Ali Riza Kosova, (1883- 1941) atdhetar, ushtarak dhe shtetndërtues

Ali Riza Kosova, (1883- 1941) atdhetar, ushtarak dhe shtetndërtues

Njëri nga bashkëpunëtorët e Ataturkut, ndër komanduesit kryesor në përballimin e disa ndërhyrjeve ushtarake serbo-jugosllave.

Ali Rizai ishte përgjegjës i punimeve për zgjerimin dhe shtruarjen e rrugës Tiranë-Durrës

-Ahmet Zogu: Unë s’e harroj që ju keni qenë kundërshtari im. Ali Rizai: Unë i shërbej atdheut

– Kazerma e parë ushtarake në historinë e ushtrive shqiptare, nga Majori Ali Riza

-Tiranasit i çoi si minator për të nxjerrë gur në Dajt dhe për të bërë qerpiçe

-Kavajasit i vuri për prodhimin e tullave dhe tjegullave

-Me gollobordasit formoi grupin e mjeshtrave (muratorë e karpentierë)

– Vështroja se si oficerët i rrinin gatitu e askush s’ia kthente fjalën. Si komandant i përgjithshëm i garnizonit, besa, dridheshin të gjithë para tij

– Kazerma e parë dykatëshe ushtarake e stilit evropian u ndërtua në një kohë rekord, brenda vitit

– Me inagurimin e kazermave veç dhuratave të rastit, atij iu komunikua gradimi i parakohshëm Nënkolonel (1.10.1928) (Dr. Vangjel Kasapi)

Ali Riza Kosova ishte njëri nga bashkëpunëtorët e Kemal Ataturkut, ndër komanduesit kryesor në përballimin e disa ndërhyrjeve ushtarake serbo-jugosllave në Kosovës e Shqipëri, ushtarak ndër më të zotët dhe atdhetar i dalluar. Ali Rizai u lind në Prishtinë më 16 prill të vitit 1883 në Prishtinë ku kreu edhe shkollimin fillor.

Gjatë mungesës së përkohshme të pjestarëve të familjes në Tiranë, Aliut iu gjendën afër miqë e shokë të hershëm, bashkë-krahinas. Ata i dhuruan mjedisin familjar dhe i dhanë ushtarakut atdhetar të papunësuar ndihmën dhe kujdesin e domosdoshëm në ato çaste vetmie dhe pa të ardhura. Por, ndërkohë, me arritjen e tij në Kryeqytet u vu në dijeni edhe Presidenti (ai edhe Komandant Suprem). Numëri Një i Shtetit dhe i FA, nëpërmjet njerëzve të caktuar, përçapi për ta marrë nën armë.  Zogu vështronte larg për ç’ka bënte. Metodat e tij në afrimin, trajtimin dhe kontrollimin e ish-kundërshtarëve, çudisnin njerëzit që e rrethonin. Aliu, kuptohej, e përfytyronte sadopak funksionimin e mekanizmit shtetëror, ndnaj edhe lëkundej gjatë ndekjes me vëmendje të ngjarjeve kalimtare. Mëkëmbja e vendit shtruan nevojën e ndërtimit edhe të një infrastrukture kombëtare tip euro-italiane.

