Albertt Z. Zholi: 9 Maji (1945-2018), 73-vjetori i fitores mbi fashizmin

9 Maji për Evropën është ditë e fitores së lirisë kundër robërisë, është ditë e emancipimit popullor kundër shtypjes fashiste, është ditë e barazisë mes popujve dhe barazisë brenda shteteve kundër primatit imperialist dhe eksploatimit të egër. 9 Maji për Evropën është ditë e vetëvendosjes kundër perandorisë e imponimit nga jashtë. Qysh nga ai 9 maj i vitit 1945 kur u shpall kapitullimi i Gjermanisë naziste, kanë kaluar mëse 7 dekada. Sot është 73-vjetori i fitores mbi fashizmin. Një ditë historike, një ditë që përcjell një kujtesë mbarëbotërore. Si erdhi kjo luftë? Kush dhe si e nxiti? Cilat ishin pasojat?  Pas Luftës së Parë Botërore, shtetet arabe kishin parë mundësinë për të qenë të pavarur dhe për të formuar më në fund, shtetet arabe të pavarura. Megjithatë kjo gjë nuk do lejohej nga vendet evropiane sepse ato toka ishin të pasura me naftë, që mbas Luftës së Parë Botërore u pa si një lëndë shumë me vlerë. Marrëveshja e San Remos, do të ishte thjeshtë një modifikim i Marrëveshjes së Syces-Picot, e bërë pa dijeninë e SHBA-së duke mohuar marrëveshjen e bërë më parë të King-Crane. Me anë të kësaj marrëveshje, Francës i jepej Siria dhe Lubjana, problemet e kësaj të fundit vazhdojnë edhe sot e kësaj dite. Konfliktet megjithatë nuk kishin të sosur dhe situata ishte dramatike gjithashtu. Ndërkohë Rusia, që ishte tërhequr nga lufta dhe pas hipjes së bolshevikëve në fuqi, kishte hapur të gjitha marrëveshjet e fshehta të regjimit të Carit. Franca kërkonte shfuqizimin e plotë të Gjermanisë, ndërsa Anglia nuk donte kurrsesi që në Evropë të formohej vetëm një shtet i fortë. Ideja e Ëilsonit ishte hedhur poshtë tashmë. Perandoria Osmane gjithashtu ishte në prag të trazirave. Duke pasur dijeni të të gjithë këtij tensioni, Konferenca e Vjenës, nuk bëri asgjë tjetër, përveç se përgatiti terrenin e fillimit të Luftës së Dytë Botërore.

Pushtimi i Shqipërisë

Njëri nga vendet e para, që do të provonte agresionin fashist italian u bë Shqipëria. Mëngjesin kobzi të 7 prillit 1939, mbi 50 mijë trupa fashiste, të armatosura më së miri, të imbarkuara në dhjetëra anije lufte e të shoqëruara me mbi 400 avionë luftarakë, sulmuan dhe pushtuan Shqipërinë e vogël në jug të Ballkanit, me rreth 1 milionë banorë. Por populli shqiptar do t’u rezistonte me heroizëm hordhive pushtuese fashiste e naziste dhe do të bëhej i pari vend, që do të çlirohej me forcat e veta.

