Albesian Salih Mataj (3.8.1982 - 28.2.1999)

Albesian Salih Mataj (3.8.1982 – 28.2.1999)

Dita e 28 shkurtit të vitit 1998, në historinë e betejave më të lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, u shënua me gjakun e Beqir Brahimit dhe të Rexhep Ajetit, që të dy të vatrës heroike të Rexhepëve të Qirezit, pjesëmarrës të luftimeve të përgjakshme në Qirez, kur plagoset edhe Sabit Lladrovci. Kështu edhe fillojnë ditët e luftimeve më të përgjakshme për Drenicën martire të Azem Bejtës, Shaban Polluzhës dhe Adem Jasharit, të sulmuar vetëm një ditë më parë, pra më 27 shkurt, fillojnë “Ditët e Qirezit dhe të Likashanit”.
Po në këtë ditë të vitit 1999 forca të shumta e të motorizuara të pushtuesit serb sërish sulmojnë krahun e pathyeshëm të Prekazit, por në radhë të parë planifikojnë që nga faqja e dheut ta zhbëjnë Taraxhën dhe Galicën, dy vatra këto të njohura për paramilitarët serbë e për forcat çetnike, kah kishin avancuar luftëtarët e lirisë më 27 shkurt. Ishte ëndërr e çetnikëve serbë që në Galicë ta marrin hakun e të parëve të humbur gjatë luftimeve kundër Azem Bejtës e Sadik Ramës. Në po këtë ditë Prekazi ende ishte i lirë, por nëpër fshat fillojnë të qarkullojnë vetëm misionarët e huaj, ndërsa luftime të përgjakshme forcat serbe çetnike i zhvillonin edhe kundër Brigadës 162 “Ahmet Kaçiku” deri në Gajre të Kaçanikut. Në këto luftime, përveç Driton Gafur Lokut të Pladenicës së Hanit të Elezit, përjetësohet edhe dëshmori i kombit Hetem Alush Hasaj i Gabrricës.
Intensiteti i luftimeve shënonte ngritje edhe në Zonën Operative të Rrafshit të Dukagjinit, por edhe të Pashtrikut. Forcat serbe, pas luftimeve të Janarit të njëmijë e nëntëqind e nëntëdhjetë e nëntës nëpër fshatrat Lumëbardh, Ratishë e Dashnoc, montojnë prita e pusi, vendosin kurtha të ndryshme e në njërën prej të këtillave, në fshatin Osek të Pashës, përjetësohet dëshmori i kombit Albesian Salih Mataj.
Dëshmori i kombit, Albesian Mataj, i Salihut dhe i Syzanës, bijë e Arllatëve të Gjakovës, u lind në Gjakovë më 3 gusht të vitit 1982. Prindërve të tij i mbetën edhe dy djem: Labinoti e Dukagjini.
Shkollën fillore, Albesiani e kreu në vendlindje, kurse shkollimin e vazhdoi në Shkollën e Mesme Ekonomike të Gjakovës, por të cilën nuk arriti ta përfundojë për shkak të ndjekjeve të vazhdueshne që i bëheshin familjes shumë të ndjekur e të persekutuar të Salih Matajt. Si fëmijë, Albesiani ishte temperament dhe me shpirt luftarak, ndërsa si i ri, mori pjesë në demonstratat e Gjakovës për çka ra në sy të udbashëve të cilët e përcollën një kohë të gjatë, e arrestuan dhe e rrahën rëndë fizikisht.
Albesiani plot mllef e urrejtje ndaj sunduesve serbë, kishte refuzuar ta nxjirrte letërnjoftimin nga administrata serbe, duke u betuar se këtë dokument do ta merrte vetëm me shqiponjën dykrenare dhe ngjyrat kuq e zi, ose, në të kundërtën, nuk do ta merrte fare.
Në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Albesiani ishte radhitur më 23 mars të vitit 1998, në lagjen e Gacaferëve të Junikut dhe ishte sistemuar në formacionin e eprorit Nimon Tofaj, e kështu bëhet luftëtar në Zonën Operative të Rrafshit të Dukagjinit. Mori pjesë në betejën e Junikut, kurse pas rënies së kësaj arealeje luftarake në duart e çetnikëve serbë, Albesiani kaloi në Gllogjan dhe më 10 dhjetor të vitit 1998 gjendet në vijat e para të luftimeve. Si luftëtar veproi në të gjithë sektorët duke u nisur prej logjistikës e deri në veprimet operative. Disa herë shkoi në Shqipërinë administrative për furnizim me armatim. Në fillim ishte radhitur në njësitin e udhëhequr nga Daut Haradinaj, ndërsa më vonë në njësitin “Shqiponjat e Zeza” i udhëhequr nga togeri Idriz Balaj. Në këtë njësit Albesiani ishte shquar për vendosmëri dhe heroizëm. Mori pjesë në shumë aksione luftarake, në Junik, Irzniq, Gllogjan, Ratishë e Prejlep, por më 28 shkurt, afër fshatit Osek – Pashë, jo larg shtëpisë dhe familjes, në rrugën Gjakovë – Osek-Pashë, gjatë kryerjes së një detyre në vëzhgim të aksit të magjistrales Gjakovë-Deçan, bie në pritën e kurthuar nga forcat çetnike serbe, kur edhe përjetësohet në altarin e lirisë.
Trupin e Albesianit të rënë kishte arritur ta marrë policia serbe, por në saje të identifikimit që bëri dr. Faton Hoxha, nëpërmes misionarëve të OSBE-së, familja e Albesianit kishte arritur ta marrë trupin e tij, të cilin e kishte përcjell në amshim më 3 mars të vitit 1999, në “Varrezat e Qytetit” të Gjakovës.
Sot trupi i dëshmorit Albesian Mataj pushon në “Kopshtin e Dëshmorëve” pranë “Kullës së Rezistencës” në fshatin Gllogjan. Për dëshmorin Albesian Mataj, trimërinë, heroizmin dhe gatishmërinë e tij për t’u flijuar në altarin e lirisë janë publikuar shkrime në të përditshme të ndryshme të botuara në Kosovë, i “Kosova sot”, “Koha ditore” etj., ndërsa atij iu kushtuan edhe vargje këngësh, të kënduara nga Fatmir Mirovci, Muhamet Sejdiu dhe Flamur Belkja. Në vendin e rënies, në Osek-Pashë, familja Mataj ia ngriti të birit dëshmor një lapidar modest dhe sot kjo familje është krenare për Matajt e rënë në altarin e lirisë: Ademin, Zenunin dhe Albesianin. (S. C.)

Kontrolloni gjithashtu

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Dëshmori i kombit, Ilmi Aliu, u lind në Izbicë të Drenicës, në vjeshtën e vitit …