Albert Z. Zholi: “ZANATEAM - Sipërmarrësit e së nesërmes”

Albert Z. Zholi: “ZANATEAM – Sipërmarrësit e së nesërmes”

Në kurrikulën e klasës së 12 zhvillohet lënda “Shoqëritë e nxënësve – Bëhu Sipërmarrës”. Kjo lëndë zhvillohet nga Organizata Ndërkombëtare Junior Achievement dhe konsiston në krijimin dhe menaxhimin e një biznesi nga vetë nxënësit.

Siç parashikon  ky program, ne,  klasa 12 gjimnaz 2018 e shkollës Don Bosko menduam  krijimin e biznesit ‘Zanateam- Zanati im’. Ky biznes është krijuar me qëllim shkrimin dhe botimin e një libri për Shqipërinë.

Për të folur për Shqipërinë, do duheshin tepër faqe dhe shumë kohë, kështu që ne vendosëm të trajtojmë  të veçantat e Shqipërisë, ato që do të tërhiqnin një turist dhe ato që i duhen gjithësecilit nga ne të dijë mbi vendin e tij.

“Brezi juaj, jeni të bekuarit e Zotit.”

Sherif Merdani

“Shoqëria shqiptare ka akoma shpresë dhe njerëz të cilët rendin drejt së drejtës dhe së vërtetës për të mirën e shoqërisë sonë.”

Mirush Kabashi

“Me shumë respekt për nxënësit e shkollës Don Bosko, duke uruar që secili prej jush të bëjë me shumë dashuri gjithçka ju do të zgjidhni të bëni në jetë.”

Ilir Kerni

“Më bëhet qejfi që në këtë brez të ri ka njerëz si ju, matura gjimnaz Don Bosko,  të cilët akoma vazhdojnë t’i vlerësojnë vlerat poziive që ka ky vend.”

Eugent Bushpepa

E duam Shqipërinë për atë që është…

Kështu ndodh… ajo që ne na pret në të ardhmen është e panjohur dhe e pasigurtë. Jeta që ne si të rinj kemi ëndërruar deri në ditët e sotme tashmë është konvertuar me shkronja të zeza në një fletë të bardhë nëpër cepet e shtëpisë apo është strukur thellë në skutat e harresës brenda nesh. Ne kemi krijuar në planet tona tashmë diçka ndryshe nga ajo që shohim në përditshmëri, diçka ndryshe nga ajo që ekzistonte në ëndrrat tona prej fëmijësh. Jemi të bindur që duam një botë të vërtetë e krijuar nga të rinjtë dhe për të rinjtë, një shoqëri që nuk vetëquhet shoqëri por që punon qër të merituar këtë emërtim.

Si maturantë jemi të gatshëm të bëjmë atë që duhet për këtë të ardhme që kemi ndërtuar në mendjet tona dhe po e nisim me njohjen e Shqipërisë.

Shumë thonë jam shqiptar e pak dinë për aspektet kryesore që i bëjnë Shqipërinë dhe shqiptarët me një identitet të veçantë. Ajo që ne duam të arrijmë nëpërmjet këtij libri nuk është vetëm një përmbledhje që bëhet “me të thënë e me të dëgjuar”, por është një thirrje e jona për të nxjerrë në pah më të mirat e kombit shqiptar dhe mënyra se si ne që e bëjmë këtë thirrje e shohim të shkuarën, si ndikojmë në të tashmen dhe si do ta ndryshojmë të ardhmen.

Një mbështetje e këtij zëri është gjëja më e mirë që mund të bëjë çdo shqiptar, një tingull tjetër që mund t’i shtohet kësaj thirrjeje është gjëja e duhur. Ajo që kërkohet është thjesht të lexohet më vëmendje, të ndjehet me zemër dhe të përpunohet me mendje thelbi i mesazhit që duam ne të përcjellim.

Mendojmë se është koha të bëjmë atë ndryshim që e kemi pritur prej kohësh, nëse një e shkuar ndikoi negativisht në të tashmen, le të jemi ne ata që do të punojmë në të tashmen për të përmirësuar të ardhmen. E duam Shqipërinë jo si gjithë Europa, e duam Shqipërinë për atë që është, për atë që duhet të jetë dhe për atë që ne do të ndërtojmë.

Kontrolloni gjithashtu

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Shkollave shqipe në Zvicër në kuadër të Lidhjes së Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë “Naim Frashëri” …