Albulena Haxhiu: Emri i Peticionit është “Kosova Republikë e Pavarur”

Të hënën më 23 nëntor, Opozita e Bashkuar, dorëzoi peticionin me 205.254 nënshkrimeve te kryetarja Atifete Jahjaga. Në nenin 83 të Kushtetutës së Republikës sanksionohet se “Presidenti është kreu i shtetit dhe përfaqëson unitetin e popullit”, në rrethanat e jashtëzakonshme nëpër të cilat po kalojmë është po ashtu institucioni i vetëm ku mund të paraqitej vullneti politik i qytetarëve. Pra kundërshtimi i tyre karshi marrëveshjeve që po na e shthurin shtetin dhe po na e rrezikojnë Republikën.

 

Kosova nga Republikë parlamentare ka rrëshqitur në një organizim qeveritar. Sot mazhoranca në Kuvendin e Republikës së Kosovës është në shkallën e fundit drejt degradimit. Ata po i japin pamjen e makinës së votimit përfaqësimit të vullnetit politik të qytetarëve. Deputetët e mazhorancës me pak përjashtime herë shndërrohen në shërbëtor të qeverisë dhe herë si shërbëtor të ca burokratëve ndërkombëtarë por assesi në shërbëtorë të qytetarëve. Po pra është po ky Kuvend, në të cilin shqyrtohen ligje shpejt e shpejt, votohet duke bërë trysni dhe shantazh tek deputetët (rasti i Gjykatës Speciale dhe jo vetëm), Kryeministri bashkë me ministra injorojnë deputetët gjatë kohës së pyetjeve parlamentare, ministrat injorojnë ftesat në komisionet parlamentare, nuk përgjigjen në thirrjet për interpelancë, nuk votohen komisione hetimore për SHIK-un dhe hetimin e skandaleve në RTK, votohen militantë partiakë në borde, agjenci dhe institucione të pavarura siç ishte rasti me Këshillin Gjyqësor dhe Gjykatën Kushtetuese. Një anarki e vërtetë.

 

Në rrethana të tjera padyshim që peticionet shqyrtohen nga Komisionin për të drejtat e njeriut, pikërisht në ketë komision i cili ka vepruar padrejtësisht të paktën në dy raste të peticioneve. Në peticionin e 33 mijë nënshkrimeve për mosngritjen e çmimit të energjisë elektrike dhe atë me mbi 11 mijë nënshkrime për angazhimin në zbardhjen e rastit të Ukshin Hotit, ku Komisioni për të drejtat e njeriut rrënjësisht ka ndryshuar kërkesat e qytetarëve. Qytetarët e angazhuar në ato dy peticione na patën përcjell zhgënjim e madh për faktin se qeveria i ka futur duart kudo.

 

Ky lloj i mazhorancës nuk është garanci as për paqe sociale e prosperitet, as për shtet të së drejtës e as për zhvillim ekonomik. Pra çfarë këta po i përcjellin prej kohësh qytetarëve është parrulla “kqyr bëja diqysh për vete”, pra ik nga të mundesh leje shtetin e vendin se “nuk bëhet”. Peticioni i organizuar për rreth 1 muaj është një përgjigje që duhet mbajtur mend. Aty në fakt, në thelb të tij deklarohet se NE nuk ikim. Ne jemi këtu në Kosovë për Kosovën. Nuk e japim Republikën e shtetin për asnjë çmim.

Nuk mbahet mend që nga paslufta, të ketë pasur peticion aq të madh dhe të organizuar për shumë pak ditë.

