Aleksandër Stavri Drenova, (1872 - 1947), autor i Himnit të Flamurit, Himnit Kombëtar Shqiptar

Aleksandër Stavri Drenova, (1872 – 1947), autor i Himnit të Flamurit, Himnit Kombëtar Shqiptar

Aleksandër Stavri Drenova, i njohur me emrin letrar, ASDRENI është emër personalitet shumë i njohur i Rilindjes Kombëtare Shqiptare, jo vetëm si atdhetar i zjarrtë i çlirimit dhe bashkimit të Shqipërisë por edhe si poet romantik e realist. Studiuesi, shkrimtari  dhe intelektuali i madh shqiptar, profesor doktor Rexhep Qosja, ka nxjerrë në dritë tërë trashëgiminë letrare e publicistike të Aleksandër Stavri Drenovës dhe ka bërë që vepra e tij meritore të zërë vendin e vet në panteonin e letërsisë shqiptare.

ASDRENI është autor i Himnit të flamurit, që është edhe Himn Kombëtar, zyrtar  për të  gjithë shqiptaret

Aleksandër Stavri Lindi më 11 prill 1872 në Drenovë në një familje të varfër fshatare. I mbetur jetim u detyrua të braktiste shkollën e mesme dhe të mërgonte në Rumani më 1889. Bëri punë të ndryshme dhe kaloi një jetë me shtrëngime. Mori pjesë gjallërisht në përpjekjet e kolonisë së shqiptarëve të Bukureshtit në luftën për çlirimin kombëtar dhe u shqua si veprimtar i saj. Nisi të shkruante poezi dhe publicistikë nga fillimi i shek. XX. Në krijimet e para poetike, të cilat i përmblodhi në librin “Rreze dielli” (1904), Asdreni vijoi traditat e poezisë së Naim Frashërit, lartësoi dashurinë për atdheun, nxiti bashkatdhetarët të rreshtoheshin në luftën për çlirim nga zgjedha turke. Vepra më e rëndësishme e Asdrenit, “Ëndrra e lotë” (1912) shquhet për pasurinë e motiveve, frymën demokratike dhe nivelin e denjë artistik. Në krijimet e këtij vëllimi poeti demaskoi ashpër pushtuesit e huaj, i këndoi heroizmit të masave popullore në kryengritjet e armatosura të viteve 1911-1912, fshikulloi parinë frikacake dhe oportuniste, e cila iu resht detyrës ndaj atdheut («Zëri i kryengritësve», «Krerëve tradhëtorë», «Çpërblimi»). Te ky vëllim u përcaktuan tiparet themelore të krijimtarisë së Asdrenit: fryma luftarake, karakteri demokratik, interesimi për problemet shoqërore, notat e ligjërimit të gjallë. Ajo shënoi një hap në kalimin nga romantizmi te realizmi në letërsinë shqiptare. Në krijimtarinë e Asdrenit motivi i luftës për çlirim kombëtar u ndërthur me idenë e luftës shoqërore, në shumë vjersha gjeti pasqyrim pakënaqësia e njeriut të thjeshtë ndaj shoqërisë borgjeze të kohës.

Ngjarjet që pasuan shembjen e shtetit të lirë kombëtar shkaktuan tek poeti një dëshpërim të thellë, që u shpreh në krijimet e periudhës 1914-1920 («Shqipëria më 1914» etj.). Në gjysmën e parë të vitit 20, nën ndikimin e lëvizjes demokratike, poezia e Asdrenit përjeton një hov të ri. Në një sërë veprash të kësaj kohe poeti shprehu aspiratat e masave popullore për drejtësi shoqërore. Në heroin e poemës “Burri i dheut” (1920), Asdreni mishëroi përfaqësuesin e vegjëlisë që derdhi gjakun më 1920 për dëbimin e pushtuesve italianë dhe për një të ardhme më të mirë. Në këtë periudhë poeti shkroi një radhë vjershash të rëndësishme. si «Hymni i festës», «Fisnikët e Shqipërisë», «Republika shqiptare», në të cilat demaskoi forcat e vjetra shoqërore dhe antipatriotike, që përvetësuan frytet e sakrificave të masave popullore në luftën për çlirim dhe nisën të sundojnë vendin sipas interesave të tyre. Dështimi i Revolucionit Demokratikoborgjez të Qershorit 1924 e forcoi frymën e pesimizmit dhe të fatalizmit në krijimtarinë e Asdrenit (Psallme murgu, 1930, dhe një varg krijimesh poetike të viteve 30). Herë-herë poeti u përpoq të çlirohej nga ndikimet moderniste: në poemën «Trashëgimi» (1935) kritikoi qeverinë për krizën ekonomike e cila në atë kohë kishte përfshirë thuajse mbarë rruzullin. Vëllimin e vet të katërt Kambana e Krujës nuk e botoi dot me gjallje. Në vjershat e viteve të fundit të jetës përshëndeti ngadhënjimin e revolucionit popullor në Shqipëri.

Disa nga veprat letrare të ASDRENIT janë:

“Rreze dielli”, “Himni i Flamurit”, “Ëndrra e lotë”, “Zëri i kryengritësve”, “Krerëve tradhëtorë”, “Shpërblimi”, “Shqipëria më 1914, “Burri i dheut”, “Himni i festës”, “Fisnikët e Shqipërisë”, “Republika shqiptare”, “Trashëgimi”, “Kambana e Krujës”, “Poezi të Zgjedhura” e të tjera.

Kontrolloni gjithashtu

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Shkollave shqipe në Zvicër në kuadër të Lidhjes së Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë “Naim Frashëri” …