Altin Sadri Haskaj (24.5.1978 – 3.6.1998)

Altin Sadri Haskaj (24.5.1978 – 3.6.1998)

Dëshmori Altin Haskaj u lind më 24 maj të vitit 1978, në fshatin Irzniq (tash Rrezar) të Deçanit, në një familje të ndershme e bujare dhe me tradita atdhetare. Altini ishte gëzimi i parë i prindërve Sadri Hazir Haskaj dhe Shkurte Shala-Haskaj, të cilët i lindën e i rritën pesë fëmijë, dy djem e tri vajza: Altinin, Vlorën, Valbonën, Dardanin dhe Besianën.
Shkollën fillore e kreu në vendlindje në shkollën fillore “Avni Rrustemi”. Edhe shkollimin e mesëm e kreu në vendlindje, në paralelet e ndara të Gjimnazit “Vëllezërit Frashëri”. Studimet e larta i vijoi në Fakultetin Juridik në Universitetin e Prishtinës. Ishte nxënës e student shembullor. Ishte edhe aktivist i lëvizjes studentore, por në pranverën e vitit 1998, i ndërpreu studimet në shkëmbim të pjesëmarrjes së drejtpërdrejtë në luftën për liri e çlirim.
Që nga viti 1997, Altini iu kishte bashkuar radhëve të lëvizjes ilegale për çlirimin e vendit, ndërkaq që në kushtrimin e parë kyçet në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Menjëherë pas betejës heroike me përmasa gjithëkombëtare, të zhvilluar më 24 mars 1998, në Gllogjan nën drejtimin e Ramush Haradinajt, më vonë komandant i Zonës Operative të Dukagjinit, ku pas më se dhjetë orë luftimeve të përgjakshme forcat serbe u mundën dhe u detyruan të tërhiqen me turp, padyshim se banorët e fshatit Irzniq ishin ndër të parët që u mobilizuan masivisht dhe iu bashkuan luftës për liri.
Që nga 10 prilli i vitit 1998, Altini së bashku me të atin Sadriun dhe me shumë bashkëfshatarë të tyre kyçen në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në Njësitin e UÇK-së në fshatin Irzniq, nën drejtimin e komandantit Maxhun Malë Çekaj (dëshmor i kombit), duke e shndërruar edhe shtëpinë e tyre në bazë dhe strehë të sigurt për luftëtarët e UÇK-së.
Vendlindja e Altinit – Irzniqi, është fshat i shumë dëshmorëve e i martirëve të kombit, është fshat i shumë invalidëve e veteranëve të luftës. Është fshati ku për më shumë se katër muaj ishte i vendosur Spitali Ushtarak i Zonës Operative të Dukagjinit, ku iu mjekuan plagët e luftës jo vetëm qindra luftëtarëve të lirisë, por edhe qindra civilëve, por aty filluan edhe shumë jetë të reja; në këtë fshati ishte selia e Njësisë Speciale për Ndërhyrje të Shpejta “Shqiponjat e Zeza” e Zonës Operative të Dukagjinit, të cilës iu bashkuan edhe djemtë më të mirë e më të përgatitur të Irzniqit; për një kohë ishte edhe selia e Policisë Ushtarake të Zonës Operative të Dukagjinit, nën drejtimin e heroit të tri luftërave çlirimtare, Fadil Nimani – Komandant Tigri. Ishte vendi ku iu dha bukë e u strehuan qindra të zhvendosur nga lufta, ishte vendi ku u zhvilluan luftime të përgjakshme, ndaj kontributi i këtij fshati në luftë për liri është i pamohueshëm.
Që nga dita e parë e themelimit të Njësisë Speciale “Shqiponjat e Zeza”, më 14 maj 1998, qendra e të cilës ishte në fshatin Rrezar (ish-Irzniq), Altini ishte rreshtuar në radhët e kësaj njësie elite, duke kryer me nder detyrën ndaj atdheut deri në frymën e fundit. Nëntë pjesëtarë të kësaj njësie elite ishin nga fshati Irzniq.
Gjatë gjithë kohës Altin Haskaj, u shqua për guxim e trimëri dhe luftë të pakompromis kundër armikut shekullor, i cili pati fatin e shenjtë të jetë edhe dëshmori i parë nga radhët e kësaj njësie. Stërvitjet ushtarake i kreu në Gllogjan e më pas në Irzniq si pjesëtar i Njësisë Speciale.
Altin Haskaj dhe luftëtarët e kësaj njësie, gjithmonë ishin aty ku e kërkonte nevoja dhe ku i thërriste zëri i arsyes, duke luftuar me vetëmohim për jetë a vdekje, duke ia bërë të qartë gjithkujt se Kosova nuk e ka dekretuar robërinë e vet dhe se ka djem e vajza që i dalin zot, duke u bërë sinonim i qëndresës titanike në luftën për liri.
