Kryetari i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pas seancës së Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, në të cilën u miratua Rezoluta për gjenocidin në Srebrenicë, ka thënë se e ka mbyllur karrierën dhe shumë gjëra nuk do t’ ia falin. Kjo ishte sikur gozhda në arkivolin tim.
Unë bëra gjithçka, ata bënë gjithçka për të na poshtëruar dhe ne u ngjitëm në lartësi. Nuk mund të them se fituam, sepse kjo është procedura, por është e qartë për të gjithë se cili është rezultati. Në fjalim e tij para gazetarëve në New York, Vuçiq tha se ne ishim 107 (ata që votuan kundër dhe ata që abstenuan).
Pra, 84 prej tyre kundrejt 107 prej atyre që nuk kanë dashur të pajtohen me propozimin e tyre dhe po flasim se si u arritën ato 84, sepse realisht 60 e ca do të kishin votuar për rezolutën, ata i bënë presion të tjerëve. Vuçiq falënderoi të gjitha vendet që votuan kundër dhe abstenuan gjatë votimit. Ai shprehu një falënderim i madh për vëllezërit hungarez, ata ishin të vetmit që ishin kundër, pastaj falënderoi edhe Sllovakinë, Greqinë dhe Qipron, që abstenuan dhe treguan miqësi ndaj Serbisë. Ky është këndvështrimi i deformuar i një krimineli të luftës, ministër i regjimit vrastar e barbar të Serbisë së kohën së Millosheviqit, gjatë luftës në Kosovë dhe pion e truproje i fashistit serb, Sheshel, në kohën kur u krye gjenocid kundër boshnjakëve myslimanë, në Srebrenicë, më 11 korrik të vitit 1995.
Vuçiq derisa votohej rezoluta në OKB, puthte flamurin e Serbisë, pikërisht atë flamur nën valëvitjen e së cilit, ushtarë dhe policët serbë kishin kryer masakrën më barbare dhe më antinjerëzore në një vend të Evropës pas luftës së Dytë Botërore, ashtu si masakrat dhe gjenocidi e Adolf Hitlerit kundër popujve që luftonin fashizmin.
Kryetari i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, abstenimin e shumë vendeve të botës, anëtarë të OKB-së e interpreton njëanshëm, meqë dihet dhe kuptohet fare qartë se çka do të thotë abstenim, çka përkrahje e çka kundërshtim.
Abstenimi në çdo rast dhe kudo në botë nuk nënkupton njëanësi, por vetëm tërheqje dhe tërheqja si e tillë nuk nënkupton miratim as kundërshtim, sepse sipas ligjit gjendjen normale të votimit cilido qoftë ai, e vendorin vetëm votat për dhe kundër dhe ato ishin 19 për Serbinë dhe 84 kundër saj.
Vuçiq dhe mendjet e tilla retrograde, nacionaliste, fashiste, anticivilizuese në këtë rast janë si të mbyturit në det, që kapën qoftë edhe për një kashte.
Serbia prej 23 majit 2024 , në tërë botën, do të konsiderohet si shtet që ka kryer gjenocid, duke vrarë njerëz të pambrojtur, popullatë civile, me qëllim për ta asgjësuar një popull, për shkak të përkatësisë fetare, madje një popull, me të cilin që ka gjuhë, territor, prejardhje e kulturë të përbashkët, por që i dallon vetëm feja.
Në votim, nga radhët e shteteve që abstenuan, përveç Rusisë e Kinës, që nuk janë të njohura për ekskluzivitet fetar, radhiten kryesisht shtetet e krishtera ortodokse dhe katolike. Mirëpo shtete më të fuqishme të botës si Amerika, Anglia, Franca, Gjermania, Italia, Turqia, Spanja, India, Indonezia, Pakistani, Egjipti, Arabia Saudite e shumë të tjera e miratuan rezolutën e cila parasheh Përkujtimin e Viktimave të Gjenocidit, në Srebrenicë, çdo vit, më 11 korrik, si datë e një rëndësie ndërkombëtare për të reflektuar mbi krimin dhe barbaritë e shëmtuara të kryera popullatës civile, nga shtetet e caktuara për qëllime politike, ideologjike apo fetare.
