Reshat Arbana

Albert Zholi: Flet “Artisti i Popullit” Reshat Arbana

– Filmi më i vështirë ka qenë “Dueli i heshtur”! Ai u realizua i gjithi në det të hapur rreth 4  muaj në palcë të dimrit.

– Ngriheshim nga shtrati, sikur të kishin lënguar nga plagët, si trimi Gjergj Elez Alia.

– Petro Dodes: Ti je i prerë të luash rolin e një gjermani nuk ka nevojë për shumë grim je i prerë për një rol SS !

– Rita Markos: Je adapt për të luajtur rolin e një intelektuali, burokrat, por tejet simpatik, se të ka hije portreti dhe kostumi për të qenë drejtues ose zyrtar i lartë.

-A mund të luajmë dhe ne në filma? Do të na marrësh edhe neve si aktorë me ndonjë film?

-Po, i kthehet ai. Petron sidomos, se ka edhe portretin si gjerman. Nuk ka nevojë për shumë grim. Është i prerë për një rol SS. Kurse Rita është adapt për të luajtur rolin e një intelektuali, burokrat, por tejet simpatik, që i ka hije portreti dhe kostumi për të qenë drejtues ose zyrtar i lartë.

– Dikush thotë, hajde o burrë, se ju artistët keni bërë qejf, keni jetuar si mbretër, kurse ne të shkretët kemi ngrënë dynjanë.

– Artistit i besohet një jetë dhe një histori njerëzore duhet të hyjë thellë në lëkurën, në mendjen, shpirtin dhe realitetin e personazhit si një psikiatër.

– Ai në jetën e tij artistike ka s’qenë kurrë renegat si Islami, spiun si Sami Ameni, mësues violine, fshatar injorant, patriot, bimbash apo drejtues treni.

– Artisti duhet të njohë dhjetëra zanate pasi duhet të dijë të kalërojë, të qëllojë me pushkë, të jetë mekanik, shofer kamioni, pilot, infermier, mësues e shumë profesione të tjera.

Albert Z. ZHOLI

Reshat Arban është një aktor teatri dhe filmi nga më të spikaturit. Ai mbetet një nga aktorët më popullorë të kinemasë shqiptare, me mbi 35 role, duke filluar që nga viti 1963. Pasi i kreu studimet në shkollën e lartë për aktorë “Aleksander Moisiu”, pranë Teatrit Kombëtar në Tiranë, më 1968, filloi punë në Radio Tirana. Nga viti 1977 e deri sa doli në pension ishte aktor i Teatrit Kombëtar të Tiranës. Ndër rolet më të spikatura në film: Samiu tek “Fije që priten” 1976, Prefekti tek “Gjeneral gramafoni” 1978, Bimbashi tek “Liri a vdekje” 1979, Isa Boletini tek “Nëntori i dytë” 1982, Ahmeti tek “Dora e ngrohtë” 1983, Adnani tek “Hije që mbeten pas” 1985, Aliu tek ‘Binarët’ 1987, Emili tek ‘Rikonstruksioni’ 1988, Kuke Memini tek “Balada e Kurbinit” 1990. Për rolet e Dajlan Beut tek “Kush vdes në këmbë” 1984 dhe Kryetarit të Këshillit tek “Kur hapen dyert e jetës” 1986 ka fituar Medalionin e Festivalit të Filmit më 1985 e 1987. Në maj 2004 u rikthye në skenën e Teatrit Kombëtar me rolin e protagonistit në dramën “Streha e të harruarve’.

-Shpesh flitet për rolet. Disa të vështirë disa shumë të vështirë. Disa role edhe figurantë kanë vendin e tyre. Cilat janë vështirësitë e roleve? Sa ju mbërthejnë sa stres ju kanë shkaktuar dhe sa larg familjes ju kanë mbajtur?

