Ali Vitia lindi në një familje të varfër dhe me ndjenja nacionaliste, në fshatin Marec të Prishtinës. Shkollën fillore e kreu në fshatin e lindjes dhe menjëherë u regjistrua në Shkollën Normale Pedagogjike në Prishtinë, ku kreu dy vitet e para të saj. U detyrua ta ndërpresë shkollën në Prishtinë, pasi iu sëmur dhe zuri krevatin i ati dhe nuk kish kush t’ia paguante strehimin dhe ushqimin në Prishtinë, pasi qysh i vogël ishte dëmtuar në njërën këmbë dhe kish vështirësi për të bërë rrugë të gjata e të përditshme.
Familja nga rrjedh Ali Vitia është e njohur për ndjenja atdhetare edhe gjatë Luftës së Dytë Botërore, ku babai i tij, së bashku me dy vëllezërit, Namanin e Mehmetin, ka qënë pjesëtar i çetës së Shyt Marecit, deri në fund të luftës. Po ashtu, edhe i vëllai i nënës së Aliut, Shaban Siarina, ka qënë luftëtar nacionalist i çetës së Shyt Marecit dhe i rënë në luftë kundër serbëve në vitin 1945, në afërsi të kalasë së Artanës (ish-Novobërdës). Kuptohet që e gjithë kjo përbërje familjare dhe aktiviteti i saj, si nga nëna edhe nga i ati, kanë bërë ndikimin e vet në edukimin patriotik revolucionar të Aliut, krahas vuajtjeve ekonomike dhe ndërprerjes së shkollës, po për ato shkaqe dhe punës së rëndë që u detyrua të kryente, duke prerë e shitur dru me qerre në Gjilan dhe në Prishtinë. Dashuria për atdheun nuk konceptohej për Aliun, pa qenë i armatosur. Shtëpia e tyre, asnjëherë nuk ishte pa armë. Në të gjitha kontrollet e mëdha të shtetit serb, në shtëpinë e tyre janë gjetur armë dhe janë burgosur e keqtrajtuar familjarët e saj. Edhe në kontrollin e vitit 1996 iu gjet një pistoletë dhe si rrjedhojë, policia i mori edhe pushkën e gjuetisë. Ai gjeti përsëri armë, por tashti më të fuqishme, pasi ashtu e kërkonte koha. Si i tillë Ali Vitia, natyrshëm që me daljen në skenë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, do të ishte pa tjetër një ushtar i denjë i saj dhe ashtu ndodhi. Edhe pse Aliu ishte i martuar dhe kish katër vajza për të rritur, ushqyer, shkolluar e martuar, me fillimin e luftës në malësinë e Gollakut, rrëmbeu armët dhe iu bashkua radhëve të UÇK-së, në Brigadën 153.
Më 24 nëntor 1998, Ali Vitia bëhet anëtar i njësitit të Vitisë së Marecit, së bashku me katër djemtë e vëllait të tij dhe, si pjesëtar i atij njësiti, u stërvit dhe luftoi deri në rënien heroike. Në kohën kur në lagjen e Hajdarajve vendoset shtabi i Zonës Operative të Karadakut, Aliu ka qënë ndërlidhësi midis atij shtabi dhe komandës së Brigadës 153, që ndodhej në Zllash. Duke qënë edhe me këtë detyrë, ai ishte në brendësi të problemeve ekonomike që lindnin për të dy komandantët, prandaj në janar të vitit 1999, në kushtet e atij dimri të ashpër e bllokimit të rrugëve, pa i njoftuar shokët e komandës, therri lopën, duke ua hequr qumështin fëmijëve dhe furnizoi me ushqim luftëtarët e UÇK-së që luftonin dhe që kishin 2 – 3 ditë pa ngrënë.
