Alfred Mojsiu: Toleranca ndërfetare në traditën e popullit shqiptar

(Pjesë nga fjala e presidentit të Shqipërisë, Alfred Mojsiu, mbajtur në Forumin e Oksfordit, në Angli, më 9 nëntor 2005)

“Rasti Shqipëri”, si një rast shembullor i bashkëjetesës së besimeve në rrugën e gjatë të historisë, tashmë po trajtohet si “Fenomeni Shqipëri”. Po çfarë është toleranca ndërfetare tek shqiptarët? Dhe a është ky termi më i saktë, apo ndoshta duhet përdorur ndonjë term tjetër? Në fakt, shkencëtarët, studiuesit e sociologjisë politike dhe të asaj fetare, qofshin të huaj apo vendës, kanë përdorur terma që përmbajnë ndryshime në formën e nuancave. Historianët e fesë dhe teologët flasin për “ekumenizëm ndërfetar”. Njohësit e mesjetës dhe etnologët përdorin termin “konvergjencë ndërfetare”. 
Sociologët dhe historianët shekullarë priren nga termat “tolerancë”, “bashkëjetesë” apo “harmoni fetare”. Ne do të përdorim në këtë ligjëratë termin “tolerancë ndërfetare”, duke gjykuar se qoftë ekzagjerimi, qoftë nënçmimi, do të çonin në shtrembërim të së vërtetës dhe humbje të vlerës historike të tiparit. 
Shqiptarët janë një popull i vogël dhe i ndarë pjesë-pjesë në shtetet ballkanikë, jo më shumë se gjysma e tyre brenda shtetit shqiptar, Shqipërisë shtetërore, apo “Shqipërisë londineze”, sikurse e quan një pjesë e shtypit ballkanik, ata nuk kanë pasur shumë mundësi të promovojnë vlerat e identitetit të tyre historik-kulturor.
Gjendja fetare e popullit shqiptar mund të gjykohet në dy pikëpamje: 
1. Në pikëpamjen vertikale-diakronike të gjithë shqiptarët janë të krishterë; 
2. Në pikëpamjen horizontale-sinkronike shqiptarët janë një popull ku bashkëjetojnë të dyja fetë abrahamike, krishterimi dhe islamizmi. 

Secila nga të dyja fetë abrahamike ekzistojnë së bashku me degëzimet përkatëse. Thënë më thjesht – popullsia shqiptare ka dy bashkësi të krishtera: krishterimin roman-perëndimor dhe krishterimin ortodoks-lindor. Po ashtu, kjo popullsi ka edhe dy bashkësi: bashkësinë islamike dhe atë bektashiane, që përfaqëson njëlloj protestanizmi reformator dhe liberal brenda islamit. 
Si në çdo vend tjetër në botë, edhe në Shqipëri ka ateistë, po ashtu besimtarë që nuk ushtrojnë rite dhe nuk janë praktikantë të ndonjë faltoreje, familje të përziera me shumë besime brenda tyre. Në gjysmën e parë të shekullit të 20-të ka ekzistuar dhe një bashkësi hebraike, e cila njihej zyrtarisht nga shteti. Një pjesë tjetër e shqiptarëve, ndonëse në thelb monoteistë, në mënyrën e të besuarit shfaqen si panteistë, madje edhe me shenja të paganizmit. 

