Prespa në vazhdimësi ka qenë dhe do të mbetet emblematike në gjithë hapësirat shqiptare për kontributin e dhënë në të gjitha sferat, duke filluar që nga ajo çlirimtare e deri tek ajo akademike e shkencore,’- tha z. Ahmeti duke paralajmëruar se pas këtij cikli zgjedhor do të bëhet një avancim i shqiptarëve të kësaj ane, por edhe i atyre në Ohër e Manastir, në të gjitha nivelet e pushtetit, sepse BDI është thellësisht e angazhuar për krijimin e kushteve për ruajtjen e substancës kombëtare:
‘Në këto zgjedhje lokale që organizohen, s’do mend që jemi partia në nivel kombëtar më e mira, më e forta. Lëre që jemi më të fortit, por jemi edhe më të përgatiturit, jemi më tolerantët,’- vlerësoi kreu i BDI-së duke afirmuar përkushtimin për të punuar me dinjitet e përgjegjësi në përfaqësimin e komunitetit shqiptar për një të nesërme edhe më të mirë.
Me këtë rast lideri i shqiptarëve në Maqedoni ka shpjeguar marrëveshjen mes BDI-së dhe LSDM-së për mbështetje të ndërsjellë nëpër ato komuna ku realisht njëra forcë nuk ka gjasë për të triumfuar, por me elektoratin e vetë ia mundëson – tjetrës. Bashkëpunimi, tha z. Ahmeti, ka të bëj me mbështetjen që LSDM-ja do t’ia japë BDI-së në Çair, Tetovë, Gostivar, Kërçovë, kurse ne në Qytetin e Shkupit e të Kumanovës. Dhe jo vetëm kaq: ‘Ma do zemra që të fillojmë të përgatisim hapësirë që në të ardhmen të kemi edhe president të përbashkët, konsensual, të pranueshëm për të dyja palët, palët që përfaqësojnë dhe kanë legjitimitet, si nga komuniteti shqiptar, ashtu edhe komuniteti maqedonas, të dakordohen për një kryetar të përbashkët shteti. Sepse kreu i shtetit është figurë përfaqësuese, emblematike dhe mbase këto zgjedhje dhe ky partneritet që është ndërtuar tani, mund t’i shërbejë edhe këtij qëllimi që në të ardhmen të mos ndodhë dhe të mos përsëritet, sikurse ndodhi para katër vitesh, kur shqiptarët nuk kishin vullnet të dalin dhe të votojnë një President i cili nuk i përfaqëson ata,’- deklaroi kryetari Ahmeti para anëtarëvedhe simpatizantëve të BDI-së në Prespë.