Sulmi i një grupi me rreth 40 pjesëtarë të armatosur të të ashtuquajturës UÇK në pikën kufitare të Grushincës në kufirin Kosovë-Maqedoni, pasoi më shpejt nga sa mendohej me komente skeptike sesa si lajm tronditës. Mësymja e grupit të armatosur mbi skuadrën e policëve kufitarë dhe shmangia e viktimave, e zbehu vrullin për përcaktimin si një sulm terrorist. Vetë Ministria e Brendshme e Maqedonisë u vetë tradhtua nga ngathtësia e deklaratave zyrtare për ngjarjen dhe rrethanat e saj. Shkupi zyrtar e pati të lehtë të identifikonte grupin e një formacioni me emër historik si UÇK, por e ka ende shumë të vështirë të hedhë dritë informuese për rrethana të plota sqaruese, për implikimin dhe qëllimin si dhe organizimin e një strukture të tillë e cila, sipas kësaj logjike, nuk mund të jetë veçse e lidhur me shqiptarët.(!)
Kësaj here duket qartazi se dikush kërkon të vërë në përdorim logon e formacionit historik të shqiptarëve, i cili ka merita komplekse, madje më shumë se çdo formacion tjetër ballkanik, pasi ka bërë të mundur ndryshimin e realitetit politik dhe kushtetues të shqiptarëve në dy republika, së pari, në më të renë e rajonit, Kosovë dhe së dyti, në Maqedoninë e viteve 2000.
Por, kush po e rikthen artificialisht dhe madje si një “maskë” UÇK-në në Maqedoni?! Pse ka nevojë dhe për çfarë nevoje bëhet fjalë?
Zërat nga opozita maqedonase prej kohësh ia kanë atribuuar këtë meritë kryeministrit në siklete, Nikolla Gruevski. Udhëheqësi socialdemokrat, Zoran Zaev, pas ciklit të denoncimeve dhe sidomos “bombave” (disa të shpërthyera dhe disa me “siguresë të hequr”), me skandalet e përgjimeve që rezultojnë të jenë kryer nga qeveria Gruevski, ka nxjerrë në dritë thellësitë me errësirë të të vërtetave që lidhin qeverisësit maqedonas me përdorimet e poshtra të rasteve të sajuara që implikojnë shqiptarët. Këto përgjime të denoncuara prej tij, mund të hedhin dritë mbi të pandriçuarin rast “Monstra”, sipas të cilit një grup shqiptarësh janë të dënuar për akuzën e autorësisë së atyre vrasjeve që tronditën Maqedoninë dy vjet më parë.
Zaev ua ka premtuar publikut dhe shqiptarëve në mënyrë të veçantë, të vërtetën e procesit dhe prapaskenave rreth këtij rasti. Qëndrimi i mëtejshëm, sidomos ai shmangës dhe mosrespektues i së vërtetës që zotëron në regjistrime, do të thotë se edhe ai e çon luftën politike gjer në atë pikë ku interesi i tij opozitar, nuk tejkalon përkatësinë e vet etnike si maqedonas. Një princip i tillë mund t’i sigurojë simpatinë e shtetasve me kombësinë e tij, por i heq plotësisht besimin për një qeverisje të pretenduar në të cilën mund të mishërohet bashkëjetesa dhe parimi i barazisë etnike.
Koha ka riprovuar se edhe opozita aktuale tronditëse maqedonase, nuk është se ka në thelbin e vet ndërgjegjen për vendosjen e një barazie ndërshtetasish në vendin fqinjë. Kjo opozitë, së paku për të mos tradhtuar as fasadën, do të duhej të bënte një deklaratë distancuese për mbledhjen e djeshme të Këshillit të Sigurimit të Maqedonisë në të cilën Presidenti i Republikës, Ivanon, nuk ftoi asnjë prej përfaqësuesve institucionalë të kombësisë shqiptare. Këtë mbledhje Presidenti natyrisht e thirri pas episodit të ndodhur në pikën kufitare të Grushincës.
Sipas burimeve zyrtare maqedonase, protagonist i sulmit janë shqiptarët, mirëpo se cilët dhe kush konkretisht, vështirë të zbardhet. Gjasat e paralajmëruara janë që ky sulm buron më shumë nga një kontekst zhvillimesh politike të brendshme dhe jo prej kontekstit që synon t’i japë deklarata e Ministrisë së Brendshme, duke krijuar njëkohësisht edhe premisat e një konflikti ndërshtetëror me Kosovën. Është i pari incident i përmasave të tilla që shënohet në raportet fqinjësore mes Kosovës dhe Maqedonisë. Grupi i armatosur, i cili pati rreth 40 anëtarë sipas burimeve maqedonase, brenda dy orësh u shpërbë si “topi i dëborës në mes të korrikut” dhe mediat shqiptare për të gjithë emrat e përmendur nga Maqedonia, mundësuan të mblidhnin të dhëna dhe të kontaktonin shqiptarë në zonat kufitare, të cilët gjenden duke kryer shërbimet e tyre jetike në tokat dhe fermat e tyre bujqësore, pa pasur asnjë ide dhe aq më tepër angazhim në formacionin e aktivizuar befas në Maqedoni. Të dhënat rezultojnë të jenë gati të njëjta si dëshmia e dëshmitarit të mbrojtur në rastin Monstra, i cili pohon për njërin nga të akuzuarit se ka pasur mjekër, ndërkohë që kurrë të tillë nuk ka mbajtur!
Grupi i sulmuesve me logon e UÇK në pikën kufitare Kosovë-Maqedoni, nuk është shfaqje e një formacioni ushtarak që rikthehet për një mision të pakryer në relacionet Kosovë-Maqedoni. Në çdo rast, rikthimi i saj do të ishte i besueshëm dhe alarmues nëse do të shfaqej aty ku realiteti është më favorizues në relacionet dhe hapësirat territoriale mes maqedonasve dhe shqiptarëve në të njëjtën republikë. Por kësaj here, skeptikët me dije dhe aktorët e tjerë të vendit fqinjë na konfirmojnë se më shumë kemi të bëjmë me një nevojë ekzistenciale të kryeministrit. Është fjala për kryeministrin Gruevski, i cili ka shembur gati të gjitha besimet publike, mes grupeve etnike dhe atyre politike në vendin e vet. UÇK që pretendon ministria e Gruevskit, e thënë sipas gjuhës së mediave opozitare dhe maqedonase, në fakt është një fantazmë e sajuar UÇG, e cila nuk ka asnjë lidhje dhe shëmbëllesë me formacionin historik që sa herë shfaqet ka aftësinë të bëjë histori dhe jo të sajojë ngjarje me logo.