Sot Srebrenicën e përkujtojnë të gjithë ata që kanë pësuar nga barbaria serbe, myslimanët e Bosnjës, kroatët, shqiptarët. E kujtojnë edhe ata evropianë që kanë zemër njeriu, që ndiejnë dhembjen e padrejtësinë, por që kurrë nuk kanë mundur të bëhen shumicë për të parandaluar gjakderdhjet e mujsharëve, të zotërve të krimit e inkuizicionit.
Çka të kujtosh më parë për krimet në Srebrenicë. Ato u kryen me leje të forcave të UNPROFOR-it dhe të Batalionit holandez, sepse ata ishin indiferentë dhe i konsideronin njëjtë, si gratë, fëmijët e burrat pleq, ashtu edhe kriminelët serbë që një ditë para “Natës së Masakrës” fëmijëve u shpërndanin sheqerka. PO ashtu çokollata e sheqerka iu kishte dhënë pak kohë para masakrës edhe vetë kryekrimineli, Ratko Mladiq.
Masakrën në Srebrenicë e kishte përkujtuar edhe Sekretari i Përgjithshëm i Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, i cili kishte thënë ky ka qenë krimi më i keq masiv në tokën evropiane, pas Luftës së Dytë Botërore.
Nderojmë mijëra të vrarët dhe zotohemi se nuk do t’i harrojmë kurrë. Bashkëndjejmë vuajtjen e familjeve të tyre, përfshirë të atyre që kanë ende familjarë të pagjetur”, kishte thënë Guterres. Ai shtoi se, një çerek shekulli më parë, Kombet e Bashkuara dhe bashkësia ndërkombëtare i tradhtuan qytetarët e Srebrenicës. Siç ka thënë ish-sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Kofi Anan, ky lëshim “do ta ndjekë gjithmonë historinë tonë”, tha Guterres. Në korrik të vitit 1995, forcat serbe të Bosnjës kanë vrarë mbi 8,000 burra dhe djem myslimanë në Srebrenicë – zonë që ishte shpallur e sigurt nga Kombet e Bashkuara. Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë ka konstatuar në vitin 2007 se vrasjet në Srebrenicë kanë përbërë gjenocid. Gjykata e Kombeve të Bashkuara për Krimet e Luftës në ish-Jugosllavi ka dënuar vetëm ish-komandantin e forcave serbe të Bosnjës, Ratko Mlladiq, dhe mentorin e tij politik, Radovan Karaxhiq, për gjenocid dhe krime të tjera të luftës në Srebrenicë.
Asokohe Gazetarja, Kristinë Amanpur, dëshmitare e krimeve serbe kundër myslimanëve të Bosnjës shkruante: “Objektiviteti nuk nënkupton se duhej trajtuar njësoj si viktima ashtu edhe agresori. Objektivitet nuk do të thotë veshja e një ekuivalence të rreme morale. Mirëpo kjo ishte gjëja që qeveritë tona po përpiqeshin ta bënin. Këta zyrtarë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Evropa, të cilët nuk donin të intervenonin për të ndaluar këtë gjë, po thoshin se të gjitha palët ishin njësoj fajtore, edhe pse nuk ishin. Dhe masakra në Srebrenicë më në fund e dëshmoi një gjë të tillë, më në fund dëshmoi së qeveritë tona nuk mund të hidhnin më shikimin diku tjetër.
OKB-ja më në fund arriti ta votojë një Rezolutë dhe ta bind botën se në Srebrenicë serbët kanë kryer gjenocid kundër myslimanëve boshnjakë. Serbët, “templlarët fashistë” të Evropës kanë kryer krime edhe kundër kroatëve katolikë, kanë kryer gjenocid, në Vukovar ku kanë vrarë e masakruar qindra të sëmurë nëpër spitale, por as për këtë nuk janë ndëshkuar, nëse nuk quhet ndëshkim dëbimi për jetë e mot i tyre nga Kroacia të cilën e kishin pushtuar qysh në vitin 1918.
Në 27-vjetorin e Masakrës së Srebrenicës, më në fund, përfaqësuesit të Lartë të BE-së, Josep Borrell dhe komisionerit, Oliver Varhely kanë deklaruar se në Evropë nuk ka vend për mohimin e gjenocidit dhe glorifikimin e kriminelëve të luftës. Në këtë deklaratë, e cila nderon viktimat e këtij gjenocidi, thuhet se “ne qëndrojmë së bashku, në pikëllim, me të afërmit dhe miqtë e tyre që i mbijetuan gjenocidit”.
Ahmet Qeriqi
- 5. 2024
Prishtinë