Ish kryetari i Pejës, Ali Lajçi, në emër të komunitetit të Rugovës, Podgurit dhe Kullës së Zhlepit ka shkruar se njëzëri u pajtuan se nënshkrimi i Marrëveshjes për demarkimin e kufirit të Republikës së Kosovës me Republikën e Malit të Zi, ka shkaktuar shumë pakënaqësi dhe kundërshtime në Kosovë e posaçërisht në trevën e Rugovës, Podgurit dhe Komunës së Deçanit. Vërejtje kryesore janë se Komisioni shtetëror i kryesuar nga Murat Meha, ka qenë jo profesional, jo kompetent, ka bërë një numër gabimesh dhe lëshimesh të papranueshme si vijon:
- Nuk ka qenë transparent me punën e tij, madje as sot nuk dihet se kush ishin anëtarët e Komisionit në një numër të tyre të caktuar.
- Nuk kanë punuar në mënyrë profesionale dhe me kompetencë, nga se iu ka munguar ekspertiza profesionale.
- Nuk janë nisur nga normat dhe kriteret për demarkim të kufijve ndërmjet dy shteteve (ndërkombëtare) por janë nisur nga kritere irelevante për këtë çështje.
- Nuk kanë qenë në dijeni se kufijtë kanë qenë të përcaktuar qysh para luftës së dytë botërore dhe nga një Komision shtetëror i ish Federatës Jugosllave, dhe se kufijtë e një shteti federal ndërmjet republikave janë edhe kufij shtetëror (praktikisht ndërkombëtar). Andaj, në vend se ta konstatojnë gjendjen dhe të vendosin mbi ato baza, e kanë ndryshuar vijën kufitare në raport më parë të definuar pa qenë të autorizuar.
- E kanë tumirë një propozim të papranueshëm të palës malazeze, duke shkaktuar dëme të mëdha për Kosovën në aspektin: Interesin nacional (humbje e territorit); Sigurisë Kombëtare ( gjeopolitike dhe gjeostrategjike); Politikë (cenim i sovranitetit dhe i dinjitetit kombëtar); dhe Dëmet e mëdha ekonomike për pronarët e Zonës, e mundësit e investimeve direkte te huaja.
“Ne dëshirojmë të theksojmë se Komisioni shtetëror nuk ka pas mandat të ndryshojë vijën e kufirit ekzistues, ngase kufijtë e Republikës së Kosovës me Republikën e Malit të Zi, Republikën e Shqipërisë, Republikën e Maqedonisë, kanë qenë të vendosur mbi kriteret për përcaktimin e kufijve ndërkombëtar dhe asnjëherë nuk janë ndryshuar nga asnjë institucion kompetent (legal dhe legjitim) që nga viti 1945 dhe se ky komision e as nënshkruesit e projekt-propozimit nuk kanë qenë e as që kanë pas mandate për ta ndryshuar vijën kufitare të Republikës së Kosovës”, thuhet në letër.
]“Nëse pala Malazeze ka iniciuar rastësisht ndonjë kërkesë për ndryshimin e vijës kufitare ndërmjet dy shteteve fqinje e të njohura reciprokisht, atëherë është dashur të kërkohet sërish mandat nga Kuvendi i Kosovës. Në fund të merren në konsideratë: Enciklopedi, atllase, harta dhe dokumente që dëshmojnë se kufiri është në Kullë, Qakorr, Qafë e Diellit etj, dhe të procedohet sërish në të mirë të dy vendeve”, thuhet më tej.
Sipas Lajçit dhe përfaqësuesit në Klubin e Intelektualëve të Rugovës “Komisioni i ri i formuar nga z. Isa Mustafa është një farsë, kamuflim për t’ia bërë versionit ekzistues një kamuflim të ri e pastaj të aprovohet në Kuvend, e që është e papranueshme”.
“Zhurma dhe fushata që po bëhet për liberalizim të vizave në këmbim të territorit, ngado që të vijë është e papranueshme”, thuhet në fund të reagimit.