Një natë lufte në Dukagjin, në heshtje vetmie, porsa mbërrina pranë trollit tim të boshatisur nga shtrignia. Çdo gjë e kishte pushtuar heshtja e vetmisë. Pasi hyra në truallin tim, u ngjita në katin e tretë, raftiet e odës i numëronin rrathët e kohës e kujtimet rrapin shekullor.
Heshtjes memece vazhdimisht vërdallë i silleshin vakitë që kishin ndodhur, që po ndodhnin edhe tani.
U ngjita në katin e tretë pranë kullës së babait tim rreth oxhakut plak e pashë se vajguri në fund të llambës akoma e ruante besnikërinë në ato rrethana, sado pak për t’u shndërruar në dritë si feniksi i pashuar. Fuqishëm kumboi në dritaren e zemrës sime atë natë.
Posa shikova në një kënd tjetër vështrimi, e pashë se kapakët e dollapëve ishin hapur nga boshllëku i vetmisë apo nga demolimet e djallit famëkeq, apo nga ndonjë natë e ordhive serbe që i ndërsenin kriminelët e që në shpirtin tonë lanë vrragë krimi.
Raftet e tavanit i kishte kapardisur rrjeti i merimangave të vetmisë, tirqit me zhguna të bardhë dhe me fije gajtani të zinjë çarku, të varur në një baski që kishte filluar për t’i brejtur tenja dhe ca flluska me shtresë pluhuri, ma shtonin nostalgjinë. Këta ishin tirqit e një burri që kishte vdekur në vitet e nëntëdhjeta, akoma pa i mbushur të tetëdhjeta, ishin tirqit e një burri shumë të respektuar, i cili gjatë dallgëve të historisë nuk ishte gjunjëzuar asnjëherë gjatë gjithë kohës së gjeneratës së tij.
Ai gjithnjë kishte luftuar kundër pushtuesit e regjimit të urryer sllavo-komunist. Kurse babai i tij ishte vrarë në Luftën e Parë Botërore duke mbrojtur Shqipërinë në tetor të vitit 1913 në Qafën e Morinës, si fëmijë bonjak kishte mbetur nëntë muajsh, kurse axha i tij ishte vrarë në Luftën e Dytë Botërore në gusht të vitit 1941, duke mbrojtur Plavën e Gucinë në betejën e Arzhanicës, në cilësinë e udhëheqësit operativ në një vijë të gjerë frontale që përfaqësonte Rrafshin e Dukagjinit. Gjatë kohës së regjimit të Aleksandër Rankoviqit, protagonistit i lartcekur i këtij rrëfimi, ishte dënuar me vdekje, kurse si familje, i përjashtuar 15 vite me radhë.
Kjo vragë i përcolli katër gjenerata paraardhësit e gjurmëve të atyre tirqve që rrinin varur, ashtu edhe pasardhësit që lanë gjurmë të vështirë të jetës. Bie fjala, më 10 dhe 11 tetor 1983, djali i madh në Gjykatën e Çarkut në Prishtinë dënohet me 12 vite burg, si personalitet i rrezikshëm për Serbinë, kurse djali i dytë i protagonistit në fjalë, bie dëshmor në luftën e fundit të UÇK-së në betejën e Pozharit, në cilësinë e Ndihmës Komandantit për moral të Brigadës 131 “Jusuf Gërvalla” më 28 Mars 1999.
Pra, këta tirq ndryshe nuk mund të dukeshin, vetëm si një emblemë me një ndjenjë përgjegjësie. Shikimi drejtuar tirqve të babait tim pas shumë vuajtjesh e peripecish, në ato rrethana prapë mu duk se më thanë diçka, ma lanë një porosi.
Mu shfaq një ndjenjë e bashkëfshatarit tim që e pat thënë para se të shpërthejë lufta, në një takim apo, më mirë të them, në një log burrash: “ kur të shkoj në kullë, dëshiroj aromën e atyre tirqve ta ndiej, aromë njeriu” , i cili jep një kuptim të thellë e domethënës mendimit dhe përgjegjësisë së mëtutjeshme. Në ballë të odës më erdhi një surprizë e një konture tjetër mbi plisin e bardhë dhe shaminë e zezë: ishin ngulur ca shigjeta armiku. Shoka e tirqve, që dikur shkëlqente si ylberi pas shirave që bien, kishte mbetur e stepur pranë murit zvarrë.