Në sektorin nyje rrugore të Vorës

Krahas punës në sektorë të tjerë të ekonomisë, filloi një aksion i planifikuar për rikonstruksionin e rrugëve ekzistuese dhe hapjen e të rejave në arteriet nacionale. si linja Tiranë-Vorë-Durrës, që e çonte Shqipërinë nëpër botë (me gjatësi 37 km), zinte radhën e parë dhe më urgjente. Si oficer i lartë, me dijeni ushtarako-inxhinierike dhe shprehi organizativo-drejtuese, Aliun e punësuan në sektorin nyje rrugore të Vorës, në atë kryqëzim të vetëm që të shpinte në Veri. Aliu, duke qenë beqar, po ushtarak me emër dhe sjellje shembullore, u bujtë në barakën e vogël të Luigj Lulit, buzë xhades afër Vorës (nga e djathta kur shkon nga Tirana). Familja pa fëmi e Lukës (kështu e thërrasin vorasit edhe sot Luigjin) e mbajti Aliun në atë kasolle me ngrohtësi dhe përkujdesjeje atërore. Ata e trajtonin njëlloj si i treti i shtëpisë. Se i tillë vijoi ta quajë veten. Vorasit e sotëm, të moshuar e të rinj, edhe pse janë rrokullisur 70 vjet, ruajnë dhe mbartin mbresa interesante. Ata përmendin me respekt si Lukën shkodran, ashtu edhe Aliun prishtinas, duke i quajtur bashkëbanorë të fshatit të tyre tashmë një qytet i bukur dhe me industri të lehtë. Gjithësa takuam dhe dëgjuam, po i përfaqësojmë me kujtimet autentike të Haxhi Dedej: “Gjatë rindërtimit të rrugës Tiranë-Durrës, Ali Rizai ishte përgjegjës i punimeve për zgjerimin dhe shtruarjen e saj (Babaj im, Beqiri, bashkë me xhaxhallarët e mi, punuan aty nën drejtimin e z.Ali). Aty ai ndenji 5-6 muaj si punëdhënës. Nga goja e babajt, të xhajave dhe burrave të tjerë të fashtit kam dëgjuar fjalët më të mira për atë burrë të drejtë dhe të dashur me njerëzit. Ja përshëmbull: Dajës tim, Hamit Maloku, i pati ndodhur një grindje për çështje pune me brigadierin. Ky i dha një letër për z. Ali ku i shkruante se e pushonte nga puna. Daja vajti tek Aliu dhe i tha: brigadieri më ka pushuar nga puna për asgjë dhe unë letrën që më dha për Ju e grisa. Po pse e grise more Hamit atë pusullë -e pyeti Aliu që ua dinte emrat të gjithë punëtorëve? Sepse në rast se zotrote do të lexoje letrën, i ishte gjegjur daja, Ti nuk do të më dëgjoje e as të më besoje mua! Aliut i kishte pëlqyer mençuria e fshatarit, por edhe ndershmëria, dhe tok me të shkuan në vend. Nga ballafaqimi doli se Hamiti kishte patur të drejtë. Ti tha dajës- qenke burrë i drejtë, por edhe trim! Zoti Ali e shkarkoi brigadierin në punëtor të thjeshtë vetëm se ishte hakmarrë dhe për pa sinqeritet, por ama nuk e la pa punë. Kur morën vesh ngjarjen e Hamitit me brigadierin, banorët e Vorës e shtuan nderin për Ali Kosovën. Kohë pas kohe, në fisin tonë, flitej se Ali Rizai edhe si oficer i lartë i ruajti gjithë jetën këto cilësi.

Veças nga oficerët e tjerë

Në kohën e Zogut atë e mbanin si njeri që dallohej veças nga oficerët e tjerë, si për punë e ko-rrektësi ndal ligjeve dhe shërbimit. Ndoshta për të qeshur, por më duket me kuptim edhe ky rast: Kur unë isha në fermë si brigadier, nga që kërkoja shumë llogari për disiplinën dhe kualitet në punë, mua ma vunë emrin “Ali Riza”. Nuk thoshin po vjen Haxhiu, por erdhi Aliu. E them se zotësitë, kërkesa dhe ndershmëria e Ali Rizajt ishin të rralla e të mira edhe për sot për të komanduar dhe çmuar punën dhe njerëzit.” Sektorët rrugorë në hyrje dhe në dalje të Vorës morën pamjen e një autostrade për ato vite. Nëpër të kalonin transportet, autoritetet qendrore të pushtetit shtetëror-ushtarak dhe të gjithë të huajt në Tiranë. Institucionet dhe hallkat, që ndiqnin punimet dhe veprimtarinë e punonjësve, veçmas të nëpunësve ish kundërshtarë dhe emigrantë nga radhët e oficerëve, përcollën gjer në kupolë kapacitetet dhe qendrimin, rregullsitë dhe vetmohimin e Ali R.Topallit. Biografia e tij u shoshit imtësisht e gjithanshmërisht dhe e krahasuar me interesat kombëtare, u lanë mënjanë “difeksionet anësore”. Rekomandimet e disa politikanëve, deputetëve, zyrtarëve dhe oficerëve madhorë, e një rrethi të gjerë të njohurish, e bindën Presidentin dhe Koman-dantin. Po Ahmeti e mbante edhe vetë nën observacion një ushtarak të lartë në ish-ushtrinë turke, një nga bashkëpunëtorët e Ataturkut, ndër komanduesit kryesor në përballimin e disa ndërhyrjeve ushtarake serbo-jugosllave dhe në mposhtjen e rebelimeve brenda vendit. Mbi të gjitha ishte ai Ali, me të cilin u ndesh ballë për ballë dhe u frenua me humbje në Qenok e në qytet të Peshkopisë (dhjetor, l924).

