Albert Z. Zholi: “Zjarri i mallit”, libri i parë i Landri Xhemalajt, një thirrje për drejtësi, bashkim, dashuri për Atdheun...

Albert Z. Zholi: “Zjarri i mallit”, libri i parë i Landri Xhemalajt, një thirrje për drejtësi, bashkim, dashuri për Atdheun…

 “Zjarri i mallit”, libri i parë i autorit Landri Xhemalaj, vjen para lexuesit me një thirrje për drejtësi, bashkim, dashuri për atdheun dhe ndërgjegjësim qytetar për problemet e shumta. Emri mall në përkufizimin klasik shpreh dashuri e dhembje shpirtërore; trishtim për dikë a për diçka që është larg, dëshirë e fortë për ta parë sërish; nostalgji: malli për prindërit (për nipat); kam mall për atdhe (për vendlindjen); sa për mall sa për të nxjerrë mallin. Autori në këtë libër shfaqet shumëplanësh, me një gjeografi tematike të admirueshme, me një kolorit vargëzues plot dritë dhe pa asnjë përsëritje strofe apo vargu. Duke përcjellë në varg tematikën e ditës, emocionin e momentit, duke pasur dëshirën të njohë sa më shumë nga kultura dhe traditat e vendlindjes, ai e shikon me vëmendje çdo fabul dhe situatë jetësore për ta përcjellë në varg harmonishëm dhe pa retushime artificiale. Libri i titulluar “Zjarri i mallit” ka një shpërthim revolte ndërgjegje për vetë situatën e fshatrave shqiptare sot. Autori duket sikur këlthet, nxjerr në pah përgjegjësitë e gjithsecilit për këtë situatë që është fshati shqiptar…  Zjarri i mallit Zjarri i mallit …

Dola një ditë nga fshati, /Të shikoja vendin tim/, Sikur kish kaluar lugati/, Ja dhashë fortë një ulërimë./ Nga fshati s’kish mbetur gjurmë,/ Gurët, marrë arratinë, /Shikoja të gjeja rrugën, /Mbeta si kau në brinjë/..      . Sot shumë fshatra shqiptare kanë filluar të zbrazen. Të vetmit që kanë ngelur janë ata pak të moshuar të vetmuar, që i shtyjnë ditët me punët e fshatit, duke pritur me sytë nga rruga fëmijët e tyre. Shumë shtëpi kanë filluar të rrënohen pasi fëmijët kanë kohë që kanë ikur. Ata janë detyruar të lënë prindërit e tyre aty e të emigrojnë diku larg, në kërkim të një jetese më të mirë, pasi fshati nuk mund t’ua mundësojë këtë gjë. Fshati nuk ka më, as mundësitë e punësimit e as mundësitë e krijimit të një jetese normale e moderne, siç të rinjtë dëshirojnë. Të moshuarit janë ulur këmbëkryq me vetminë, e cila është tashmë zonja e shtëpisë së tyre. Zërat e fëmijëve duket sikur janë shuar brenda atyre mureve boshe, e ata kanë ngelur të detyruar të flenë përnatë përqafuar me mallin, duke i mbajtur gjallë shpresa se fëmijët po jetojnë në mirëqenien që s’ua mundësoi dot fshati. Brenga e poetit është se nuk mund ta shohë fshatin në atë gjendje mjerane. Ai i shikon problemet e atdheut me dhimbje. Sheh se si klasa politike (sigurisht jo e gjitha) në 32 vjet e vodhi, e dogji, i hoqi personalitetin në sytë e botës, i uli kokën, reputacionin me korrupsion, drejtësi të manipuluar, vjedhje fondesh, grindje, përçarje, fyerje, shitje të interesave të atdheut, shkatërrimit të fabrikave, uzinave se gjoja do sillnin parajsën e re. Ja si shprehat autori:  Mos ma shaj baltën!

