Dy partitë fituese të zgjedhjeve të 6 tetorit ende nuk e kanë arritur ujdinë për formimin e qeverisë së re. Për ish-partitë e koalicionit PAN mosdakordimi i Lëvizjes Vetëvendosje me Lidhjen Demokratike të Kosovës e ka shpërfaqur luftën e tyre për pushtet dhe jo dëshirën për ta nxjerrë vendin nga paraliza institucionale. Kësisoj, edhe nëse formohet qeveria nga këto dy parti ish-qeveritarët theksojnë se do ta ketë jetën e shkurtër. Albulena Balaj-Halimaj, nga Nisma Socialdemokrate, e cila do të jetë pjesë e legjislaturës së shtatë të Kuvendit të Kosovës si deputete e kësaj partie, ka kritikuar Vetëvendosjen për qasjen e saj “kryeneçe” në arritjen e marrëveshjes për koalicion. Balaj është shprehur se me këto lloje sjelljesh vendi mund të shkojë sërish në zgjedhje. Ndërsa përpjekjet mes LDK-së e Vetëvendosjes për të marrë presidentin Balaj i ka krahasuar me veprën satirike të Miguel de Cervantesit “Don Kishoti”, ku heroi i veprës në mënyrë imagjinare mundohet t’i arrijë qëllimet e tij. Sipas saj, posedimi i kësaj pozite nga këto parti mund të konsiderohet joreal, sepse nuk do të arrihet pa miratimin ose pa kuorumin e opozitës së ardhshme.