Kur flitet për vështirësinë që ka realizimi i një roli në kinema, apo dhe në teatër, ndonjë bashkëbisedues, apriori hedh një batutë tepër “ofenduese”! “Hajde o burrë, se ju artistët keni bërë qejf! Keni jetuar si mbretër, kurse ne të shkretët kemi ngrënë dynjanë…!” Kështu shprehet artisti. Arti nuk është një tralala apo gallatë. Artistit i besohet një jetë dhe një histori njerëzore. Duhet të hyjë thellë në lëkurën, në mendjen, shpirtin dhe realitetin e personazhit si një psikiatër dhe më pas të gjejë mjetin ta pasqyrojë atë me gjeninë dhe artin e tij. Ai në jetën e tij personale nuk ka qenë kurrë renegat si Islami, spiun si Sami Ameni, mësues violine, fshatar injorant, patriot, bimbash apo drejtues treni. Të interpretosh me vërtetësi aq shumë personazhe duhet punë dhe përgjegjësi. Të gjithë e kanë lexuar më lart jetëshkrimin e tij. Ai nuk ka studiuar kurrë violinë e megjithatë i është dashur që te filmi “Tinguj lufte” të interpretonte mësuesin e violinës…Ambientet, sheshet e xhirimit, kushtet atmosferike kishin halle e probleme.   “Artisti duhet të njohë dhjetëra zanate dhe kjo nuk është gjë aq e thjeshtë. Duhet të dijë të kalërojë, të qëllojë me pushkë, të jetë mekanik, shofer kamioni, pilot, infermier, mësues e shumë profesione të tjera. Duhet të jetë i gjithanshëm. Të ketë dhunti dhe durim për të mësuar kleçkat e çdo profesioni. Ai duhet të kërkojë literaturë përkatëse dhe ta studiojë në thellësi dhe më pas të kërkojë njerëz të gjallë e të mësojë prej tyre”-shprehet Arbana. Arti është subjektiv. Por pjesa më e vështirë e tij është gjykimi i të tjerëve. Mund ta krahasojë me një konkurs të përjetshëm. Kur arrin të japësh maksimumin dhe sjell një figurë të realizuar mirë, atëherë, qetohesh. Lodhja dhe mundi konvertohen në kënaqësi të jashtëzakonshme. Filmi më i vështirë ka qenë “Dueli i heshtur”. Ai u realizua i gjithi në det të hapur rreth 4  muaj në palcë të dimrit. Dimri i atij viti ishte i egër, deti i trazuar, i ftohti kallkan, koha herë me qiell të kulluar, herë e brumbulluar nga retë e dendura. Deti vërtetë është i bukur nga bregu, por vetëm nga bregu, ama  kur je thellë, e larg bregut mbi dallgët e tij, apo edhe në qetësinë e tij të fshehur, pra në detin e vdekur siç e quajnë detarët, atëherë e sheh se sa të vështirë e ke për të punuar me të. Kështu ndodhi edhe  me ta. Nja 10-15 njerëz që përbënin grupin e filmit, vetëm  tre prej tyre nuk donin t’ia dinin për egërtinë e dalldisjen e tij. Këto ishin operatori i mrekullueshëm Petraq Lubonja, Rikard Ljarja dhe një punëtor i palodhur i filmit, i quajtur Asllan Vladi.  “Sapo vinin këmbën në anijen luftarake”, tregon Reshati “përnjëherësh i mblidhej një shuk, që u zinte grykën, e i shprishte qetësinë e humorin. Tymi i cigares që pinte ndonjëri, fjolla e tij depërtonte ndërmjet hundës drejt e në stomak. E duhej të vrapoje për ta nxjerrë ushqimin”.

Ndrek Luca, “ulërinte”:

-Po fike, at’ dreq cigareje, se na mbyte o burrë! Njëqind herë ju kam thënë, mos na pini duhan në anije burra, se mbarum krejt ! Dhe nuk kishte faj Ndreka. Edhe sot kur i kujton ato  momente, i shtjellet neveria në stomak…! Gjithë dita me të përziera e të vjella në krevatet e anijes të kruspullosur në kubriket e marinarëve. Kur vinte momenti i radhës (regjisori apo dikush tjetër) thërriste: -Reshat,  (apo Ndrekë ), ngjitu lart, erdhi radha! Bobo çfarë tmerri! Ngriheshin nga shtrati, sikur të kishin lënguar nga plagët, si trimi Gjergj Elez Alia.

