Kryetari i Komunës së Ferizajt, z.Agim Aliu me rastin e ndarjes nga jeta të Gjeneralit të FSK-së, Imri Ilazi në telegramin e tij ngushëllues ka shkruar:
“Me dhembje e pikëllim të thellë, morëm lajmin se sot, pikërisht në Ditën e Dëshmorëve të Kombit të Komunës së Ferizajt, u nda nga jeta Gjenerali i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Gjenerali i FSK-së, veprimtari politik, bashkëqytetari ynë i çmuar, Imri Ilazi – Komandant Ferri.
Sa i rëndë ky lajm, sa i thellë ky pikëllim, kur Gjeneralit po i japim lamtumirën e fundit.
Gjeneral Imri Ilazi – Komandant Ferri gjithë jetën e tij ishte shëmbëlltyrë e atdhedashurisë, dalzotës i atdheut, prijës i shquar e luftëtar sypatrembur.
Komandant Ferri barti mbi supe luftën çlirimtare për të cilën erdhi nga mërgimi duke iu bashkuar radhëve të para të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke qenë zëvendëskomandant në Zonën Operative të Neredimes. Kontributi i tij i pashlyeshëm mbetet vlerë dalluese edhe në Forcën e Sigurisë së Kosovës, trashëgimtare e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke qenë Gjeneral i saj, ku përgatiti gjeneratat e ushtarëve të Kosovës.
Shembulli i tij atdhetar, mbetet i veçantë në universin gjithëkombëtar, duke e përjetësuar me veprën e tij të jashtëzakonshme, luftën për çlirim , lirinë e Kosovës.
Lamtumirë Gjeneral!
Lamtumirë miku im Imri Ilazi – Komandant Ferri!
Zemra e gjithsecilit prej nesh që të njohëm e bashkëpunuam, është me lot sot, për kalimin tënd në amshim!
Ngushëllime të sinqerta familjes Ilazi, bashkëluftëtarëve, familjeve të Dëshmorëve të Kombit, invalidëve e veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës!
Shpirti i tij, u prehtë në parajsën e paskaj! thuhet në telegramin ngushëllues të kryetarit të komunës së Ferizajt, z. Agim Aliu.