Aleanca Veri-Atlantike pret që kryeministri i ardhshëm të jetë i përkushtuar për një Kosovë të sigurt dhe të qëndrueshme, si dhe të bashkëpunojë me NATO-n dhe KFOR-in për sigurinë rajonale. Burime nga NATO kanë bërë të ditur se pas zgjedhjeve, aleanca pret një udhëheqës të gatshëm për dialogun Kosovë-Serbi dhe për adresimin e sfidave të sigurisë. NATO vlerëson situatën aktuale në Kosovë si të qetë, por të brishtë, duke përmendur tensionet e përsëritura dhe sulmet kundër KFOR-it dhe Policisë së Kosovës. Për këtë arsye, KFOR-i ka pasur përforcimin më të madh që nga viti 1999. Ndërkohë, të enjten, ministrat e mbrojtjes të vendeve anëtare do të mblidhen në Bruksel për të diskutuar mbi sigurinë, shpenzimet për mbrojtjen dhe mbështetjen ndaj Ukrainës, si dhe për misionin e KFOR-it në Kosovë, të cilin NATO e konsideron kyç për stabilitetin në Ballkan.