Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka akuzuar partitë opozitare për bllokimin e procesit të konstituimit të Kuvendit të Kosovës, duke i cilësuar kërkesat e tyre si të papërputhshme me Rregulloren e Punës së Kuvendit. Në një deklaratë për media pas ndërprerjes së seancës, Haxhiu tha se Rregullorja nuk parasheh debat politik gjatë seancës konstituive, duke kundërshtuar pretendimet e LDK-së se ftesa e kryesuesit Avni Dehari për konsultime ishte jashtë kornizës procedurale. “E kemi përshëndetur ftesën e kryesuesit. AAK-ja kërkoi të vazhdohet aty ku kemi mbetur, por kjo nuk mund të ndodhë pa miratimin e raportit për verifikimin e mandateve”, tha Haxhiu. Ajo gjithashtu reagoi ndaj kërkesave të PDK-së për dorëheqjen e ministrave në detyrë para betimit si deputetë, duke sqaruar se dorëheqjet janë dorëzuar para seancës konstituive dhe se KQZ është njoftuar zyrtarisht për këtë.