Sulmi gjerman ndaj ish-BS

Më 1 shtator të vitit 1939, Gjermania e udhëhequr nga pushteti nazist me Adolf Hitlerin në krye pushton Poloninë. Kjo ishte bërë e mundur me anë të një kontrate të fshehur me Bashkimin Sovjetik. Të dyja palët morën pjesë në sulmin e 17 shtatorit. Deklarata e vonuar e Francës dhe Anglisë kundër Gjermanisë, do të shpallej vetëm më 3 shtator të po atij viti. Me këtë deklaratë, flota angleze dhe franceze filluan manovrimin e gjerë në ujërat territoriale të Evropës. Në këto kushte, me anë të Sulmit Blitzz Creig (Sulm rrufe), Gjermania pushton dhe shtie në dorë shpejt Poloninë, Norvegjinë, Holandën, Belgjikën dhe Francën në 1940. Në 1941 do të merrte edhe Jugosllavinë, Greqinë si dhe Shqipërinë. Trupat italiane, në aleancë me boshtin nazist, do të sulmonin trupat britanike në Afrikën e Veriut. Deri në verë të 1941, Gjermania kishte arritur të shtinte në dorë të tërë Francën dhe pjesën më të madhe të Evropës. Britania e Bashkuar, tashmë qëndronte vetëm pa aleatë me sy nga ShBA-të, megjithatë pushtimi i saj u bë i pamundur për shkak të forcave ajrore (Royal Air Force) dhe detare (Royal Navy). Duke e parë Britaninë si një armik të pashpresë dhe të dobët, Hitleri kthehet nga Bashkimi Sovjetik, me një sulm të befasishëm më 22 qershor 1941, duke prishur kështu marrëveshjen e mossulmimit që kishte bërë me të. Në fundin e vitit 1941, Gjermania kishte pushtuar një pjesë të konsiderueshme të Bashkimit Sovjetik, por hapi i tyre do të ndalej jashtë Moskës, në betejën e Stalingradit. Gjatë betejave të përgjakshme në Stalingrad, që për më tepër dukej si një luftë personale midis Hitlerit dhe Stalinit, rrethimi dhe kapja e Garnizonit të Gjashtë të trupave gjermane, e bëri Gjermaninë të mendonte se nuk do të ishte një nismë e lehtë marrja e Rusisë. Sulmi rrufe i Gjermanisë naziste, dukej sikur nuk kishte dobi në tokat e mbuluara me borë dhe të pa fundme të Rusisë. Beteja e Stalingradit u zhvillua në vitet 1942-1943 ku boshti nazist pati humbje të mëdha. Humbja tjetër në Betejën e Kursk dhe thyerja e Syrgjynosjes së Leningradit do t’i jepte luftës një pamje tjetër tashmë. Ushtria e kuqe duket e papërmbajtshme dhe tashmë nga një mbrojtje e fortë, kalon në ofensivë të përgjithshme, duke gjëmuar Ëehrmacht deri në Berlin. Në Betejën e Berlinit, Ushtria e Kuqe merr lagjet e këtij qyteti një nga një, deri sa më 30 prill 1945, Hitleri kryen vetëvrasje në bunkerin ku strehohej, duke mos parë rrugë shpëtimi. Ndërkohë, Italia fashiste me Benito Mussolinin në krye kapitulloi në 1943. Tashmë ajo kishte dalë kundra ish-aleates së saj Gjermanisë që vazhdonte luftën. Trupat e aleatëve u futën në Itali dhe më pas në 1944, ata do të lironin edhe Francën. Më pas, me rënien e Gjermanisë, aleatët dhe Sovjetikët do të takoheshin në qendrën e Gjermanisë, Berlin. Kjo vetëm pas Betejës së Bulge (Battle of the Bulge) në dhjetor. Gjatë kësaj lufte, është për t’u përmendur holokausti që iu bë me miliona (6 milion mendohet) hebrenjve. Në këtë gjenocid gjithashtu u eksterminuan edhe persona me origjinë rome.

Dc. Mikado Shakohoxha, ish-oficer madhor, kryetar i Shoqatës “Skënderbegasit”