Besimi i dyshimtë i Ahmet Zogut

Por edhe Vlora me Qershorin ishin një kujtesë, vëth në vesh për një Ahmet. Ndaj ku ta gjente një ushtarak kariere me aq bagazhe dhe prova, pse jo edhe një kosovar për opinion, një oficer që ende ruante emrin e mirë në ushtri e të dëgjuar në Ballkan. Prandaj i dha rastin për një audiencë: -Unë s’e harroj që ju keni qenë kundërshtari im, por… -Lartmadhëri! Populli thotë se “Qeni leh atje ku ha bukë”. Edhe unë si roje i shërbeva Atdheut dhe ligjës, ia priti me takt e krenari Ali Riza Kosova, që rrinte ulur përballë Sovranit. -Po, po-vijoi Zogu-po tashti ç’ke ndërmend të bësh? Me se do të merresh? -Tashti?-kundërpyeti Aliu. Me të parë dhe me të bërë. Kot nuk u ktheva nga Evropa. Po ju, zoti President, përse më thirrët? Ç’ mendim keni? -Dua t’iu besoj një detyrë me mjaft rëndësi. Si thua? -Si provë, apo pse jeni i bindur tek unë? -S’ka problem përse. Duam të nderosh shtetin, ushtrin-ia ktheu duke iu shmangur polemikës Ahmet Zogu. Një Ali nga Prishina, i mësuar dhe i kalitur nëpër beteja edhe më të mëdhaja, nguroi për një çast, por i vendosur për “luftë”, u çua në këmbë dhe shkurt gjegji: -Ashtu qoftë: Për Atdhe dhe për Ushtri. Ta provojmë! Po, ndërsa dy shumë të njohurit rrinin kundruall njëri-tjetrit dhe Aliu po largohej nga salla Presidenciale, Zogu dhe Ai, në mënyrë të pavarur buzqeshnin rreth historisë së një “Tre këndëshi”. Kosovari kishte sajuar një trekëndësh të vogël dhe e mbante në qafën e kalit. Lodra tërhiqte kuriozitetin e mjaft  njerëzve. Pyetjeve intime Aliu u përgjigjej se atë “lodër” ia rezervonte Ahmetit si kundërshtar, që vinte nga Serbia. Fjala kishte shkuar gjer tek vet Presidenti, por Njëshi, me një tolerancë të çuditëshme, u gjegjej atyre që i servirnin propozime se trimat dhe nacionalistët e vërtetë si Ali Riza Kosova kurrsesi nuk hakmerren. Ky qendrim, gjithashtu, i shkoi në vesh edhe Aliut dhe prej atyre kohëve e këndej, historia e “Trekëndëshit” i përkiste të shkuarës; ajo ishte zëvendësuar me mirëkuptim, miqësi dhe shërbim të përbashkët në dobi të Kombit, Atdheut. Njëri President (Mbret) dhe tjetri një oficer madhor. Gjithësesi të dy shqiptarë, ushtarë bij të popullit, pavarësisht nga diferencimet e ligjshme.

