Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka mbajtur fjalim në Samitin e Prespës ku nuk ka lënë pa përmendur zhgënjimin e tij me mospërmbushjen e premtimit të BE-së për heqjen e vizave. Kurti këto fjalë i tha kur foli për mos-hapjen e negociatave nga BE për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, duke aluduar se Kosova e di ndjenjën e zhgënjimit nga mos-realizimi i zotimeve nga ana e Bashkimit Evropian. Sipas tij, në vend që vendet e Ballkanit të vazhdojnë ndjesinë e frustrimit me vendet e BE-së, duhet fillimisht ta pyesin veten se çka mund të bëjnë për të arritur aty. Kurti theksoi se vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të punojnë që të bëhen anëtarë të BE-së. E sipas tij kjo mund arritet vetëm nëse vendet e Ballkanit e pranojnë të vërtetën historike dhe realitetin. Kryeministri Kurti nuk foli mirë për Mini-Shengenin para kryeministrit Rama. Këtë nismë ai e quajti si diçka që nuk ka vizion për rajonin dhe të cilin Kosova e kundërshton ashpër.
