Albert Z. Zholi: Flet “Artsiti i Popullit”, Luftar Paja

Albert Z. ZHOLI: Rrëfimet e Luftar Pajes janë gjithmonë befasuese. Ai rrëmon në kujtesë dhe nxjerr gjithmonë xhevaire.

Kujtimet e “Artistit të Popullit’ Luftar Paja: Mësuese Areti Papa ishte formati perfekt i femrës për nxënësit

-Patosi i viteve 1950 ishte me të vërtet një qytet shumë i zhvilluar që na befasonte

– Tek “Kapanonet e Zeza” banonin italianët dhe me arratinë e tyre u vendosën specialistët sovjetikë të naftës

-Ndrek Beltoja regjisori i parë, ndaj të cilit i kam shumë borxhe artistike

Rrëfimet e Luftarit janë gjithmonë befasuese. Ai rrëmon në kujtesë dhe nxjerr gjithmonë xhevaire.

Me mall kujton gjithmonë fëmininë sidomos në Patos, i cili për kohën ishte një qendër e zhvilluar në krahasim me qytetet e tjera. Ai nuk krahasohej me fshatrat e asaj kohe. Jo rrëfimi i Luftarit…

Patosi dhe “Kapanonet e Zeza”

Kur babai na kallëzoi se duhet të largoheshim përsëri për në Patos, keqardhja mbretëroi në jetën tonë. Në fshatin Rrerës u miqësuam me fqinjët tanë dhe mbi të gjitha, me moshatarët e mi. Por keqardhja ishte vetëm faza fillestare, që më pas u përmbys nga kurioziteti. Patosi në atë kohë ishte me të vërtet një qytet shumë i zhvilluar. Duke qenë një vend nafte, aty kishte shumë specialistë nafte italianë dhe rusë, të cilët përbënin për atë kohë zonën e Bllokut të qytetit. Ndonëse ishte e ndaluar të kopjoheshin. Të huajt ishin atëherë ikonat e fëmijërisë sonë dhe pse shpeshherë ne çuditeshim nga mënyra si mbanin flokët, si visheshin, si silleshin dhe ç’jetë kryenin. Veprime, që shumë herë, ishin objekt bisede dhe në vitet e mëvonshme kur do ishim të rinj dhe më të interesuar për këto çështje. U vendosëm në disa shtëpi që i quanin “Kapanonet e Zeza”. Ato ishin ndërtesa të mbuluara sipër mbi çati me letër katërma.

Kapanonet ishin dy rendëshe njëra me pamjen nga rruga dhe mbi ato ndërtesa gjatoshe, që të kujtonin vetëm depo ushtrie, ishin vendosur vilat. Kohë më parë, aty banonin italianët dhe me arratinë e tyre u vendosën specialistët sovjetikë të naftës. Mbaj mend si nëpër ëndërr edhe shpërnguljen e specialistëve italianë, që punonin për naftën në Patos. Sigurisht, që bashkë me familjen tonë, u vendosën aty dhe shumë familje të tjera ushtarakësh. Siç ishte zakon atëherë, çdonjëri prej tyre do ishte i pajisur nga një tufë kalamaqër, sepse në atë kohë lindnin shumë fëmijë. Ishin vrarë shumë bijë nënash në luftën për liri dhe atdheu kishte nevojë për rigjenerim. Ndaj dhe u bëmë mjaftueshëm për të furnizuar një klasë. Në shkollën e Kapanonit kishim mësuese Areti Papën (Nito), një vajzë trupvogël që shkumësin e prekte me shumë delikatesë dhe shndrinte nga pastërtia. Më kujtohet se shpjegonte shumë mirë dhe ishte shumë e dashur me fëmijët. Shija e saj femërore më joshte jashtë mase dhe me afinitetin që kishte si femër të detyronte të ishe i vëmendshëm. Ndoshta ishte femra e parë që ne djemve na bëri të ëndërronim për modelin e një femre në jetën tonë të mëvonshme.

