Kryeministri i shkarkuar, Albin Kurti, ka thënë se nuk e di se cili do të jetë reagimi qytetar dhe i Lëvizjes Vetëvendosje nëse vendimi i Gjykatës Kushtetuese nuk do të jetë në favor të partisë që ai drejton. Por, Kurti ka shprehur mendimin se, edhe nëse do të ketë protesta, ato mund të mos jenë të dhunshme. Sipas Kurtit protestat i bëjnë qytetarët, i bëjnë edhe aktivistët tanë. Ai vë qytetarët në radhë të parë, si shprehje të gjoja vullnetit të tyre, të cilin e mbështet Vetëvendosja dhe anashkalon rastin që janë pikërisht militantët e Vetëvendosjes ata që kanë paralajmëruar madje edhe gjakderdhje, por edhe kanë zhvilluar prova protestash në kohë të pandemisë. Kurti krejt hapur shprehet se verdiktin e Gjykatës do ta pranojë vetëm nëse ai është në favor të tij. Unë jam i gatshëm ta pranoj çdo vendim të gjykatës i cili është interpretim i Kushtetutës, por nuk jam i gatshëm të pranoj shkrim të Kushtetutës, ka thënë Kurti, duke lënë të kuptohet si nuk do të lëshojë pe, nëse vendimi nuk do të jetë në favor të tij.