 

Komunikimi zyrtar nga Presidenca le në një lloj kuptimi idenë se dërgimi në Kushtetuese i “Zajednicës” është deri diku mision i kryer sa i takon Presidentes. Ne në fakt i kemi dorëzuar asaj Peticionin që kërkon tërheqjen e 4 marrëveshjeve të nënshkruara në Bruksel, pra atë për “Zajednicën”, atë për Kodin shtetëror telefonik, për ElektroSeverin, për ndarjen e re të Suhodollit në Mitrovicë si dhe marrëveshjen e nënshkruar nga Ministri i Jashtëm Hashim Thaçi për demarkacionin me Malin e Zi. Presidentja me kushtetutë është shefja e Politikës së Jashtme të Kosovës dhe si e tillë ka të gjitha mundësitë t’i drejtohet institucioneve ndërkombëtare lidhur me qëndrimet e Republikës së Kosovës. Si dhe në politikën e brendshme së paku duhet t’i thërrasë në përgjegjësi Ministrin e Jashtëm dhe Kryeministrin e po ashtu t’i drejtohet atyre dhe në emër të këtyre qindra mijra nënshkrimeve që i ka tashmë zyrtarisht të dorëzuara.

 

Pra, përmbushja e obligimit kushtetues nga Presidentja pritet të ndodhë sepse s’ka ndodhur ende.

 

Sa i takon Gjykatës Kushtetuese praktikisht përbërja e kolegjit të saj të gjyqtarëve e ka humbur besueshmërinë prej kohësh. Aty një grup nuk janë fare me mandat kushtetues e janë qytetarë të vendeve të tjera. Sot po ashtu në krye të kësaj Gjykate, është zonja Arta Rama Hajrizi, e cila së bashku me Enver Hasanin, dyshohen për falsifikim të kuorumit të tre gjyqtarëve ndërkombëtar (mandat ky që Jahjaga ia kishte vazhduar duke shkelur Kushtetutën). Ndërsa si institucion për shkak të këtyre vendimeve si heqja dorë nga shqyrtimi i marrëveshjes së 19 prillit të vitit 2013 e deri tek moslejimi që shumica ta krijojë qeverinë por edhe tek vendimi skandaloz për amendamentimin e kushtetutës për Gjykatën Speciale.

 

Presidentja e vendit, nëse asgjë tjetër, të paktën do të duhej të kishte marrë mundin që këtë marrëveshje ta dërgonte në Komisionin e Venecias, meqë këtë mundësi nuk e ka opozita.

 

Nënshkrimet e 205.254 qytetarëve dhe e gjithë opozita e presin Presidenten të veprojë. Pra nuk mjafton dërgimi në Kushtetuese. Institucioni i saj ka ende shume punë për të bërë.

 

Komunikatat si ajo e fundit nga zyra e saj lënë shijen e shpërfilljes se këtyre qindra mijëra nënshkrimeve sepse qytetarët nuk kanë kërkuar në Peticion “tavolinë” ku flasin liderët por tërheqjen e marrëveshjeve.

 

Kështu që znj.Presidente nuk mund të diskutohet për ulje në tavolina pa ndryshim rrethanash, pra pa parë një gatishmëri të Isa Mustafës dhe Hashim Thaçit për t’u tërhequr nga këto marrëveshje.

 

Presidentja Jahjaga prej kohës sa mban këtë pozicion, nuk mbaj mend të ketë përfaqësuar unitetin e popullit, as vitin e kaluar, pas zgjedhjeve parlamentare që ka mbajtur rol tërësisht të njëanshëm.  Meqë është në përfundim të mandatit të saj, të paktën le ta përfundojë me dinjitet këtë detyrë. Kësisoj ndoshta do t’i justifikohet rreshtimi përkrah qeverisë dhe shkelja mbi unitetit të popullit.

 

Presidente, emri i vërtetë i Peticionit është Kosova një Republikë e pavarur. Një Republikë e qytetarëve të saj dhe e institucioneve të popullit. Ke rastin të jesh pjesë e këtij konfirmimi të madh qytetar.  

Kontrolloni gjithashtu

Dilaver Goxhaj: RKL dhe Kosovapress ishin dhe mbeten Ylli Polar për Luftën Çlirimtare në Kosovë

Dilaver Goxhaj: PËRFUNDIME TË DALA PREJ ANALIZAVE KRITIKE NDAJ LIBRIT “Dosja Amerikane për Shqipërinë Koministe”, me autorë  Bejtullah Destani dhe Visar Zhiti

Bazuar në faktet dhe analizën e luftës 10-vjeçare,  Dhjetor 1944- Dhjetor 1953, midis Forcave të …