Vendi im që të shkërmoqën,/ Të vunë flakën,/ të dhanë dërmën/, E të rropën, e të sosën,/ E të shqyen, po s’u dëndën./ Si të rropën mirë e mirë,/ E gjë tjetër nuk ka mbetur,/ Nxorën gjuhën e pështirë,/ Të pështynë si leckë të vjetër…. Klasa politike shqiptare në këto 32 vjet dallon mes gjithë të tjerëve nëpër botë për mënyrën e të bërit politikë, pasi ata janë vërtetë origjinalë, specifikë, sepse janë të pa skrupuj. Kjo klasë politike e papërgjegjshme nuk njeh kufij në prapësitë e saj ndaj Atdheut. Ata mjafton të arrijnë atë që kanë qëllim të jetës së tyre për të rrëmbyer një karrige, për të qenë dikushi, për t`u rënë në sy liderëve për t`u bërë deputet, ministër, kryeministër apo president, dhe në emër të postit nuk njohin ligje, norma, rregulla, kushtetutë. Duke u bërë milioner pa punuar, për të mbërritur objektivin nuk lënë asgjë pa përdorur nga shpifjet, sharjet, mllefet, përgojimet, aludimet. Sot askush nuk çuditet kur i shikon nëpër salla e në podiume në analiza e debate të ngrenë zërin e të numërojnë bëmat e kundërshtarit duke folur për drejtësi, luftë kundër korrupsionit, kundër varfësisë…. Ata nuk e dinë që, me pozat e tyre artificiale, pa dashur evidentojnë anët e errëta të karakterit. Ata përgojojnë, shpifin, ulërijnë, pasi etja për para, privilegje dhe pushtet të pamerituar i ka bërë të paarsyeshëm. Etja për pushtet dhe privilegjet që siguron pushteti i bëjnë politikanët specie specifike, të veçanta, që në shumë raste dalin nga kostumi i politikës normale dhe shfaqen si ordinerë, vagabond duke bërë të fortin. Por, realisht,disa nga ata përfaqësojnë të ligun, të padurueshmin, tradhëtarin. Politikanët mund të jenë si “trëndafila, për t’u marrë erë”, për nga fjalët dhe veshja firmato, por ata nuk mund të bëjnë lule dhe janë për popullin pemë pa fryte dhe farë. Një ndër poezitë e tij që më ka bërë përshtypje është: Labëri moj perëndi !

 

Kush s’ka njohur Labërinë,/ S’është takuar me perëndinë,/ Aty zotat shtruar rrinë, /Barabar me njerëzinë!/ Labëria plot lezete, /Mbushur me këngë e me bejte,/ Ç’bukuri që ke mbi vete,/ Sa për pesë vilajete./ Kush si pa malet e tua,/ Ato që puthen me retë?/ Në çdo shkëmb, e në çdo krua,/ Mban mbi vete një legjendë./… Autori e hyjnizon këtë krahinë të rrallë të tokës Arbërore. Lezetet e Labërisë sipas autorit janë të shumta, bukuria, trimëria, zgjurasia, dija, arsimi, kultura, deti, malet, kodrat, lumenjtë, njerëzit bukarë dhe me humor. Labëria është treva më e madhe malore në pjesën jug-perëndimore të Shqipërisë. Nga ana gjuhësore, janë të shumtë autorët që kanë vënë re se popullsia e Labërisë shfaq karakteristika të veçanta brenda dialektit toskë. Po ashtu, në aspektin kulturor, etnografik dhe historik, krahina ka tipare dalluese që i japin banorëve të saj vetëdije të spikatur të identitetit lab brenda atij shqiptar. Ajo duket si një  vend diku pas maleve, atje ku fillojnë retë, ose si një stacion që vetëm mund të flitet për të, duke e parë nga larg. Është një peizazh mbështjellë me mistere dhe legjenda mijëravjeçare si të gjitha gjërat që tentojnë qiellin pa përmasa. Edhe kur je pranë, aty në portat e saj, nëse dikush të pyet se ku ndodhesh, nuk është çudi të stepesh, sepse edhe vetë nuk je i bindur nëse je në Labëri, ose jo, pasi mikpritja është e madhe sa nuk e ndjen serizoitetin e çdo labi. Emri i Labërisë, në shekuj i ka trembur pushtuesit dhe fqinjët tanë shovinist. Jo më kot Napolon Zerva, thoshte: “le të ketë një çik Shqipëri, por të mos ketë Labëri”.

