Albert Z. ZHOLI: Shqipëria është vendi i parë në Ballkan që u çlirua me forcat e veta

Shqipëria është vendi i parë në Ballkan që u çlirua me forcat e veta.

70 mijë luftëtarë pjesë e luftës, ranë 28 mijë dëshmorë.

29 Nëntori i 1944 -2023,- 79-vjetori

 

Sot më 29 Nëntor 2023, në Shqipëri festohet 79-vjetori i çlirimit të vendit nga pushtimi fashist. Prej 7 Prillit të vitit 1939 e deri më 29 Nëntor të vitit 1944, Shqipëria kishte qenë e pushtuar nga Italia fashiste dhe pas kapitullimit të saj, në vjeshtë të vitit 1943, Shqipëria pushtohet nga forcat gjermane. Në fund të nëntorit 1944, pas Çlirimit të Tiranës, më 17 Nëntor dhe pjesës kryesore të Shqipërisë së Veriut, mbetej të çlirohej qyteti i Shkodrës dhe qarku i tij. Pa Shkodrën e çliruar nuk mund të kishte Shqipëri të çliruar. Shkodra nuk ishte vetëm një territor, ajo kishte qenë dhe ishte shpirti i Shqipërisë, kryeqendra historike e Veriut të saj, kryeqyteti i lashtësisë së saj ilire. Shkodra ishte qendra e fundit në Shqipëri ku qenë grumbulluar rreth 3000-4000 gjermanë dhe 2500 bashkëpunëtorë të tyre. Informacionet e kohës japin të dhëna për bashkëpunëtorë të tjerë. Shkodra u çlirua më 29 Nëntor të vitit 1944, datë kjo, e cila shënon ditën e çlirimi të Shqipërisë.

Historiku…

 

Në fillim të vitit 1944, fronti sovjeto-gjerman mbetej gjithnjë fronti kryesor, ku vendosej fati i Luftës së Dytë Botërore. Në këtë kohë, fronti i dytë akoma nuk ishte hapur. Në Itali, trupat angloamerikane, me 19 divizione, përballonin vetëm 9 divizione gjermane. Gjatë tre muajve të parë të vitit 1944, Ushtria e Kuqe çliroi pjesën më të madhe të tokës së saj dhe hyri në Rumani. Këto suksese të Ushtrisë së kuqe shqetësonin qeverinë e SHBA dhe të Anglisë, të cilat filluan me ngut pregatitjet për hapjen e frontit të dytë. Më 5 prill 1944, Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Nacional Çlirimtare Shqiptare, me urdhër urdhëroi gjithë njësitë partizane për t’u hedhur kudo në mësymje, në sulm të përgjithshëm. Duke zbatuar këtë urdhër, Brigada e parë çliroi Qukësin, Shpatin e Bërzezhtë dhe ju afrua qytetit të Elbasanit. Forcat partizane të Korçës çliruan Pogradecin dhe sulmuan trupat gjermane në Bilisht e Ersekë. Brigada V dhe VI Sulmuese spastruan krahinat e Himarës e të Mallakastrës, goditën trupat gjermane në Gjirokastër, Delvinë, Sarandë, Konispol, Vlorë dhe Fier. Në fund të nëntorit 1944, pas Çlirimit të Tiranës, më 17 nëntor dhe pjesës kryesore të Shqipërisë së Veriut, mbetej të çlirohej qyteti i Shkodrës dhe qarku i tij. Shkodra u çlirua më 29 Nëntor të vitit 1944, datë kjo e cila shënon ditën e çlirimi të Shqipërisë. Shqipëria është vendi i parë në Ballkan që u çlirua me forcat e veta, ndërsa të gjitha shtetet e tjera të Ballkanit u çliruan me ndihmën e Armatës së Kuqe ( bashkimi Sovjetik).

