Në radhën e bisedave dhe intervistave të Radios-Kosova e Lirë, me bijë dhe bija të dëshmorëve të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kësaj radhe kemi zhvilluar një intervistë me zonjën, Albiona Muçaj, bija e luftëtarit të përkushtuar lirisë, dëshmorit të kombit, Besnik Muçaj.
RKL: Mirë se vini në Radion Kosova e Lirë, e nderuar Albiona Besnik Muçaj
Albiona Besnik Muçaj: Faleminderit shumë e nderuar Arbana, e mirë se ju gjej.
RKL: E dashur Albiona, kur ka rënë babi Juaj dëshmor, ju i keni pasur vetëm pesë vjet, si e mbani mend kur e kujtoni sot pas 21 viteve?
Albiona Besnik Muçaj: Ndihem e fortë e me fat, që jam bijë e një dëshmori siç ishte babi im trim e luftëtar i lirisë. E kujtoj babin gjithherë me nostalgji për ditët muajt e vitet që kalova me të e u rrita pranë tij me plot dashuri, që isha edhe gëzimi i parë i shtëpisë. E kujtoj si sot gëzimin e babit tim, kur unë u regjistrova në parashkollore. Ai më shoqëronte dhe dorë por dorë, të dytë bashkë, për çdo ditë më çonte për në shkollë. Por si pesë- vjeçare që isha asokohe unë nuk dija shumë për luftën që zhvillohej, nuk e dija se njeriu vdes e nuk kthehet më… Isha tepër e re për ta kuptuar atë.
Babi ra dëshmor në Malet e Vraniqit të Therandës, në frontet e luftës çlirimtare, më 2 prill të vitit 1999. Babi im ka qenë në aktivitete bashkë me shokët e tij të fshatit çdo ditë e çdo natë.
Ne ishim familje e ngushtë, dy prindërit e mi unë e vëllai 1 vjeç e gjysmë, e pjesa tjetër e familjes ishin jashtë vendit, në Zvicër.
Babi, pas një kohe na dërgoi në Prizren te familja e mamit, te dajat, ndërsa ai vet iu bashkua shokëve në front si ushtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Mu atë ditë kur kishte rënë babai, mbaj mend se ne, ashtu si mijëra të tjerë ishim nisur për në Shqipëri. Aty qëndruam 2 muaj e pastaj, gjyshi na mori pranë vetes, në Zvicër. Atje qëndruam për 3 vite derisa u kthyem në Kosovë.
RKL: Ku jeni sot Ju fëmijët e dëshmorit, a studioni, a punoni?
Albiona Besnik Muçaj: Ne fëmijët e tij, të dy jemi të martuar. Unë jam nënë e dy vajzave, jam e papunë. Vëllai është i martuar. Ai jeton në Zvicër. U detyrua të rrugën e mërgimit.
Gjendja e rëndë ekonomike e familjes dhe si i pa punë që ishte, u detyrua ta lëshojë Kosovën, edhe pse i vetmi djalë në familje dhe djalë i dëshmorit, ai e la nënën të vetmuar të mërzitur për burrin dëshmor e për djalin e vetëm, që tani nuk e ka pranë.
Të tilla janë dhimbjet, trishtimi, mërzia e dëshpërimi që po përjetojmë çdo ditë e më shumë.
RKL: E nderuar Albiona, cili është mendimi i Juaj, lidhur me trajtimin e familjeve të dëshmorëve nga qeveritë e pasluftës?
Albiona Besnik Muçaj: Lufta ishte e shenjtë, ata dhanë jetën për liri. Gjaku i tyre e derdh rrëke kudo në Kosovë, me qëllim që ne sot ta gëzojmë lirinë e atdheut, për shumë shekuj nën robëri. Mendoj se qeveritë e pas luftës shpejt e harruan gjakun e tyre…
RKL: Cila është përkrahja konkrete që keni marrë nga shoqëria dhe nga institucionet e vendit dhe a mjafton ajo?
Albiona Besnik Muçaj: Nga përkrahje shtetërore përveç pensionit të dëshmorit që e merr mami, komuna i ka ndarë edhe një banesë, të cilën e ka me kontratë dhe jo me vendim. Tjetër përkrahje institucionale nuk merr.
RKL: A mendoni se po bëjmë mjaft për të quar në vend amanetin e dëshmorëve?
Albiona Besnik Muçaj: Fatkeqësisht, jo. Disa nga ata, jo të gjithë, ishin të parët që shkelen mbi gjakun e dëshmoreve, përfituan duke anashkaluar të gjallët. Lanë anash shtresën më të vuajtur të kombit, familjarët e dëshmorëve. Andaj jo vetëm ne familjaret e dëshmorëve, po të gjithë duhet ta ngrehim zërin kundër këtyre padrejtësive që po bahen jo vetëm ndaj nesh si familjarë, por edhe ndaj mbarë popullit që po vuan.
Duhet të qohet në vend AMANETI i dëshmorëve të Kombit.
Amaneti i Babit tim HEROIT tim, frymëzimit tim të heshtur.
RKL:E nderuar Albiona të falënderojmë se u bëre pjesë e intervistave në Radion Kosova e Lirë. Suksese dhe shëndet!
Albiona Besnik Muçaj: Faleminderit e nderuar Redaksi e Radios Kosova e Lirë, respekt për punën Tuaj. Suksese!…