leoni

Albert Zholi: Trendi i librit “Sytë e botës tradhtare” të Katiola Karolit

Albert Zholi: Trendi i librit “Sytë e botës tradhtare” të Katiola Karolit

Poezia duket sikur sot është bërë një lehtësim shpirtëror për njeriun. Në çaste gëzimi, hidhërimi, në çaste të kapërcimi të një situate të vështirë apo të një provimi, në çaste kur njeriu do të ruaj si visar një kujtim të veçantë, padashur merr lapsin dhe fillon të shkruajë. Pra të shkruarit vjen tek ai njeri që muza ngjizet vetiu si frymëzim jetësor, për ta përjetësuar atë moment që ka lënë gjurmë dhe mbresa të thella. Kur më ranë rastësisht në dorë lexova disa poezi të Katiolës ndala pa ndonjë interes të veçantë. Ishte hera e parë që e ndeshja këtë emër dhe të shkruarit poezi më grishi dëshirën për ta lexuar.

Në mos gaboj lexova një poezi që ajo ja dedikonte fëmijës së saj. Vargjet lexoheshin vetiu dhe poezia erdhi në fund tek unë si një puhize detare që të ledhaton qenien. Bukuria artistike e poezisë më bëri që të vazhdoj më tej në profilin poetik të Katiolës të lexoj poezi të tjera. Edhe më poshtë tematika, vargu, metafora, zgjedhja e fjalës, poetika e saj ishin në atë linjë. Pra pashë dhe lexova një poete që shkruante më fjalë zemre, me pathos, me selektim situatash, me vërtetësi ndjenjash, me sinqeritet intelektual dhe me vëzhgim jetësor tepër specifik. Poezia e saj i takon vetëm Katiolës në mënyrën e ndërtimit të vargut si artistikisht ashtu edhe estetikisht. Pra një varg i bukur, plot figuracion, ku fjala latohet me dëshirën për të sjellë një poezi reale, të padefornuar, të pasforcuar, por mbi të gjitha duke mos u bërë bartëse e kopjimit dhe përsëritjes së idesë, mendimit, vargut. Sot, shumë poetë përsëritin njeri-tjetrin dhe plagjiatura sikur “mbërthen për fyti” poezinë në përgjithësi. Nëse është tematika dhe përmbajtja, nëse janë mesazhet e vyera, nëse është dhembja që ndjejmë për prindërit në përjetësi, dashuria për fëmijët, dashurinë sentimentale, dhimbja për problemet sociale, athere poezia qëndron mbi themele solide dhe do japë efektet e saj pozitive.

Pasi lexon gjithë poezitë e Katiolës bindesh se ke përpara një libër tërheqës, një libër që të bën të ndihesh krenar për vargun të dala nga zemra e një poeteje të përkushtuar, të mirë dhe të dashur, që është e frymëzuar nga ndjenja, respekti për vlerat e mëdha njerëzore, për ato kombëtare, shoqërore, familjare, dhe këtë e bën me gjuhën e poezisë, me gjuhën e shpirtit dhe të zemrës së saj të bukur. Ndërkohë që, po aq të freskëta vijnë vjershat lirike dhe romantike, ku në to vlojnë dashuria dhe fisnikëria e një shpirti, që kërkon lirinë e shprehjes, mendimit, larg maskilizmit, më shumë se çdo gjë tjetër, që e dëshiron atë si ajrin, si ujin, si bukën. Një femër në liri reale mund të arrijë çdo objektiv në të mirë të jetës dhe përparimit. Dhe kjo realizohet me besnikëri ndaj vlerave intelektuale, individuale, vlerave të kombit, që shfaqin përpara popujve të tjerë virtyte të rralla, zemra të bardha, shpirt paqësor dhe atdhetar, që ndrit dhe vezullon me bukurinë e vlerave krijuese. Stili lakonik dhe besnikëria e vargut për ta sjellë sa më qartë idenë e poezisë tek lexuesi, larmishmëria e poezisë, tematika e pafundme në fabulat e përcjella, ka bërë që në këtë libër, poezia e Katiolës të vijë më e larmishme, më e bukur, më e qartë, më e freskët, më jetësore, më mesazhore.

Poezitë për, dashurinë, fëmijët, drogën, prindërit, jetën janë një pjesë e tematikave të gjalla që ajo i ka përcjellë me shumë intimitet, ndjeshmëri dhe diku edhe të mbështjella me romantizëm koherent. Përcjelljet e mesazheve paqësore, gjetjet e veçanta artistike, vargu disa herë i thyer por dhe me linja bashkuese, e bëjnë librin jo vetëm interesant por edhe befasues. Lidhja harmonike e anës artistike me atë estetike, vargu deri diku intrigues në lidhje me koherencat dhe zhvillimet sociale, bëjnë që peozia e Katiolës të mos jetë e shterur, e ndenjur, por në lëvizje dhe në reciprocitet me kohën. Në poezitë e saj jeta gjallon me të gjitha ngjyrat ku tregohet qartë se Katiola nuk bën një jetë të mbyllur, as të kufizuar, por ajo në jetë është aktive, kërkuese, ambicioze, vizonare por edhe sqimatare në mënyrën e të shkruarit. Lënda e saj është e gjallë plot atmosferë, jo e ngurtë, por me ngjyra dhe nuanca të tilla që të tundojnë ti afrohesh për ta lexuar. Duke qenë vetvetja, autorja në librin “Sytë e botës tradhëtare” përcjell ide, kërkon përparimtaren, kërkon paqësoren, edhe pse disa herë bie në trishtim.

Por pas këtij trishtimi autorja shpërthen sërish duke kërkuar një jetë ndryshe, një jetë plot vrull dhe me objektiva të qarta. Syri i saj është kudo në shoqërinë tonë, aty ku është vesi, varfëria por edhe zbrazëtia shpirtërore, ndaj ajo në libër vjen sa e ndërlikuar por po aq e kuptueshme dhe vizionare. Poezia e Katiolës në këtë libër vjen si fllad, pa teprime, pa interpretime boshe por me ide, vjen me një frymë femërore të emancipuar dhe plot nëntekst, ku gjuha e bukur, stili elegant, fabula selektive, fjala e zgjedhur, tregojnë më së miri, se ajo në poezi do të jetë një frymë individuale që gjithmonë kërkon dhe nuk rresht të gjejë të bukurën. Kërkesat në jetë të saj janë të indedifikuara me realitetin jetësor, ashtu si kërkesat në poezi janë të përgjegjshme që të sjellin një individualitet kohor që të mbajnë vetëm emrin e saj. Dhe kjo nuk është pak sot në poezi. Libri i parë i autores “Sytë e botës tradhëtare” është një nismë modeste, për të sjellë një poezi femërore të sinqertë që kërkon të sfidojë maskilitetin e kohës moderne.

Kontrolloni gjithashtu

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Shkollave shqipe në Zvicër në kuadër të Lidhjes së Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë “Naim Frashëri” …