Në datën 28 Mars, 2025, në Tiranë, në një atmosferë festive, u zhvillua Konferenca e 13-të e Organizatës së Veteranëve dhe Pasardhëse të LANÇ. Organizata “Dëshmorët e LANÇ”, “Polifonia” etj. Na nderuan me pjesëmarrjen e tyre shumë personalitete të artit, shkencës dhe kulturës si dhe deputeti i PS dhe ish-kryeministri Pandeli Majko. Në këtë Konferencë merrnin pjesë të ftuar nga Shoqatat “Labëria”, ‘Mallakastra”, Organizata “Dëshmorët e LANÇ”, “Polifonia” Kosova, etj. Raportin mbi veprimtarinë e Organizatës midis të dy Konferencave, në emër të Kryetarit, Prof. Hulusi Hako e mbajti Sekretari I Përgjithshëm i Organizatës shoku Veli Myftari. Midis të tjerave ai theksoi se: Organizata jonë, e themeluar para 68 viteve si amanet i historisë me anëtarë veteranët, nga të cilët kemi edhe sot në gjirin tonë 232, që janë memoria e gjallë e historisë dhe vlera e madhe saj. Zgjerimi ynë u mirëprit dhe u pasua me një vërshim të pandalshëm pasardhësish, të cilët na kanë rinuar, forcuar e gjallëruar së tepërmi. Sot jemi bërë organizata më masive, me një numër rekord prej rreth 18 000 anëtarësh të grup moshave të ndryshme, nga 105-vjeçari Prof. Ismet Elezi deri tek 11-vjeçari në qytetin e Kuçovës e 10-vjeçarja në qytetin e Durrësit. Kjo anëtarësi shtrihet në fshat me 847 organizata dhe në qytet me 568, grupuar në 1415 organizata në 47 Bashki. Këtij numri i duhen shtuar edhe mjaft organizata të diasporës shqiptare. Ky shtim sasior, i ka dhënë organizatës një impuls të ri, ka rritur nivelin dhe forcën e saj, i ka dhënë asaj një imazh të ri cilësor. Kështu, në këto tre vite midis Konferencave, veprimtaria jonë ka marrë përmasa më të gjëra dhe më të fuqishme”.
Pas raportit dhe përshëndetjeve Konferenca vazhdoi punimet me pyetje dhe diskutime të një niveli të lartë, në mbështetje të një raporti analitik. Në këtë Konferencë folën shumica e delegatëve nga rrethet si dhe deputeti Majko.
Sipas diskutantëve dhe atyre që përshëndetën, realizimi me sukses i Konferencës së djeshme ishte më se i merituar. Kjo Konferencë tregoi se realizimi i saj ishte krenari morale e qytetare për të gjithë. Ishte shpërblim dhe vlerësim maksimal i mundit, përballjes së shqetësimeve dhe realizimit të detyrave. të sjella keqdashësisht. Ishte shpërblim i punës intensive në grup i Kryesisë së Komitetit tonë Kombëtar edhe në jetën ditore e të planifikuar të jetës organizative të saj në baza ditore. Ishte shpërblim, vlerësim e sukses edhe për drejtuesit e aktivistët vullnetarë në qendër e në bazë në mbarë Shqipërinë. Në fund të Konferencës u zgjodhën organet drejtuese si Komiteti Kombëtar, Kryesia e Komitetit dhe drejtuesit e Departamenteve. Kryetar i Organizatës me 100% të votave (votim i hapur) u zgjodh Prof. Hulusi Hako dhe Sekretar i Përgjithshëm Veli Myftari.
R E Z O L U T Ë
E KONFERENCËS XIII E
ORGANIZATËS SË VETERANËVE DHE PASARDHËSVE TË LANÇ-it TË POPULLIT SHQIPTAR “NDERI KOMBIT”
Konferenca Kombëtare XIII e VP-LANÇ “Nderi i Kombit”
Tiranë, 28 mars 2025
Më 28 mars 2025, u mblodh në Tiranë Konferenca XIII e VP-LANÇ. Në të morën pjesë me mandat të rregullt nga 47 Komitete të vendit, të cilët përfaqësuan rreth 18000 anëtarë të kësaj organizate. Në këtë konferencë morën pjesë organizatat tona simotra, shoqata atdhetare kulturore; na nderuan edhe përfaqësues të pushtetit vendor e lokal. Mbas një analize dhe një diskutimi të përkushtuar mbi veprimtarinë e organizatës sonë në interevalin midis dy Konferencave XII-XIII, Konferenca miratoi me unanimitet Rezolutën e mëposhtme:
- Organizata ka realizuar me sukses objektivat themelore dhe qëllimin e saj në zbatim të Statutit për mbrojtjen, ruajtjen, propagandimin, mbajtjen gjallë dhe transmetimin e vlerave të shenjta të Luftës antifashiste nacionalçlirimtare te brezat e rinj.
–Bashkë me dy referatet kryesore, kjo veprimtari u pasurua dhe vlerësua nga të pranishmit edhe nëpërmjet diskutimeve e përshëndetjeve të tyre.