Kazerma e parë ushtarake në historinë e ushtrive shqiptare

Në pritje u diskutua për ndërtimin e kazermës së parë ushtarake në historinë e ushtrive shqiptare. Kapiten’ i Klasit të I-rë u rimuar në shërbim aktiv dhe gradohet major (27.1.1927). Ishte një detyrim apo një nder që i bëhej atij qytetari ushtarak? Siç dukej gërshetoheshin të dyja, se ishte vështirë të dalloje kush vinte e para. Aliu, pas një ndërprerjeje 2-vjeçare, i pajisur me treguesit profesional dhe elementët e sigurisë, i kthehej armës aq të dashur në jetë. Ai rreshtohej në UKSH, kur në kuadrin e programit afatgjatë në fushën ushtarake e të mbrojtjes, parashikoheshin një sëri punimesh ndërtimore-xheniere. Ato, i mori përsipër ministria e Ekonomisë Kombëtare, por më vonë iu ngarkuan Armës së Xhenios. Grupin e ndërtesave në Tiranë e paraprinte kazerma që iu ngarkua dhe iu besua Ali Rizajt. Thonë se, si dhuratë për ndihmesën e dhënë në Vorë dhe për t’i ardhur në ndihmë në përballimin sa më mirë të shpenzimeve për kazermën, me porosi të Zogut, iu dhanë një sasi parash. Çfarë dhe si do të bënte me ato? Repartet që formoheshin në Tiranë i vendosën atje ku mundej. Batalioni (grupi) i këmbësorisë u përhap në çadra në lëndinën më shkurre të Selitës së Vogël. Në tokat kullotë, që Aliu ua bleu fshatarëve sipas ligjeve, u ngrit një kantier pune. Komandanti Ali Rizai, duke përfytyruar përvojën e kazermës turke dhe duke e përqasur me tipin modern italian, projekoi dhe ia nisi një misioni me përgjegjësi. Zgjodhi 2-3 teknikë të mesëm, l inxhinier dhe vet u vu në krye si “Kryeinxhinier”, sikur të kishte mbaruar shkollën e lartë për inxhinieri ndërtimesh ushtarake. Ndërtesa, me mjediset më të domosdoshme për jetë dhe veprimtari ushtarake, kërkonte fonde të bollshme. Mirëpo buxheti i shtetit shqiptar ndodhej i varfër dhe më shumë mbulohej nga borxhet e huaja, kryesisht ato italiane. Ndaj Aliu, si një shqiptar i vërtetë dhe ekonomist nikoqir, që i dhimbsej leku i fukarasë, gjeti një zgjidhje tepër praktike, të përdorshme nga çdo vend dhe ushtri, por jo deri në “një parim udhëheqës” dhe as deri në izolim nga bota, siç do të quhej “mbështetja në forcat e veta”. Ai caktoi paraditen për punë dhe pasditen për stërvitje. Ushtarët e batalionit i ndau në disa brigada sipas prejardhjes krahinore. Kështu, të rinjtë krutanë i ngarkoi të prodhonin gëlqere në shpatet gurore të Krujës. Tiranasit i çoi si minator për të nxjerrë gur në Dajt dhe për të bërë qerpiçe. Kavajasit i vuri për prodhimin e tullave dhe tjegullave. Me gollobordasit formoi grupin e mjeshtrave (muratorë e karpentierë). Një grup ushtarësh kryente transportimin me kafshë, karroca a ndonje maqinë materiale të ndryshme. Disa merreshin me punë ndihmëse dhe një pjesë u lanë për shërbimin e rojes. Me këtë godinë pionere dhe nën drejtimin e major Rizajt, merrte udhën e gjatë kazerma shqiptare. Dëshmitari okular, 87-vjeçari Baftjar Xhafa, i cili vijon të banoj mbi ato kazerma, kreu vetëm një vit shërbim ushtarak tek garnizoni “Skënderbej”  me qendër në Tiranë. Nëpërmjet dëshmive të gjalla, ai na transmeton: “Atje vlonte puna pothuaj 24 orë. Askush nuk bëzënte. Brigadat e ushtarëve ishin vënë në sedër. Unë gjer sot s’kam parë një disiplinë aq të fortë dhe punë të heshtur si atëherë. S’e kuptoj: s’kishim shkollë apo ishim punëtor për gjënë tonë? Aliu, herë më këmbë e më shumë hipur në një kalë të bardhë (se çalonte pak), vinte errët në mëngjes dhe largohej kur ngrysej. Nderoja kur vinte dhe ikte, kurse ai njeri i madh më përshëndeste buzëqeshur e me zgjaste dorën me përzemërsi sa unë fluturoja. Vështroja se si oficerët i rrinin gatitu e askush s’ia kthente fjalën. Si komandant i përgjithshëm i garnizonit, besa, dridheshin të gjithë para tij. Aq autoritet kishte qerratai! Ishte trup vogël, por si kam dë-gjuar, edhe napoloni flori është i vogël por vlerën ama e ka të madhe. Emri i tij u përhap në çdo shtëpi të Selitës si ushtarak i rreptë, por si njeri i drejtë. Gjithë Tirana e mbante nëpër gojë dhe i frikësoheshin pa e ditur se çfarë zemre të madhe kishte ai burr prej Kosove. A ka atdhetari tjetër se sa të bësh një vepër pa e harxhuar shumë shtetin tënd? Ja, kështu duhet të jenë nacionalistët. Prandaj, or ti, mik i nderuar, nuk i humbet emri atij lloj fisi si Aliu”. Kazerma e parë dykatëshe ushtarake e stilit evropian u ndërtua në një kohë rekord, brenda vitit. Ky rast jepte shkas në paraqitjen e një arritje me karakter përgjithsues dhe politik: “Ushtria në pak kohë ka marrë ngjyrën e zhvillimit… Kazerma shqiptare nuk është vetëm mbrojtja e Kombit, por edhe shkolla e atdhedashjes dhe disiplinës kombëtare…E këtë zotësi na kemi detyrën e shenjtë t’a përdorim që Shqipnija… të ketë gjithnjë gadi një ushtri të plorë e të mbaruem”[1].

