Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë ka paralajmëruar qytetarët e Kosovës për pasojat serioze që mund të përballen ata që tentojnë të abuzojnë me sistemin amerikan të vizave. Në një njoftim zyrtar, përfaqësia diplomatike thekson se çdo përpjekje për të mashtruar në procesin e marrjes së vizës, për të punuar pa leje apo për të qëndruar më gjatë se sa lejohet nga viza, do të sjellë ndëshkime të rënda ligjore. Nëse gënjeni për të marrë një vizë, punoni pa leje ligjore ose qëndroni në SHBA pas skadimit të periudhës së vizës, do të përballeni me pasoja serioze, përfshirë burgosje, dëbim dhe ndalim të përhershëm për të marrë vizë amerikane në të ardhmen, thuhet në njoftim. Ambasada u bën thirrje qytetarëve që të respektojnë procedurat ligjore dhe të veprojnë me transparencë, pasi çdo mashtrim jo vetëm që rrezikon refuzimin e menjëhershëm të vizës, por edhe ndalimin e përhershëm nga hyrja në Shtetet e Bashkuara.
