Albin Kurti

Albin Kurti: Nuk ka bashkërendimi të politikave të jashtme e të mbrojtjes mes Tiranës e Prishtinës

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, në një shkrim të tijin, ka tërhequr vëmendjen për mungesën e një bashkërendimi të politikave të jashtme, të mbrojtjes e të brendshme mes Tiranës e Prishtinës. Kurti duke folur për 10-vjetorin e  anëtarësimit të Shqipërisë dhe Kroacisë në NATO thekson se hyrja në Aleancë e këtyre vendeve në të njëjtën datë nuk duhet konsideruar e rastësishme.

10 vite më parë, në samitin e NATO-s të mbajtur në Strasburg e në Kiel, u anëtarësuan në këtë aleancë Shqipëria e Kroacia. Për ne si shqiptarë kjo datë është e rëndësishme, pasi e përforcon pozitën gjeopolitike të Shqipërisë e të shqiptarëve në rajonin e Ballkanit ku gjithnjë ka pasur e do të ketë interesa hegjemonike nga shtete e kapital që kontrollohet prej Rusisë.

Anëtarësimi në NATO është një përparim i rëndësishëm për Shqipërinë. Por, në vend se të lexohet si hyrje në një strukturë që e mundëson forcimin e kapaciteteve njerëzore, teknike dhe ekonomike për ushtrinë, shpesh hyrja në NATO është interpretuar si një heqje qafe e ushtrisë, se “tani do të na mbrojë NATO-ja”. Ky interpretim është i gabuar, pasi NATO është aleancë, e në aleancë duhet të kontribuojnë të gjithë proporcionalisht. Nuk është supermarket, ku hyn si klient për të blerë mbrojtje. Fundja, NATO nuk ka armatim të vetin, por veçse atë të vendeve anëtare. Prandaj është gabim të mendohet se mjafton të hysh në NATO si territor, pa hyrë edhe me ushtri.

Hyrja në NATO e Shqipërisë në të njëjtën datë me Kroacinë nuk duhet konsideruar e rastësishme. Asaj i parapriu «Karta e Adriatikut», e cila ishte projekti për të penguar daljen e Rusisë përmes Serbisë në detin Adriatik.

Koncepti i NATO-s për bashkërendimin e Kroacisë me Shqipërinë, është një thirrje për rritjen e bashkëpunimit Tiranë-Zagreb, i cili e ka potencialin të jetë një bosht me interes, si për zhvillimin ekonomik e infrastrukturor, ashtu edhe për politikat e sigurisë e të mbrojtjes.

Vizioni më i përshtatshëm gjeostrategjik për shqiptarët do të mund të ishte trekëndëshi primar Shqipëri – Kroaci – Bullgari, i shoqëruar nga trekëndëshi i dytë Mal i Zi – Maqedoni – Bosnje e Hercegovinë.

Në një kuadër të tillë gjeopolitik, brenda aleancës veri-atlantike, sigurohen e përparohen më së miri interesat e shqiptarëve e të vendeve e popujve miqësorë në Ballkan.

Por, realizimi i një vizioni të tillë do të kërkonte paraprakisht një bashkërendim të politikave të jashtme, të mbrojtjes e të brendshme mes Tiranës e Prishtinës, të cilin aktualisht nuk e kemi, sepse mungon puna e vullneti i atyre në pushtet.

Kontrolloni gjithashtu

Albin Kurti: Brukseli dhe Uashingtoni bënë padrejtësi ndaj Kosovës duke i vendosur masa ndëshkuese

Albin Kurti, në një intervistë për median zvicerane “NZZ”, thotë se Perëndimi po tregohet ‘shumë naiv’ me Beogradin zyrtar

Albin Kurti,  në një intervistë për median zvicerane “NZZ”, thotë se Perëndimi po tregohet ‘shumë naiv’me …