– Kur vjen 9 maji të gjithë ish-ushtarakët dhe ushtarakët aktivë mes tyre diskutojnë si dhe pse erdhi kjo luftë? Cilat ishin rrethanat dhe kush ishin nxitësit? Cilat ishin taktikat, armët, strategjitë e përdoruara nga ushtritë ndërluftuese?  Historiografia botërore ka fiksuar si datë fillimi 1 shtatorin e vitit 1939, kur Gjermania nën veprimin ideologjik agresiv të teorisë për të “Siguruar hapësirën e nevojshme jetike”, sulmoi Poloninë por në fakt lufta e përbindshme kishte filluar në vitin 1931, kur Japonia pushtoi Mançurinë.  Por edhe më parë në vitin 1939: u pushtua fillimisht Etiopia më 1935, Spanja pas një viti, Kina më 1937, Austria e Çekosllovakia pas një viti, dhe Shqipëria më 1939. Vendet Skandinave e Danimarka do të pushtohen në vitet 1940-‘41. Duke u gdhirë 22 qershori 1941, edhe pse ekzistonte një marrëveshje mossulmimi, Gjermania sulmoi në befasi ish-B. S. Kështu Lufta e Dytë Botërore  mori karakterin e një katastrofe të përbotshme të pandalshme. Gjithë njerëzimi u trondit dhe ishte në gjendje makthi pasi rruzulli tokësor u nda në dy pjesë. Në njërën anë ishin pozicionuar shtetet luftënxitëse me në krye Gjermaninë, Italinë e Japoninë, duke krijuar lidhjen politiko-ushtarake Berlin-Romë-Tokio, kërcënuese për mbarë njerëzimin. Në anën tjetër u grupuan shtete, popuj e forca përparimtare, nën kryesimin e Shteteve të Bashkuara, ish-B.S dhe Anglisë, etj, duke krijuar një koalicion të drejtuar nga “Treshja e Madhe” Ruzvelt, Stalin, Çërçill. Por kishte dhe një çudi…Gjermania në fillim atë kohë kishte 7,378 copë artilerie ndërsa Franca 10.700. Gjermanët mund të grumbullonin 2,439 tanke, ndërsa francezët kishin 3,254, shumica e të cilave ishin më të mëdha, më të mirë dhe të blinduara se panterat gjermane. Shumë, shumë vdiqën në luftën shkatërrimtare për jetë a vdekje që nisi Hitleri me sulmin e tij ndaj ish-Bashkimit Sovjetik në qershor 1941. Kjo luftë u nis me synimin për të asgjësuar Bashkimin Sovjetik dhe popullsive të tij t’i jepej statusi i punëtorëve skllevër. Shuarja nga faqja e dheut e qyteteve të mëdha si Leningradi apo Moska u përllogarit më së miri nga Hitleri, e paralel me të edhe vrasjet masive të hebrenjve. Bota nuk ndiente qetësi. Kudo dëgjoje krisma armësh, gjyle topash, predha avionësh apo tankesh, sirena anijesh luftarake në mbytje. Tmerri ishte pjesë e përditshmërisë njerëzore. Boshti Berlin-Romë-Tokio duhej patjetër të shembej. Koalicioni i “Treshes së  Madhe” ishte e vetmja shpresë për njerëzimin. Në këtë koalicion kanë dhënë kontribut me vlerë të paçmuar ish-B.S (sidomos me resurse njerëzore), ndërsa Shtetet e Bashkuara dhe Anglia me armatim, municion dhe pajisje luftarake, por edhe me ushqime e veshmbathje, aq të domosdoshme për veprime luftarake të suksesshme. Krejt natyrshëm nuk duhet mohuar edhe kontributi i shteteve më të vogla e më pak të fuqishme, por që përpos të tjerash, gjithsesi, shërbenin edhe si prapavijë e besueshme e Koalicionit. Ndër ‘to është vlerësuar edhe ndihmesa e popullit shqiptar, i cili ndër të parët në Ballkan dhe Evropë organizoi qëndresën e armatosur kundër pushtuesit, duke krijuar Çetën e Parë Partizane në rrethinat e Tiranës, në fshatin Pezë. Lufta antifashiste e popullit shqiptar shkoi në një linjë me motivin e përcaktuar nga Fuqitë e Mëdha për të çliruar vendin. Me gjithë devijimet në disa raste nga kjo vijë, gjithsesi ajo mbetet një kontribut i çmuar në luftën e përbashkët të popujve për të shpartalluar forcat regresive të bllokut militar Berlin-Romë-Tokio. Por dua të ndalem tek 9 Maji, përfundimi i Luftës së Dytë Botërore.  9 Maji për Evropën është ditë e fitores së lirisë kundër robërisë, është ditë e emancipimit popullor kundër shtypjes fashiste, është ditë e barazisë mes popujve dhe barazisë brenda shteteve kundër primatit imperialist dhe eksploatimit të egër. Për viktimat civile, numri i sugjeruar ishte 24 milionë, çka duke përfshirë rritjen e mundshme demografike, do të thoshte një humbje prej deri në 40 milionë njerëzish. 9 Maji për Evropën është ditë e vetëvendosjes kundër perandorisë e imponimit nga jashtë. Fitorja kundër fashizmit duhet të jetë e plotë edhe sot. Pa fitoren përfundimtare kundër tij, fashizmi, mbase edhe i reformuar, do të kthehet, në dëm të paqes, lirisë, barazisë e progresit. Nuk ka liri universale pa aplikim të saj universalisht, pa qenë secili popull i lirë. Nuk ka barazi universale pa qenë secila shoqëri e barabartë, mes vete dhe me të tjerët. Jehona e 9 Majit, sikur ajo e fitores kundër fashizmit, por edhe ajo e bashkëpunimit mes të barabartëve, e komunitetit, duhet të jetë e dëgjuar në formën e vet të kulluar. Me këtë rast dua të them se në fitoren e 9 Majit një ndihmë të madhe ka dhënë dhe populli shqiptar. Pjesëmarrja masive e popullit tonë në këtë luftë ka bërë që ne të jemi ndër popujt që kemi dhënë një ndihmë të madhe. Lufta jonë ka bërë që të ndaleshin dëshirat  e pabaza e fqinjëve për copëtimin e atdheut tonë. Nqs nuk do të ishte kjo luftë, Shqipëria edhe mund të ishte copëtuar. Ndaj duhet të krenohemi me luftën tonë.

