Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka thënë se këto ditë, prej datës 5 e deri në 7 mars, e gjithë Kosova, madje e gjithë shqiptaria, përkujton me respekt e nderim trimërinë dhe sakrificën, forcën dhe vendosmërinë, kontributin dhe mësimin e familjes Jashari. “21 vite më parë, në orët e hershme, pa aguar ende 5 marsi, forca të shumta të ushtrisë serbe, me mjete të blinduara, me tanke e me artileri, rrethuan shtëpitë e Jasharëve në Prekaz. Ata kërkonin të ndalnin zemrën e qëndresës shqiptare kundër mizorisë serbe. E kjo zemër e fuqishme e qëndresës së kombit tonë, ishte e përmasave vërtet heroike. Kjo zemër ishte vetë Adem Jashari, kryeluftëtari i lirisë. Me rënien e tij heroike, bashkë me 57 dëshmorët e tjerë të Prekazit, Adem Jashari u bë mësues i kombit shqiptar, i mësoi mësimin e vyer të rezistencës me çdo kusht, kundër robërisë, për lirinë. Kështu ky kryetrim i lindur në 28 nëntor e i rënë në 7 mars, me jetën dhe me vdekjen e vet, i rigjallëroi këto dy data të shenjta, u dha atyre më shumë kuptim ka thënë mes tjerash Albin Kurti.