Në 18 prill 1999 ushtria serbe ndërmori ofensivën e saj fshirëse në zonën e malësisë së Gollakut, ku vepronte Brigada 153, e cila kishte gati në 600 luftëtarë. Kundër kësaj brigade, armiku serb angazhoi tri brigada të këmbësorisë së mekanizuar, të përforcuara edhe me mercenarë rus, ukrainas dhe moldavë. Armiku, sulmin kundër popullsisë së kësaj zone dhe forcave të Brigadës 153 e shtabit të Zonës Operative të Karadakut, e vendosur në afërsi të shtabit të kësaj brigade, së bashku me një pjesë të forcave të saj, e ndërmori njëkohësisht nga 7 drejtime: Prapashticë – Canaj – Zllash; Suteskë – Mramor – Zllash; Prishtinë – Grashticë – Stallovë – Zllash; Prishtinë – Koliq; Bërnicë – Rimanisht – Sharban- Koliq; Ballaban – Keçekoll – Zllash dhe në atë Ballaban – Koliq. Sikundër shihet, të gjitha drejtimet e goditjeve kishin për objektiv Zllashin, pasi armiku e kishte mësuar se atje ndodhej jo vetëm shtabi i brigadës, por edhe për të mbyllur të gjitha shtigjet e mundshme të tërheqjes së forcave të brigadës dhe në Zllash të realizonte rrethimin e forcave të fundit që do t’i mbeteshin brigadës e të bënte asgjësimin e plotë të tyre.
Komanda e brigadës e kish parashikuar sulmin dhe drejtimet e mundshme të ardhjes së armikut, ndaj edhe kish hartuar planin e saj. Ajo, nisur nga përqendrimi shumë i madh i popullsisë së ardhur nga qyteti i Prishtinës dhe ai i Besianës (Podujeva), gati 300 mijë qytetarë, pa llogaritur popullsinë e gjithë fshatrave të Gollakut, kish parashikuar kryerjen e luftimeve frontale dhe në rast pamundësije për ta sprapsur armikun, atëherë të kalonte në përdorimin e taktikës partizane, por me çdo kusht të mbrohej popullsia. Për këtë qëllim komanda e brigadës urdhëroi sektorin civil të saj, që ta evakuonte popullsinë në terrene sa më të sigurta dhe të maskuara, duke i angazhur vetë atë të ndërtonte strehime.
Armiku e filloi sulmin me përgatitje të gjatë artilerie, të bazuar në Artanë, Prapashticë, Butovc, Graçanicë, Gazimestan dhe Grashticë, si dhe tanket M-84, i cili mësyu në drejtimin Rimanisht – Sharban; Llukar – Butovc, Prapashticë – Stallovë dhe Slivovë – Zllash, duke ecur kryesisht përgjatë rrugëve automobilistike. Vendkomanda e gjithë këtyre forcave armike ishte vendosur në një helikopter Mi-8, i cili gjatë gjithë ditës së parë të luftimeve fluturonte mbi Gollak, derisa u godit me zjarr të përqendruar me armët e këmbësorisë nga një njësit i brigadës, i komanduar nga Rrahman Dini (dëshmor).
Komanda e brigadës kish ndërtuar vijën e parë mbrojtëse përgjatë: lagjja Canaj – Kukavicë – Vidime – Suteskë – Siçevë – Rimanisht – Ballaban – Nishec. Pjesa kryesore e forcave të brigadës u vendos në vijën e parë, e përforcuar edhe nga dy njësite të Skifterave dhe ato të Zonës së Karadakut. Në urdhrin e saj, komanda e brigadës parashikonte edhe krijimin e njësiteve sulmuese, të cilat të depërtonin në shpinë të armikut dhe ta sulmonin atë pareshtur, me qëllim që ta detyronin të hiqte sa më shpejt dorë nga mësymja.
Një nga masat e brigadës ishte edhe evakuimi i spitalit të saj nga Prapashtica dhe së bashku me 13 të plagosurit ta çonin pranë spitalit të Zonës së Llapit.
Në mëngjesin e datës 18 prill, një grup kuadrosh të policisë serbe ngjiten dhe vëzhgojnë terrenin te kodra e Kukavicës. Njësiti i Vitisë së Marecit, i komanduar nga Behxhet Vitia, vendosi t’i sulmojë para se të sulmoheshin nga serbët dhe e ndan njësitin në dy grupe dhe ndërkohë e nis Ali Vitinë të njoftonte banorët e fshatit të tërhiqeshin në lagjen e Bullajve dhe të qëndronte pranë familjes. Aliu zbaton urdhrin dhe kthehet. Gjatë kohës që Aliu kryen këtë detyrë njësiti kryen këto veprime luftarake: një grup prej 7 luftëtarësh, i komanduar nga Lirim Haxholli, niset në drejtimin e Kodrës së Kukavicës, ku kish dalë grupi i kuadrove serbe me harta në duar, ndërsa grupi tjetër prej 11 luftëtarësh, i komanduar nga komandant Behxheti, niset në drejtimin e kodrës tjetër, në krah të djathtë, 500 m. larg, duke lënë disa luftëtarë në mbulim të rrugës që vjen nga Slivova. Njësiti i komanduar nga Lirimi, pasi afrohet 20 – 30 metra, hap zjarr të njëkohshëm, duke i vrarë të gjithë kuadrot serbe dhe largohet me shpejtësi për te Rrezja e Vitisë, ku i ishte caktuar detyra. Edhe grupi tjetër, tërhiqet më vonë dhe kur mbërrijnë në bazë, atje gjejnë edhe Aliun, i cili nuk kish pranuar të qëndronte me popullsinë. Me urdhër të komandës së brigadës, njësiti i Vitisë shkon në afërsi të fshatit, ku i priste komandanti i brigadës, Adem Shehu.