Flet ish-drejtori i Laboratorit kimik të Ushtrisë, oficeri i lartë,   Memush Habilaj

Gjithmonë kur gjej materiale për Luftën e Dytë Botërore i lexoj me kënaqësi të madhe. Sa herë gërmoj del një fakt, një ngjarje, një detaj, një e dhënë, një lloj taktike e panjohur nga unë. Ajo luftë mbetet në histori për vetë gjeografishtrirjen por edhe për përdorimin masiv të armëve të reja dhe atyre të dëmtimit në masë. Në këtë luftë cfilitëse merr një zhvillim të madh, sidomos nga gjermanët, grupi i quajtur LHL fosfororganike, të quajtura ndryshe eteret organike të acidit fosforik, ose LHL neuroparalitike, gaze nervore, apo LHL antikolinesteroze. Nga ky grup nga gjermanët u sintetizuan: Në vitin 1936 gazi tabun (GA), në vitin 1938- gazi zarin (GB) dhe në vitin 1944- përfaqësuesi i tretë –zoman (GD). Edhe pse gjatë luftës gjermanët nuk i përdorën LHL neuroparalitike kundër forcave të koalicionit nazifashist, ata e përdorën këtë grup tek robërit në kampin e Aushvicit, ku gjetën vdekjen 4.5 milion vetë. Për këtë qëllim gjermanët përdorën gazin zarinë (GB) si dhe acidin cianhidrik, të quajtur ndryshe “Ciklon B”.

Në prill të vitit 1945, Gjermania ishte në gjendje të prodhonte 12.000 ton tabun. Me mbarimin e luftës, amerikanët zunë në Gjermani, një depo me 250.000 ton lëndë helmuese luftarake.

Krahas grupit neuroparalitik, gjatë kësaj periudhe, filloi studimi i LHL halucinogjene ose psikomimetike ose ndryshe psiqikokimike, siç qenë: dietilamina, acidi lizergjinik (LSD-25), meckalina, psilocibina, pejot etj. Pas Luftës së Dytë Botërore, u kryen studime të shumta për armën kimike: për gjetjen e LHL të reja për përsosjen e mjeteve të vrojtim – sinjalizimit, për gjetjen dhe perfeksionimin e mjeteve të zbulimit kimik, për gjetjen dhe perfeksionimin e mjeteve të hedhjes dhe përdorimit të LHL etj. Në këtë periudhë u bënë studime të shumta për mjekimin antidot (kundërhelmues) për degazimin e LHL në trupin e njerëzve dhe kafshëve, të territorit dhe teknikës luftarake, për mbrojtjen individuale dhe kolektive nga arma kimike. Kësaj periudhe i përket prodhimi i LHL më të fuqishëm të grupit neuroparalitik Vx, krijimi i sistemit automatik i zbulimit dhe lajmërimit të LHL neuroparalitike etj. Një vend të rëndësishëm në këtë drejtim kanë luajtur suedezët. Gjermania njihet botërisht të jetë e para që i ka përdorur në shkallë të gjerë këto armë gjatë Luftës së Parë Botërore. Bëhet fjalë për betejën e Ipresë në Belgjikë, të vitit 1915, ku humbën jetën 6000 trupa britanike dhe franceze. Kjo masakër çoi në nënshkrimin e protokollit të Gjenevës, në vitin 1925. Ndërsa që prej vitit 1928, ky protokoll është një prej traktateve të pakta që është pranuar botërisht, përfshirë këtu edhe Sirinë. Por pavarësisht nënshkrimit të protokollit të Gjenevës, historia njeh edhe raste të tjera të sulmeve me të tilla armë, sikundër civilëve ashtu edhe në fushë beteja. Në vitet 