Dokumenti i 30 nëntorit 1944

“Shqipëria plotësoi çlirimin e saj Shkodra këta muajt e fundit ishte bërë fortesa e okupatorit nazist dhe aq më tepër foleja e politikanëve hajdutë të reaksionit shqiptar u çlirua nga forcat e ushtrisë sonë heroike. Atje lart mbi Taraboshin historik valon flamuri i lirisë, i lyer me gjakun e partizanëve trima. Populli shqiptar pas tre vjet lufte të përgjakshme dhe sakrificash të jashtëzakonshme, mbasi u dogj dhe u poq në këtë luftë vigane kundër hordhive fashisto- naziste dhe mercenarëve të tyre, në saj të ushtrisë së tij dhe të politikës së drejtë të frontit nacionalçlirimtar realizoi ëndrrën e tij dhe amanetin, që i lanë dëshmorët e rënë në këtë luftë të shenjtë. Populli me gjakun e derdhur rrëke e spastroi të gjithë Shqipërinë nga armiqtë e saj të jashtëm dhe të brendshëm, s’mbeti asnjë ushtar gjerman, asnjë mercenar ballist ose zogist në Shqipëri. Dhe tashti? Dëshmorët e rënë në sheshin e luftës na kanë lënë edhe një amanet tjetër, testamentin e ndërtimit të Shqipërisë së re, po me ato sakrifica, po me ato heroizma, po me atë entusiazëm me të cilën vazhduam luftën e madhe për liri. Përpjekjet gjigante të popullit tonë kishin dhe kanë një përmbajtje politike dhe ushtarake të caktuar. Nëpërmjet luftës kundër okupatorit dhe tradhëtarëve të ndërtohet skeleti i pushtetit të tij popullor dhe ky skelet u ndërtua në kongresin antifashist të Përmetit, i cili i dha popullit kompleksin e fuqisë së tij, zgjedhja e qeverisë demokratike në Berat është një hap përpara drejt realizimit të ëndrrës së popullit tonë. Tani që me çlirimin e Shkodrës historike plotësohet spastrimi i vendit tonë nga xhelatët e brendshëm dhe të jashtëm. Tani që armiku u thye dhe u shpartallua ushtarakisht, na mbetet të vazhdojmë rrugën e idealit të dëshmorëve tonë për të cilën ranë në fushën e nderit, rrugën e përforcimit dhe perfeksionimit të pushtetit tonë popullor. I vetmi thesar që fitoi populli ynë nga kjo përplasje e madhe është pushteti i tij, me anë të këtij aparati do të ndërtohet Shqipëria e re ku me punën dhe me djersën tonë do të arrijmë shkallë- shkallë në një jetë gjithnjë më të mirë dhe më të lumtur. Këshillat nacionalçlirimtare janë pushteti ynë popullor, janë organet që i japin popullit të gjitha mundësitë për zhvillimin e tij politik, ekonomik, kulturor dhe administrativ. Kjo është esenca e demokracisë sonë, këtu mbështetet deklarata e këshillit antifashist të Shqipërisë mbi të drejtat e qytetarit. Pra, zgjedhjet për këshillat nacionalçirimtare tani me çlirimin e plotë të vendit tonë marrin një rëndësi të jashtëzakonshme jo vetëm pse ato janë pushteti i vërtetë i popullit, por edhe pse ato duhet ta çojnë popullin në punë për ndërtimin e një Shqipërie të tipit të ri ku punëtori, fshatari, zanatçiu, intelektuali, etj të gjejnë punë dhe një përmirësim gradual të jetës së tyre. Prandaj, duhet të mendojmë mirë përpara se të japim votën, prandaj duhet të zgjedhim punëtorë energjikë dhe me koshiencë në këshillat nacionalçlirimtare. Fjala jonë e fundit është që të zgjedhim në këto këshilla ato që e meritojnë atë vend si vazhdë e idealeve të dëshmorëve tanë, ata që punojnë dhe do të punojnë në farkën e ndërtimit të vendit tonë……”

 

Bardhosh Gaçe

“Mjeshtër i Madh”

Gjatë Luftës Nacionalçlirimtare, fillojnë përpjekjet e para për të nderuar dëshmoret e rënë në fushat e betejave. Ndërsa 29 nëntori përcaktoi atë që dëshmorët qëndrojnë në themelet e ndërtimit të shtetit shqiptar. Me luftën heroike që zhvilloi, Fronti Nacionalçlirimtar e kreu misionin historik dhe i arriti objektivat themelorë strategjikë: çlirimin e vendit dhe rivendosjen e pavarësisë kombëtare. Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare ishte një provë, që tregoi vlerat morale e politike të shqiptarëve. Në këtë luftë populli shqiptar dëshmoi se ishte i mbrujtur me idealin e lirisë e të pavarësisë së atdheut. Ai tregoi zgjuarësi dhe pjekuri të madhe politike, duke u rrjeshtuar në krahun e forcave më përparimtare të kohës, krahas koalicionit anglo-sovjeto-amerikan. Më në fund, për të realizuar idealin e lirisë dhe të pavarësisë së atdheut ai nuk kurseu asgjë, pranoi çdo sakrificë. Shqipëria, një vend që s’i kalonte një milion banorë, arriti të ngrejë në këmbë një ushtri të organizuar që numëronte në radhët e saj mbi 70 mijë luftëtarë, e cila i gozhdoi në luftime në territorin shqiptar 15 divizione italiane e gjermane, me rreth 700 mijë ushtarë dhe nxori jashtë luftimit 70 mijë prej tyre. Shqipëria i dha luftës 28 mijë dëshmorë dhe mijëra të tjerë të plagosur e të gjymtuar në kampet e përqëndrimit fashist, veç djegies, shkatërrimit e rrënimit të fshatrave dhe qyteteve të tëra. Të llogaritura për frymë të popullsisë, Shqipëria zë një nga vëndet e para në botë për sakrificat dhe dëmet njerëzore e materiale në vitet e luftës. Ajo është gjithashtu vendi i vetëm në Evropë, që u çlirua me forcat e veta. Në territorin e saj nuk hynë e nuk vepruan forca ushtarake të vendeve të tjera. Për të gjitha këto, Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare zë një vend të veçantë si një nga faqet më të ndritura të historisë së shqiptarëve, që solli çlirimin më 29 Nëntor 1944.

