Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, në një tryezë të përbashkët me përfaqësuesit Kosovës Lindore ka thënë se shqiptarët e kësaj treve kanë paguar çmimin më të lartë përgjatë viteve. Ju e keni paguar çmimin më të lartë sepse keni mbetur edhe jashtë Kosovës dhe jashtë Shqipërisë. Kosova ka një flamur ku nuk e shihni veten. Juve, edhe Tirana e edhe Prishtina iu kanë borxh. Ndërkohë, teksa foli për opsionin e shkëmbimit të territoreve, Kurti tha se deklaratat e tilla ngjajnë sikurse termat e ekonomisë, të cilat sipas tij, janë të papranueshme. Besojmë që fjala shkëmbim, fjala këmbim, që i përket gjuhës së tregut në ekonomi, nuk është e pranueshme për një çështje jetike kombëtare, siç është ajo e Preshevës, Medvegjës e Bujanocit. Arsyeja pse neve po na duket që bëhet fjalë për një mashtrim të ri vjen nga fakti se gjithçka po tregon se ideja e shkëmbimit të territoreve apo e korrigjimit të kufijve më shumë është në funksion të një lloj të krijimit të atmosferës ku një status special për veriun e Kosovës bëhet më i kollajshëm në emër të një premtimi për kompensim në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc, gjë që nuk po duket askund në horizont, tha mes tjerash, Albin Kurti.