1935-1936, Musolini përdori qindra tonë të gazit mustardë në Etiopi. Në vitet 1940–1941 Japonia hodhi bomba kimike dhe biologjike në Kinë. Mjaft prej atyre që nuk shpërthyen vazhdojnë të asgjësohen në këto kohë me shpenzimet e qeverise japoneze. Pra përdorimi i LHL e shkatërroi njerëzimin por edhe tokën. Kudo shikoje toka të shkreta, pa jetë, pa bimësi, shterpë. Edhe pse në Luftën e Dytë Botërore nuk u përdorën gjerësisht, ato në çdo moment ishin prezente dhe mund të sillnin  akoma më shumë shfarosje të pa imagjinuara. U desh 9 maji i vitit 1945 që dhe lëndët helmuese luftarake të zhdukeshin nga përdorimi masiv. Ndaj 9 maji kujtohet me shumë respekt pasi është dhe një apel për kohën që jetojmë. Në ccdo 9 maj njerëzimi bëjnë bilancet e kohërave. Kjo ditë mbetet si një ditë simbol i shpëtimit njerëzor. Dy luftërat botërore kanë sjellë aq shumë vrasje, sa bota është tmerruar. Armët kimike mbeten një problem i hapur shqetësues për mbarë botën edhe sot, pasi Siria është një shembull konkret. Përdorimi i armëve kimike në konflikte të ndryshme është një çështje që shqetëson së tepërmi diplomacinë ndërkombëtare në këto kohë, pas imazheve tragjike të përdorimit të tyre në Siri. Pamjet rikujtojnë edhe një herë se çfarë rreziku i kanoset njerëzimit nga përdorimi masiv i tyre. Ndërsa në vitet 1965-1967, Egjipti i përdori ato në Jemen. Në shkallë të gjerë, armët kimike u shfaqën në luftën 8–vjeçare mes Irakut dhe Iranit. Përdorimi i tyre nga regjimi i Sadam Huseinit në vitin 1988 në qytezën kurde Halabja u mori jetën rreth 5 mijë civilëve. Kjo u bë shkak që në vitin 1995 të nënshkruhej nga 189 vende të botës Konventa për Luftën Kimike që ndalonte kategorikisht disponimin dhe përdorimin e tyre. Megjithatë vende si Siria, Koreja e Veriut, Sudani i Jugut, Angola dhe Egjipti nuk e kanë nënshkruar apo ratifikuar atë. Efekti katastrofik që ato japin brenda pak minutash dhe rreziku i rënies së tyre në duart e organizatave terroriste janë dy prej shkaqeve që kërcënojnë sigurinë ndërkombëtare. Ndaj dhe SHBA kërkojnë një kundërpërgjigje të fortë nga të gjitha vendet që i përdorin ato. Vdekja nga armët kimike është e ngadalshme dhe në duhet të kuptojmë se si mund të shpëtojmë prej tyre dhe se si mund të mbrohemi. Mes llojeve të armëve kimike, janë ato që shkaktojnë acarim të lëkurës. Ato dëmtojnë lëkurën në përgjithësi, mukozën dhe irriton lëkurën në të gjithë trupin.  Ndaj duhet kujtuar lufta e dytë dhe tmerret e kësaj lufte. Kujtesa është apel për kujdes, kur shihet se shumë shtete në botë po armatosen me bomba bërthamore. Duhet theksuar se është rritur ndjeshëm numri i shteteve që prodhojnë armë atomike. Rreziku i tyre është evident. Gjithë këto shpenzime duhet të shkojnë në drejtim të mirëqenies së popujve jo në drejtim të shfarosjes së tyre. Ndaj 9 maji është një apel. Një apel mbarëbotërorë për paqe dhe siguri. Boll më me luftëra. Popujt duan vëllazërim.