 

Servet Agalliu, veteran i luftës, “Debatikas”:

Në fillimet e mia në luftë përkojnë në 15 maj 1942 kur isha “Debatikas”, pastaj në nëntor 1943 kam qenë korrier i Qarkut të Beratit në pjesën jugore të reparteve të LNÇ. Në themel të idealeve partizane ishin idealet e rilindasve, ishte atdhetaria, historia jonë që nga koha e Skënderbeut. Prandaj që nga lartësia e 79 viteve të Çlirimit, përulemi me veneracion përpara atyre burrave të shtetit, rilindësve tanë të mençur e të mëdhenj, dëshorëve të LNC të atij brezi që bënë Shqipërinë. Përulemi para plakut të urtë, shqiptarit e diplomatit të madh Ismail Qemalit, i cili firmosi mëvetësinë që Shqipëria të kishte shtetin e vet, të rronte e lirë dhe e mosvarme. Nga kjo lartësi e 79 viteve të triumfit mbi nazifashizmin ne shikojmë me pjekurinë e moshës dhe objektivitetin maksimal, se LANÇ ishte një luftë e drejtë e mbarëpopullore. Ajo do të merrte një karakter masiv në qytete e fshatra, në Jug e në Veri. Ishte meritë e Frontit Antifashist NÇ që e ngriti popullin më këmbë, ku shkëlqimi i trimërisë së popullit do të ngrihej në majat më të larta. Këtë e di i gjithë populli, e dinë edhe vendet e Koalicionit Botëror Antifashist me BS. Angli e SHBA në krye dhe vazhdon të konfirmohet edhe sot e kësaj dite nga bota përparimtare, me përjashtim të ballisto-zogistëve, që u bashkuan me nazifashizmin e që për turpin e tyre kërkojnë ta lajnë këtë turp me shpifjet, denigrimet dhe djallëzitë e tjera që mundohen t’i bëjnë LANÇ, që ishte dhe do të mbetet në historinë e popullit tonë epopeja më legjendare dhe më e lavdishme pasi u shkrua me gjakun e dëshmorëve dhe sakrificat e panumërta të popullit, nga 7 Prilli i vitit 1939 deri më 29 Nëntorin e vitit 1944.

Ismail Shulku

Ndihemi krenarë për atë luftë. Ajo na emocionon edhe sot, pavarësisht se duan t’i hedhin baltë. Lufta ANÇ, ishte dhe një katalizator i madh social, që solli ndryshime epokale në gjirin e shoqërisë. Tërë shqiptarët e ndershëm kanë detyrim historik për t’u krenuar e për të mbrojtur LANÇ-in. Se ajo ka qënë dhe mbetet pikë referimi, për të sotmen dhe për të ardhmen, se kur populli është i bashkuar dhe në unitet mendimi e veprimi, është i pamposhtur. Ngjarje të tilla madhore përsëriten rrallë në histori dhe mbeten si përmendore lavdie. Ndryshe ndodhi me ata që u larguan me arsyetime të ndryshme nga lufta e shkuan në prehrin e pushtuesit, bënë krime së bashku me ta, dhe morën dënimin e merituar në gjyqin ndërkombëtar të Nurembergut, e nga çdo shtet antifashist për kriminelët e vet. 79 -vjetori i Çlirimit të Shqipërisë (28 nëntor 1944), është ngjarje e rëndësishme kombëtare, që na kujton, se Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare e popullit tonë, është një nga luftërat më të mëdha e më të suksesshme, që kanë zhvilluar shqiptarët në historinë e tyre mijëra vjeçare dhe i bën nder Kombit Shqiptar. Ajo u zhvillua në kushtet e Luftës së Dytë Botërore gjatë së cilës shtetet e Koalicionit Antifashist Botëror dhanë ndihmesë të çmuar me këshilltarë dhe materiale. 79- vjetori i çlirimit të Atdheut tonë bën apel, që si patriotë të duam Atdheun me gjithë forcën e zemrës, të respektojmë LANÇ, dhe gjakun e derdhur për liri e pavarësi, të forcojmë unitetin pa dallim feje, krahine, ideje e përkatësie partiake, të edukojmë rininë me dashurinë për vendin që e kemi me histori krenarie e që ta mbajnë kokën lart. Kush nderon LANÇ, nderon historinë.