Por ndërsa shkolla më pëlqente, gjithashtu dhe mësimi, nuk mund të mos përmend faktin që ishte dhe një vend argëtimi i hatashëm. Kisha aftësinë t’i mblidhja shokët rreth vetes, sepse isha i lëvizshëm dhe trim. Koha në të cilën jetoja unë ishte e vështirë se nuk kishte parqe lodrash. Ato mundoheshim t’i sajonim vetë e të bëheshim shkencëtarë prej hallit. Rrëshqitësen që shumë prej fëmijëve e kanë lodër të zakonshme në parkun e tyre në Tiranë ne e kishim krijuar me mjete rrethanore. Si? Ndodhej një pjerrësirë aty te shkolla. Ne i derdhnim ujë nga sipër dhe rrëshqisnim me thembër deri poshtë, duke u mbuluar kokë e këmbë nga balta. Ishim të lumtur e të kënaqur nga kjo lojë dhe pse kushtet rrethanore na detyronin të ktheheshim në jevgjitër e po të na shihje, na xixëllonin vetëm sytë plot xhixha. “Po ç’je katandisur kështu more mistrec!”, bubullinte nëna nga pas, duke më qortuar me gjithë fjalorin e grave të kohës kur kthehesha në shtëpi. Fjalor ku ishte normale të shpëlaheshe nga mortja, nga marrja e dreqit, nga hapja e gropave e kushedi e sa të tjera. Kishte të drejtë. I duhej të kalonte rrobat në govatë, për më tepër, që në atë kohë veshjet ishin aq të pakta dhe sapunët ishin të shtrenjtë, për më tepër që nuk gjendeshin kollaj. Mospërfillja e moshës më shtynte që të nesërmen t’i harroja qortimet e nënës dhe mendja të më prodhonte lojëra të tjera akoma më të rrezikshme.

Makthi i këmbanës së qytetit

Pranë kapanoneve ku ne jetonim, ndodhej ndërmarrja “Rruga Ura”, me punëtorët që përkujdeseshin për sheshet e puseve. Në orën 3 pasdite, ata linin punën. E mbaj mend si tani fishkëllimën e gjatë dhe çjerrëse që më ngjethte mishtë fillimisht, se nuk isha mësuar, por që më pas, për nevojat e ditës nisëm ta përdornim si kambanën e qytetit. Në orën 6 lajmëronte punëtorët, në 7 zyrtarët, në orën 14 punëtorët kur linin punën dhe në orën 15 binte sirena përfundimtare e administratës. Mbusheshin udhët e Patosit me vargje punëtorësh, veshur me kostume gri të mbushura me njolla të murrme që me ikjen e tyre linin pas vetes shumë gropa kur bënin bazamentet e puseve. Si dhe disa vagonë të ndryshkur me të cilët transportohej dheu i puseve. Atëherë merrnin udhë fantazitë tona dhe mjetet e tyre të punës ne i shfrytëzonim për nevojat tona. Mblidhnim vagonët e braktisur dhe pasi u mbulonim vrimat e bulonave me baltë argjile kërkonim të lundronim me to në gropat e mbushura me ujë.

