leoni

Albert Z. Zholi: Teatri Kombëtar duhet të restaurohet

Albert Z. Zholi: Teatri Kombëtar duhet të restaurohet

(Vazhdon debati artistë – Kumbaro për TK. Flasin, Xhemil Tagani, Zamira Kita, Arben Derhemi, Ilirian Ali, Eliona Thomaraj)

Ka disa ditë që vazhdojnë debatet (madje dhe protestat) mes komunitetit të aktorëve të TK dhe Ministrisë së Kulturës. Dje polemika për zhvendosjen e Teatrit Kombëtar nga godina ekzistuese tek një tjetër, e cila po ndërtohet i mblodhi sërish artistët të cilët kanë kërkuar takim me ministren Kumbaro të mërkurën në orën 16:00. Një nga aktorët i cili ka shprehur revoltën e tij ditën e sotme është Bujar Asqeriu. Ai ka theksuar se qeveria është tallur me aktorët duke u hedhur prej vitesh vetëm një “kockë”.  Sipas Asqeriut “Artisti më i mirë merr një rrogë sa nëpunësja më e ulët e shtetit. Zoti i paftë ata që vjedhin, ia kam lënë Zotit. Ky vend qeveriset nga hajdutë, që vjedhin edhe 100 lekëshin e dosjeve dhe stilolapsave dhe ne na hedhin një kockë dhe tallen me ne”. Gjithashtu ai kujtoi se aktori Bujar Lako u largua nga kjo botë në kushte ku jetonte në një dhomë 50 metra katrorë. Nga ana tjetër, një ditë më parë, Ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro i ka kthyer përgjigje shqetësimit të artistëve lidhur me zhvendosjen e Teatrit Kombëtar, tek ndërtesa më e re, “Turbina”. Parmbrëmë, në një intervistë për “Vizion Plus”, Kumbaro sqaroise “lëvizja do të jetë e përkohshme deri në ndërtimin e një teatri të ri”. Njëkohësisht ajo ka hedhur poshtë zërat se në ambientet aktuale të teatrit do të ndërtohet një kullë, ku siguroi se nuk ka një projekt të tillë ndaj dhe shqetësimi i artistëve është i panevojshëm. Ndërsa lidhur  me disa ndryshime që Ministria e Kulturës i ka bërë ligjit bazë, ministrja sqaron se drafti është në fazën fillestare dhe se gjatë javës në vijim do të ketë konsultime me grupet e interesit, pasi sipas artistëve, amendimet i japin më shumë pushtet titullarit të ministrisë, në vend që të ndodhë e kundërta. Si do të veprohet me TK? Është më mirë të ndërtohet një i ri apo të rikonstruktohet ai ekzistuesi? Po nis do ndërtohet një TK i ri modern diku në qendër por jo tek ekzistuesi si do përgjigjet komuniteti i aktorëve? Le të flasin me gojën e tyre për “Albanian Free Press” disa prej aktorëve dhe regjisorëve:

Xhemil Tagani, aktor: Në truallin e Teatrit Kombëtar të ndërtohet një Teatër i ri Kombëtar i përmasave Europiane

Po ndjek me vëmendje debatin. Ka dhe gjera që nuk janë sqaruar. Me dialog të sqarohen. Por në gjykimin tim jam dakord që në truallin e Teatrit Kombëtar të ndërtohet një Teatër i ri Kombëtar i përmasave Europiane dhe asgjë tjetër. Pra teatri duhet në qendër dhe jo në periferi për shumë arsye. Madje teatro të jenë sa më shumë në Tiranë, pasi janë vepra që ndihmojnë në evidentimin e kulturës shqiptare.

Arben Derhemi, aktor: Vetëm tek Teatri Kombëtar, vetëm atje e kemi vendin

Me asnjë mënyrë nuk kërkojmë vend tjetër. Kurrë! Vetëm tek Teatri Kombëtar, vetëm atje e kemi vendin. Teatri Kombëtar dhe vetëm Teatri Kombëtar

Zamira Kita, drejtore e teatrit Korçë, aktore: Jam plotësisht dakord me rikonstruktimin ose ndërtimin e një teatri të ri

Sipas asaj që përcolli ministrja Kumbaro shënohet se do ndërtohet një teatër i ri, pra në vendin ku është (ose do rikonstruktohet). Jam plotësisht dakord me rikonstruktimin ose ndërtimin e një teatri të ri, sepse artistët krijojnë dhe nuk kanë ku të shfaqin premierat si në dramë dhe në komedi. Ashtu si vihet re, do fitohen dy teatro të rinj dhe kjo është në interes të të gjithë komunitetit të artistëve pasi Tirana është një metropol Europian me kërkesa të shumta për artin.

Eliona Thomaraj, aktore, regjisore: E gjithë bota ruan vepra historiko-artistike dhe vetëm i mirëmban ato

Po zhurmohet këtë herë për të Vetëvendosur mbi fenomene ku qytetarët nuk janë dakord. Erdhi radha e Teatrit Kombëtar dhe artistët të shqetësuar reagojnë. Nuk duhet tjetërsuar në asnjë mënyrë as forma dhe as përmbajtja e Teatrit Kombëtar. E gjithë bota ruan vepra historiko-artistike dhe vetëm i mirëmban ato. Kërkoj ndërgjegje mbi interesat vetjake të gjithsecilit. Godina shumëfunksionale le të ndërtohen diku gjetkë, Tirana ka nevojë të unifikohet estetiko-artistikisht në të gjithë shtrirjen e saj ku banojnë taksapaguesit e saj. Boll më në kurriz të teatrit “MOS I PRISHNI SHTËPIN TEATRIT”

 

Ilirian Ali, aktor, Vlorë: Teatri të rindërtohet apo të rikonstruktohet në qendër

 Në gjykimin tim pa diskutim që duhet ndërtuar një teatër i ri dhe modern, por gjithmonë duhet ndërtuar,aty ku është ekzistuesi. Aty është historia, aty është jeta e shumë artistëve për më shumë se gjysmë shekulli. Nga ana tjetër TK të mos ngatërrohet si është komentuar me objekte të tjera shumë katëshe, që në këtë kompleks ndërtesash të konceptohet edhe teatri. Pra teatri të rindërtohet apo të rikonstruktohet aty në qendër, ku është tani dhe të jetë me të gjithë parametrat,si të gjithë teatrot që ka bota sot. Unë këtë kam kuptuar dhe nga kërkesat e aktorëve, përpos problemeve të tjera që ngrinin. Me të drejtë ngrihen pasi artistët nuk kanë një status real.

Kontrolloni gjithashtu

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Shkollave shqipe në Zvicër në kuadër të Lidhjes së Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë “Naim Frashëri” …