Filmi ‘Dueli i heshtur”

Në të rrallë kur sheh ndonjëherë filmin ‘Dueli i heshtur”, ai dallon disa episode ku deti i ka mbytur fare, tmerr me të vërtet. Portreti ka rrëshqitur dhe ndryshuar, zbardhur apo zverdhur krejt. Muaj me radhë vollën në det, por kurrë nuk u ambientuan. “Shumë herë u bëra gati që ta lija fare atë punë, ta linte rolin, vetëm të shpëtoja nga vështirësitë e papërballueshme, që na sillte çdo ditë xhirimi”. “Kanë kaluar mëse 50 vjet nga xhirimet e këtij filmi”, tregon Reshati, “dhe nuk rri dot pa sjellë në kujtesë, një moment që më ndodhi një ditë të bukur të muajit shkurt, tek po xhironim si çdo ditë. Isha me një grup shokësh në bankinën e betonit duke thithur një cigare dhe duke biseduar. Anija ishte e ankoruar, pasi xhironim në vend. Një çast dëgjova që më thirrën nga kabina. Unë pa humbur kohë  hodha  cigaren, rrëmbeva nga toka një çantë që mbaja në  krah, dhe u nisa drejt dërrasës “urës” që lidhte anijen me tokën. Dita ishte e vrenjtur dhe era që frynte, bënte që anija herë të largohej dhe herë të afrohej. Me të lëvizte para dhe prapa dhe ura lidhëse. Në kohën që vura këmbët në dërrasën e lëvizshme, ajo u tërhoq nga bankina, u shkëput, dhe unë krejt papritur ndjeva që duart m’u përplasën fort në  betonin e bankinës. Një orë dore, e rolit të Islamit, fluturoi me xham e aparaturë,  e nuk e di se ku bitisi. Unë  u zhyta kutullumbas në thellësinë e molit, në ujin e akullt të detit. Sigurisht u tremba, u tremba shumë se nuk po merrja vesh se çfarë ndodhi! Dola shpejt në sipërfaqen e ujit, dhe me ndihmën e shokëve, u gjenda lart, duke fërgëlluar si qen nga të ftohtit dhe rrobat e qullëta. Mbaj mend se pranë anijes sonë, ishte një anije tregtare “Teuta”. Më dërguan urgjentisht atje. Më vendosën poshtë te motorët ku ishte ngrohtë. U ndërrova, u thava dhe pasi më mjekuan duart e rrjepura e të gjakosura, më nisën për në Tiranë, për të ndenjur 2 ditë pushim pas atij “akti të bukur heroik!”Janë momente që dhe sot më vijnë të freskëta, e më duket, sikur ka kaluar pak kohë që kanë ndodhur, e jo pesëdhjetë vjet më parë.”

Takimi me Ramiz Alinë

Nuk i është dhënë rasti të takohet personalisht me udhëheqësit e shtetit monist. Por një takim e mban mend me Ramiz Alinë. Ishte viti 1989. Pas pjesëmarrjes në një festival filmi në Zvicër, e kthimit në Tiranë, e lajmërojnë për një pritje në Pallatin e Brigadave. Në hollin e stilit mbretëror të Pallatit të Brigadave, s’kishte shumë njerëz. I afrohet Petro Dodes dhe Rita Markos, që rrinin të veçuar në korridor. Iu afrua dhe ata filluan të bënin shaka, ndërkohë që pritej ardhja e Ramiz Alisë.

-A mund të luajmë dhe ne në filma? Do të na marrësh edhe neve si aktorë me ndonjë film?

-Po, i kthehet ai. Petron sidomos, se ka edhe portretin si gjerman. Nuk ka nevojë për shumë grim. Është i prerë për një rol SS. Kurse Rita është adapt për të luajtur rolin e një intelektuali, burokrat, por tejet simpatik, që i ka hije portreti dhe kostumi për të qenë drejtues ose zyrtar i lartë.

Ishte hera  e parë që i takonte. Biseduan, për probleme nga të cilat nuk mban mend asgjë interesante. I është fiksuar vetëm ky dialog që në fakt dukej si lojë fjalësh se nuk kishin çfarë të thoshin. Mban mend vetëm që biseduan për transportin urban dhe interurban, kulturën dhe udhëtimet, dhe Rita i premtoi se do bënte realitet të gjitha problemet e ngritura në diskutimin që kishte bërë në kuvend.

E ndërsa bënte shaka me ta, i afrohet Ramiz Alia. I fut krahun dhe ecin gjatë korridorit të pallatit. Ramizi e njofton se do të takoheshin me një delegacion të Parlamentit zvicerian me përfaqësues nga tre kantonet e Zvicrës. Pasi folën shkurt për problemet e teatrit, ai merr guximin dhe i thotë Ramizit:

-Dua të them nja dy gjëra. Mundet?

-Pa tjetër!

