Kryeministri Albin Kurti, gjatë takimeve tri ditore në Munih nuk arriti ta takojë Sekretarin Amerikan të Shtetit, Anthony Blinken. Gjatë kësaj kohe të vetmin kontakt me diplomacinë amerikane, Kurti e pati nëpërmjet një telefonate. Ai që e thirri, ishte Derek Chollet, një këshilltar Special i Departamentit të Shtetit, rang nënsekretari, që tregoi se ka pasur një bisedë të shkëlqyeshme me Kryeministrin e Kosovës, ndërsa njoftoi se në qendër të bisedës ishte mbajtja e zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë më 3 Prill. Por, për çudi Kurti nuk njoftoi fare për këtë bisedë, këtë nuk e bëri as zyra për media e Qeverisë, e cila njoftoi për secilin aktivitet që shefi i qeverisë pati në Gjermani. Që prej vitit të kaluar, është folur shumë për një takim të munguar Kurti-Blinken. Eksponentë të opozitës, duke parë që Kurti nuk po udhëton përtej Atlantikut, nuk hezituan të thonë se arsyeja që nuk ka vizitë në Amerikë, për takime të nivelit shtetëror, është e natyrës politike, e jo e karakterit teknik çfarë ishte përshkruar nga zyrtarë të Qeverisë.
