Retorika politike e kryeministrit, Albin Kurti dhe e kryetares, Vjosa Osmani për Masakrën dhe dëbimin e 12.ooo mijë shqiptarëve nga Veriu i Mitrovicës, natën e tre dhe 4 shkurtit të vitit 2000, është retorikë hipokrite, për të mos thënë edhe diçka më zi, sepse i vetmi kriminel që është dënuar për atë rast, nga Gjykata e Kosovës është, Oliver Ivanoviqi, të cilin këta dy krerë e kanë shpallur martir të demokracisë. Sipas vlerësimit të Albin Kurtit, me të cilin pajtohet Qeveria, Vetëvendosja, zonja Osmani z. Konjufca, e të tjerë, Oliveri ka qenë “një person i përkushtuar për të luftuar për interesat e komunitetit dhe qytetit të tij, në Mitrovicë, ndërsa këtë e ka bërë duke qenë i hapur, i sinqertë, gjithmonë i mprehtë në çështjet me rëndësi, por edhe i respektueshëm edhe ndaj atyre me të cilët nuk ishte dakord”. nga ky pasus del se Mitrovica paska qenë qyteti i tij, nga i cili ka dëbuar 12.000 shqiptarë, duke vrarë dhjetë prej tyre. Gjashtë vjet më parë, Oliver Ivanoviq u vra në rrugët e Mitrovicës.