Altini tregoi heroizëm e guxim të pashoq në frontet më të rrezikshme të luftës, sidomos duhet veçuar luftimet në frontin e Baballoçit, Prejlepit, Shaptejt e Biteshit, Vranocit, Sllupit, Junikut, Vokshit etj. Ai pati fatin të jetë dëshmori i parë i Njësistit “Shqiponjat e Zeza”, që ra heroikisht më 3 qershor të vitit 1998, gjatë luftimeve të zhvilluara kundër forcave pushtuese serbe në mbrojtje të Vokshit. Atë ditë Altini me njësitin e tij arriti t’i likuidojë nëntë pjesëtarë të forcave armike në Pobergjë (Vokshi i Ri). Luftimet kishin zgjatur rreth tri orë. Mirëpo, ndërkohë edhe ai ishte qëlluar në kokë nga snajperistët serbë, duke rënë në fushën e nderit pasi kishte shpaguar veten shumëfish. Aty u plagosën edhe disa bashkëluftëtarë të tij. Heroizmi i tij mori dhenë, por trupi i Altinit mbeti në fushëbetejë, më shumë se pesë muaj mbi dhe.
Pasrënia e dëshmorit Altin Haskaj është një dramë më vete, që përmbledh heroiken, flijimin, sakrificën e qëndresën e jashtëzakonshme të familjes së tij, e veçanërisht të nënë Shkurtes, e cila nuk ishte mërzitur për të birin e rënë për liri, por s’po gjente dot qetësi e nuk mund të fuste gjum në sy, pasi nuk e dinte ku i kishte eshtrat e të birit. Për t’i kërkuar ata, atë nuk mund ta ndalte askush, madje as postblloqet e atëhershme të policisë serbe, as rreziku i terrenit të minuar nga armiku, as paralajmërimet se në një mision të tillë po përballej me vdekjen. Zaten ajo po vdiste ditë për ditë dhe nuk kishte ku të shkonte përtej kësaj. Pas ofensivës së shtatorit, përkatësisht më 16 nëntor 1998, nënë Shkurta, e ndihmuar edhe nga i shoqi Sadriu dhe mjeku Rexhep Bozhdaraj e Ajshe Mushkolaj, niset t’i gjejë eshtrat e të birit. Në Pobergjë ishte ndihmuar edhe nga Naser Tolaj. Aty te vendrënia gjen eshtrat e të birit, të cilët, me dhembje i mbledh dhe i sjell në fshatin Kryshec të Pejës për t’i varrosur në oborrin e familjes së Ahmet Gërvallës, e cila ia kishte dhënë Ushtrisë Ççlirimtare të Kosovës të gjithë djemtë të aftë për luftë, nga radha e të cilëve, në maj të vitit 1999, Nuredin Ahmet Gërvalla, pjesëtar i Batalionit të Tretë Gardist “Shkëlzen Haradinaj”, ra dëshmor.
Pas përfundimit të luftës, dëshmori Altin Haskaj u rivarros në Varrezat e Dëshmorëve në vendlindjen e tij. Më 11 gusht 2007, në rrezare u përurua Kompleksi Memorial i Dëshmorëve dhe Martirëve të Kombit të këtij fshati të krenarisë kombëtare, ku në përmendoren madhështore në formë plisi, është skalitur edhe portreti i dëshmorit Altin Haskaj në mesin e njëmbëdhjetë dëshmorëve të tjerë të këtij fshati: Maxhun Çekaj, Armend Daci, Blerim Dervishaj, Berhan Dervishaj, Gëzim Dervishaj, Daut Aliçkaj, Dinë Çekaj, Halil Berisha, Malë Zejnaj, Mustafë Çekaj e Tahir Dervishaj dhe nëntë martirëve: Himë Dervishaj, Zeqë Dervishaj, Shkurte Dervishaj, Hajdin Dervishaj, Emine Dervishaj, Hajdar Dacaj, Tahir Dacaj, Ramë Aliçkaj e Selim Aliçkaj.
Sot sheshi në qendër të fshatit Rrezare mban emrin e Njësisë Speciale “Shqiponjat e Zeza”. Edhe një rrugë e fshatit të lindjes, rritës e veprimtarisë së tij mban emrin e dëshmorit Altin Haskaj.
Dëshmori Altin Haskaj nuk ishte i martuar. Pas vetes ka lënë prindërit Sadriun e Shkurten, vëllain Dardanin dhe tri motrat, të cilët krenohen me djalin e vëllanë dëshmor. Familja e dëshmorit është nderuar me mirënjohje të shumta si nga Komanda e Zonës Operative të Dukagjinit, Ministria e Mbrojtjes e Qeverisë së Përkohshme të Kosovës, Njësia Speciale “Shqiponjat e Zeza”, Brigada 131 “Jusuf Gërvalla”, Shoqata e Familjeve të Dëshmorëve të UÇK-së, Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Komuna e Deçanit, etj.
Dëshmori Altin Haskaj është përjetësuar në këngë e lapidare, emri i tij është shkruar me shkronja të arta në historinë e luftës së lavdishme çlirimtare si luftëtar i denjë i njësisë elite – Njësisë Speciale “Shqiponjat e Zeza” të UÇK-së. (F. R.)

Kontrolloni gjithashtu

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Dëshmori i kombit, Ilmi Aliu, u lind në Izbicë të Drenicës, në vjeshtën e vitit …