–Konferenca i kushtoi vëmendje të veçantë zgjedhjes së forumeve dhe drejtuesve kryesorë të organizatës. Aprovoi me unanimitet Komitetin e ri Kombëtar të përbërë prej 128 anëtarësh; rizgjodhi me votim të hapur Kryetarin e ri të Organizatës, zgjodhi Forumin e Këshilltarëve, Komisionin e Kontroll-Revizionit dhe kryetarin e këtij Komisioni.
–Ndërsa në mbledhjen e parë, Komiteti Kombëtar zgjodhi Kryesinë e tij, si dhe (6) n/Kryetarë të Komitetit Kombëtar.
–Në këtë periudhë midis dy Konferencave, qëlloi edhe 80-vjetori i Çlirimit të Atdheut. Organizata jonë nga baza në qendër ka festuar me dinjitet, në vazhdimësi, pandërprerje dhe masivisht ngjarjet heroike të LANÇ-it deri dhe në skajet më të thella të Shqipërisë. Në këto homazhe e festime kemi patur në krah Organizatën Kombëtare të Dëshmorëve – OKFDA, shoqatat atdhetare kulturore të vendit, pushtetin qendror e lokal, si dhe mbështetjen e Ministrisë së Mbrojtjes.
–Është realizuar me sukses dhe unanimitet mendimi e veprimi, fushata e zgjedhjeve vendore – Konferencat e OVP-LANÇ të Bashkive në mbarë Shqipërinë.
–Vëmendje të veçantë iu kushtua fushatës së zgjedhjeve parlamentare, ku organizata jonë shpreh mbështetjen pa rezerva të Partisë Socialiste si subjekt politik.
–Shtimi i radhëve me anëtarë të rinj, forcimi i lidhjeve dhe veprimtaritë e përbashkëta me shkollat, angazhimi i studiuesve e profesorëve në fushën e historisë së LANÇ-it, sesionet shkencore në kryeqytet e në rrethe kanë qenë dhe do të mbeten gjithmonë aktivitete me vlera e kontribut të lartë në mbështetje dhe vazhdimësi të rrugëtimit misionar atdhetar të LANÇ-it tonë të patjetërsueshëm.
–Gazeta “Kushtrim Brezash” ka qenë dhe mbetet zëri ynë i fuqishëm në transmetimin e zërit tonë të LANÇ-it në mbarë vendin, në diasporë dhe në federatat apo organizatat tona simotra antifashiste në botë.
- Kjo përvojë e fituar e punës së këtyre viteve, shtron përpara organizatës detyra për zgjidhje dhe realizime më të suksesshme, si më poshtë:
- Të rrisë punën për mbajtjen gjallë të lavdisë e veprës së veteranëve të luftës antifashiste nacionalçlirimtare, aktin sublim të heronjve e dëshmorëve të saj. Këtë do ta arrijmë nëpërmjet gjithë formave të propagandës aktuale, së pari gazetës “Kushtrim Brezash” dhe gjithë mediave të tjera (gazetave, revistave, TV shtetërorë e private, portaleve të ndryshëm elektronikë), nëpërmjet materialeve të ndryshme, bisedave e kontakteve me veteranë e pasardhës, personalitete të larta e studiues të fushës së historisë dhe asaj sociale.
- Thirrja për atdhedashuri dhe vetëdijësim të mbarë anëtarëve të organizatës e më gjere, merr vlerë dhe rëndësi më tepër se kurrë sot, përballë sfidave të jashtme e të brendshme, fushatave goditëse ndaj deformimeve të historisë, kur situatat e brendshme me tendenca e revanshe të forcave të caktuara antishqiptare ekstreme të djathta, synojnë sidomos prekjen, ndryshimin e të vërtetave historike të LANÇ-it. Ky angazhim i yni, përforcohet edhe me ngjarjet negative në situatën gjeo-politike globale, që aktualisht janë evidente me luftën e Rusisë ndaj Ukrainës, në atë të Lindjes së Mesme, etj.
- Që të jenë në nivelin dhe vlerësimin historik të merituar, mirëmbajtja, ruajtja, ringritja e simboleve historike të LANÇ-it (Lapidarë, pllaka përkujtimore, buste, bazorelievë, memorialë, shtëpi muze, varreza të Dëshmorëve të LANÇ-it), do të jenë gjithmonë në qendër të vëmendjes së punës sonë në bashkëpunim me shoqatat simotra dhe sidomos me pushtetin vendor.
- Në mënyrë të veçantë, Konferenca tërhoqi vëmendjen në adresë të Akademisë së Shkencave dhe Ministrisë së Arsimit, Sporteve dhe Rinisë (MASh) mbi pretendimet tona ndaj shtrembërimeve të ngjarjeve historike. kthimit të vlerave të vërteta të historisë në antivlera dhe anasjelltas, që dëmtojnë dhe çoroditin ndërgjegjen kombëtare. //