Flet ish-oficeri i lartë, Astrit Miho

– Lufta II Botërore rezulton konflikti ushtarak më i përgjithshëm e më i përgjakshëm në historinë e njerëzimit. Për të shuar sa më shumë jetë njerëzish si dhe për të shkatërruar sa më tepër vlera materiale, kulturore, etnografike, historike, e të tjera, të krijuara nga brezat njerëzorë ndër shekuj. Në këtë luftë me përmasa të përbotshme, u përdorën 1,5 milion gryka zjarri artilerie, 620 mijë aeroplanë, 280 mijë tanke e artileri vetëlëvizëse, dhjetëra-mijë mjete luftarake detare, miliona armë e pajisje të tjera luftarake. Kur kujtohet ajo luftë e gjithë bota shtanget para fakteve dhe humbjeve të panumërta në njerëz dhe në materiale. Një Evropë që u shkatërrua tërësisht. Miliona të vdekur, toka e tre kontinenteve u zhurit.  Ndaj 9 maji kujtohet në të gjithë botën si dita e fitores mbi fashizmin. Një ndihmë të madhe  në këtë luftë ka dhënë dhe Shqipëria.  Ndaj vlerësimi për luftën Antifashiste Nacional-Çlirimtare, duhet të jetë maksimal. Mbetet një luftë që gjithë bota e ka vlerësuar dhe e vlerëson, ndërsa ne mundohemi ta errësojmë. Përse? Kush do ta zbeh rëndësinë e kësaj lufte dhe përse? Për pjesën dërrmuese të historianëve kjo luftë është një ngjarje e rëndësishme në historinë e popullit shqiptar. Kufijtë kohorë të saj janë nga prilli 1939 e deri më 29 nëntor 1944. Ne jemi ndër popujt që mbajti peshën e pushtimit më të gjatë në Europë. Vite sakrifikimi dhe flijimi. Shqiptarët deri më sot e kanë njohur atë si një luftë çlirimtare, duke e renditur Shqipërinë si pjesë e koalicionit të madh antifashist. Po ndër historianët shqiptarë dhe atyre që merren me historinë apo që u intereson kjo pjesë e historisë, këto vitet e fundit, përveç tiparit të saj çlirimtar, është nënvizuar se ajo kishte dhe tiparet e një lufte që u bë për pushtet, duke e zbehur kështu tiparin e saj kryesor çlirimtar e liridashës. Në mbështetje të tezës së tyre sjellin shembuj se si Ushtria Nacionalçlirimtare nuk bashkëpunoi me Ballin Kombëtar e Legalitetin. Në mbështetje të tezës së tyre sjellin dhe egërsinë e atyre që erdhën në pushtet dhe i luftuan po aq egërsisht përfaqësuesit e këtyre dy grupimeve. Për të dhënë një ide të qartë se cili duhet të jetë qëndrimi ndaj kësaj Lufte, duhet të bazohemi mbi realitetin shqiptar në këtë periudhë. Së pari duhet të përcaktohen kufijtë kohorë të kësaj Lufte. Kufirin kohor e përcaktojnë ardhja dhe largimi i pushtuesve që është 7 prilli i vitit 1939 dhe ikja e tyre më 29 nëntor 1944. Brenda këtij kufiri kohor duhet të shihet dhe të analizohet kjo Luftë. Së dyti duhet të shikojmë palët që morën pjesë në këtë luftë. Palën kundërshtare e kemi të përcaktuar. Janë dy pushtuesit fashistë e nazistë, ardhja dhe largimi i të cilëve përcaktuan dhe kufijtë kohorë të kësaj Lufte. Nga pala shqiptare kemi Ushtrinë Nacionaçlirimtare nga njëra anë dhe Ballin Kombëtar dhe Legalitetin nga ana tjetër. Përderisa Balli Kombëtar dhe Legaliteti, nuk u përballën me pushtuesin, nuk mund t`i quajmë si pjesë e kësaj Lufte. Kush i pengoi këto forca politike të krijuara në Shqipëri të bënin një betejë me gjermanët, qoftë dhe të përbashkët? Kjo tregon se ato nuk ishin krijuar për të luftuar pushtuesin. Gjithë pesha e kësaj Lufte ra mbi Ushtrinë Nacionalçlirimtare. Pala shqiptare u rreshtua përballë kësaj lufte me 100 mijë luftëtarë. Të gjithë dolën në mal me vullnet të lirë, sepse organizimi i tyre nuk u bë nga institucionet shtetërore. Qeveria shqiptare, nëse mund ta quajmë qeveri, ishte nën urdhrat e pushtuesit dhe nuk kishte asnjë mundësi për të vepruar, edhe sikur të donte të vepronte. Tipari i kësaj lufte u përcaktua nga pjesëmarrësit e saj. Me vullnet të lirë, për një Shqipëri të lirë. Veçori e kësaj Lufte është pjesëmarrja masive e shqiptarëve. Për një Shqipëri që në fund të Luftës numëronte 800 mijë banorë, ne renditemi ndër vendet më antifashistë të Europës. Po ajo që ne na i shton më tepër lavdinë dhe krenarinë është se ne i dhamë kësaj lufte 28 mijë dëshmorë. Edhe nga numri i flijimeve, në raport me popullsinë, ne renditemi ndër ato vende që janë krenaria e Luftës Antifashiste europiane. Shpirti liridashës i shqiptarit u manifestua edhe tek pjesëmarrja e gruas. Raste të veçuara të pjesëmarrjes së gruas në Luftë kemi patur edhe më parë, por Lufta Nacionalçlirimtare rreshtoi 6 mijë gra dhe vajza që treguan po aq heroizëm sa dhe burrat. Për nga rëndësia e madhështia që ajo pati, është pika më e shndritshme në historinë e Shqipërisë. Çdo përpjekje për të zgjeruar kufijtë kohorë të kësaj Lufte apo për të shtuar si pjesë të saj grupime njerëzish që nuk u përfshinë në këtë Luftë, pra që nuk shënuan një betejë kundër dy pushtuesve të Shqipërisë, është e dështuar. Kjo Luftë ka vendin e saj në histori, një histori betejash dhe sakrificash që shkuan deri në vetëflijime. Ajo është një luftë që u bë për lirinë e Shqipërisë dhe shërben si simbol për të gjithë shqiptarët. Pushtuesit erdhën si armiq të të gjithë shqiptarëve dhe ata kur internonin dhe pushkatonin, nuk pyetën askënd se çfarë bindjesh politike kishin. Ndaj ajo është një luftë jashtë bindjeve politike të shqiptarëve të sotëm, por edhe të atij brezi që erdhi menjëherë pas tyre. Ndaj kjo luftë duhet të respektohet  ashtu siç respektohet çdo 9 maji në botë.  Me luftën tonë jemi krenarë para çdo populli në botë. Vetë misionet anglo-ameriakne e kanë vlerësuar luftën tonë dhe ne duhet ta nderojmë akoma më shumë. Duhet ta nderojmë pasi ajo ndaloi copëtimin e Shqipërisë pas kësaj lufte. Nqs do ishim radhitur përkrah humbësve, Shqipëria sot nuk do ishte kjo që është.

