Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në konferencën për media pas takimit me kancelarin austriak, ka folur edhe për zgjedhjet serbe të 3 prillit, lejimin e organizimit të të cilave e kërkon Serbia dhe faktori ndërkombëtar. Kurti ka thënë se Kosova dëshiron që të respektohet Kushtetuta, ligji dhe Rezoluta e 15 janarit të këtij viti e cila pamundësoi organizimin e referendumit të Serbisë brenda territorit të Kosovës. Ai thotë se s’duan që të pengojnë apo pamundësojnë të drejtën e qytetarëve të Kosovës me shtetësi të Serbisë që të shfrytëzojnë të drejtën e votës. “Kemi diskutuar edhe për raportin me Serbinë dhe nuk kemi diskutuar veçanërisht për çështjen e zgjedhjeve të 3 prillit që i organizon Serbia. Ne dëshirojmë që në Kosovë të respektohet Kushtetuta, ligji dhe Rezoluta e 15 janarit të këtij viti. Ndërkaq nuk duam që t’ia pengojmë, t’ia pamundësojmë qytetarëve të Kosovës që mund të kenë edhe pasaportë të Serbisë të drejtën e tyre të votës”, ka thënë Kurti. Duke folur lidhur me mundësinë që këto zgjedhje mund të përdoren për destabilizim, Kurti ka thënë se mund të ketë të tillë që dëshirojnë probleme, por të tillët s’janë në radhët e popullit tonë, as pjesë e institucioneve të Kosovës.
Kontrolloni gjithashtu
Deputetja e LDK-së, Doarsa Kica-Xhelili reagoi kundër kallëzimit penal të ministrit Faton Peci
Deputetja e LDK-së, Doarsa Kica-Xhelili, ka reaguar ndaj kallëzimit penal të paraqitur nga ministri i …