 

Astrit Miho

Astrit MIHO, pasardhës veteran (ish-ushtarak)

Familja ime dhe babai im kanë qenë lidhur ngushtësisht me LNÇ. Duhet theksuar se, lufta ANÇ është epopeja më e madhe dhe e lavdishme me rëndësi historike në historinë e kombit shqiptar, sepse çliroi vendin nga pushtuesit dhe e radhiti Shqipërinë në krahun e fitimtarëve. Si rrjedhojë, ajo u bë simbol i mbrojtjes së integritetit territorial të shtetit shqiptar. Detyra parësore dhe strategjike e Luftës së Dytë Botërore, dhe e LANÇ në Shqipëri, si pjesë e saj pati si objektiv kryesor çlirimin e vendit nga pushtuesit nazifashistë. Lufta NÇ ishte luftë çlirimtare, antifashiste, kombëtare e patriotike, që u shndërrua në revolucion popullor nëpërmjet Kryengritjes së armatosur, e fituar me heroizëm partizan dhe e shkruar me gjakun e 28 mijë Dëshmorëve. Parimet kryesore të luftës sonë partizane, ishin iniciativa, shpejtësia, befasia, shkathtësia, goditja e rrufeshme etj. Me këto cilësi, virtyte e veti UNÇ kapërceu rreziqe të mëdha në luftime e beteja dhe doli fitimtare. Në fillim kundër fashistëve italianë ajo ndërmori aksione e luftime të guximshme, megjithëse e vogël në numër dhe pa armatime të mjaftueshme. Nën okupacionin nazist gjerman ajo u armatos me armët e armikut dhe shkroi Epopenë e shkëlqyer. UNÇSH, kishte karakter popullor, në të gjitha drejtimet e formacioneve luftarake të saj, u futën shumë patriotë e nacionalistë të ndershëm shqiptarë. Çetat ishin popullore, në përbërje të tyre kishte patriotë, luftëtarë pa dallime e tendenca politike. Në të gjitha hallkat e drejtimit të luftës kishte patriotë, elementë komunistë dhe nacionalistë të vendosur për luftë. “Epopeja e LANÇ, është e lavdishme, historike, që na jep krenari, forcë, dinjitet”, se në këtë luftë të madhe e të gjatë, mbi pesë vjet e gjysëm, sipas zhvillimit dhe ashpërsimit të saj, Ushtria Nacionalçlirimtare kaloi disa etapa organizimi. Nga çetat dhe njësitet luftarake të fillimit, u organizuan batalionet, grupet, brigadat, komandat e qarqeve, divizionet e korparmatat, të formuar nga fshatarë, punëtorë e intelektualë, djem e vajza të rinj, që përbënin mbi 80% të efektivit të cilat u udhëhoqën me aq guxim e zgjuarsi, prej kuadrove që dolën nga lufta dhe nga gjiri i ushtrisë. Ata udhëheqës ushtarakë e politikë, që çuan Ushtrinë partizane në fitore, ata që mundën oficerët italianë, gjermanë që ishin të pajisur me njohuri të mëdha ushtarake.Pra, Ushtria Nacionalçlirimtare, lindi dhe u rrit në luftë, u forcua dhe u udhëhoq prej djemve të popullit në shpirtin e të cilëve vlonte entuziazmi, trimëria, vetëmohimi, dashuria për Atdheun dhe për shokun, besimi i patundur për fitoren mbi pushtuesit e tokës mëmë. 78 vjet më parë më 29 Nëntor 1944, mori fund përgjithmonë historia e pushtimeve të Shqipërisë, ndaj kjo datë që shënoi çlirimin e vëndit nga fashistët, shpëtoi copëtimin e Shqipërisë dhe siguroi integritetin e saj, është një datë historike e patjetërsueshme, që së bashku me 28 Nëntorin e vitit 1912 ditën e shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, përbëjnë dy data lapidar të historisë tonë kombëtare që do të kujtohen e nderohen në shekuj.

Kontrolloni gjithashtu

Albert Z. ZHOLI; Tafil Buzi, patrioti që hoqi vallen e jetës në buzë të greminës

Pa  dëshmor historia  e  një  kombi venitet, pa  heronj  historia  e një kombi  është destinuar  …