Në kuadër të procesit të brendshëm zgjedhor, në prani të 160 delegatëve dhe një numri të madh të të rinjve, dega e Aleancës Kosova e Re në Drenas, ka mbajtur Kuvendin Zgjedhor të Forumit Rinor. Në punimet e Kuvendit ka qenë i pranishëm edhe Presidenti i Aleancës Kosova e Re, Behxhet Pacolli, i cili në fjalën e tij përshëndetëse i falënderoi të rinjtë që e kanë zgjedhur AKR-në dhe deklaroi që do të punojë pa ndërprerë për rininë. “Ju jeni shtylla e kësaj shoqërie, ju jeni e tashmja dhe e ardhmja e vendit tonë dhe meritoni një jetë me të mirë”, tha i pari i AKR-së, duke shtuar se rinia duhet të ketë më shumë hapësirë për veprim në fusha të ndryshme, por edhe në sport. Pacolli tha se realizimi i plan-programit të AKR-së, do të mundësojë hapjen e vendeve të reja të punës.
Punimet e Kuvendit i hapi koordinatori i degës së AKR-së në Drenas, z.Durim Neziri, i cili i përshëndeti të pranishmit duke u zotuar se AKR-ja në Drenas do të ndryshojë gjendjen ekonomike dhe sociale, duke ngritur kështu nivelin e mirëqenies në këtë Komunë. Më pas Kuvendi i vazhdoi punimet ku nga procesi i rregullt zgjedhor, në prani të 160 delegatëve me shumicë votash, kryetare e Forumit Rinor të degës së AKR-së në Drenas u zgjodh Florentina Krasniqi. Kuvendi më tej zgjodhi edhe strukturat udhëheqëse të Forumit të degës, nënkryetarët Rinor Xhekaj dhe Marigonë Mulaku, sekretarin Qëndrim Krasniqi si dhe 11 anëtarë të Kryesisë. Në këtë Kuvend, përveç mysafirëve dhe delegatëve të pranishëm, ishin edhe Koordinatori i zgjedhjeve në AKR, z.Vesel Makolli, Kryetari i Mitrovicës nga radhët e AKR-së z.Agim Bahtiri, koordinatoret e Forumit Rinor, Zijadin Geci e Sami Borovci, si dhe shumë mysafirë të tjerë.