Islamizmi në Shqipëri është një islam me fytyrë evropiane 

Në identitetin e shqiptarëve ndjenja kombëtare qëndron mbi dallimin fetar. Njeriu shqiptar është së pari pjesëtar i një bashkësie etnike dhe pastaj i një bashkësie fetare. Një nga ideologët e Rilindjes Kombëtare të shqiptarëve është shprehur në mënyrë lakonike: “Feja e shqiptarëve është shqiptaria”. Sido që me kuptim filozofik-politik, kjo shprehje të kujton të vetmen eksperiencë në botë, ku feja e një populli është nacionaliteti i tij. E tillë është gjendja edhe te hebrenjtë, feja dhe kombësia e të cilëve është hebraizmi. 
I pashembullt është qëndrimi i shqiptarëve ndaj hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore. 
Qeveritë shqiptare që bashkëpunuan me autoritetet fashiste dhe naziste, si kudo në botën e asaj kohe, bashkëpunuan si qeveri vasale, por ato asnjëherë nuk ua dorëzuan ushtrive të huaja listat e hebrenjve. Shqipëria është vendi i vetëm në botë ku, megjithëse në kushte pushtimi të dyfishtë, asnjë hebre nuk u dorëzua, asnjë hebre nuk përfundoi në kampe përqendrimi, asnjë herbe nuk u viktimizua. Dhe nuk është fjala për hebrenjtë e vetë Shqipërisë, shtetas të saj, por për afro 3000 hebrenj të ardhur nga shtetet ballkanike, në arrati e sipër për t’i shpëtuar rrezikut të zhdukjes atje ku ishin. Këta 3000 hebrenj, pjesa më e madhe e të cilëve hynë ilegalisht në Shqipëri, gjetën mbrojtje të menjëhershme dhe të pakushtëzuar nga autoritetet dhe populli shqiptar. Toleranca përbën një tipar etno-tipik të shqiptarëve. Jo se nuk ka tolerancë te popujt e tjerë. Ndoshta kjo cilësi është e lidhur edhe me pozitën gjeopolitike të shtetit shqiptar. Ndërsa Perëndimi e ka parë Ballkanin dhe portën e tij – Shqipërinë – si një Lindje ekzotike; përkundrazi, Lindja e ka parë atë si Perëndim të pasur. Në kryqëzim të dy botëve, shqiptarët kanë marrë e dhënë me të dyja, duke ruajtur thelbin e vet identifikues, duke shërbyer si urë kalimi ndikimesh dhe duke përvetësuar edhe vetë prej tyre.
Kështu u formua tek shqiptarët bindja historike se dallimi, qoftë ky fetar, rajonal, racor, gjenetik, kombëtar, kulturor etj. nuk është rrezik, por pasuri. Një bindje e tillë ka formësuar tolerancën ndërfetare dhe më gjerë tek shqiptarët, një bindje e tillë e ka bërë qytetërimin e saj një qytetërim të hapur.
Pluralizmi paqësor fetar ka shërbyer si element bashkues midis njerëzve, familjeve dhe grupeve të ndryshme në shoqëri. Komunitetet fetare mbeten besnike e frymëzimeve të tyre fillestare të së mirës dhe paqes, si dhe me përkushtim të madh luajnë rol aktiv në kapërcimin e problemeve sociale, rritjen e edukimit të të rinjve, forcimit të rolit të familjes, kulturës dhe identitetit kombëtar evropian. Me kontributin e tyre të veçantë Shqipëria përfaqëson edhe një nga rastet e rralla të një vendi me besime të ndryshme fetare, ku të gjithë faktorët politikë e shoqërisë, përfshirë edhe komunitetet fetare, janë përkrahës të fuqishëm të integrimit të vendit në Bashkimin Evropian dhe NATO. 
Fryma euroatlantike nuk ka opozitë dhe as kundërshtarë, gjë që dëshmon se identiteti ynë fetar e shoqëror është dhe mbetet identitet thellësisht evropian.
Ne jemi të ndërgjegjshëm se vlerat nuk janë të përjetshme, ato duhen ruajtur e kultivuar në mentalitetin e qytetarëve, kulturën demokratike dhe përmirësimit të vazhdueshëm të kuadrit ligjor. Në të njëjtën kohë ne duam ta shndërrojmë kulturën e dialogut midis besimeve dhe komuniteteve të ndryshme fetare, në urë bashkimi e komunikimi, shkëmbimi dhe lidhje më të fortë midis njerëzve e vendeve; të punojmë që qytetari dhe integriteti dhe mbrojtja e të drejtave të tij të jenë lajtmotivimi kryesor i shtetit të së drejtës që po ndërtojmë. Përmes forcimit të vlerave demokratike dhe frymës evro-atlantike do të jetë më e lehtë për izolimin e ekstremistëve, përballimin me sukses të sfidave të kohës dhe parandalimin e rreziqeve të mundshme në marrëdhëniet midis njerëzve në shoqëri apo në marrëdhëniet me vendet e tjera.

Kontrolloni gjithashtu

Një rikujtim i bukur për historinë e 28 Nëntorit të 1912-tës!

Një rikujtim i bukur për historinë e 28 Nëntorit të 1912-tës!

Me rastin e festave të nëntorit, si dhe në  shenjë të përkujtimit të datë së …