-Duhet bërë diçka o shoku Ramiz…gjendja ekonomike është tejet e rëndë. A mundet ta hapni pak. Komshinjtë po sigurojnë të ardhura nga turizmi, fjala vjen…

Nuk foli më gjatë, se Ramizi duke i dhënë të drejtë, i thotë se kjo punë nuk është e lehtë, se ne nuk kemi kushte, s’kemi hotele klasi, drita dhe shumë gjëra të domosdoshme për të plotësuar kërkesat e turistëve. Çdo shohin te ne turistët? Rrugët apo dyqanet krejt të boshatisura? Ja vjen delegacioni zviceran. Ato do e shohin me sytë e tyre pazarin bosh dhe unë s`kam si i gënjej.

Dhe në fakt gjatë takimit ai iu shmang problemeve ekonomike, dhe u foli atyre për historinë e popullit zviceran. Mbajti një fjalim që u bëri përshtypje zviceranëve për njohuritë e thella, që kishte mbi historinë dhe zhvillimin e shtetit të tyre. Takimi mbaroi dhe pasi i hipi biçikletës për t’u kthyer në shtëpi i bëri një pyetje vetes: “Po mua ç’mu desh që fola?”

***

Fillimisht ishte i mendimit që recitimet nuk ishin për të. E shihte shumë larg interpretimin e poezive.  Ky dyzim vazhdoi deri vonë.. Dhe kur hyn triumfalisht në teatër. Recitonte, Anastasi, Pirro, Margarita, Drita, dhe ai vërtet i pëlqente recitimet e tyre. Recitimin e ndjen si armë të tij, vetëm në moshë të pjekur. Pas vrasjes së vëllezërve Gërrvalla, Isufit, Bardhylit dhe shokut të tyre, Kadri Zekës. Atë kohë, Zana e shoqja e Isufit, me fëmijët kishte ardhur në Shqipëri, nga Gjermania dhe herë pas here me mikun e tij,  Kujtim Çashku shkonin ta takonin. Një natë, Zana i tregon se Hamit Alija, një poet i talentuar tropojan kish shkruar ca poezi të bukura për të shoqen, dhe e fton të recitojë. Pranon me kënaqësi. Ishte debutimi i tij i parë në recitime. Me një magnetofon diletant i reciton ato vargje…që për fat të keq nuk e di se ku janë, dhe i vjen keq që nuk e ka një kopje. Në vitin 1989, realizon një përmbledhje me poezi nga libri “Mrrizi i Zanave”, të cilat vërtet u pritën mirë. Për këtë iniciativë e shtynë ngjarjet e vitit 1989, e veçanërisht mbyllja e minatorëve në zgafellat e Trepçës. E ndjeu si një  kontribut që mund të jepte si shqiptar ndaj gjysmës që ish shkëputur me aq gjak nga trungu shqiptar. Skena rrëqethëse, të rënda atje thellë minierës, e çuan te Fishta i madh. Ngacmues, u bë një varg ku thuhet:

M’kamë bre burra, n’kamë…

Ç’ka ini, fshehur, ndën furka t’grave?

Si do rrole, t’ kqija

Asht turp për Zotin,

shurdh me hup Shqipëria!

Kushtrim, kushtrim…etj, etj.

Në atë vit realizon një kasetë, me 10 poezi, që shpërndahet në Europë dhe në Botë, dhe që në vitin 1989, gjatë luftës së Kosovës, Radio Kontakt, i transmetonte gjatë gjithë ditës. Sot recitimi është pasioni i tij.  Sigurisht poezitë godasin fort me sarkazëm dobësitë, të metat, të padrejtat, të paudhët, matrapazët e shpirtit, pseudopatriotët, atyre që shkelin kombin e flamurin, lakmitarët, të pangopurit, Poezitë erdhën në kohë, me një efekt të madh. Vërtet që goditën fort  në ndjesinë dhe botën e brendshme të shqiptarëve që patën rastin t’i dëgjojnë ato vargje…

Kontrolloni gjithashtu

Gëzim Marku: Intervistë ekskluzive me gazetarin dhe publicistin shqiptaro-amerikan Frank Shkreli

Gëzim Marku: Intervistë ekskluzive me gazetarin dhe publicistin shqiptaro-amerikan Frank Shkreli

Frank Shkreli e nisi karrierën e tij gazetareske që në rini, gjatë studimeve në Kolegjin …