Ambasada amerikane në Prishtinë sërish i ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës, të udhëhequr nga Albin Kurti, që të zbatojë vendimin për tokën e Manastirit të Deçanit. Në një përgjigje dërguar Radios Evropa e Lirë, Ambasada amerikane tha se vendimi i vitit 2016 i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës ka të bëjë me sundimin e ligjit, “jo me etninë, politikën apo fenë”. “Qeveria Kurti u zgjodh mbi një platformë të përqendruar në forcimin e sundimit të ligjit. Respektimi i vendimeve të gjykatës nuk është çështje e zgjedhjes, dhe sigurisht nuk është çështje negociatash, politikash apo arritjes së ndonjë marrëveshjeje”, thuhet në përgjigjen e Ambasadës amerikane dërguar REL-it. Në maj të vitit 2016, Gjykata Kushtetuese e Kosovës vendosi që t’i njihet e drejta e pronësisë Manastirit të Deçanit për 24 hektarë tokë. Pavarësisht se vendimet e Kushtetueses – si instanca më gjyqësore në Kosovë – janë të formës së prerë dhe obliguese për të gjitha palët, ligji nuk parasheh “dënim” për mosbindje ndaj vendimeve të kësaj gjykate. Vendimin për kthimin e pronave të Manastirit të Deçanit po refuzojnë që ta zbatojnë autoritetet lokale në Deçan, pavarësisht thirrjeve të shumta të diplomatëve amerikanë dhe evropianë se ky vendim duhet respektuar.
