Kryeministri Albin Kurti, i cili bashkë me ministrin, Sveçla rregullisht raportojnë për çdo zhvillim në veri të vendit, ka deklaruar se informatat preliminare të autoriteteve të Kosovës tregojnë se shumica dërmuese e personave të përfshirë në sulmin ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit janë ose pjesëtarë të organizatës, Mbrojtja Civile ose të Brigadës Veriore – të dyja të shpallura terroriste në Kosovë, në qershor të këtij viti. Sipas Kurtit, çështja më e rëndësishme aktualisht është siguria e Kosovës dhe ndëshkimi për sulmuesit e Policisë së Kosovës. Ndëshkimi për sulmuesit nënkupton ndëshkimin e Serbisë, e cila e mbështeti financiarisht, ushtarakisht, logjistikisht, politikisht, publikisht, zyrtarisht, atë që ndodhi në Banjskë të Zveçanit, por në të njëjtën kohë edhe ekstradimi, dorëzimi i të gjithë atyre, të cilët janë duke u përndjekur, sepse ikën nga vendi i krimit dhe nga shteti ynë”, ka thënë Kurti në një tryezë të Institutit të Prishtinës për Studime Politike lidhur me arritjet e deritanishme dhe pritjet nga Procesi i Berlinit. (Rel)