Gjatë lundrimit arrinim deri te mesi i gropave, sepse një të shpuar që bënin ato, ngaqë balta shkrihej dhe mbusheshin tumllas me ujë. Përsëri shkonim qull në shtëpi. Mbaj mend njëherë, që më kërkoi llogari babai: “Ku je qullur kështu ti? Sot dielli shkëlqente shtatë pashë!” E dija që mund t’i ishte ankuar nëna, sepse e kisha përsëritur disa herë radhazi, ndaj sajova shpejt e shpejt se kaluam nga ullinjtë dhe rashë në një gropë me ujë. Ai sigurisht nuk e besoi rrengun tim, ndoshta, sepse kisha ulur sytë në tokë, isha skuqur. Mendoj se asnjëherë në jetën time nuk e kam përdorur lojën si aktor, sepse kam qenë i drejtë. Ai më futi një pëllëmbë dhe unë i përmenda gjithë emrat e shokëve me të cilët kisha lozur dhe ç’kishim bërë. Kështu që më doli dhe e fshehta e lojës te gropat e ndërmarrjes. Babai u tmerrua, sepse në ato gropa përflitej se ishin mbytur fëmijë. Qortimet dhe urdhrat e prera të tim ati më bënë ta braktisja atë lloj loje, por unë nuk lija kusur dhe bashkë me shokët e mi vendosëm të eksploronim ofiçinën e Centralit dhe të Mazarentit. Nisëm të gjenim hekurishte, rrotulla dhe të sajonim lodra nga më të pamenduarat. Ishte koha kur energjitë i kishim të pashtershme dhe duhej medoemos që të hapnim shtigje për t’i derdhur nga vetja.

Si u kacafyta me shoqen e shkollës

Isha fëmijë i hedhur, i shkathët, por dhe me mësime kam qenë mirë. Me vajzat, të cilat bënin si komandante e kisha keq punën. Nga koha e fillores më janë skalitur ca shenja nëpër trup. Njërën e mbaj mend shumë mirë. Në kohën e pushimit vajzat vizatonin ca katërkëndësha me një kryq në mes dhe me një pllakë guri hidheshin nga njëri kuadrat te tjetri. Ajo që e nxirrte petën jashtë kuadratit pa e vënë këmbën në tokë bëhej fituesja. Realizonin dhe një lojë tjetër, që quhej shtëpi me bukagjella, ku vizatohej një shtëpi, sajoheshin pak orendi dhe vajzat bënin si amvisa. Si fëmijë trazovaç që isha u hodha njëherë papritur në mes të lojës. Vajza më e madhe, që luante rolin e nënëmadhes, më dha një të shtyrë te cepi i murit, që rastësisht qëlloi gur i thepisur e m’u gdhend një shenjë e mirë në kokë. Më rrodhi gjaku vu dhe për fat ma pushoi një plak, duke ma presuar me duhan të grirë. Vazhdoj ta kem edhe sot e kësaj dite një vizë të gdhendur mbi ballë. Prindërit nuk e vranë shumë mendjen kur më panë të lyer me gjak, madje më thanë: “Mirë ta bëri, se i ke ngacmuar vetë.” Plagën ma qepi infermierja e Patosit, Neta. Ndenja një javë pa shkuar në shkollë dhe ajo që më vinte më shumë keq ishte, jo se isha vrarë dhe do më mbetej një shenjë për gjithë jetën, por se si ajo feçka mendjemadhe më kishte shtyrë me paturpësinë më të madhe, duke shitur mend se kishte pasur të drejtë. U bë ajo! Gjatë asaj kohe më rrëmbente inati dhe ndonjëherë doja t’ia shkulja flokët e t’ia jepja në dorë! Por ndonëse më vinte inat, në jetë nuk kam qenë hakmarrës. Kam qenë njeri që i kam dashur të tjerët dhe jam munduar t’i kuptoj dhe në mendjemadhësinë dhe kapriçot e tyre.

Si rrjedhim i rezultateve në shkollë, në fund të vitit u zgjodha fatos i dalluar dhe u caktova të përfaqësoja klasën time në klubin e Qafës ku organizoheshin koncertet e fundvitit. Aty më mbeti në mendje regjisori i parë, Ndrek Beltoja, që kishte një palë gjyzlykë, një hundë butaforike dhe një palë mustaqe të ngjitura bashkë dhe sa i vinte ato luante me kitarë dhe këndonte parodi. Mësuesja më caktoi të recitoja një vjershë për Vitin e Ri. Sigurisht, programi shkollor nuk lejonte që t’i të lexoje, por, duke qenë nxënës i shkathët vjershën ma mësoi mësuesja. Ishte një vjershë për Stalinin, të cilën e recitova në rusisht. Interpretimi im i parë, mbaj mend, që u prit me shumë duartrokitje.