 

-Myfit Qorduka-Kolonel në rezervë: Beteja vendimtare ajo e Stalingradit

Deri tek dita e 9 majit ishin kryer me mijëra beteja, ishin vrarë miliona njerëz, ishin shkatërruar qindra qytete dhe dhjetëra shtete. Bota ishte në kolaps. Qielli në mbarë botën ishte i nxirë. Më 23 gusht, 1942, Gjermanët arritën Vollgën, në veri të Stalingradit. Gjermanët pa humbur kohë, do të bombardonin qytetin duke shkatërruar shtëpitë prej druri. Shkatërrimi i këtyre të fundit u bë me qëllim që të dëmtoheshin uzinat moderne të sovjetikëve. Më 23 shtator, Ushtria Gjermane kishte marrë në dorë këto fabrika dhe rrezja e veprimit të Ushtrisë Gjermane, ishte aq i gjerë sa që kishte nën kontroll të gjithë lumin. Sovjetikët do të sillnin përforcime dhe tashmë do të fillonte ajo që në histori u njoh si Beteja e Stalingradit. Në rrugët e Stalingradit, do të zhvilloheshin beteja të ashpra guerirlase. Duke qenë se të dy palët luftonin brenda në qytet, mendohet se luftimet trup më trup nuk kanë munguar. Lufta e egër, bëri që morali i trupave të të dyja palëve të binte. Edhe pse Gjermania po dëmtohej shumë nga kjo betejë, Hitleri nuk do të urdhëronte kurrë dorëheqjen. Von Paulus, i ndodhur në një gjendje të mjerueshme, do provonte edhe një herë një sulm kundra Sovjetikëve në fillimet e nëntorit. Tashmë Ushtria Gjermane kishte në dorë rreth 88% të qytetit, por me sa dukej, rezistenca e Ushtrisë së Kuqe, nuk do të binte bashkë me qytetin e shkatërruar. Ndërkohë që Ushtria Gjermane, futej akoma më thellë në qytet, Sovjetikët kishin forcuar krahët në rrethinat e Stalingradit. Në këtë mënyrë, Sovjetikët patën mundësi të rrethonin deri diku Ushtrinë Gjermane. Operacioni Uranus, në 19 nëntor, pati si bazë sulmimin e forcave gjermane nga të dyja krahët. Ky operacion korri sukses. Trupat Sovjetike do të takoheshin në Kalaç dhe 4 ditë më vonë, Divizioni i Gjashtë i Ushtrisë Gjermane, do të rrethohej i tëri. Kjo për ta ishte një grackë nga ku nuk do të ishte shumë e lehtë të dilnin. Divizioni i Gjashtë, kërkoi leje për të dalë nga rrethimi, por Hitleri nuk i lejoi, duke i premtuar se ata do të furnizoheshin nga qelli me ushqime, deri sa të shpëtoheshin. Megjithatë Sovjetikët nuk do të bënin sehir ndërkohë që Hitleri të sillte ndihmat. Në atë kohë, Sovjetikët do të lëshonin një sulm kundra forcave të ndodhura në afërsi të Moskës. Ky sulm i quajtur Operacioni Mars, kishte si synim ndërprerjen e kontakteve ndërmjet divizionit qendror me atë të divizionit në jug të Stalingradit. Me të shpejtë, Von Manstein do të formonte një batalion modest me ushtarë gjermanë, me qëllim për të shkuar në ndihmë ushtrisë që kishte ngecur në Stalingrad. Por ai do të afrohej vetëm 50 kilometra me ushtrinë e mbetur në brendësi të Stalingradit. Trupat Sovjetike, nuk do ta lejonin atë të ecte përpara qoftë edhe një metër me shumë. Në fund të vitit 1942, Divizioni i Gjashtë, ishte katandisur si mos më keq, pasi Luftëaffe (Forcat Ajrore Gjermane), nuk sillte as 1 të 6 e furnizimeve të nevojshme. Fieldmarshall Von Paulus do t’i dorëzohej Ushtrisë së Kuqe më 2.2.1943 duke mos parë rrugë tjetër shpëtimi. Nga ky vendim, 91 000 ushtarë Gjerman dhe 22 gjeneralë, do të binin në duart e Sovjetikëve. Kjo do të ishte lufta më e madhe në të gjithë historinë, si në shpenzime, ashtu edhe në humbje njerëzore. Mendohet se Gjermanët humbën rreth 850 000 ushtarë. Ndërsa gjithsej 2 milion njerëz do të vdisnin në këtë betejë (por kjo është e diskutueshme). Për më tej, e vërteta historike qëndron në faktin se ditët e para të majit dhe pikërisht më 2 maj 1945, dorëzohen forcat naziste gjermane që mbronin Berlinin. Po në këtë datë, gjenerali gjerman i Artilerisë, Helmuth Ëeidling, që ishte komandant i zonës së mbrojtjes së Berlinit i dorëzoi pa kushte qytetin e Berlinit gjeneralit sovjetik Vasili Çuikov. Në të njëjtën ditë, oficerët që komandonin ushtritë nazistë të grupit Vistula në veri të Berlinit, gjenerali Kurt von Tippelskirç që ishte komandant i armatës 21 naziste dhe gjeneral Hasso von Mantueffel, që ishte komandant i armatës së tretë Panzer, iu dorëzuan ushtrive aleate. Më 8 Maj mbi Rajstag ngrihet flamuri i fitores. .

