë midis tyre, edhe kjo lëvizje e re do të jetë vetëm një urë miqësie. Autori nuk pretendon të këtë përshkruar gjithçka nga peripecitë e shqiptarëve në rrugën e tyre drejt Greqisë e në Greqi. Duke jetuar e punuar në Athinë, A. Zholi rreh të tregojë për jetën e“athinjotëve” shqiptarë, hallet problemet, rritjen e mirëqenies së tyre ekonomike, por edhe përndjekjet, përbuzjen dhe mungesën e arsimit të fëmijëve të tyre në gjuhën amtare. Ai nuk harron t’u drejtohet edhe studiuesve arvanitas për të hequr një paralele të qartë midis emigrantëve të kahershme shqiptare dhe tani në kohërat moderne. Të gjitha ngjarjet në emigracion autori nuk i ka ndarë asnjëherë nga zhvillimet e fundit në Shqipëri. Duke e vendosur veten në krah të ndryshimeve demokratike, ai tregon zhgënjimin e madh që i pushtoi emigrantët për politikën mediokre, amatoreske të qeverisë shqiptare ndaj gjithë zhvillimeve ekonomike e shoqërore, por sidomos për mospërfilljen totale ndaj emigrantëve. Shembja e të ashtuquajturve skemave piramidale,-nënvizon A. Zholi, – përbën shembjen përfundimtare të besimit të shqiptarëve emigrantë në qeverinë postkomuniste të Berishës. “Ikja e madhe” është një përpjekje serioze për të pasqyruar një nga dramat më të mëdha të popullsisë shqiptare dhe nga ky këndvështrim, ai është një kontribut me vlerë në publicistikën e re shqiptare. Mihallaq Qilleri Athinë, korrik 1997

Kontrolloni gjithashtu

Albert Z. ZHOLI; Dje ishte dita e dytë e  Panairit të 27-të të Librit “Tirana 2024”, suksese dhe mangësi

Albert Z. ZHOLI; Dje ishte dita e dytë e  Panairit të 27-të të Librit “Tirana 2024”, suksese dhe mangësi

Dje ishte dita e dytë e  Panairit të 27-të të Librit “Tirana 2024”, suksese dhe mangësi – Në …