Si dhuratë më dhanë një kovë. Kova kishte të vizatuar anash një fytyrë butaforike dhe ishte mbushur plot me portokaj. M’u duk një dhuratë shumë e madhe dhe e paparë. E ku ishim mësuar ne fëmijët me dhurata të tilla?! Mund të them se jam lëvduar shumë me atë kovë përpara shokëve dhe të afërmve. Në atë koncert më spikati Ndreka dhe i tha mësueses që të më regjistronte në rrethin e fëmijëve, sepse kisha prirje aktrimi. Ndrek Beltoja me këtë këshillë, por mbi të gjitha me karizmin e tij, do të bëhej njeriu më i dashur i jetës sime. Regjisori i parë me të cilin kam pasur fatin e madh të takohem e të punoj. Një njeri të cilit i kam shumë borxhe artistike. E kam përmendur disa herë, deri tani, zhvillimin e Patosit. Është e vërtetë se ka qenë kështu. Në Patos ka pasur një vëmendje shumë të veçantë ndaj artit, sepse ishin specialistët e huaj. Plus ishte koha që shteti i kushtonte vëmendje shkollave dhe një vëmendje të veçantë, argëtimit. Ajo që ishte dhe pjesa më interesante e kësaj qyteze naftëtarësh ishte kinemaja e qytetit që shpejt u bë vendi im më i preferuar. I rehatuar në një poltronë dhe para teje ndodhte një ngjarje me njerëz të vërtetë, që vraponin, jetonin, këndonin, qanin e mallkonin, duke të pasuruar shpirtin me diçka të jashtëzakonshme. Aty servirej jeta si një përrallë.

U dashurova si i çmendur pas kinemasë. Por isha i vogël dhe nuk kisha mundësi financiare për të ndjekur gjithë filmat që doja, ndaj shpesh më është dashur të hyj tinëz. Më kujtohet se përpiqesha gjithë natën të gjeja ndonjë strategji të veçantë për t’u fshehur poshtë poltronave nga operatori dhe vetëm kur të fikeshin dritat të dilja për të shijuar çastet e mrekullueshme të filmit. Por jo gjithnjë ia dilja mbanë. Përgjegjësi i kinemasë ishte një operator, i quajtur Dhimo Vrushi dhe, Dhimua ishte një njeri shumë i rreptë. Nuk i afronte fare fëmijët. Shpesh detyroheshim të hynim nga dritarja e shkollës, meqë kinemaja ishte pranë murit të saj. Mbaj mend se njëherë kam hyrë nga dritarja për të parë filmin “Lulja e Zambakut” dhe më ka rrahur paq sa ta mbaj mend. Atë ditë bëra shurrën në pantallona. Isha vetëm 8 vjeç.

Por ndonëse u frikësova, kinemanë nuk e braktisa kurrë.

Nuk mund të them se ishte si ndodhia e një viti më parë ,kur unë rrezikova të kisha shenjtët kundra vetes. Kur e mendoj sot atë dëshirë fëminore më duket e çuditshme. Por më e çuditshme më duket dalldia e Dhimos. Të bësh të vdekur një fëmijë, sepse ka kërkuar të shohë një film! Kohërat kur jam rritur unë ishin të vështira dhe përsa i përket marrëdhënieve të mitur-të rritur. Të rriturit të rrihnin paq menjëherë sa t’i shkelje një rregull. Për ta ligji ishte mbi gjithçka, le më pastaj të flasim për argumentin e marrëdhënieve mësues-nxënës. Në kohën time, mësuesit të dërgonin te lofatat, të porosisnin të këputje një degë, ta qëroje dhe t’ia dorëzoje atij. Më kujtohet se mësues Niko më ka goditur për herë të parë me thupër, sepse nuk rrija urtë dhe ngacmoja shokët e klasës. Por ne ishim mësuar me këtë lloj “diktature” ndaj mendoj se mësuesit kanë qenë shumë të mirë siç i mendoj me mendjen e sotme përsa i përket përgatitjes së tyre. Le të ishe sa të duash i pavëmendshëm, por forma se si shpjegonte mësuese Aretia të bënte të vëmendshëm se s’bën. Patjetër që me kalimin e kohës i kam vlerësuar shumë raportet e mia me mësuesit. Zakonisht mësimi merrej me shumë seriozitet dhe sot, kur mendoj se nxënësit venë në shkollë me një mungesë të theksuar serioziteti, e vras shumë mendjen për të ardhmen e brezit të nesërm shqiptar.