 

At Shtjefën Gjeçovi, kur ishte Ipeshkv në Elbasan pasi mori pjesën në Luftën epike të vitit 1920 i shkruante Arqipeshkvit të Shkodrës se: “Vlonjati për Shqipërinë shet pasurinë, djeg shtëpinë dhe falë fëmijën”. Të vizitosh Labërinë, duhet të ecësh përgjatë shpateve që e rrethojnë, duke filluar nga Ura e Mifolit, rrjedhës së Vjosës në dy anët, Tepelenës, Gjirokastrës, poshtë Qafës së Muzinës deri në bregun e detit e, tek lumi Pavëll siç thotë Noli i madh, duke u rrotulluar më tej, në Vlorë.

Ndoshta duke u bazuar tek vlerësimet e Nolit të madh, se: “kur lëngon Shqipëria, zgjohet Labëria” dhe kur të vdes të më përcillni me këngë Labe, u pasuan nga Rilindësi i kohëve tona, Akademiku Kosovar Rexhep Qosja, që ka thënë se: “Vlora dhe Labëria e ka lindur dhe rilindur Shqipërinë”, autori nuk kishte se si të heshtëte për Labërinë e tij, për këtë tokë të shenjtë. Duke e krahasuar historinë e saj me një legjendë, autori rend pas vlerësimit të Dritëro Agollit, i cili ka thënë se: “Labëria i harmonizon mrekullisht tri shtylla të mrekullueshme që janë: “Trimëria, Patriotizma dhe kultura”.

Dhe kjo poezi i portretizon aq natyrshëm karaktersitikat e natyrës, cilësitë, traditat, doket, zakonet dhe virtytet e labit. Në këtë vëllim poetik autori vjen me një tematikë të larmishme, të pasur, me gjeografi shtrirje, me figuracion artsitik të admirueshëm dhe me një sintezë të problemeve dhe fenomeveve të shoqërisë, por veçanërisht të politikës shqiptare. I dashuruar me atdheun dhe punën, autorit i dhemb çdo plagë sado e vogël që pushtetarët, pseudointelektualët, tradhëtarët apo kriminelët i sjellin atdheut. Ai ka një ndërgjegje kombëtare të theksuar dhe nuk rri në heshtje, por ngre zërin e protestës ndaj çdo padrejtësiae që i bëhet atdheut dhe shoqërisë. Por, njëkohësisht, në poezitë e tij lirike ai himnizon dashurinë ideale si një proces shoqëror që sjell përgjegjësi familjare por dhe atdhetare. Por autori nuk mund të mos shkruante për poetët, prindërit, miqësitë, natyrën, familjen, fisin, miqësitë, virtytet e shqiptarëve që i japin librit një kolorit estetik të bukur dhe tërheqës. Me këtë libër, autori ka hedhur një hap domethënës në krijimtarinë e tij, duke plotësuar një kërkesë ndaj vetvetes, për ti sjellë lexuesit një vepër që ka brenda poezi që frymojnë kulturë, pasion dhe nivel artsitik të kënaqshëm për çdo kategori lexuesish.

Kontrolloni gjithashtu

Doli nga shtypi vëllimi 19-të i monografisë “Feniksët e lirisë” 

Doli nga shtypi vëllimi 19-të i monografisë “Feniksët e lirisë” 

Në vazhdim të realizimit të projektit për botimin e monografisë për dëshmorët e Ushtrisë Çlirimtare …