Tani vinte erë shkrumbi, tani ishte demoluar dhe granatura edhe kjo kullë, e cila edhe gjatë tri periudhave të shkuara gjatë shekujve, ishte djegur dhe rrënuar, por tani jo si herëve tjera. U ula në një kënd të fundit, në fund, në shtratin e trapazanit, i mallëngjyer për një çast, duke qarë si fëmijë, u ula në fund të fundit, sepse edhe vetë kisha ardhur në fund. Nga molisja dhe mërzia u zgjova dhe fshatit tim pash më pash i rashë. Duke i numëruar thëngjijtë e zjarrit, e pashë se gjysma e fshatit tim ishte tërësisht i djegur. U ktheva në kullën e vendlindjes, u ula në fund të fundit mbi dërrasën e trapazanit, theva shpirtin tim për t’iu nënshtruar muzgut të natës dhe për të bërë në një vetmi të plotë gjumin. Porsa ra muzgu i asaj nate, paksa i lodhur, në krahun e majtë u mbështeta e me dorën e djathtë afrova armën skaj vetes, sepse çdo gjë ishte e vetmuar dhe para se të më rrëmbejë kllapa e gjumit, mendova se fshati dhe hapësira rreth e përqark ishte pa njerëz. I vetmuar, natës dhe gjumit nuk i zihej besë. Para se të mbështetesha, ndeza një qiri dhe ia kalla duhanit, duke shikuar mbi rafte kavallin e metaltë përplot me vrima që diku i mëshonte im vëlla Elezi e tani varri i tij s’ishte me larg se 200 metra në breg të lajthisë, akoma pa i dalë bari. Thash me vetën time se vetëm dëshmorët po i mbesin besnik këtij trualli e ne tjerët s’e di si po na vjen.
Tani NATO-ja dhe UÇK-ja ishin duke ia përfunduar luftës. Prita mos po vijnë shokët e luftës për tu takuar para muzgut, kur e patëm lanë takimin, të para muzgut të Varri i Elezit, por kushëriri i parë, Jahë Geci, djemtë e hallës, Hyseni dhe Haxhi Memaj dhe dy djemtë e motrave, Demë Luli dhe Fadil Aliu, pastaj shokët Ilir Tahirsylaj, shok i pandarë i luftës e shokët e tjerë. Kisha disa shokë të tjerë, si Qaushi, Riza, Deliu, Muhameti, Brahimi, Burimi etj, që kishim mbetur për t’u takuar të nesërmen. E, thashë me vetën time, se pa lidhe u ndamë. Pakëz i zëmëruar, edhe pse vetë isha ndarë nga ata që ta shihnim kullën e vendlindjes përsëri, andaj pëshpërita në heshtje dhe thashë në vetën time: kështu e kemi të ndarë edhe atdheun, sikurse edhe ne jemi të ndarë.
Shkunda cigaren e duhanit. Ashtu, të mbështetur, nisi të më zinte gjumi, kurse dera papritmas nisi të lëvizë me një krismë të lehtë. Mu shfaqën konturat e një mace të zezë, e cila hyri brenda……
Macja e zezë me faqe të bardhë
Macja ishte shumë guximtare. Mu afrua sikur të ishte e mallëngjyer. Ma fërkonte trupin tim, edhe pse e kam siklet. Me njërën dorë nisa ta ledhatoj. Nuk mu kujtua se kjo mace a ka qenë e jona para luftës…
Macja e zezë më shoqëronte gjithnjë. Mu largua prapë gjumi. Më shoqëronte hija e zbehtë e qiriut mes katër mureve të odës së moçme. Një parandjenjë më erdhi si në vërdallë, se tregimet e vjetra në mitologjinë e lashtë tregojnë se macja e zezë portretizon djallin e që për momentin,macja e zezë më doli shumë besnike: roja më besnike e truallit, edhe pse ishte macë, ajo më shoqëronte. Këtë macë të zezë e kishte ligështuar vetmia; e kishte molisje mërzia. U gëzova dhe ia nisa një bisedë me macen e zezë, që për momentin ishte me faqe të bardhë. Çela çantën, ku e mbaja municionin dhe hoqa ca gjëra ushqimore, edhe pse për vete me grat i kisha. Ia qita. Prapë thashë me vetën time: në tregimet e mitologjisë portretizon djallin, por gjërat që shtihohen dhe shtiren nëpër kohë lufte, ato bijnë pa vlerë. Vetëm njeriu prej njeriut ruhet dhe ka frikë. E pra, ekzistojnë ushtritë armike apo ushtritë që luftojnë dhe mbrojnë lirinë.
(Qershor 1999)
Pjesë e shkëputur nga libri im “KU SKALITËN KUJTIMET”.