Ndjesia e kundërshtisë

Në fund të vitit 1952 u shpërngulëm nga Patosi, sepse im atë u transferua përsëri. Ndenjëm pak kohë në Vlorë dhe më pas babanë e caktuan në një postë kufiri në Seman të Fierit, në bregdet. Isha fëmijë dhe ishte normale që pushtohesha nga ndjesia e kundërshtisë. Ishte gati-gati rebeleske mënyra se si unë reagoja kur tim ati do i vinte një transferim i ri. Bërtisja, qaja dhe e kam parasysh dhe tani fytyrën time të ngrysur, një mënyrë që kur më vjen ndërmend më kujton gjithnjë kruspullosjen e vetullave të babait tim, një ndërthurje degësh në vjeshtë. Kisha të drejtë. Mësohesha me një vend, me shokët e mi, ambientin përreth dhe më dukej se gjithçka do ndryshonte. Dhe pse, realisht, nuk e kam pasur aq të zorshme përshtatjen. Ai ishte oficer dhe në atë kohë duhet t’i bindeshe se s’bën urdhrave të partisë! Na caktuan të jetonim në shtëpinë e Gori Dhimës. Gori ishte një motorist, i cili punonte në makinën e miellit, ishte njeriu më me influencë dhe më i kamur i zonës. Ne ishim katër fëmijë dhe ishim bërë një familje me 6 veta. Na futi Këshilli në mënyrë të dhunshme në shtëpinë e këtij të fundit se më parë kishin caktuar një familje tjetër tek ai dhe, për shkak të kontradiktave me ta, ai i kishte marrë zët familjet e oficerëve. Mirëpo ishte urdhër dhe urdhrat e partisë në kohën në të cilën jetonim duheshin zbatuar medoemos. Më kujtohet që nëna ime i fliste çdo ditë zonjës së shtëpisë: “Mirëmëngjesi!”, “Mirëmbrëma!” Ajo nuk denjonte t’i kthente përgjigje. U desh pak kohë që ata ta kuptonin se ç’familje ishim dhe të afroheshin vetë. Mendoj se arsyet kryesore ishin këto që do rendis më poshtë. U afruan me ne sepse nëna ime gjeti gjuhën e përbashkët të amvisërisë. Fqinja u bë kureshtare përsa i përket gatimeve të brumërave me të cilat nëna ime ishte zanatçije e paarritshme. I dridhte petët e byrekut kaq hollë sa bëheshin të tejdukshme dhe ndonjëherë fshehurazi, me kureshtinë time prej fëmije, unë i hapja me duar dhe ajo fije e hollë mielli dhe uji ngjanin me një cergë të bardhë, që ndonjëherë rrëmujshëm më ngjitej në fytyrë si harta çamçakëzi nga nxitimi për ta vënë në vend. Zonja e shtëpisë i afrohej nënës sime t’i vidhte zanatin.

Kontrolloni gjithashtu

Albert Z. ZHOLI: Intervistë me poetin Fejzi Murati, “ Nderi i qytetit ” të Kuçovës, ish-mësues letërsie

Intervistë me poetin Fejzi Murati, “ Nderi i qytetit ” të Kuçovës, ish-mësues letërsie: – …