Kapitullimi i Gjermanisë

Admirali Karl Dënic do të bëhej kryetari dhe udhëheqësi i Gjermanisë pas vetëvrasjes së Adolf Hitlerit. Tashmë ishte e qartë që lufta ishte e humbur. Trupat gjermane dorëzuan Berlinin në duart e sovjetikëve më 2 maj 1945. Forcat gjermane akoma vepruese në Itali do të dorëzoheshin te aleatët perëndimorë, në po të njëjtën datë. Dy ditë më vonë, trupat ushtarake gjermane në Danimarkë dhe Holandë do të vepronin në të njëjtën mënyrë. Kapitullimi i forcave gjermane në Itali do të ishte i diskutueshëm. Sovjetikët do të akuzonin Britaninë e Madhe dhe ShBA-të, pasi këta të fundit (gjithmonë sipas sovjetikëve), në mars të 1945-ës, me anë të “Operacionit Lindja e Diellit” (Operation Sunrise), në mënyrë sekrete po bënin marrëveshje paqeje me Gjermaninë. Ndërsa komandanti i trupave gjermane në Rheims të Francës, do të dorëzohej më 7 maj. Dorëzimi i tyre do të ndiqej nga festimi i “Ditës V-E” më 8 maj nga aleatët perëndimorë. 9 maji do të ishte dita e festimeve të fitores së sovjetikëve, edhe pse në të vërtetë grupe ushtarësh gjerman ë do të vazhdonin akoma luftën për t’u dorëzuar përfundimisht më 12 maj. Komandanti në terren i Ushtrisë së Kuqe, Georgi K. Zhukov do të parakalonte i hipur mbi kalë së bashku me Rokosovskin në “Sheshin e Kuq” më 24.06.1945 si shenjë e mposhtjes përfundimtare të regjimit nazist.

Por pasojat e kasaphanës së luftës së Dytë Botërore qenë të paimagjinueshme

 

 E tërë Evropa u shndërrua në një gërmadhe, ndërsa humbjet njerëzore qenë të llahtarshme: BS humbi rreth 27 milionë njerëz, Polonia – rreth 7 milionë, ish Jugosllavia rreth 2 milionë etj. Popullsia martire hebreje u godit në mënyrën më drastike: mbi 6 milionë viktima të pafajshme pësoi ky popull martir. Nga numri i popullsisë dhe humbjet materiale edhe Shqipëria renditet në vendet e para në kontinent. Bota do të dilte e shkatërruar nga Lufta e Dytë Botërore. Mendohet se gjatë viteve të luftës, rreth 62 000 000 në mos më shumë njerëz do të humbnin jetën, duke përfshirë edhe civilë. Ky numër është i barabartë me 2.5% të popullsisë së globit (në kohën e luftës). Nga këto humbje, mendohet se 12 000 000 persona kanë humbur jetën vetëm gjatë holokaustit. Në një skemë të thjeshtë, aleatët do të kishin humbjet më të mëdha. Aleatët patën 80% të humbjeve dhe Forcat e Boshtit do të kishin 20%-shin tjetër. Civilët do të kishin qenë ata që do të vuanin më shumë nga lufta. Shumë civilë do të humbnin jetën si pasojë e sëmundjeve, urisë, gjenocidit, dhe eksperimenteve ushtarake të kryera kryesisht nga forcat e boshtit. Në ditët e sotme e vetmja gjë që mund të bëhet është mos harrimi i dëshmorëve dhe të rënëvë të luftës duke shpresuar se një luftë e tillë nuk do të përfshijë më njerëzimin. Më poshtë paraqitet një listë e shifrave të të humburve ushtarakë në Luftën e Dytë Botërore:

  • Australia—40 400

  • Belgjika—12 100

  • Brazili—1 000

  • Japonia—2 000 000

  • Italia—306 400

  • Zelanda e Re—11 900

  • Bashkimi Sovjetik—10 700 000

  • ShBA—407 300

  • Britania e Madhe—382 600

  • Franca—212 000

  • Gjermania—5 500 000

  • Shqipëria—28 000

  • Kanadaja—45 300

  • Greqia—20 000

  • Kina—3 000 000

  • Totali në të gjithë botën—24 456 700

Kontrolloni gjithashtu

Albert Z. ZHOLI; Tafil Buzi, patrioti që hoqi vallen e jetës në buzë të greminës

Pa  dëshmor historia  e  një  kombi venitet, pa  heronj  historia  e një kombi  është destinuar  …