Përurimi

Përurimi i saj solemn mblodhi elitën e shtetit e të FA, përfaqësitë diplomatike dhe atashetë ushtarak të akredituar në Tiranë. Festë e rrallë, gëzim i madh! Populli patriot dhe fuqitë ushtarake të garnizonit të Kryeqytetit e përcillnin çastin me një ndjenjë të veçantë krena-rie. U fol shumë dhe u këmbyen urime. Në qendër të ngjarjes, si personazh kryesor, rrinte major A.R.Prishtina. Ndihej sa i lehtësuar, aq edhe kryelartë se përmbushi një fjalë e dha një provë në një mathch me Primarin e Shtetit e të Fuqinave të Armatosuna. Vepra u ndërtua. Vullneti i Zogut u plotësua. Aliu rikonfirmoi personalitetin e tij. Veç dhuratave të rastit, atij iu komunikua gradimi i parakohshëm Nënkolonel (1.10.1928). Por mbi shpërblimet, qendronte përjetësimi i qytetit ushtarak me emrin e një kosovari (një rast domethënës për atë periudhë): “KAZERMAT E ALI RIZAJT”.

Ndërtimi i kazermës ushtarake pasonte mbarimin e rrugës Tiranë-Durrës. Ajo godinë i tejkalonte vlerat e një objekti të zakonshëm sepse me të shënohej një imazh i ri tërheqës në kontekstin e zbatimit të reformes ushtarake shqiptare. Për Aliun ato përbënin dy prova jo të pakta. Atëherë si do të reagonte Presidenti, Kryekomandanti ndaj tij? Ndaj Aliu meritoi vendin dhe nderin që i takonin si atdhetar e ushtarak madhor. Qysh nga ai bashkëbisedim burrash dhe oficerësh madhorë, ndërmjet Aliut dhe Ahmetit, prishtinasi integrohej plotësisht në gurgullimat e zhvillimit e të modernizimit të UKSH, duke qendruar në funksione prioritare. Përbri në të dy anët e korpusit kryesor të kazermës klasike, u ngritën edhe dy godina analoge për shkol-lat ushtarake. Ky kompleks kazermash u shndërrua në një qendër stërvitore të ushtrisë, me komandant të përgjithshëm të qytetit ushtarak nënkolonel Ali-R.Kosova.

(Dr. Vangjel Kasapi)

[1] Album “10 Vjet Mbretni, 1928-1938”, Tiranë, 1938, f. 81.

Kontrolloni gjithashtu

Androkli Kostallari, ( 1922-1992) gjuhëtar, leksikolog, akademik

Androkli Kostallari, ( 1922-1992) gjuhëtar, leksikolog, akademik

Androkli Kostallari, lindi më 7 nëntor të vitit 1922 në Leusë të Përmetit, është gjuhëtar, …