Në orën 15 e 15 minuta, në drejtim të fshatit Slivovë niset një kolonë armike me 17 automjete, ku ushtarët ecnin në këmbë, në krah të automjeteve. Luftimet nisën të ashpra. Aliu luftonte në drejtimin ku po afrohej kolona. Kolona e armikut u la të afrohej 20 – 30 metra dhe u hap zjarr nga i gjithë njësiti. U dogjën dy pizgauerë, si dhe u vranë ushtarët që i shoqëronin ato. Mjetet e tjera luftarake u tërhoqën, duke lëvizur prapsht dhe duke u mbuluar me zjarr të dendur artilerie. Në vendin e goditur mbeten një arkë me 1200 fishekë automatiku dhe një shirit mitralozi “Gulianov” me 150 fishekë.
Pas dy ditë luftimesh të ashpra, ushtria serbe bën përforcime në forca e mjete dhe ndërmerr një sulm më të fuqishëm se ditët e mëparshme. Komanda e Zonës Operative të Llapit pat dhënë urdhër të prerë që popullsia e qytetit të Prishtinës, që ndodhej në Gollak, të orientohej dhe të nisej për në Prishtinë, por të mos lejohej goditja nga krahët dhe shpina prej ushtrisë serbe. Armiku po bëhej edhe më i egër dhe më i pandalshëm. Komanda e brigadës vendosi që forcat e saj, në kushtet e reja të krijuara të tërhiqeshin, me luftim, në vijën e dytë të mbrojtjes: Viti – Zllash i Vogël – Kulec – Cervadik – Çelaj – Kurtaj – Bullaj. Për të njoftuar shtabin e Zonës Operative të Karadakut që vepronte në Marec, për këtë vendim të ri të saj, komanda e Brigadës 153, nisi Ali Vitinë, së bashku me Besim Vitinë. Ishte mbasdita e datës 20 prill. Gjatë kalimit për në vendin e misionit të ngarkuar, kur mbërrijnë në lagjen e Bullajve, ata konstatojnë se ushtria serbe kishte depërtuar te shtëpitë e para të asaj lagjeje dhe menjëherë njoftojnë një njësit të ZOK-ut, i cili nuk i kish vërejtur serbët dhe mund të binin në kurthin e tyre. Detyra nuk i linte që të qëndronin e të luftonin atje. Duhej të shkonin në komandën e ZOK-ut. Mirëpo, armiku kish filluar të avanconte në front të gjerë. Ai kish mundur të hynte dhe të fshihej edhe në shkollën e fshatit Bullaj. Në kohën që këta dy luftëtarë po shkonin në afërsi të shkollës, rrethohen nga forcat serbe. Tërheqja ishte e pamundur. Duhej luftuar. Nuk kish rrugë tjetër. Zjarri dhe luftimet ishin të ashpra. Luftuan deri në fishekun e fundit, duke përdorur, më në fund, edhe granatat e dorës. Gjatë momentit që deshën të shfrytëzonin hapjen e shtegut për tërheqje u goditën me breshëri zjarri dhe të dy heronjtë derdhën gjakun për liri.
Kështu u nda nga jeta, nga shokët dhe nga familja, Ali Vitia, duke luftuar deri në pikën e fundit të gjakut të tij, më 20 prill të vitit 1999.
Kur Kosova u çlirua, Aliut i lindi edhe vajza e pestë, por ajo do ta njohë babain vetëm në lapidar dhe atë kujtim të përjetshëm do ta ruajë përgjithnjë. Eshtrat e dëshmorit prehen në vorrezat e fshatit Marec, ku pushojnë edhe dëshmorë të tjerë të Brigabës 153. (D. G.)
Kontrolloni gjithashtu
Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)
Dëshmori i kombit, Ilmi Aliu, u lind në Izbicë të Drenicës, në vjeshtën e vitit …